Të Humbur në Realitet

Në filmin “Groundhog Day”, prezantuesi i motit Phil (Bill Murray), përjeton një situatë ekstreme: si një pllakë e prishur gramafoni, rrjedha e jetës i bllokohet në një ditë të vetme. Detyrohet që ngjarjet monotone të kësaj dite t’i përsërisë vazhdimisht: zgjohet në orën e njëjtë, me këngën e njëjtë në radio, ha ushqimin e njëjtë, takon njerëzit e njëjtë që ia thonë fjalët e njëjta. “Të nesërmen”, procedura është identike. Edhe “të pasnesërmen”…

E vetmja gjë që qëndron jashtë kornizës përsëritëse është vetëdija e tij për ekzistencën e këtij qarku. Por, pikërisht kjo është tragjikja, sepse e bën të vetëdijshëm për pafuqinë që të ndikojë në parandalimin e kësaj përsëritjeje, si dhe për dënimin e tij që t’i bindet pavullnetshëm. 

PD si PS si PDK si LDK

Parashikueshmëria e ndryshimeve të mëdha në politikat shqiptare është duke u kodifikuar në një praktikë të zakonshme, të dëmshme dhe dëshpëruese. 

Nëse krahasohen zgjedhjet e porsapërfunduara në Shqipëri me ato të vitit 2007 në Kosovë, identifikohen shumë pika që i ndërlidhin ardhjet në pushtet të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Të ngjashme janë arsyet e humbjeve të thella të PD-së në 2013 dhe LDK-së në 2007. Gjithashtu, ka shumë përbashkësi në stilin e qeverisjes së Berishës dhe Thaçit, si me prioritetet e investimeve, ashtu edhe me qasjet ndaj funksionimit të partive të tyre.

Në vitin 2007, PDK-ja i fitoi zgjedhjet parlamentare, ndonëse kishte 3 mijë vota më pak në raport me zgjedhjet e vitit 2004 (199 mijë me 196 mijë), por u bë partia e parë me 12% dallim ndaj LDK-së, e cila kishte humbur 184 mijë vota, apo 58.7% të elektoratit (nga 313 mijë në 129 mijë). Ndryshimi në deputetë mes këtyre dy partive ishte 29: LDK kishte plus 17 në 2004, kurse PDK u bë plus 12 në 2007.

Në zgjedhjet e javës së kaluar, PS-ja mori 0.6% më shumë vota se në vitin 2009, kurse PD-ja humbi 9.4% të votuesve. Sa i përket përfaqësimit parlamentar, PS-ja fitoi vetëm një deputet më shumë se në legjislaturën e kaluar (prej 65 në 66), derisa PD-ja humbi 19 deputetë (prej 68 ra në 49).

Edhe rikthimi i PD-së në pushtet, në vitin 2005, u ndihmua esencialisht nga përçarjet disavjeçare brenda PS-së dhe keqqeverisja e saj, mirëpo për shkak të fenomenit të “dushkut”, krahasimi PD-PS me votat e vitit 2001, nuk është i mundshëm.

Ndikimi i PD-së në arsyet e fitimit të pushtetit nga PS-ja në vitin 1997, është rrëfim i dhembjes epike.

Këta shembuj dëshmojnë se në Kosovë dhe Shqipëri është formësuar një sistem pasiv i marrjes së pushtetit. Partitë opozitare i fitojnë zgjedhjet kryekëput si rezultat i ndëshkimit të ashpër që elektorati ua bën partive qeverisëse, pra, si “votë negative”, e jo për merita të ngadhënjimit të ofertës politike më të dobishme dhe më premtuese, që do të shënonte “votën pozitive”.

Paradoksalisht, pozita vazhdimisht e bën punën vendimtare për fitoren e opozitës. Sipas këtij sistemi, opozita mund edhe të mos angazhohet dhe mobilizohet maksimalisht për ta rrëzuar qeverinë, e as të preokupohet për të gjetur kandidatë të mirë, për të krijuar diskurs avancues dhe programe konkrete zgjedhore. Ajo pas tetë vjetësh do të vijë në pushtet. Me garanci qeveritare.

