Të Dehur nga Pushteti, Liderët e Ballkanit që Nuk Thonë ‘Lamtumirë’

Mbretërit mund të jenë larguar nga skena e Ballkanit, por shumë liderë aktualë të rajonit po e shtrëngojnë pushtetin fort në stilin e monarkëve, duke mbajtur poste për dekada. Ja një përzgjedhje e 10 politikanëve që mendojnë se nuk është kurrë koha për t'u tërhequr.

Milo Gjukanoviç: Lideri i përjetshëm i Malit të Zi

NDËRLIDHUR

Edhe pse zyrtarisht u largua nga posti i kryeministrit në tetorin e kaluar, shumëkush beson se Milo Gjukanoviç është ende në drejtim të Malit të Zi.

Një mjeshtër i metamorfozës, i cili u shndërrua nga nacionalist serb në mbrojtës të zjarrtë të NATO-s dhe BE-së, udhëheqësi veteran i Malit të Zi është kampion për të mbijetuar në politikë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën.

Gjukanoviç e ka mbajtur pushtetin vazhdimisht nga viti 1989 deri kur “vullnetarisht” dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të tetorit dhe ia la postin e kryeministrit një aleati të ngushtë, ish-shefit të inteligjencës dhe zëvendëskryeministrit Dushko Markoviç.

Ai e nisi politikën si një ndjekës i udhëheqësit nacionalist serb të vijës së ashpër, Sllobodan Millosheviç dhe gjatë të ashtuquajturit revolucion anti-burokratik të Millosheviçit në vjeshtën e vitit 1989, udhëhoqi valën e re të Millosheviçit në Partinë Komuniste Malazeze që kishte rrëzuar udhëheqësin e vjetër në fillim të viteve 1990.

Milo Gjukanoviq. Foto: gov.me

Këta liderë të rinj u quajtën “dzemperasi”, që fjalë për fjalë do të thotë të veshur pulovra të thurura që i mbanin veshur gjatë protestave “anti-burokratike” në Podgoricë.

Gjukanoviç u bë kryeministër i republikës në shkurt të vitit 1991, 29 vjeç. Posti i kryeministrit ishte puna e tij e parë e vërtetë. Që atëherë ai u bë gjithashtu një njeri shumë i pasur.

Nga viti 2006 deri në 2008, kur ai u tërhoq nga politika, për t’u përqendruar te biznesi. Deri në vitin 2010, Gjukanoviç renditet si lideri i 20-të më i pasur në botë, sipas investigimit të kryer nga e përditshmja britanike The Independent.

Pas pothuajse 30 vitesh në qendër të vëmendjes, Gjukanoviç vetëm 54 vjeç, mund t’i kthehet posteve vitin e ardhshëm. Ka spekulime të gjera se ai do të kandidojë për një mandat tjetër si president kur presidenti aktual, Filip Vujanoviç të largohet në 2018.

Hashim Thaçi: “Uashingtoni me armë” i Kosovës

Ish-zv.presidenti i SHBA, Jeo Biden e quajti një herë Thaçin “Xhorxh Uashingtonin” e Kosovës duke iu referuar rolit të tij në pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Kritikët në vend të Hashim Thaçit janë më pak të kënaqur pasi e quajnë atë “kreu i krimit” në Kosovë.

Ai u ngrit në skenën politike gjatë luftës së Kosovës për pavarësi, kur delegacioni i Kosovës në Konferencën e Paqes së Rambujesë në Francë në shkurt të vitit 1999 e mori atë për të udhëhequr ekipin.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK dhe më vonë udhëheqësi i partisë më të madhe në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, qe kryeministër nga viti 2007 deri në vitin 2015, kur një bllokim politik gjashtë-mujor e detyroi atë të hynte në koalicion me rivalin e tij kryesor, Isa Mustafën, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK.

Marrëveshja e detyroi Thaçin t’i lironte Mustafës postin e kryeministrit duke u bërë zëvendësministër dhe ministër i jashtëm.

Më 26 shkurt 2016, pavarësisht muajsh proteste brenda dhe jashtë parlamentit Thaçi arriti të mbledhë votat e nevojshme në raundin e tretë të votimit për t’u bërë presidenti aktual i Kosovës.

Nikola Gruevski: Nuk heq dot dorë nga Maqedonia

I ndodhur përpara mundësisë së akuzave kriminale serioze, protestave anti-qeveritare në vazhdimësi dhe presionit ndërkombëtar për të lejuar reformat që mund të dëmtojnë fitoret elektorale të diskutueshme të partisë së tij, – Nikola Gruevski duket shumë larg perspektivës politike të disa viteve më parë, kur ai mbretëronte i pakontestueshëm në arenën maqedonase.

