Të Kërkuarit e Interpolit Ndërrojnë Identitetin

Enver Aliu (1956) i lindur në fshatin Mjak komuna e Vitisë, më 26 prill 2012 ka kërkuar nga komuna e Vitisë që t’i mundësohet ndërrimi i emrit dhe mbiemrit.

Përpara se të ndërronte emrin, Aliu fillimisht është regjistruar si banor i Kosovës më 26 janar 2012. 

Aliu në komunë kishte paraqitur një certifikatë të vjetër të lindjes, të lëshuar në vitin1974 nga zyra e gjendjes civile në fshatin Binqë të komunës së Vitisë. Gazeta posedon këtë certifikatë e cila është në gjuhën serbe.

Pas regjistrimit si banor, Aliu më 28 shkurt 2012 ishte pajisur me letërnjoftim të Kosovës në të cilin figuron emri Enver Aliu.(shih dokumentin)

Dy muaj pasi që ishte pajisur me letërnjoftim ku ai quhej Enver Aliu, më 26 prill 2012, ai tash kërkonte një letërnjoftim tjetër me emrin Mehmet Mjaku. ( shih kerkesen)

Të njëjtin ditë të prillit komuna e Vitisë e bëri atë banor të saj, duke i ofruar certifikatë të lindjes dhe identitet të ri. 

Tash, në letërnjoftimin e dytë i cili në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme figuron se është prodhuar më 11 maj 2012 Enver Aliu është shndërruar në Mehmet Mjaku.

Aliu nuk kishte të drejtë që të ndryshonte identitetin e tij për shkak se gjendet nën hetime.

Ligji për emrin personal i hyrë në fuqi në vitin 2008 parasheh që për të ndryshuar emrin dhe mbiemrin aplikuesi duhet të dëshmojë se nuk është nën hetime.

Aliu është i dyshuar për përfshirje në kontrabandë me narkotikë dhe është person i kërkuar ndërkombëtarisht nga Maqedonia që nga viti 2011 përmes Interpolit.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka konfirmuar se shtetasi kosovar Enver Aliu është duke u kërkuar përmes një fletarresti ndërkombëtar. 

“Personi është i njohur nga njësia kundër narkotikëve dhe për të ekzistojnë të dhëna të cilat thonë se ky person është i përfshirë në vepra që kanë të bëjnë me tregti me narkotikë” tha zëdhënësi i MPB-së maqedonase Ivo Kotovski për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Nga viti 2011 personi me këtë emër dhe mbiemër është duke u kërkuar nga policia maqedonase me fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli në Shkup” tha Kotovski.

Zëdhënësi i MPB-së maqedonase Ivo Kotovski 

Për të verifikuar se bëhet fjalë për Enver Aliun i cili ka ndërruar identitetin në komunën e Vitisë dhe se i njëjti është në kërkim nga Interpoli, gazeta duke u bazuar në numrin personal të letërnjoftimit i cili figuron të jetë i njëjtë në dy rastet, ka kontaktuar Policinë e Kosovës. 

Policia e Kosovës ka konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtin person.

“Personi të cilit ju jeni duke iu referuar është në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë” tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani.

Deri në prill të vitit të kaluar Aliu jetonte në fshatin Dobresh afër Vitisë. Kjo është adresa që figuron në kërkesën për ndryshim të emrit të bërë nga ai. 

Pas ndryshimit të identitetit, Aliu nuk mund të gjendet as nga Policia e Kosovës e as nga Interpoli, madje as banorët e fshatit Dobresh nuk e njohin Aliun e as Mjakun.

“Enver Aliu nuk figuron si person me precedent penal”

Gazeta ka kontaktuar me zyrtarët komunalë të cilët kanë lejuar Aliun që të ndryshojë emrin.

Drejtoria për Administratë e Komunës së Vitisë me vendimin numër 03-201/245/2012 ka aprovuar kërkesën e Aliut, edhe pse për të ka një fletarrestim ndërkombëtar.

Besim Halimi, shefi i administratës në Viti

Zyrtarët komunalë në Viti thonë se procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin.

“Ne kemi kërkuar të dhëna nga gjykata e Vitisë të cilat dëshmojnë se ky person nuk ka precedent penal” tha shefi i administratës në Viti, Besim Halimi. 

Sipas Halimit, Aliu ka sjellë një certifikatë të lëshuar nga gjykata e Vitisë e cila dëshmon se ai nuk ka të kaluar kriminale. (shih certifikaten)

Drejtues i Gjykatës Themelore të Gjilanit-dega në Viti, Skender Shefkiu, pranon se këtë certifikatë e ka lëshuar kjo gjykatë. 

“Enver Aliu nuk figuron si person me precedent penal” tha ai. 

