Foto nga Shkëlzen Dhomi

Të Fundit Ne Harrojmë

Para 4 viteve mora ta lexoj Majat e Shalës nga Rose Wilder Lane. Libri i saj më pëlqeu fort sepse ishte si një udhërrëfim pa ndonjë synim të anojë nga cilido, qoftë drejtim politik. Ishte thjesht një përshkrim i krejt asaj çka ka parë e ka dëgjuar kjo zonjë. Përshkrimi i saj është i vitit 1921 kur ajo mori udhëtimin për në malësi e shoqëruar nga një shoqe tjetër amerikane, Rrok Perollin nga Peja si përcjellës i caktuar nga pushteti i asaj kohe në Tiranë dhe me përkthyesin 11 vjeçar nga Durrësi, Rexhën.

Në njërën nga përshkrimet e saja kur ishin në odën e Sadri Llukës në Theth të Epërm ku ishin mbledhë shumë kryepleq, Rose Lane e pyet kryeplakun më të moçëm “Prej nga kanë ardhur Shqiptarët?”

Plaku i gjegjet asaj se me tregimin e historisë gojore gjeneratë pas gjenerate përmes këngëve “… thuhet që të parët tanë kanë ardhur shumë kohë më parë nga lindja, nga një vend i dendur përtej maleve të lindjes. Atëherë Deti i Zi nuk ka pasur ujë… këta popuj, atëbotë nuk janë quajtur shqiptarë, por secili fis kishte emrin e vet, emrin e të parit të vet. Këta popuj, që ishin stërgjyshërit tanë, zunë tërë vendin nga lumi në veri, që kalon sot nëpër Beligrad, e deri te fushat në jug që sot janë det.” [faqe 140, 141]

Po ashtu, plaku tregoi që në këngët e vjetra këndohej se si filloj një shi i madh dhe uji dilte nga toka që ngriti nivelin e ujit dhe për fiset e gllabëruara për shkak të rritjes së detit. E pas rritjes së detit kanë ardhur Grekët me barka.

Atëherë Deti i Zi nuk ka pasur ujë!? Këtu ishte vegëza.

E dija nga National Geographic që në parahistorinë e lashtë Deti i Zi ka qenë një liqen. Dhe ishte kjo që më shtyu të hulumtoj në internet për formimin e Detit të Zi.

Ka dy teori që sugjerojnë vërshime në zonën që sot është Deti i Zi dhe tjetra që i atribohen vërshimit si rezultat i goditjes nga kometa. Kërkuesi nga National Geographic Robert Ballard nën Detin e Zi të sotshëm ka zbuluar dëshmitë fizike duke përfshirë këtu shtratet e lumenjve nën ujë dhe një breg të banuar të lashtë me struktura nga epoka e gurit dhe mjete pune.

Ekipi i tij po ashtu ka gjetur fosile të gjallesave tashmë të zhdukura që kanë jetuar në ujëra të ëmbla të datuara rreth 7.640 deri 15.000 vite më herët. Po ashtu kjo është mbështetur nga gjetjet tjera si dëshmi gjeologjike dhe klimatike nga ekipi i Universitetit të Kolumbisë mbi vërshimet katastrofike që kanë ndodhur 7.600 vite më herët. Kjo është mbështetur fuqishëm në vitin 2000 me zbulimin artefakteve të ruajtura mirë, rreth 100 metra në thellësi të Detit të Zi e që konsiderohet se do ta rishkruajë historinë e civilizimit të lashtë. Ja një përmbledhje nga National Geographic.

Pasi që rrëfimi i plakut i regjistruar në vitin 1921 në Theth përkon me gjetjet shkencore gjatë 90-tave dhe vitit 2000, atëherë këtu nuk ka asnjë konflikt në mes të rrëfimit të plakut me zbulimin shkencor 70 vite më vonë. Dhe kështu këto fakte që nuk kanë kontradiktë me rrëfimin gojor, janë në përputhje të plotë dhe saktësojnë njëra tjetrën.

Prit një minutë. Kjo i bie që të parët tanë paskan ardhë në Ballkan para se të përfundojë epoka e akullnajave në Evropë. A thua mos e gjetëm fillin tani!? Mos po bëhem edhe unë si ata që pa kurrfarë baze trumbetojnë superioritetin e racës te lashtë Pellazgo-Iliro-Shqiptare? Ai lloj që në fakt me budallallëkun e tyre vetëm sa shkaktojnë konfuzion dhe kështu harxhojnë hapësirën që studiuesit e vërtetë do duhet ta kenë që të hulumtojnë dhe të hedhin dritë në të panjohurën. E m’u kujtuan fjalët e gjyshit tim i lindur e i rritur në Prishtinë i cili jetoi plot 108 vjet “biro kur ka zbrit dreqi në tokë na ka gjetë neve këtu.” Edhe këtu u ndërlidh muhabeti me teorinë e shkencëtarëve më sipër që pretendojnë të jetë vërshimi i Nojës i njëjtë me vërshimin në Deti i Zi për të cilin ata gjetën dëshmi.