Megjithëse dha dorëheqjen si kryeministër në janar 2016 si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE për të zgjidhur e thellë politike të vendit, vështirë se mund të binden maqedonasit se ai ka hequr dorë nga kontrolli i qeverisë. Përveç kësaj, Gruevski mbetet kreu i partisë VMRO-DPMNE të qendrës së djathtë.

I lindur në vitin 1970, Gruevski u bë i njohur për publikun si ministër i financave në qeverinë e 1998-2002 udhëhequr nga Ljubco Georgievski, paraardhësi i tij edhe si kreu i VMRO-DPMNE.

Gruevski fitoi zgjedhjet e vitit 2006 me sloganin “Rilindje në 100 hapa” dhe krijoi një qeveri koalicioni me Partinë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH dhe tre parti më të vogla.

Ai mbajti postin e kryeministrit për 10 vitet e ardhshme.

Rënia e tij filloi kur opozita në vitin 2015 filloi të publikonte biseda të përgjuara mes zyrtarëve që e përfshinë Gruevskin në përgjimin e paligjshëm të rreth 20,000 personave, edhe ministra të tij. Përgjimet, të cilat Gruevski e mohon t’i ketë urdhëruar, gjithashtu theksuan përfshirjen e qeverisë së tij në shumë krime të tjera.

Gjatë krizës politike që zgjati më shumë se dy vjet, Gruevski duhej të jepte dorëheqjen si kryeministër, të pranonte formimin e një prokurorie speciale të ngarkuar me hetimin e akuzave kriminale që dolën nga përgjimet dhe të lejonte krijimin e një qeverie për të kryer zgjedhje të parakohshme në dhjetor 2016.

Ai nuk mundi të formonte qeverinë e re. Por, me presidentin e Maqedonisë që po zvarrit dhënien e mandatit për opozitën, është shumë herët të thuhet se koha e tij ka mbaruar.

Milorad Dodik: Nacionalisti boshnjak në zemrat e serbëve

Presidenti i entitetit me shumicë serbe të Bosnjës, Republika Srpska, Milorad Dodik e ka drejtuar atë si kryeministër ose si president me nga dy mandate secili. Ai është gjithashtu president i Bashkimit qeverisës të Social Demokratëve të Pavarur boshnjakë.

MIllorad Dodik

Ai ishte kryeministri i Republikës Srpska nga 1998 deri në 2001 dhe nga 2006 deri në 2010, kur më pas u bë presidenti i entitetit. Katër vjet më pas, ai u rizgjodh si president për një mandat të dytë.

Në vitet ’90, Dodik u konsiderua si një politikan i moderuar, i cili do të “rrëmbejë pushtetin nga linjat e ashpra që duan të pengojnë marrëveshjen e paqes të Dejtonit që zgjidhi luftën civile në ish-Jugosllavi”, sipas një artikulli optimist nga CNN në 1998.

Gjatë luftës së viteve 1992-95 në Bosnje, si deputet në Asamblenë e Republikës Srbska, Dodik formoi një grup ligjvënësish të pavarur, duke sfiduar ultra-nacionalistët e Partisë Demokratike Serbe, SDS, e cila kishte pushtet absolut.

Mandati i tij i parë si kryeministër i entitetit në vitin 1998 u mbështet fuqimisht nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar.

Megjithatë, ai ndryshoi kursin pasi partia e tij humbi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2000 dhe presidencën ndaj SDS. Për të fituar zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2006, Dodik luajti kartën nacionaliste serbe dhe madje filloi të mbronte shkëputjen e entitetit nga Bosnja.

Aktualisht gjatë viteve të fundit, Dodik dhe partia e tij kanë mbajtur atë kurs të vijës së ashpër. Ata kanë bllokuar bashkëpunimin me institucionet e tjera të nivelit shtetëror dhe të entiteteve, ndërsa Dodik ka nisur disa iniciativa referendumi, duke penguar autoritetin e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare si Prokuroria e Shtetit, Gjykata Supreme dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR.

Mbështetja e tij popullore në mandatin e tij të dytë si Presidenti i RS ishte dukshëm më e dobët se gjatë mandatit të tij të parë 2010-2014, por Dodik ende mban një kontroll të fortë në Republikën Srpska.

