Të Humbur në Ndryshime Pafund

Edhe pse bëhen 13 vjet nga lufta, tranzicionit institucional në Kosovë nuk po i shihet fundi derisa kualiteti i jetës që ato mbështetin nuk ndryshon. Përveç kalimit nga një demokraci virtuale në të vërtetë që përshkohet me ngërçe të shumta, nga një ekonomi e kooperativave drejt tregut të lirë që ngulfat edhe më tej ambientin e biznesit, edhe gjyqësori vazhdon me reforma duke synuar një drejtësi kompetente dhe të përshtatshme me kohën.  

Teksa planifikohet ndërrimi strukturor i gjykatave dhe prokurorive, është ende i freskët procesi i tejzgjatur i emërimit dhe riemërimit të gjykatësve që përveç forcimit të kuadrove, duhej në mënyrë indirekte, të tejkalonte edhe disa nga telashet e ndërlidhura si ndikimet e natyrës politike, familjare dhe kriteret joprofesionale për aplikantët. 

Ndonëse rreth 100 vende janë ende duke u plotësuar, gjyqësori mori gjak të freskët pasi 60 për qind e të emëruarve ishin emra të rinj. Ky sektor nuk ka qenë fatlum me trashëgiminë që i është lënë, por këta emra duket se kanë sjell vullnet në punë dhe efektshmëri më të lartë. Është një hap në një rrugë të gjatë përpara.

Një lëvizje tjetër ishte plotësimi i ligjeve nga sfera gjyqësore gjatë dy viteve të fundit. Ndër të tjera është miratuar ligji për gjykatat, ligji për këshillin gjyqësor, ligjin për këshillin prokurorial dhe aktualisht gjendet në procedurat e ndryshimit edhe kodi penal. Ligjet e këtilla kanë krijuar një kornizë të mirë ligjore në të cilën vullneti i cekur më lartë mund të mirëpritet edhe më shumë.  

Tash gjyqësori përballet me futjen në funksion të strukturës së re organizative, duke nisur nga janari 2013.

Të gjitha gjykatat për kundërvajtje, ato komunale dhe të qarkut, do të shndërrohen në një të vetme, në atë Themelore. Do të kemi vetëm një gjykatë të Apelit më seli në Prishtinë dhe vetëm një Supreme. 

Janë bërë strategjitë e transferit dhe shpërndarjes së gjykatësve dhe lëndëve në sistemin e ri organizativ dhe përshtypjet e para sugjerojnë se gjyqësori do të përballet më një sfide jo të vogël në vitet në vijim. Do të ketë tema të shumta për adresim siç janë mungesa e objekteve për gjykatat, themelimi i degëve të reja të tyre, regjistrat e rinj etj.

Gjenden gjithsej 58 objekte të gjykatave për kundërvajtje, komunale dhe të qarkut, që do të shndërrohen në 7 objekte të gjykatave themelore. Këto të fundit pastaj ndahen në degë dhe departamente. 

Brenda gjykatës themelore do të ketë departamente për krime të rënda, departamentin e përgjithshëm, atë për të mitur, për çështje ekonomike dhe atë për çështje administrative. Do të ketë edhe degët e saja në komunat më të afërta gjeografikisht. 

Komisioni mbikëqyrës i përbërë nga gjykatës profesionistë dhe grupi punues i formuar nga ky komision, do të jenë trupat që do të bartin sfidën e këtij transferi. 

Problemi kryesor do të jetë me dy gjykatat themelore që do të formohen në Ferizaj dhe Gjakovë, ku përveç mungesës së objekteve adekuate do të ketë problem edhe më gjykatës të cilët do të gjykojnë veprat e krimeve të rënda, e këto territore nuk kanë gjykuar më parë këso krimesh. Të njëjtat do të përfshijnë edhe territoret në Shtërpcë, Kaçanik përkatësisht Malishevë dhe Rahovec. 

Problemin e njëjtë do ta ketë edhe Prishtina, gjykata themelore e së cilës do të jetë e shpërndarë në objekte të ndryshme në Prishtinë. Kjo situatë do të zgjasë të paktën deri në ndërtimin e pallatit të Drejtësisë. Prishtina, përveç tjerash, do të ketë edhe departamentin për çështje ekonomike dhe atë për çështje administrative. 

Marrë parasysh formimin e degëve të reja dhe kompetencat e tyre, natyrisht se do të shtrohet nevoja për staf të ri. 

Grupi Punues i krijuar nga komisioni për mbikëqyrje ka planifikuar që deri në muajin nëntor të bëjë bartjen e lëndëve në të gjitha nivelet, ndërsa në muajin dhjetor të përfundojë shpërndarjen e gjykatësve. Mirëpo i njëjti grup nuk ka paraparë fare nevojën e plotësimit të gjyqësorit me staf të ri administrativ i cili do të plotësonte nevojat në departamentet e degëve të reja.

Ekziston përshtypja se përsëri do të përballemi me sfida të mëhershme – ta mungesës së numrit të mjaftueshëm të gjykatësve dhe prokurorëve. 

Dhe derisa të gjitha këto ndryshime bëhen e janë të shpeshta, në ndërkohë, janë qytetarët të cilët dëmtohen pasi këto procese shpesh përdoren si arsyetime për vonesa e mostrajtime të lëndëve të tyre. 

Janë mbi 230 mijë lëndë që mbesin për tu trajtuar. Dhe janë jo më shumë se 1.7 milionë banorë në përgjithësi në Kosovë. I bie se gati çdo i shtati kosovar ka një lëndë që e pret.  

Kjo frikë forcohet edhe nga fakti që ky model i strukturimit të gjyqësorit, që tashmë aplikohet në disa vende të rajonit, nuk është treguar atje edhe aq i suksesshëm, sidomos në fazat e fillimit të tij.