A thua kujtesa popullore shkon deri tek fillet e njerëzimit!? Kjo po ashtu përkon shumë me teorinë Petro Zhejit mbi Algoritmin Simbiolik te gjuhës ku ai mëton te provojë dëshmi se shqipja është më e vjetër se sa sanksitishtja dhe se funksioni i sanskritishtes spjegohet më së miri përmes algoritmit simbiolik të shqipes, por le te jetë kjo një muhabet tjetër.

E pata shkruar këtë qysh atëherë dhe i bëra krejt përmbledhjet shkencore mbi Detin e Zi se si ngushtica e Bosforit ka qenë e lidhur me rrip tokësor me Evropën, dhe se me shkrirjen e akullnajave dhe rritjes së nivelit të detit u bo presion i madh i cili plasi atë rrip tokësor dhe kështu Mesdheu është derdhur ne liqenin qe tash ndodhet në fund të Detit të Zi (ja një ilustrim). Në anën tjetër ishte libri i Rose Lane me rrëfimet e saja të vitit 1921. Dhe ja, kaq u nevojitën. Lidhja ishte aq e fuqishme dhe këto dyja përsosmërisht e plotësonin njëra tjetrën. Kjo s’mundet të jetë koincidencë.

Por nuk e botova deri tani dhe në vend të botimit bënja muhabet ne kafenetë e Prishtinës me miqtë duke pirë një apo me shumë gota raki. Shumë muhabete te “thella” bëhen në kafenetë e Prishtinës, dhe kjo shkon në proporcion të plotë me numrin e atyre të cilët kundërshtojnë vetëm sa për të kundërshtuar. Si duket kafenetë janë zëvendësuar me odat e lashta por dallimi është që odat kanë pasur një protokol shumë të sofistikuar që ka prodhu vlera te medhe ndersa kafeneve ju mungon kodi moral i bashkëbisedimit.

Edhe ktynehere Shqipëria ka qenë keq e më keq, nuk kishte as bukë të mjaftueshme por së paku ka qenë e qartë se nga kah vjen rreziku, ka qenë një vijë e qartë mes nesh dhe pushtuesit.

Që nga 1990 kur në Shqipërinë administrative plasi demokracia dhe nga 1999 kur Kosova u “lirua” pjesërisht dhe që nga viti 2008 e pavarur, të dyja këto pjesë janë të udhëhequra nga shqiptarë dhe në një sistem demokratik ku ka pluralizëm dhe ku vota e shumicës përzgjedhë.

Atëherë si u bë puna që tani si kurrë më herët populli ndjehet edhe më i pashpresë!? Tani nuk e kemi të huajin më mbi kokë. Mu kjo situatë i shtynë një pjesë të shqiptarëve, që fatkeqësisht janë më pak të vetëdijshëm, ta identifikojnë këtë të keqe dhe t’ia veshin gjithë këtë mllef ndaj vetes duke sharë kulturën, kombin e flamurin nga zemra e plasur.

Mirëpo e kanë gabim dhe nuk duhet kurrë të harrojnë që Shqipëria nuk heq dorë nga shqiptarët, janë shqiptarët ata që heqin dorë nga Shqipëria!

Po ti kthehemi muhabetit tonë. Plaku që bisedonte me Rose Lane në Theth më 1921 kur ata po bisedonin se kush ka arritur më herët në Ballkan, shqiptarët apo grekët, thotë “…. unë di shumë këngë për shumë gjëra, por nuk ka këngë që thotë se kënga tjetër është rrenë.” [faqe: 140].

Librat thonë grekët janë të parët ndërsa historia gojore e këngëve tona thonë shqiptarët.

Historia gojore vs. asaj të shkruar.

Si mund të jetë një histori e kënduar nga i gjithe populli dhe të jetë genjeshtër në te njtën kohë pastaj të demantohet nga një këngë e re? Kjo nuk mund te ndodhë. Në të kundërtën do ishte paradoks logjik. Historia gojore është në kulturën e popullit, mishërohet dhe është prezent tek ai. Ajo këndohet njëjtë nga të gjithë, me kalimin e gjeneratave ajo ka gjasa të pësoj ndonjë ndryshim kozmetik por assesi nuk mund ta ndryshoj thelbin e historisë së treguar. Ajo ka qenë njëherit edhe konsensus i plote gjithë popullor mbi atë histori të kënduar.

Shkrimi dhe libri në anën tjetër i futë gjërat në kuti dhe i ngrinë si të tilla. Libri përdoret nga një pjesë shumë e vogël e popullit dhe një histori gënjeshtër e treguar me një libër, shumë lehtë do të mund të bëhet e vërtetë nga studiuesit në të ardhmen, do të harrohet që ajo ishte histori gënjeshtër sepse atë informatë e kanë vetëm një pakicë dhe nuk jeton me popullin, siç ndodhë me historinë gojore. Kështu më tingëlloi dialogu mes lashtësisë shqiptare dhe librave “moderne” të kohës për histori.

Pas një jete i shoqëruar me libra, mua më bindi lashtësia e historisë gojore dhe shkenca.

Unë jam biri i dikujt!