Të Pagjeturit Është Tema

Me kalimin e kohës dhe “vjetrimin” e luftës, informacionet për të pagjeturit janë gjithnjë e më të pakta, edhe pse operacione për gjetjen e tyre janë duke u zhvilluar në terren. Mungesën e informacioneve dhe fatin e të zhdukurve në relacionet Kosovë-Serbi, trajton edicioni më i ri i emisionit “Tema”.

Familjet e të zhdukurve prej vitesh presin përgjigje për më të afërmit e tyre, ndërkohë në Kosovë dhe Serbi thonë se me kalimin e kohës, informacionet janë gjithnjë e më të pakta. Ka shumë operacione në terren, por rezultati është i vogël.

NDËRLIDHUR

Megjithatë, zyrtarët e Prishtinës dhe Beogradit, thanë se bashkëpunimi nuk mungon, ndonëse kjo temë shpesh ngelet më shumë politike, sesa humane.

Kush dhe përse nuk jep informacione për këtë çështje, e cila megjithatë ngelet një nga barrët më të mëdha në mes Kosovës dhe Serbisë, është një nga pyetjet që shkaktoi më së shumti përplasje në mes të zyrtarëve serbë dhe atyre kosovarë, të cilët janë pjesë e debatit të ardhshëm të emisionit “Tema”.

Pajazit Nushi, kryesues i Komisionit dialogues për Personat e Pagjetur, tha se nuk ka munguar angazhimi, ndërsa ekziston hapësira për futjen e kësaj teme në bisedime.

“Shumë prej nesh kanë të zhdukur në familje. Mungesën e informacioneve jemi munduar ta kompensojmë përmes arkivave”, tha Nushi.

Velko Odaloviq, nga Komisioni i Serbisë për të Pagjeturit, është shprehur se ekzistojnë kontakte formale dhe joformale në mes të institucioneve dhe këto kontakte kurrë nuk janë ndërprerë.

“Përballemi me probleme të mëdha dhe nuk kemi informacione”, tha Odalloviq.

Sipas tij, çdo dokument për të zhdukurit që i është kërkuar Serbisë është ofruar.

“Ne nuk kemi parë asnjë arkiv të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi ai.

Por, Nushi, theksoi se një arkiv i tillë nuk ekziston.

Nora Ahmetaj, drejtoreshë e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, megjithatë nuk është shumë e bindur se puna ka ecur më së miri.

“Pas tërë kësaj dinamike brenda Kosovës, Serbisë e rajonit, por edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare, humbësit janë familjarët e viktimave”, sqaroi Ahmetaj.

“Mungesa e informacioneve tregon se është çështje politike”, shtoi ajo.

Kosova dhe Serbia nuk e kanë këtë temë si prioritet, mendon Sandra Orlloviq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare.

“Komisionet kanë mundur të punojnë më shumë. Kemi shembuj nga Bosnja se si ka filluar në fushatë kur përmes një numri të telefonit, pra thirrjeve anonime është mundësuar të zbulohen disa varreza dhe mbetje mortore. Mendoj se deri tani nuk kemi parë një kreativitet”, sqaroi Orlloviq.

 “Duhet të ndryshojmë qasje”, tha ajo.

Fati i të pagjeturve, mungesa e informatave për ta dhe rrugët se si të gjenden ata që ende figurojnë si të zhdukur, do të diskutohen nga zyrtarë kosovarë e serbë nëpërmjet një ure televizive, më gjerësisht në emisionin “Tema”, të hënën.

Emisioni “Tema” do të transmetohet, të hënën më 3 qershor në RTV “21”

ETIKETA

03 Qershor 2013 - 12:50

Gazeta Jeta në Kosovë 03/06/2013 - 12:50
NDËRVEPRIMI0

Të Pagjeturit Është Tema

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend