Astrit Dehari | Foto: LVV

Të Gjitha Vizitat që iu Bënë Astrit Deharit në Burg (Dokument)

Në bazë të lejeve të lëshuara nga gjyqtari Vehbi Kashtanjeva, në gjashtë nga shtatë vizitat që Astrit Deharit iu bënë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren familjarët u shoqëruan nga zyrtarë të “Vetëvendosjes”.

Aktivisti tash i ndjerë i Lëvizjes “Vetëvendosje” Astrit Dehari gjatë 68 ditëve në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka pasur gjithsej 7 vizita.

Në të gjitha vizitat të pranishëm ishin prindërit dhe gruaja e tij, e në gjashtë prej tyre familjarët shoqëroheshin nga zyrtarë të “Vetëvendosjes”.

Për shtatë javë, çdo të enjte, të ndjerit Dehari i kanë shkuar në vizitë familjarë, të shoqëruar nga aktivistë të subjektit që ai i takonte dhe secila vizitë ka zgjatur 60 minuta.

KALLXO.com ka siguruar të gjitha lejet e lëshuara për vizitë Deharit nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, në të cilat shihet se u është lejuar vizita përveç familjarëve edhe aktivistëve të VV-së.

Vizita e fundit kishte ndodhur dy ditë para se Dehari të vdiste në rrethana të pasqaruara. Atë sipas dokumentacionit të siguruar e kishin vizituar prindërit Avni e Xhemile Dehari, gruaja Arta Boshtraj dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Sami Kurteshi.

Kjo vizitë, referuar lejes së lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva, është bërë më 3 nëntor dhe ka zgjatur një orë.

Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva për Sami Kurteshin dhe familjarë të Astrit Deharit
Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva për Sami Kurteshin dhe familjarë të Astrit Deharit

Në vizitën e parafundit-atë të datës 27 tetor, veç tre familjarëve të lartpërmendur (prindërve dhe gruas), sipas lejes së lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva, i pranishëm ka qenë edhe sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj.

Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva Për vizitëne Dardan Molliqajt dhe familjarëve të Astrit Deharit
Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva për vizitën e Dardan Molliqajt dhe familjarëve të Astrit Deharit

Dje gjyqtari Kashtanjeva mohoi se u dha leje zyrtarëve të “Vetëvendosjes” ta vizitojnë Deharin në burg, por sot zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi tha se ky gjyqtar mund të ketë lëshuar leje edhe për vizitat e Kurteshit dhe Molliqajt, por mund të mos i kujtohet kjo gjë pasi lëshon shumë leje për vizita te të paraburgosurit.

Gjyqtari: S’kam Lejuar Vizitat e Molliqajt e Kurteshit në Qelinë e Deharit

Sot në një konferencë për medie sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj tha se ai dhe Kurteshi vizituan Deharin në burg.

Molliqaj në konferencë shpjegoi procedurat e ndjekura gjatë vizitave të tilla.

“Procedurat janë kështu: kërkesë bën familja për personat të cilët duan ta vizitojnë dikë, në këtë rast të ndjerin,” shpjegoi Molliqaj.

VV Kërkon Ndërprerjen e Hetimeve nga Grupi Aktual Hetues

KALLXO.com ka kërkuar nga Zyra për Informim e VV-së emrat e aktivistëve që e kanë vizituar Deharin, por nuk ka marrë përgjigje prej saj.

Më 20 tetor, sipas lejes së gjyqtarit të siguruar nga KALLXO.com, Astrit Deharin në burg e kishte vizituar Brym Maximilian. I njohur si Brym Max, një profesor i filozofisë që ka ligjëruar disa herë edhe në VV e Lëvizjen Studentore SKV. Brym në letrën e shkruar pas vdekjes së Deharit, kishte thënë se e njeh atë që nga viti 2008 dhe se shpesh i ndjeri kishte përkthyer shkrimet e tij nga gjermanishtja në shqip.

Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva për vizitën e Brym Max dhe familjarëve të Deharit
Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva për vizitën e Brym Max dhe familjarëve të Deharit

Në vizitën e katërt të 13 tetorit, gjykatësi u dha leje ta vizitojnë  Deharin prindërve Xhemile e Avni, bashkëshortes Arta dhe Hekuran Myrtajt.

Myrtaj konfirmoi për KALLXO.com se është anëtar i “Vetëvendosjes”.

“Po jam edhe anëtar i ‘Vetëvendosjes’,” tha ai.

Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva për vizitën te Dehari të anëtarit të “Vetëvendosjes” Hekuran Myrtaj dhe familjarëve

Një javë para kësaj, gjithnjë sipas lejeve të gjyqtarit, në kombinimin e njëjtë të familjes Deharit i kishte shkuar në vizitë edhe koordinatori i Qendrës së Lëvizjes “Vetëvendosje” në Ferizaj Emrush Xhemajli. Xhemajli ishte kandidat i VV-së për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva për vizitën e Emrush Xhemajlit dhe familjarëve te Astrit Dehari
Leja e lëshuar nga gjyqtari Kashtanjeva për vizitën e Emrush Xhemajlit dhe familjarëve te Astrit Dehari

Sipas lejes, në fund të shtatorit Deharin e kishte vizituar aktivisti tjetër i “Vetëvendosjes” Egzon Balaj. Në këtë takim ishin edhe familjarët e të ndjerit, prindërit dhe gruaja.

Leja e gjyqtarit Kashtanjeva për vizitën te Dehari i aktivistit Egzon Balaj dhe familjarëve
Leja e gjyqtarit Kashtanjeva për vizitën te Dehari i aktivistit Egzon Balaj dhe familjarëve

Vizita e parë në paraburgim e Astrit Deharit është e vetmja ku atë e vizituan vetëm familjarët, pa praninë e zyrtarëve të “Vetëvendosjes”. Në këtë vizitë, ishin prindërit dhe gruaja, si dhe dy nipërit e të ndjerit. Kjo ishte vizita e vetme në të cilën gjykatësi Kashtanjeva Deharin e cilësonte si “të akuzuar”, ndërsa në lejet tjera i referohej si “i pandehuri”.

Leja për vizitën e parë te Dehari, kur atë e vizituan vetëm anëtarë të familjes
Leja për vizitën e parë te Dehari, kur atë e vizituan vetëm anëtarë të familjes

Astrit Dehari dhe pesë aktivistë të “Vetëvendosjes” u arrestuan më 30 gusht nën dyshimin për sulm me raketahedhës ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ai dhe dy  aktivistë të tjerë Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti ndodheshin në paraburgim, ndërsa tre të tjerët nën masën e arrestit shtëpiak.

Dehari vdiq më 5 nëntor në rrethana të pasqaruara deri më tani. Autopsia e trupit të të ndjerit u bë të hënën, ku veç ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, prezentë ishin edhe ekspertë të caktuar nga familja.

Raporti final i autopsisë pritet të publikohet së shpejti e hetimet për rastin është duke i vazhduar prokuroria.

Sot “Vetëvendosje” kërkoi ndërprerjen e hetimeve nga grupi aktual hetues.

10 Nëntor 2016 - 17:33

Erjonë Popova 10/11/2016 - 17:33
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend