Foto kortezi nga BujarDugolli.net

Të Diplomuarit Kosovarë të Viteve ‘90 Privohen nga e Drejta e Pensionit

Njazi Korça ishte në burg kur duhej të hynte në provimet e tij të universitetit në vitet e hershme të 90-ave, kur Kosova ishte ende pjesë e Jugosllavisë dhe drejtohej nga Beogradi.

“Fillimisht më dënuan me gjashtë vite burg për shkak të aktiviteteve politike kundër Jugosllavisë,” shpjegoi Korça.

“Kisha katër ose pesë provime deri në diplomim, por Jugosllavia nuk ishte aq humane të na lejonte të dilnim [nga burgu] për provimet tona,” tha ai.

Ai arriti të diplomohet në 1996 – një datë që nuk do t’i ndahej ish-të burgosurit politik kur ai arriti moshën e pensionimit disa dekada më vonë.

Kur Korça, tani 66 vjeç, mori pensionin e tij mujor në korrik të vitit të kaluar, ishte 158 euro – shuma që u jepet njerëzve në Kosovë që e kanë lënë shkollën në moshën 14 vjeçare por kanë paguar kontribute të pensionit nën sistemin e vjetër jugosllav para luftës.

Njerëzit në Kosovë që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute pensioni për të paktën 15 vite para luftës tani marrin pensione që sillen nga minimumi i 158 euro deri në maksimumin e 230 euro, sipas nivelit të tyre të edukimit.

Korça – që për ironi është ish-drejtor i Zyrës Regjionale për Pensione në Prishtinë – kishte dorëzuar diplomat e shkollës së mesme dhe universitetit si provë që ai duhet të paguhet në shkallë më të lartë, por autoritetet kanë refuzuar t’ia njohin kualifikimet.

“Edhe pse kam kërkuar për shpjegime nga Ministria [e Punës dhe Mirëqenies Sociale], unë asnjëherë nuk kam marrë përgjigje zyrtare,” tha ai.

Korça dhe shumë të tjerë si ai po përballen me të njëjtin problem – diplomat nga vitet 1991 deri 1999 nuk po njihen si dokumente kualifikuese për pensione në Kosovë nën një udhëzim administrativ që u shpall në janar të këtij viti.

Në paragrafin 5 të nenit 5 të këtij udhëzimi thuhet “Të gjitha dëshmitë për kualifikim, të përcaktuara nga paragrafët 2, 3 dhe 4 të këtij neni, duhet të jenë para viti 01. 01. 1991.”

Prej që është bërë ndryshimi, zyra e ankesave në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka pranuar qindra letra proteste prej njerëzve të prekur nga ky udhëzim i ri.

Bahri Xhaferi, drejtor i Departamentit Administrativ të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që ishte një nga njerëzit që ka hartuar këtë udhëzim, e arsyetoi duke thënë që askush nuk ka paguar kontribute pensioni nga 1991 deri në 1999 dhe prandaj nuk meritojnë pensionin maksimal.

“Pasi në legjislacionin që ka qenë në atë kohë, ata njerëz nuk kanë kontribuar fare, do me thënë nuk janë harxhuar, nuk kanë ndarë të mjete për atë sigurim, atëherë normal që qeveria nuk mund të merr barrën e përgjegjësisë për t’iu bërë një pagesë e pensionit kontributpagues [për dikë që nuk ka kontribuar],” tha Xhaferi.

Përkundër mosnjohjes së kualifikimeve të viteve 90-të kur vlerësohen pagesat e pensioneve, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e kanë njohur këtë periudhë si pjesë e përvojës së punës zyrtare për punonjësit e arsimit që nga prilli 2016.

Kjo është e rëndësishme sepse njerëzit në Kosovë duhet të kenë një histori punësimi 15 vjeçar nëse duan të kualifikohen për pensionet nën sistemin e pagimit të kontributeve që ishte në fuqi para luftës.

Njohja e përvojës së punës të viteve 90-të në arsim ishte ndër kërkesat kryesore të Sindikatës së Arsimit. Sindikata ka organizuar disa protesta për këtë çështje në vitet e fundit.

Por mosnjohja e diplomave të kësaj periudhe në kategorizimin e pensioneve është e papranueshme për njohësin e skemës pensionale, Adil Fetahu.

“Sindikata e Pensionistëve të Kosovës duhet të kërkojë takim urgjent me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në mënyrë që të rishikohet ky paragraf,” tha Fetahu.

Sistemi i pensioneve të vendit po vuan nga një boshllëk i financimit që rrjedh që nga koha kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë.

Kur Kosova u nda nga sundimi jugosllav pasi që përfundoi lufta në 1999, nuk trashëgoi nga Serbia fondin e sigurimit të pensioneve në të cilin ishin mbledhur të gjitha kontributet e paguara para konfliktit, sepse Beogradi nuk e njeh [Kosovën] si të pavarur.

Xhaferi tha që sidoqoftë nuk dihet sa i ka borxh Serbia Kosovës sa i përket kontributeve të pensionit që janë paguar para 1999.

“Ne e dimë që numri i pensionistëve ishte rreth 90,000, por për shkak të ndryshimeve të monedhës që nga 1999, ne nuk mund të themi një shumë të caktuar parash. Serbia i ka borxh Kosovës pensionet e secilit person që ka paguar kontribute gjatë atyre viteve,” tha ai.

Arsimi ishte një fushëbetejë kyçe politike mes regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ‘90.

Millosheviqi ia hoqi autonominë Kosovës brenda Jugosllavisë në 1989 dhe vendosi një sistem arsimimi në gjuhë serbe.

Shqiptarët krijuan një sistem paralel të shkollave të mesme dhe universiteteve ku studentët mund të mësonin në gjuhën e tyre.

Studentët shqiptarë të Kosovës gjithashtu organizuan demonstrata masive në vitet e fundit të ‘90 që u bënë faktor i rëndësishëm në nxitjen e kundërshtimit për sundimin e Beogradit.

Vendimi për të mos i njohur diplomat nga kjo periudhë është i padrejtë sepse ishte një moment historik i rezistencës, argumenton Bujar Dugolli, që ishte kryesues i Unionit të Pavarur të Studentëve në vitin 1997 dhe një nga organizatorët e protestave për rikthimin e qasjes së shqiptarëve në objekte shkollore publike.

Aktualisht Dekan i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Dugolli tha që udhëzimi administrativ i ri duhet të ndryshohet sa më shpejt sepse po ndikon në pensionet e atyre që kanë mbajtur sistemin e arsimit të Kosovës gjallë në vitet e 1990.

“Mosnjohja e diplomave, na çon te një çështje tjetër, te një kontestim tjetër, për të cilin mendoj që zyrtarët duhet të japin llogari në rast se nuk e tërheqin këtë [udhëzim] dhe nuk bëjnë ndryshimet adekuate,” tha Dugolli.

Ndërkohë Njazi Korça po shpreson që autoritetet do të rikonsiderojnë ndryshimin dhe të lejojnë që ai të marrë pensionin e plotë.

“Ky udhëzim administrative duhet të rishikohet, sepse Jugosllavia nuk ofroi studime për ne në burg. Gjithçka që kemi pasur ka qenë torturë,” tha ai.

“Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Nuk është normale.”

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës për Raportim Cilësor, si pjesë për projektin Media for All i zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë.