Foto: KALLXO.com

Të Gjetura Skandaloze nga Auditori në ‘Trainkos’

Ndërmarrja publike “TrainKos” nuk ka ofruar arsyetim të qartë për shpenzimin e 340 mijë eurove në pasqyrat financiare të ndërmarrjes.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare të ndërmarrjes publike “Trainkos” ka gjetur se pasqyrat financiare të kësaj ndërmarrjeje nuk janë të sakta dhe të vërteta.

Një ndër gjetjet e ZKA-së është edhe arsyetimi i paqartë për shumën e 340 mijë eurove të kësaj ndërmarrje që në pasqyrën financiare përshkruhen si “pasive jashtë bilancit”.

“Sipas SNK-ve, llogaria pezull është një llogari e përkohshme dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë ende llogari pezull në kohën kur përgatitet pasqyra e pozicionit financiar. Në shënimet kontabël, në anën kreditore ekziston shuma prej 340,000€ me përshkrimin ‘pasive jashtë bilancit’. Mirëpo, në kartelën analitikë nuk ekzistojnë përshkrime të qarta për të kuptuar përmbajtjen e kësaj shume, i vetmi përshkrim është rregullimi sipas barazimit”, thuhet në raport të auditimit.

Sipas auditorit, pasqyra financiare e “TrainKos”, për vitin 2016 nuk paraqesin një pamje të drejtë të shpenzimeve të kësaj ndërmarrjeje në të gjitha aspektet materiale në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK), Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) dhe Ligjet e Kosovës.

ZKA ka raportuar se “TrainKos” ka bërë nënvlerësim të stoqeve, pasurive joqarkulluese si dhe pagesave të klientëve.

“Vlera e stoqeve e prezantuar në PFV ishte nënvlerësuar për 40,944 euro në krahasim me shënimet kontabël. Gjatë numërimit fizik të stoqeve nga komisioni për regjistrimin fizik, vlera e stoqeve ishte për 73,550 euro më e madhe se vlera në shënimet kontabël”, thuhet në raport.

“Trainkosi”, sipas auditorit, i ka nënvlerësuar për 124 mijë euro llogaritë e arkëtueshme të prezantuara në pasqyra financiare vjetore. Gjithashtu kompania ka paraqitur borxhe më të ulëta të klientët nga sa kanë qenë më të vërtetë. Auditori ka konstatuar se “Trainkosi” i ka deklaruar për 124 mijë euro më të ulëta borxhet e klientëve. Madje auditori ka gjetur se dallimi i borxhit është 23 mijë euro.

“Në letër-konfirmimin të cilën e kemi pranuar nga një klient i ‘Trainkos’-it, shuma e borxhit është 67,839 euro, përderisa në shënimet kontabël të ndërmarrjes është 44,047 euro, me një nënvlerësim prej 23,791 euro. Kjo ka ndodhur si pasojë e mosharmonizimit të shënimeve kontabël me klientët”, vlerëson ZKA.

Auditori ka gjetur se në “Trainkos” nuk janë fare të regjistruara pasuritë si: kompjuter, llaptop, mobilje etj, vlera e të cilave nuk mund të matet.

“Kjo ndikon në prezantim jo të saktë të vlerës së pasurive joqarkulluese”, thuhet në raportin e auditorit.

Injorimi i rekomandimeve të auditorit

Auditori thotë se ndërmarrja publike “Trainkos” nuk i ka implementuar rekomandimet e dhëna në raportin e vitit të kaluar. Nga gjithsej gjashtë (6) rekomandime të vitit paraprak, auditori thotë se vetëm një (1) ishte zbatuar plotësisht.

Foto: KALLXO.com

“Kjo ka ndodhur për shkak se menaxhmenti i ‘Trainkos’-it nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e zbatimit apo moszbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Jashtëm”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Auditori ka gjetur se përkundër që bordi e ka miratuar planin e biznesit për vitin 2016, ata nuk kanë vendosur afate për zbatimin e synimeve afariste dhe financiare.

“Mungesa e afateve kohore për realizimin e synimeve, bën të pamundur që të përcillet përmbushja e tyre në pikëpamje të afatit kohor, kur këto synime duhet të realizohen”, thuhet në raportin e auditorit.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka shpërfaqur kontrollin e auditorit të brendshëm nga menaxhmenti dhe bordi i “Trainkos”-it. ZKA-ja thotë se auditimi i brendshëm i “Trainkos”-it lidhur me raportet financiare të vitit 2015, nuk kishte identifikuar asnjë nga dobësitë të cilat janë identifikuar nga ZKA-ja në lidhje me saldot fillestare të pasqyrave financiare të vitit 2016. Gjithashtu, menaxhmenti i “Trainkos”-it nuk kishte përgatitur plan për zbatimin e rekomandimeve të ZAP-it dhe si pasojë kishte ngecje në zbatimin e tyre.

“Raporti i auditimit të brendshëm i cili nuk pasqyron rreziqet ekzistuese të entitetit, ndikon në mosidentifikimin dhe mosadresimin e dobësive në kontrolle duke rezultuar me pasqyra financiare jo të sakta, në joefikasitet dhe humbje operative. Po ashtu, mospërgatitja e planit të veprimit konfirmon jogatishmërinë e menaxhmentit për të përmirësuar proceset ekzistuese”, thuhet në raportin e auditorit.

“Trainkos” është ndërmarrje qendrore publike e cila i përgjigjet direkt Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Kjo ndërmarrje sipas Auditorit Kombëtar ka operuar me humbje në vitin 2016.

“Gjatë vitit 2016 ndërmarrja ka operuar me humbje në vlerë prej 1,186,710 euro. Në këtë rezultat financiar, si dhe në veprimtarinë e ndërmarrjes në tërësi, ndikim të rëndësishëm kishte mosarkëtimi i të hyrave të planifikuara nga transporti i mallrave, mosmbulimi i tërësishëm i humbjeve nga transporti i udhëtarëve për linjat e aprovuara nga Ministria e Infrastrukturës për vitin 2016 si dhe gjendja e mjeteve lëvizëse të vjetruara”, thuhet në raportin e auditorit për “Trainkos”-in.

Madje, sipas ZKA-së, “Trainkosi” edhe mund të falimentojë.

“Duke pasur parasysh këto, gjendja e tanishme pa një bazë reale për të gjetur një zgjidhje adekuate në kapërcimin e saj dhe në rritjen e aktiviteteve dërgon në një situatë ku vihet në rrezik vijimësia e ndërmarrjes”, thuhet në raportin e ZKA-së.