Të Jetosh në një Vend të Korruptuar

Varësisht nga shuma e parave dhe  sektorit ku  ndodhë, korrupsioni mund të jetë i ulët ose korrupsion politik. Korrupsioni i ulët nënkupton abuzim të përditshëm të pushtetit nga zyrtarët publik në ndërveprimet e tyre me qytetarë të cilët përpiqen të kenë qasje në shërbimet elementare në spitale, shkolla, polici dhe agjencione tjera. Ndërsa korrupsioni politik është një manipulim i politikave, institucioneve dhe ligjeve në shpërndarjen e burimeve dhe mjeteve financiare nga politikanë që abuzojnë me pozitën e tyre për të siguruar fuqi, status dhe pasuri. Korrupsioni – si fenomen – duhet të merret seriozisht për shkak se dëmton rëndë ekonominë dhe sistemin politik.

Në aspektin politik, korrupsioni është një pengesë e madhe për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Për më tepër, në një klimë të korruptuar – si Kosova – është jashtëzakonisht e vështirë të  depërtojnë lider të përgjegjshëm pra korrupsioni siguron që të mos kemi alternativë në qeversije. Së dyti, korrupsioni parandalon zhvillimin ekonomik pasi ndikon në treg, konkurrencë dhe pengon investimet e jashtme.

Për fat të keq – tek ne – korrupsioni është një problem i madh. Sipas të dhënave të Transparency International të vitit 2014, Kosova renditet e 110-ta për nivelin e saj të korrupsionit dhe ndanë këtë “post” me vende si Ekuadori, Etiopia, Malavi, dhe Shqipëria. Kosova dhe Shqipëria janë më së keqi nga vendet e Ballkanit, pasi Maqedonia është e  64-ta, Serbia e 78-ta, Malin i Zi i 76-ti dhe Bosnja e  80-ta.

Për më tepër, ne jemi më keq në ranklistë se shumë shtete afrikane siq janë Zambia, Mongolia, Burkina Faso, Maroku dhe Xhamajka. Vendet që janë raportuar të kenë normat më të ulta të korrupsionit përfshijnë Danimarkën, Finlandën, Suedinë, Gjermaninë dhe Norvegjinë. Arsyeja pse rezultatet e Transparency International duhet të merren seriozisht është se sa më keq që një vend të jetë në listë, aq më pak investime dhe donacione do të pranoj.

Studimet tregojnë që korrupcioni i lartë ndërlidhet me rritje të ulët dhe investime të pakta. Analizat poashtu tregojnë se nëse një vend e përmirëson pozitën në indeksin e korrupcionit për dy pikë atëherë ky vend –më së paku- do të këtë një ngritje në investime për 4% dhe një ngritje në nivelin e rritjes ekonomike mbi 0.5%.

Korrupsionit është i zakonshëm në ekonomitë në zhvillim, siq është Kosova, për dy arsye. Së pari, korrupsioni inkurajohet nga mungesa e zhvillimit ekonomik. Korrupsioni është i lartë sepse ekonomia është e dobët dhe të ardhurat nuk mjaftojnë për të mbajtur familjen. Së dyti, Kosova nuk ka skemë të mbrojtjes sociale dhe kjo e rritë më tutje nivelin e korrupsionit. Në vendet në zhvillim, njerëzit kanë nevojë për të akumuluar të holla për shkak se ata nuk kanë sigurim shëndetësor ose përfitime financiare kur mbesin të papunë.

Shtrohet pytja, kur do të ulet niveli i korrupsionit tek ne?  Lajmi i keq është që korrupsioni i lartë do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Ekonomia e dobët dhe mungesa e skemave të mirëfillta të mbrojtjes sociale jo vetëm që spjegojnë pse korrupsioni është aq i lartë në Kosovë por edhe sigurojnë që trendi të vazhdojë.  Korrupsioni kryesisht konsiderohet si një problem politik, pa adresuar lidhjen e korrupsionit me zhvillimin ekonomik e në fakt niveli i korrupsionit varet nga niveli i zhvillimit ekonomik.

Vendet që nuk janë të zhvilluara kanë burime të kufizuara për të përmbushur nevojat e qytetarëve dhe për të luftuar korrupsionin. Korrupsioni në Kosove nuk do të përfundojë duke aplikuar strukturat anti-korrupsion që janë të suksesshme në vendet e zhvilluara. Këto masa pavarësisht nga natyra e tyre janë elemente teknike dhe asgjë më shumë.

Një rënie e vërtetë në korrupsion varet nga zhvillimin ekonomik, që do të thotë se Kosova duhet të zhvillojnë strategji për të nxitur zhvillimin ekonomik, si rezultat i së cilës qeverisja do të përmirësohet dhe korrupsioni do të ulet.

A kemi arritur deri në atë pikë sa të pranojmë korrupsionin si pjesë të jetës sonë? Unë mendoj se jo! Përderisa zhvillimi ekonomik është një strategji afatgjate e luftimit të korrupsionit, në aspektin afatshkurtër korrupsioni mund të luftohet përmes aktivizimit të shoqërisë civile dhe mediave. Shoqëria civile dhe mediat mund të ushtrojnë ndikimin e tyre duke raportuar rastet e korrupsionit dhe kontrolluar qeverinë.

Të dyja mund të bëjnë shumë për të luftuar kulturën e frikës që dominon në shoqërinë tonë, implantuar nga ata që përfitojnë nga korrupsioni. Shoqëria mund të luftojnë korrupsionin  nëse është e informuar dhe nuk ka frikë. Në përfundim, lufta kundër korrupsionit nuk do të fitohet nga politikanët për arsyen e vetme se korrupsioni nuk lejon lider të denjë të vijnë në pushtet. Korrupsioni, luftohet nga shumë individë të bashkuar në qëllimin e përbashkët për ta çrrënjosur  atë.