Gjykatorja e Tribunalit te Hages

Të Dyshuarit i Shmangen Drejtësisë, Prokurorët Shpërfillin Dosjet e Gjykatës së Hagës

Politikani serb i Bosnjës Milenko Staniq u përball me një reagim të menjëhershëm kur u propozua për postin e zv/guvernatorit të Bankës Qendrore të Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 2016.

Lëvizja Nënat e Srebrenicës dhe Zepës – një shoqatë e familjeve të viktimave të luftës – e akuzoi Staniqin se ishte në një listë të dyshuarish për krime lufte që Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dorëzoi Bosnjës vite më parë.

Një dokument nga Gjykata e Hagës, i siguruar nga BIRN, tregon se prokurorët e gjykatës së OKB-së besonin se kishte arsye për të dyshuar se në vitin 1997 se Staniq ishte përfshirë në krime lufte.

“Prova është e mjaftueshme sipas standardeve ndërkombëtare për të siguruar baza të arsyeshme për të besuar se Milenko Staniq ka kryer shkelje të rënda ose shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare,” thuhet në shënimin e prokurorisë së Gjykatës së Hagës.

Në mes të presionit në rritje, Staniq u detyrua të largohej nga gara për vendin e guvernatorit të Bankës Qendrore. Megjithatë, prokurori i krimeve të luftës i Bosnjës kurrë nuk e paditi atë.

Gjykata e Hagës u transferoi 25 dosje rastesh specifike dhe dosje të tjera shtesë prokurorëve në vendet e ish-Jugosllavisë, por shumë hetime nuk u vazhduan dhe gjyqet që u zhvilluan kanë përfunduar me rezultate të përziera.

Pasardhësi i Gjykatës së Hagës, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, tha për BIRN se 3,000 të dyshuar për krime lufte mendohen të jenë vetëm në Bosnjë, ndërsa në Kroaci dhe Serbi ka ende qindra raste që duhet të përpunohen.

Strategjia e Prokurorit të Krimet e Luftës i Bosnjës e siguruar nga BIRN tregon se shifrat janë edhe më të larta, me 550 raste të pazgjidhura krimesh lufte ku përmenden më shumë se 4,500 të dyshuar të njohur si edhe po aq raste në të cilat autorët janë të panjohur, vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në të njëjtën kohë, gjykatat në dy entitetet e Bosnjës dhe Distrikti i Brckos ende nuk kanë zgjidhur rreth 200 raste krimesh lufte.

Duke filluar nga viti 2005, ICTY transferoi tetë raste të ashtuquajtura “Ligji 11 bis” – ato në të cilat ICTY kishte konfirmuar aktakuzat – gjashtë prej tyre në Bosnje dhe një në Kroaci dhe në Serbi.

Zyra e prokurorisë së ICTY-së gjithashtu ka transferuar një numër rastesh në të cilat është nisur një hetim, por nuk është përfunduar për shkak të Strategjisë së Përfundimit të Gjykatës – një plan që parashikoi përfundimin e punës së gjykatës deri në vitin 2010. Këto quhen çështje të “Kategorisë 2”.

Në periudhën nga qershori 2004 deri në fund të vitit 2009, zyra e prokurorisë së ICTY-së transferoi në Serbi, Kroaci dhe Serbi 17 raste të Kategorisë 2 me 66 të dyshuar. Trembëdhjetë prej tyre u transferuan në Bosnjë dhe nga dy në Kroaci dhe Serbi.

Gjyqet u përfunduan në të gjitha rastet e “Ligji 11 bis”, me përjashtim të njërës që u ndalua për shkak të pamundësisë së të akuzuarit për të dalë në gjyq, ndërsa çështjet e Kategorisë 2 janë aktualisht në faza të ndryshme të procesit gjyqësor.

Por prokurorët vendorë të krimeve të luftës nuk ngritën aktakuza të tjera në bazë të provave të mbledhura nga Gjykata e Hagës, ndërkohë që shumica e atyre që u gjykuan ishin figura të ulëta e të mesme dhe morën dënime të shkurtra me burg.

Prokurorët lokal të krimeve të luftës nuk po shfrytëzojnë qasjen e tyre në arkivin e gjerë të Gjykatës së Hagës për të ngritur padi kundër zyrtarëve të lartë. Në të njëjtën kohë, ata po injorojnë gjetjet e mediave dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut që bazoheshin në dokumentet e marra nga Haga.

Megjithatë, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare thotë se ai po siguron “një gamë të gjerë mbështetjeje thelbësore” ndaj prokurorëve vendas.

“Prokurorët në Beograd dhe Sarajevë tashmë i kanë kërkuar Zyrës së Prokurorit të Lartë të Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare jo vetëm që të vazhdojë, por të forcojë mbështetjen tonë, sidomos me ndërtimin e kapaciteteve dhe ndihmën e ekspertëve për rastet komplekse,” tha Mekanizmi.

Prokurori i Mekanizmit do të vazhdojë gjithashtu një projekt për prokurorët ndërlidhës nga vendet e ish-Jugosllavisë, të cilët do të vazhdojnë të punojnë me rastet e tyre ndërkohë që kanë qasje në bazën e të dhënave të Hagës që përmban më shumë se nëntë milionë faqe dokumentesh.

“Deri më tani, prokurorët ndërlidhës kanë marrë më shumë se 1.2 milion faqe dëshmi për përdorim në rastet kombëtare të krimeve të luftës,” tha Mekanizmi.

Ivan Jovanoviq, një ekspert serb në të drejtën ndërkombëtare dhe një ish-Këshilltar Ligjor Kombëtar i OSBE-së për Krimet e Luftës, tha për BIRN se është e vështirë të vlerësohet se sa materiale janë përdorur nga hetimet e papërfunduara ose nga pjesët individuale të dëshmive të transferuara, sepse asnjë vëzhgues i vetëm nuk mund të ketë njohuri të plotë për qëllimin dhe cilësinë e këtyre provave.

Jovanoviq tha se qasja në provat cilësore të ICTY-së është shpesh e komplikuar dhe me pengesa, siç është nevoja për të marrë pëlqimin e dëshmitarëve ose për të hequr masat mbrojtëse, nëse identiteti i dëshmitarit në fjalë ishte i mbrojtur.

“Megjithatë, duke marrë parasysh informacionet dhe provat e disponueshme në faqen e internetit të Gjykatës së Hagës, mund të shihet se provat në lidhje me krimet në Kosovë ose në Operacionin “Stuhia” të Kroacisë nuk janë përdorur mjaftueshëm deri më tani për të ngritur padi të reja para gjykatave kombëtare ,” tha Jovanoviq për BIRN.

Ai tha gjithashtu se sa më shumë provat flasin për autorë të rangut të lartë, q më pak gjasa ka që prokurorët e rajonit të përdorin provat për të ngritur padi.

Për shkak të kornizave të ndryshme ligjore dhe jurisprudencës në Bosnje, Kroaci dhe Serbi, provat nga Haga kanë pasur gjithashtu nivele të ndryshme pranueshmërise para gjykatave të tre vendeve.

Bosnjë: Çështjet e “Listës A” të Hagës po zënë pluhur

Zyrtari ndërlidhës i Bosnjës për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, Amir Ahmiç, konfirmoi se ekziston një listë rastesh që i janë dhënë prokurorëve të Sarajevës nga gjykata e OKB-së, ku janë të implikuar rreth 850 vetë në krime lufte.

“Nuk e kuptoj se përse prokuroria nuk mund të thotë, kemi krijuar kaq padi ose kemi lënë kaq hetime. Pse nuk e bëjnë publik këtë informacion, kur publiku ka të drejtë të dijë?” pyeti Ahmiq.