Kjo mundësi u jep pushtet të madh liderëve të opozitës, të cilët, posaçërisht në mandatin e dytë të qeverisë, fillojnë t’u ngjasojnë liderëve të pozitës, duke u bërë “pozitë në opozitë”. I afrojnë të dëgjueshmit, i largojnë të padëgjueshmit, i riciklojnë të harxhuarit, koketojnë me korrupsionin. Atmosfera e tillë opozitare është përcaktuese për qeverisjen joefikase dhe korruptive në të ardhmen. Dhe dorëzimin e vullnetshëm të pushtetit pas dy mandateve.

Rotacioni i pushtetit është gjëja më normale në politikë. Problemi me Kosovën dhe Shqipërinë është se rotacionet janë traumatike.

Ato nuk janë ndryshim i zakonshëm i partive qeverisëse, sikurse në vendet tjera, por shndërrohen në udhëkryq identitar, plandosje politike, braktisje masive të elektoratit dhe anulim flagrant të besimit të dhënë disa vjet më parë.

Në shtetet e rregullta, humbja në zgjedhje përcillet me dorëheqje të liderit dhe reformim të lidershipit. Në Kosovë dhe Shqipëri, humbjet shkaktojnë tërmet strukturor, diskutim për parimet dhe normat themeltare mbi të cilat funksionon partia/ideologjia, gjueti shtrigash dhe shtriganësh.
Kjo gjendje bën qeverisjen e re, së paku në mandatin e parë, të mos ketë opozitë reale derisa kjo e fundit nuk rimëkëmbet sadopak nga rrëzimi.

Çdo tetë vjet krijohet një akt masiv performativ: elektorati ia merr pushtetin një partie/lideri për t’ia dhënë një partie/lideri tjetër. Në ditën e votimit, elektorati (vetë)konstituohet si subjekt (vendimmarrës). Njerëzit janë të lumtur, sepse ndjehen të pushtetshëm. Për disa orë. Në media nuk mungon klisheja: “Sovrani foli”.

Edhe këtu kemi të bëjmë me një set praktikash rutinore, sepse vendimi i votuesve është pothuajse i imponuar. Zgjedhje, në kuptim të plotë të fjalës, do të ishte sikur votuesve do t’u duhej ta përzgjidhnin njërën prej dy ofertave të përafërta. Në duelin mes partisë e cila në dy mandate është lodhur, mërzitur e topitur me korrupsion, ndasi të brendshme dhe keqpërdorim partiak të resurseve shtetërore, dhe secilës parti tjetër të madhe, fituese del secila parti tjetër e madhe. Përveç nëse ndodh diçka e jashtëzakonshme.

Të gjithë dhe asnjëri

Boshti elektoral i partive shqiptare është hapja e vendeve të reja të punës dhe luftimi i korrupsionit. Vijnë në pushtet me premtimin e “duarve të pastra”, largohen nga ai me imazhin e “duarve të papastra”, duke humbur në zgjedhje nga partitë që premtojnë “duar të pastra”. Dhe cikli vazhdon.

Një model specifik i qeverisjes është bërë zakonshmëri. Partitë që i fitojnë zgjedhjet startojnë furishëm: zgjasin orarin e punës, rrisin përkushtimin dhe seriozitetin, shkurtojnë shpenzimet, planifikojnë projekte madhore, u japin llogari qytetarëve, tregojnë transparencë. Me kalimin e kohës, këto cilësi dalëngadalë zvetënohen, për t’u shndërruan në fund në të kundërtën e atyre që ishin në fillim: puna bëhet mospunë, përkushtimi neglizhencë, llogaridhënia injorim, transparenca korrupsion.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj panorame politike shqiptare janë liderët. Karakteristikat e tyre janë aq të ngjashme, saqë nëse flet për njërin – flet për të gjithë. Të gjithë.

Privatizimi i publikes; koncentrimi i skajshëm i vendimmarrjes shtetërore dhe partiake me krijimin e një klani shumë të ngushtë – pothuajse misterioz – të njerëzve të besueshëm; sterilizimi i mendimeve ndryshe; dënimi i rreptë dhe i menjëhershëm i kritikës; reformimi selektiv i partisë duke larguar, ose margjinalizuar, personalitete me autoritet dhe ndikim publik; ndërlidhja e plotë e suksesit politik dhe financiar me përkrahjen absolute dhe përulësinë ndaj liderit. Këta janë termat e referencës së tyre.