Shefkiu thotë se në gjykatë nuk ka të dhëna për personat të cilët janë të kërkuar nga Interpoli dhe kjo është arsyeja pse i kërkuari Aliu ka marrë certifikatë e cila dëshmon se nuk është nën hetime.

Rasti i Enver Aliut i cili tash quhet Mehmet Mjaku për t’i ikur kërkimit nga  Interpol-i, nuk është rasti i vetëm.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur në komunën e Rahovecit ku Muharrem Mazreku për të cilin Policia e Kosovës ka deklaruar se ka qenë i kërkuar me fletërreshtim ndërkombëtar nga Zvicra, ka arritur ta ndryshojë emrin dhe mbiemrin e tij  në Ilir Berisha. 

Komuna e Rahovecit ka lejuar Mazrekun më 6 tetor 2008 përmes vendimit 203-9/48 që të mos bartë më këtë emër.

Vendimi i komunës së Rahovecit është konfirmuar nga Samir Mustafa drejtor i Administratës në këtë komunë. (shih vendimin e komunës)

Edhe në këtë rast Gjykata Komunale e Rahovecit dëshmonte se personi nuk është nën hetime. (shih certifikatën e gjykatës 2)

Ndërrimi i identitetit në këto raste ka ndodhur për arsye se deri më tani procedurat komunale për ndërrimin e identitetit nuk kërkonin certifikatë edhe nga policia, për të dëshmuar se një person nuk është nën hetime.

Për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur që nga korriku 2012 që komunat duhet të kërkojnë nga banorët që duan të ndryshojnë identitetin certifikatë për të kaluarën kriminale edhe nga Policia e Kosovës.

Sipas zyrtarëve komunalë procedura e re ka krijuar kushte që disa kërkesa për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit të refuzohen.

Drejtori i Administratës në komunën e Rahovecit Samir Mustafa thotë se që nga nxjerrja e kësaj urdhërese ata kanë refuzuar dy kërkesa të cilat janë parashtruar në komunën e tyre.

Samir Mustafa, Drejtori i Administratës në komunën e Rahovecit 

Falsifikohen certifikatat e Policisë së Kosovës

Kërkesa e re e komunave që aplikuesit për ndryshim të identitetit të ofrojnë certifikatë për të kaluarën penale nga gjykata, por edhe nga policia, ka ndikuar në paraqitjen e rasteve të falsifikimit të këtyre të fundit.

Në mes të qershorit të këtij viti, Policia e Kosovës ka arrestuar Haqif Krasniqin i lindur më 12 qershor 1978 dhe Xhemail Sekiraqëni lindur më 13 shkurt1979) nën dyshimin se kanë falsifikuar certifikatat e policisë, me qëllim që t’i ndërrojnë emrat e tyre.

Këta të dyshuar nuk kishin të drejtë të pajiseshin me këto certifikata, për shkak se njëri ishte duke u kërkuar me fletarrestim ndërkombëtar të Interpolit, ndërsa tjetri është person me të kaluar kriminale.

Për ta siguruar certifikatën se nuk janë nën hetime Krasniqi dhe Sekiraqa dyshohet se kanë përdorur një certifikatë të lëshuar nga Policia e Kosovës me numër 637.

Kjo certifikatë në origjinal i ishte lëshuar një personi të tretë me inicialet F.I i cili nuk ka të kaluar kriminale nga Policia e Kosovës.

Me certifikatat e falsifikuara, që mbajnë të njëjtin numër (637), të dyshuarit kanë arritur që në Komunën e Prishtinës të ndryshojnë emrat e tyre në Haqif Krasniqi përkatësisht Jimmy Sekiraqa.(vendimi i komunës për ndërrimin e emrit)

Rasti është duke u hetuar nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Hivzi Bajraktari.

Prokurori Bajraktari në një përgjigje me shkrim për Gazetën Jeta në Kosovë ka treguar se Sekiraqa ka falsifikuar certifikatën e policisë se nuk ka të kaluar kriminale, anipse ai kërkohet me fletarrestim nga Kuvajti për veprën penale të vjedhjes.

Sipas prokurorit të njëjtën certifikatë nuk ka pasur të drejtë ta ketë as Haqif Krasniqi, pasi që ishte i evidentuar në polici si person me të kaluar kriminale.

“Për të siguruar këtë dokument i dyshuari Krasniqi kishte marrë një certifikatë të një personi tjetër [F.I] dhe në të kishte vendosur të dhënat e tij personale. Në të njëjtën certifikatë gjenden edhe të dhënat e të dyshuarit Xhemail Sekiraqa i cili kërkohet me fletërreshtim ndërkombëtar vjedhje të rëndë në Kuvajt” thuhet në përgjigjen e prokurorit Hivzi Bajraktari. Sipas të njëjtit prokuroria ka nisur hetime për vepër penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.