Të Moshuarit Ankohen në Ditën e Tyre

“Punëtoret këtu po na bëjnë shumë zullum dhe nësë bëjmë ndonjë gabim ndodh që edhe na rrahin”, thotë I. A., banuese në Shtëpinë e Pleqve të Prishtinës, të martën.

Ajo është 66 vjeçare dhe  ka 12 vjet që banon në këtë shtëpi dhe sipas saj, aty kushtet janë të mira për punëtoret, por jo për banuesit.

E moshuara flet keq edhe për cilësinë e ushqimit të përditshëm që të shtyrët në moshë hanë në kuzhinën e shtëpisë.

Këto pakënaqësi ajo i shprehu për Gazetën Jeta në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, kur u inauguruan punët renovuese të kryera në shtëpinë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare.

Renovimin e kësaj shtëpie e kishte mbështetur financiarisht kompania “Japan Tabacco International”, e cila prej muajit janar të vitit 2013, vepron në Kosovë.

Përparim Tushaj, drejtori i zyrës së kompanisë “Japan Tabacco International” në Kosovë, tha se ”ne e kemi hapur zyrën tonë … duke u bazuar në filozofinë që ka vetë kompania, që të ndihmojë njerëzit e moshuar aq sa ka mundësi”.

Renovimi nga Japonia

Ai shtoi se Japan Tabacco International, i ka dhënë një faqe ndryshe këtij objekti, ndërsa tha se këtë e ka bërë si pjesë të përgjegjësisë shoqërore.

Përparimi ka refuzuar të tregojë shumën e parave të shpenzuara për renovimin e shtëpisë së pleqve.

Kompania Japan Tabacco International ka selinë në Japoni, por ka edhe disa degë në vende të ndryshme të botës.

Raza Aliqkaj drejtoreshë në shtëpinë për persona të moshuar dhe pa përkujdes familjar, falenderoi kompaninë Japan Tabacco International që kanë financuar renovimin e këtij objekti.

“Ne jemi shumë mirënjohës, sepse kjo kompani ka bërë një punë shumë të mirë, na e ka rinovuar komplet sallën e kuzhinës”, tha drejtoresha Aliqkaj.

Për momentin janë 93 banues nga të gjitha nacionalitetet, shumica prej tyre të moshuar, shtoi ajo.

Disa nga të moshuarit tjerë, i thanë Gazetës  Jeta në Kosovë se kushtet dhe shërbimet në shtëpinë e të moshuarve, nuk janë të këqija, por ata  janë të pakënaqur me partitë politike, e mbi të gjitha me partitë e pensionistëve.

Ajvaz Kerxheli, 76 vjeçar tha për gazetën se ka 16 muaj që banon në këtë shtëpi.

“Tri herë në ditë hamë bukë dhe ushqimi është i mirë, mjeku është këtu dhe si të na duhet, ne veç e thërrasim dhe ai vjen meniherë dhe na kontrollon”, tha Ajvazi.

Por, Ajvazi u shpreh i pakënaqur me dy partitë e pensionistëve, që sipas tij nuk e kanë vizituar shtëpinë asnjëherë që prej kohës që ai është këtu.

I pakënaqur u shfaq edhe i moshuari Mehdi Salihu i cili ka shumë se pesë vjet që është banues i kësaj shtëpie.

Salihu tha që në zgjedhjet e fundit e ka votuar Partinë e Pensionistëve të Kosovës të Sefedin Kikës, por  ai nuk po bën asgjë për t’u ardhur në ndihmë pensionistëve të Kosovës.

Partitë e pensionistëve në prag të shuarjes

Sefedin Kikaj i tha gazetës Jeta në Kosovë, se sot nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet për hir të Ditës Ndërkombëtare për Personat e Moshuar.

Kika thotë se partia e tij nuk është aktive që disa vjet, për mungesë mjetesh, zyrash, por edhe ngase i mungon edhe përkrahja.

“Gjendja e pensionistëve të Kosovës është shumë e mjerueshme, ata kanë nevojë për ndihmë dhe rritje të pensioneve, por kjo varet nga Qeveria e Kosovës e jo nga ne”, shtoi Kikaj.

Edhe Mark Nikaj personi kontaktues i Partisë së Pensionistëve dhe Invalidëve, tha se gjendja e pensionistëve në Kosovë është tepër e mjerueshme.

Ai tha se shuma e pensionit që ata marrin, nuk u mjafton as për ushqim, e jo më për barna e gjëra tjera elementare.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ne kemi hyrë në koalicion me Aleancën Kosova e Re, por kemi marrë shumë pak vota, tha Nikaj, ndërsa shhtoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Ne nuk kemi fonde, para pak ditëve e kemi aktivizuar llogarinë bankare, por prapë nuk kemi para për të garuar dhe për t’i mbrojtur interesat e pensionistëve të Kosovës”, shtoi Nikaj.