Një avokat boshnjak, i cili foli në kushte anonimiteti, tha për BIRN se ky grup rastesh, të referuara si “lista A”, përmban informacione mbi autorët e supozuar dhe viktimat e krimeve të luftës, të cilat duhet të kontrolloheshin dhe të konfirmoheshin më tej, nëse ishte e mundur.

“Lista A” u krijua midis vitit 1996 dhe 2005, kur Gjykata e Hagës përpiloi informacione mbi krimet e mundshme lufte nga burime boshnjake, kroate dhe serbe, dhe më pas ia dorëzoi atë prokurorit boshnjak.

“Mendimi im është se prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës po bën pak, prandaj nuk dimë asgjë rreth këtyre rasteve,” tha avokati.

Kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Boshnjakëve të Gjenocidit, Murat Tahiroviq, tha se prokuroria ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të tregojë se deri në ç‘pikë janë hetuar këto çështje.

“Ne e kemi pyetur prokurorinë një milion herë se çfarë kanë bërë në lidhje me ato çështje dhe nuk kemi marrë kurrë një përgjigje,” tha Tahiroviq për BIRN.

Ai gjithashtu pohoi se “Lista A” përmbante emrat e njerëzve që u bënë zyrtarë të lartë në Bosnje, si dhe në vende të tjera në ish-Jugosllavi.

Një burim pranë ICTY-së tha për BIRN se shumë raste, përfshirë ato kundër zyrtarëve të lartë të pasluftës, ndoshta u transferuan në Republikën Srpska, entitetin serb të Bosnjës, ku shumë hetime u mbyllën, me zyrtarët që citonin mungesën e provave.

Sipas burimit, një nga rastet është kundër Milovan Stankoviq, një ish-major i Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe ish-komandant i forcave serbe në qytetin boshnjak të Dobojit, i cili shërbeu si ministër mbrojtje i Republikës Srpska pas luftës.

BIRN kontaktoi me prokurorinë e krimeve të luftës të Bosnjë dhe Hercegovinës për një koment në lidhje me këtë, por përgjigja e tyre i injoroi pyetjet për “Listën A”.

“Prokuroria mori vendime për të gjitha rastet e Kategorisë 2 – ato që na u dërguan nga Haga para se hetimet të përfundoheshin – deri në fund të vitit 2015,” tha prokuroria.

Megjithatë, këto nuk përfshijnë rastet “Listës A”. Pas pyetjeve të përsëritura, prokuroria tha se e kishte dërguar të gjithë informacionin që kishte në përgjigjen e saj të mëparshme për BIRN-in.

Kroacia zhyt çështjen “Atlantis” kundër Mercepit

Një vit pas dorëzimit të “Listës A” në Bosnjë, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dërgoi një dosje të koduar me emrin “Atlantis” prokurorisë kroate.

Dosja e vitit 2006 përmbante prova që Gjykata e Hagës kishte mbledhur gjatë hetimeve të saj për krimet e luftës të kryera nga forcat kroate kundër civilëve kryesisht serbë në rajonin e Sllavonisë perëndimore të Kroacisë, rreth qytetit të Pakracit.

Provat u përdorën për të nisur një nga gjyqet të profilit më të lartë për krime lufte në Kroaci – gjyqi i Tomislav Mercepit, një ish-asistent i ministrisë së brendshme dhe komandant jozyrtar i një batalioni policor rezervist të quajtur “Mercepovci” 9burrat e Mercepit).

Roli i Mercepit në krimet e luftës në Pakracka Poljana, qytetin e Kutinës dhe në panairin e Zagrebit kanë qenë një çështje debati që nga viti 1997, kur i përjavshmja kroate anti-establishment, Feral Tribune, intervistoi një ish-anëtar të njësisë, i cili foli për vrasjet e civilëve serbë nga “Burrat e Mercepit”.

Mercep u arrestua nën dyshimin për krime lufte dhe u akuzua në qershor 2011 se kishte urdhëruar arrestime të paligjshme, burgimin, torturimin dhe vrasjen e civilëve kryesisht serbë, duke rezultuar në 43 vrasje të konfirmuara dhe katër persona të zhdukur.

Gjyqi i tij filloi në gjykatën e qarkut të Zagrebit në shkurt 2012 dhe ai e deklaroi veten të pafajshëm.

Megjithatë, zyra e avokatit të shtetit më pas bëri një kthesë. Ajo e ndryshoi aktakuzën në qershor 2015, duke ndryshuar akuzat kundër Mercepit për urdhërim të krimeve të luftës dhe për mos bërje mjaftueshëm për të parandaluar vartësit e tij nga kryerja e tyre.

Një gjykatë në Zagreb e shpalli Mercepin fajtor në maj të vitit 2016, por ndryshimi i aktakuzës nënkuptonte se atij do t’i jepej një dënim më ti vogël sesa nëse ai do të ishte dënuar për urdhërimin e vetë krimit.

Në shkurt të vitit 2017, Gjykata e Lartë më në fund vendosi dënimin e tij me shtatë vjet burg.

Një raport i deklasifikuar i CIA-s nga viti 1995 gjithashtu përmendi “mizoritë e shumta” të dyshuara si të kryera ose të drejtuara nga Mercepi, disa prej tyre në qytetin e Vukovarit.

Mediat kroate raportuan në vitin 2004 se Gjykata e Hagës po hetonte gjithashtu rolin e Mercepit në krimet e kryera në Vukovar, por nuk u ngrit asnjë padi.

Sipas burimeve pranë prokurorisë së ICTY-së, hetuesit e Gjykatës gjithashtu ndihmuan në ngritjen e çështjes kundër komandantit të forcave mbrojtëse të Kroacisë në Osijek, Branimir Glavas, dhe vartësve të tij.

Në një proces ligjor dhjetëvjeçar, Glavasi, një deputet dhe dikur politikan me ndikim në Bashkimin Demokratik Kroat të qendrës së djathtë, HDZ, ende po ndiqet penalisht për vrasjen e shtatë civilëve serbë në Osijek në mes të tetorit dhe dhjetorit 1991.

Ai u dënua me tetë vjet burg në vitin 2010, por Gjykata Kushtetuese e Kroacisë urdhëroi një rigjykim të çështjes në vitin 2015. Vitin pasardhës vendimi i tij i shkallës së parë u rrëzua dhe gjyqi rinisi përsëri në tetor 2017.

Çështja e vetme në të cilën ICTY transferoi një aktakuzë në sistemin gjyqësor kroat ishte çështja kundër gjeneralëve Rahim Ademi dhe Mirko Noraq për krime kundër civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës në Xhepi i Medakur, një sërë fshatrash pranë qytetit kroat të Gospicit në shtator të vitit 1993.

Ademi u lirua nga akuzat në vitin 2008, ndërsa Noraq më në fund u dënua me gjashtë vjet burg në vitin 2009.

Fillimisht, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Kroate, Janko Bobetko, u akuzua gjithashtu në vitin 2002 nga Gjykata e Hagës për krime në Medak Pocket. Megjithatë, qeveria e qendrës së majtë të Kroacisë nuk u pajtua me kërkesën e ICTY-së për ta ekstraduar Bobetkon në Hagë.

Bobetko vdiq në prill 2003 dhe ICTY i ndërpreu procedurat kundër tij.

Avokati me përvojë Anto Nobilo, i cili ka përfaqësuar të pandehur krimesh lufte si në Hagë ashtu edhe në Kroaci, thotë se gjykatat kroate janë shumë më të buta ndaj kroatëve të akuzuar sesa ndaj serbëve.

Nobilo tha se ndryshimi i madh midis ICTY-së dhe gjykatave kroate është që dëshmitarët japin dëshmi “të pjesshme”.