Liderët qeverisës e krijojnë një realitet të vetin, i cili është i izoluar nga realiteti i qytetarëve. Aty, çdo gjë shkon mirë, të gjithë janë të gëzuar, secila informatë është pozitive – dashuria e popullit ndaj liderit rritet çdo ditë, përkrahja e votuesve shumëfishohet, projektet ecin para dinamikës së paraparë, mediat shpifin skandale korruptive…

Ky realitet i tyre “subjektiv” shpërbëhet në ditën e zgjedhjeve, kur ballafaqohet me realitetin “objektiv” të qytetarëve të zhgënjyer, të cilin e ka dëmtuar me vite. Humbëse janë të dyja realitetet. I pari përfundon i dënuar, i dyti vazhdon me investimin e radhës në mekanizmin negativ të pushtetit. 

Me gjithë përpjekjet, vërtet është vështirë i kuptueshëm injorimi të cilin liderët ua bëjnë domosdoshmërive thelbësore të qytetarëve: zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e sistemit ligjor.

Vullneti për të qeverisur kësisoj e ka krijuar ndjenjën e utopisë në raport me qeverisjen normale.

Kokëfortësia destruktive i shtyn liderët që planifikimet e investimeve qeveritare t’i bëjnë në shpërputhje me prioritetet e qytetarëve, të mos e shohin atë që shihet nga gjithë të tjerët dhe të mos intervenojnë në bërthamën e problemeve, refuzim ky i cili ndonjëherë krijon kundërefekte edhe nga investimet e mëdha. Veprat e tyre të mira politike apo infrastrukturore do të çmohen, por pesha do të relativizohet nga vazhdimësia e pranisë së problemeve fundamentale. Korrupsioni është element i rëndësishëm në këtë kontekst, por jo më i rëndësishmi.

Asnjë lider shqiptar, asnjë parti dhe asnjë qeveri nuk do të mbahet në mend për rritje relevante dhe stabile të punësimit, mirëqenies, dhe instalimin e shtetit ligjor.

Të gjithë liderët shqiptarë, të gjitha partitë e mëdha dhe të gjitha qeveritë do të kujtohen për keqmenaxhim, varfëri, korrupsion dhe sundimin mbi ligjin. 

E dhembshme. Shumë.

Jo, realisht

Normalizimi i kësaj skeme negative të marrjes dhe dhënies së pushtetit e dëshmon jonormalitetin e sistemeve tona politike. Ajo imponon që në ditën e votimit të bëhet zgjedhja e së keqes më të vogël, e cila pas dy mandateve do të bëhet e keqja më e madhe. Dhe këtu s’mund të ketë asgjë të mirë.

Dalja nga ky qark dëshpërues, si të gjitha heroizmat, kërkon guxim dhe sakrifica.

Një mundësi për ndryshim është shndërrimi i këtij qëllimi në mision personal të ndonjërit prej liderëve, i cili do të mund ta merrte guximin e shkëputjes nga ky sistem dhe të ndërtonte standard të ri. Për ta bërë këtë, ai do të duhej të vepronte në kundërshtim me praktikat e deritashme: t’i zhgënjente grupet e vogla të interesit rreth tij dhe militantët përfitues, të mos i injoronte prioritetet reale të qytetarëve, dhe të krijonte gjurmë të dukshme përmirësimi në zhvillimin ekonomik dhe shtetin ligjor.

Mundësia tjetër është që votuesit t’i bojkotojnë masivisht proceset zgjedhore, të mos i legjitimojnë partitë/liderët, dhe me një presion të madh publik dhe medial t’i detyrojnë për ndryshim të politikave. Ky mobilizim tingëllon si idealizëm, por ai do të mund të ndodhte në ndonjë moment të veçantë të shprehjes kolektive të vetëdijesimit qytetar.

Si mundësi e fundit mbetet ndërhyrja nga jashtë e një pushteti më të fuqishëm se pushtetet e pozitave dhe opozitave tona. Jodemokratike, por e keqe e domosdoshme karshi një sistemi të deformuar demokratik.  

Vazhdimësia e këtij cikli negativ nënkupton se çdo tetë vjet qytetarët në Kosovë dhe Shqipëri bashkë me fitoren e njërës alternativë – në Kosovë PDK ose LDK, në Shqipëri PD ose PS, ta përjetojnë ritualin e gëzimit dhe hidhërimit, shpresës dhe zhgënjimit, shfaqjes dhe zhdukjes së entuziazmit, gjithnjë me ndjenjën latente të pendimit për cilëndo zgjedhje të bërë.

Në këtë përplasje realitetesh, jeta jonë reale është ajo që nuk është e tillë.