Bakir Izetbegoviç: Në gjurmët e të atit

Anëtari boshnjak i presidencës së trefishtë të Bosnjës për dy mandate që nga viti 2010, – aseti kryesor i Izetbegoviç në politikë kanë qenë lidhjet familjare. Ai është djali i Alija Izetbegoviçit, presidentit të parë të Republikës së Bosnje-Hercegovinës kur shpalli pavarësinë në 1992 dhe themeluesi i Partisë për Veprim Demokratik, SDA, që është ende partia kryesore boshnjake në vend.

Bakir Izetbegoviq. Foto: Anadolu.

Izetbegoviç gradualisht përparoi në skenën politike në vend që nga viti 2000, kur ishte ligjvënës në Kuvendin e Kantonit të Sarajevës. Në vitin 2002, ai hyri në parlamentin e Federatës së Bosnjës dhe në vitin 2006 u bë deputet në parlamentin e shtetit – kreu i grupit të SDA në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ai shpesh mburret me lidhjet e tij të ngushta me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe shprehu mbështetje për referendumin polemik të Erdoganit, i cili i dha atij pushtete gjithëpërfshirëse.

Rasim Lajiq: Njeriu i të gjitha stinëve në Serbi

Nënkryetari i qeverisë serbe, Rasim Lajiq, tashmë Ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, si dhe kreu i Partisë Social Demokratike, ai ka mbajtur poste publike në Serbi për 17 vjet. Gjatë kësaj kohe, ai gjithmonë ka qëndruar pranë partisë në pushtet, pavarësisht se kush ka udhëhequr qeverinë ose cila parti ka pasur shumicën në parlament.

Rasim Lajiq

Pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit 2000 në Serbi, ai u bë Ministër i Komuniteteve Kombëtare dhe Etnike të pas-Jugosllavisë, që u bë Bashkimi Shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 2003. Lajiq gjeti një vend për veten si bashkëkryetar i Komitetit Për Bashkëpunimin Ekonomik me Vendet Arabe.

Kjo qe vetëm një nga punët e tij deri në vitin 2006. Ndërkohë, në vitin 2004, ai u bë kryetar i Këshillit Kombëtar për Bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, ICTY.

Prej vitit 2008, ai ishte Ministër i Punës dhe Mirëqenies, deri në zgjedhjet e vitit 2012, kur u bë Ministër i Tregtisë. Në zgjedhjet e përgjithshme të 2014 ai ishte në listën e votimit me Partinë Progresive Serbe, që tani drejton vendi ndërsa ai është bërë zv.kryetar i qeverisë dhe Ministër i Tregtisë.

Ivica Daçiç: Duke i mbajtur ison të fortëve në pushtet

Pasi u anëtarësua në Partinë Socialiste të sapoformuar të Serbisë, drejtuar nga Sllobodan Millosheviçi, pasardhësi i Lidhjes së vjetër të Komunistëve, Daçiç u bë presidenti i parë i Socialistëve të Rinj në 1990 në moshën 24-vjeçare.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq

Gjatë viteve ’90, ai u bë deputet për socialistët. Në qeverinë tranzicionale nga tetori 2000 deri në janar 2001, ai ishte Ministër i Informacionit.

Në dhjetor 2006, ai u zgjodh kreu i Partisë Socialiste dhe dy vjet më vonë, u bë zv.kryeministër dhe ministrër i brendshëm.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2012, ai u bë kryeministër, duke mbajtur postin e ministrit të brendshëm. Në prill 2014, ai u bë sërish Zv. kryeministër. Krahas këtij pozicioni, ai gjithashtu mori përsipër ministrinë e jashtme. Ai qëndroi në këtë post deri pas zgjedhjeve të përgjithshme të prillit 2016.

Daçiç njihet për lidhjet e tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin. Që kur Serbia nënshkroi një marrëveshje ndërshtetërore me Rusinë në 2008, e cila përfshinte një marrëveshje energjie, Partia Socialiste ka mbajtur të gjitha pozicionet kyçe të “energjisë” në shtet.

Përveç aktiviteteve të tij politike, Daçiç njihet për pasionin për të kënduar, duke përdorur çdo mundësi publike për të “kapur një mikrofon” dhe për të kënduar këngën e tij të preferuar popullore boshnjake “Miljacka”.

Boyko Borissov: Kur karateja takohet me politikën

Që kur Bullgaria filloi tranzicionin në demokraci në fillim të viteve 1990, asnjë kryeministër nuk ia doli të zgjidhej më shumë se një herë – derisa Borisov hyri në skenën politike në 2001.