“Në përgjithësi, kroatët gjithmonë do të dëshmojnë pro kroatëve dhe kundër serbëve dhe anasjelltas,” shpjegoi Nobilo, duke këmbëngulur se dëshmitë e tilla janë “shumë të pasigurta”.

Nobilo pretendon se gjykatat kroate dhe ato serbe nuk po krijojnë përgjegjësinë e komandantëve, por po dënojnë vetëm autorët e drejtpërdrejtë – që do të thotë se zyrtarët e nivelit të lartë nuk po mbahen përgjegjës për krimet e luftës të kryera nga forcat e tyre.

“Në asnjë mënyrë gjykatat nuk do të vendosin përgjegjësinë e komandantëve sipas standardeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Harrojeni këtë,” tha ai.

Sipas Ivan Jovanoviq, përdorimi i mundshëm i provave në dispozicion në ICTY është gjithashtu praktikisht i kufizuar nga qëndrimet e gjykatave të entiteteve serbe, kroate dhe boshnjake.

Këto gjykata pretendojnë se krimet kundër njerëzimit nga vitet 1990 nuk mund të gjykohen, pasi në atë kohë nuk ekzistonin ligje për ato krime, gjë që Jovanoviq tha se ai beson se është një “argument i fortë”.

Qëndrimi mbizotërues në Serbi është se akuzat nuk mund të ngrihen në bazë të përgjegjësisë komanduese për të njëjtën arsye, tha Jovanoviq.

Serbia injoron provat në arkivat e gjykatës së OKB-së

ICTY-ja transferoi vetëm tre raste në Serbi – një në të cilën aktakuza u konfirmua nga Gjykata e Hagës dhe dy raste të “Kategorisë 2” në të cilat hetimi kishte filluar, por nuk kishte përfunduar.

Ish-oficeri i Ushtrisë Jugosllave Vladimir Kovaçeviq, i cili u akuzua për bombardime të paligjshme me artileri në qytetin e vjetër të Dubrovnikut në Kroaci, u deklarua i paaftë mendërisht për t’u gjykuar nga Serbia në vitin 2007.

Në një tjetër çështje, tetë ish-luftëtarë u dënuan në vitin 2018 me një total prej 101 vjetësh burg për masakrën e rreth 200 njerëzve në Ovcara, pas rënies së Vukovarit në Kroacinë lindore në vitin 1991.

Në fund, shtatë luftëtarë serbë u dënuan midis vitit 2009 dhe 2012 për krime kundër civilëve boshnjakë në Zvornik nga maji deri në korrik 1992.

Megjithatë, shumë aktakuza mund të ngrihen – dhe kundër të dyshuarish më të lartë në zinxhirin e komandës – nëse prokuroria serbe për krimet e luftës e shfrytëzon qasjen e saj në arkivin e Gjykatës së Hagës në mënyrë më të mirë, shprehen organizatat mbikëqyrëse.

“Haga ka mjaft prova në lidhje me rolin e policëve dhe ushtarakëve të lartë dhe të mesëm në krimet e luftës, që mund të shihet nga vendimet e saj, por prokuroria jonë nuk po i përdor këto prova për të ngritur padi të reja,” tha Nemanja Stjepanoviq, një studiues për OJQ-në Qendra për të Drejtën Humanitare.

Rezultati i kësaj, shtoi Stjepanoviq, është se Gjykata e Hagës ndoqi penalisht zyrtarët e rangut më të lartë, ndërsa Serbia thjesht akuzoi autorët e drejtpërdrejtë dhe të gjithë ta që ishin në mes ia hodhën paq për krimet e tyre.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare thotë se provat e mbledhura nga Gjykata e Hagës janë “tepër të rëndësishme për ndjekjen penale të krimeve të luftës në të tria vendet sot (Serbi, Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë)”.

“Vetëm në vitin 2017, Zyra e Prokurorit dorëzoi 4,600 dokumente që përmbanin më shumë se 84,000 faqe prova, si edhe 92 regjistrime audio dhe video,” tha Mekanizmi.

Nuk dihet ende sa nga ky material i është dorëzuar Serbisë dhe se sa vendeve të tjera. Zyra e prokurorisë serbe për krimet e luftës tha për BIRN se ky informacion është konfidencial, pasi përfaqëson një pjesë të procedurave hetimore ose para hetimore.

Që kur kryeprokurorja e re e krimeve të luftës e Serbisë Snezhana Stanojkoviq mori postin në maj 2017, katër padi të reja janë ngritur kundër ushtarëve të rangut të ulët për krime në Bosnje dhe Kroaci.

Megjithatë, dokumentacioni që tregon përfshirjen e zyrtarëve të rangut të lartë zakonisht shpërfillet.

Dokumentari i BIRN “Të Paidentifikuarit”, i cili tregonte me detaje krimet brutale të kryera në fshatrat kosovare të Qyshkut, Pavlanit, Zahaçit dhe Lubeniqit në vitin 1999, përfshinte intervista me viktimat, ish-ushtarë dhe ekspertë, si edhe dokumentacion nga ICTY-ja.

Megjithatë, prokuroria serbe për krimet e luftës tha për BIRN në vitin 2017 se ajo e ka përfunduar hetimin e gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave, Dragan Zhivanoviq, komandant i Brigadës së 125-të të Motorizuar, e cila ishte përgjegjëse për zonën në të cilën u sulmuan të katër fshatrat.

Në hetimin e vet, Qendra për të Drejtën Humanitare përdori dokumente nga Gjykata e Hagës për të krijuar një dosje dhe një film dokumentar që pretendon se gjenerali Lubisha Dikoviq, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Serbisë, kishte lidhje me krimet e luftës në Kosovë.

Qendra për të Drejtën Humanitare pohon se rreth 1,400 civilë shqiptarë u vranë në vitin 1999 në një zonë të Kosovës që ishte nën kontrollin e Brigadës së 37-të të Ushtrisë Jugosllave, e cila në atë kohë ishte nën komandën e Dikoviqit.

“Ne nuk do t’i kishim siguruar dot ato dokumente po të mos ishte për Gjykatën e Hagës,” tha Stjepanoviq.

Megjithatë, Dikoviq nuk u përball me asnjë akuzë. Në vend të kësaj, ai paditi Qendrën për të Drejtën Humanitare në lidhje me pretendimet e bëra në dosjen e saj dhe gjykata e shkallës së parë në Beograd pranoi kërkesën për kompensim nga ana e tij.

Çështja vazhdon në apel.

Gjykata e Hagës shpreson ta vërë në dispozicion arkivën në të gjithë Ballkanin

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare tha BIRN se shpreson që disa qendra dokumentimi dhe informacioni, të cilat do të ofrojnë qasje digjitale në arkivat e saj, do të hapen në Ballkan.

“Qendra e Informacionit në Sarajevë do të jetë e para e këtij lloji që do të hapet në rajon dhe shpresohet që qendra të tilla të ngrihen në Kroaci, Serbi dhe gjetkë në Bosnjë,” tha Mekanizmi.

Arkivi origjinal, që është pronë e OKB-së, gjendet në Hagë dhe arkivi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën ndodhet në Arusha, Tanzani.

Megjithatë, shumica e të dhënave gjyqësore publike të ICTY-së të përfshira në arkivat tashmë janë në dispozicion në internet.

Të dhënat gjyqësore përfshijnë dosjet, eksponatet e pranuara si dëshmi dhe transkriptimet dhe regjistrimet audiovizive të seancave gjyqësore dhe mund të kontrollohen në bazën e të dhënave në internet të njohur si Të Dhënat Gjyqësore të ICTY (ICR) i cili është në dispozicion këtu.