Boyko Borisov – Foto: Stephanie Lecocq/EPA

Një ish-zjarrfikës, mësues i karatesë dhe truprojë i ish-diktatorit komunist të Bullgarisë, Todor Zhivkov, Borisov jo vetëm që u rizgjodh në vitin 2014 pasi drejtoi qeverinë nga 2009 në 2013, por u bë kryeministër për të tretën herë më 4 maj.

Si kreu i partisë më të madhe bullgare në parlament, GERB, Borisov mori nga presidenti një mandat për të formuar një qeveri më 27 prill, pas fitimit të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme më 26 mars.

Formimi i kabinetit të ri nga Borisov, i cili do të jetë një koalicion ndërmjet GERB dhe koalicionit të së djathtës ekstreme, Patriotët e Bashkuar pritet të shpallet së shpejti.

Isa Mustafa: Profesori i dashuruar me Prishtinën

Isa Mustafa u bë një figurë publike në Kosovë në vitin 2007 kur Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, vendosi ta mbështeste atë në garën për postin e kryetarit të komunës së Prishtinës. Ai e fitoi garën dhe dy vjet më vonë, besueshmëria e tij arriti kulmin kur fitoi një mandat të dytë si drejtues i kryeqytetit. Ai mbajti postin deri në vitin 2013.

Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Interesi i tij i thellë për kryeqytetin e Kosovës daton pas në vitet 1980, kur kryesoi Këshillin Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës për katër vjet. Shumë më herët në jetë, ai përfaqësoi të rinjtë e Kosovës në funeralin e presidentit të përjetshëm të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, një nder i madh për kohën.

Në fillim të vitit 2015, Mustafa u bë kryeministër i Kosovës nën një marrëveshje të polemike koalicioni midis LDK-së së tij dhe rivalit të saj kryesor, Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit, PDK.

Rexhep Tayyip Erdogan: Modeli i shkëlqyer i autokratëve

Erdogan mori detyrën si kryeministër i Turqisë në vitin 2003 pas një periudhe të gjatë qeverish të paqëndrueshme të koalicionit dhe krizës ekonomike. Partia e tij e sapokrijuar, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, pati një fitore të madhe në vitin 2003 në aleancë me liberalë të ndryshëm, demokratë dhe reformistë.

Drejtuar nga Erdogan, Turqia bëri një progres të vërtetë në ekonomi, në të drejtat e njeriut dhe në pakësimin e rolit të ushtrisë në politikë, dikur i fuqishëm. Më e rëndësishmja, Turqia fitoi statusin e vendit kandidat për në BE në vitin 2004, kur Erdogan shihej si një partner i besueshëm për Perëndimin, duke kryesuar një vend që lidh Europën dhe botën myslimane. Ai e mbajti këtë post deri në vitin 2014, duke rritur votën popullore në çdo zgjedhje.

Megjithatë, me mandatin e tij të tretë, të cilin e fitoi në vitin 2011, filloi të zbulohej mentaliteti i tij autoritar. Ndërkohë, ai e përfshiu Turqinë në luftën e egër civile në Siri, u armiqësua me BE-në, kryesisht Gjermaninë, dhe filloi t’i afrohej Rusisë autoritare.

Ai u zgjodh president i Turqisë në vitin 2014 dhe ia la postin e kryeministrit Ahmet Davutoglou, arkitektit të politikës së jashtme proaktive të Turqisë në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.

Megjithatë, Erdogan nuk u ndje rehat nga shkëlqimi i Davutoglu dhe e detyroi atë të dilte nga skena politike në 2015. Më vonë, ish-ministri i transportit, Binal Yildirim, u bë kryeministër.

Tensionet vazhduan të rriteshin në Turqinë e Erdoganit për shkak të luftës së tij kundër të ashtuquajturve gylenistë, përfshirjen e tij në kasaphanën siriane dhe prej sulmeve të ndryshme terroriste.

Përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit më 15 korrik 2016 ishte sfida më e rëndësishme për sundimin e tij. Përpjekja u asgjësua në vetëm një ditë me ndihmën e ushtarëve besnikë dhe të njerëzve që dolën në rrugë kundër komplotistëve të grushtit të shtetit.

Një natë plot terror la mbi 250 të vdekur dhe shkaktoi miliarda euro dëme – por ende ka shumë pyetje pa përgjigje rreth atyre që organizuan dhe mbështetën komplotistët e dyshuar.

Menjëherë pas grushtit të dështuar, Erdogan deklaroi një gjendje të jashtëzakonshme më 20 korrik dhe ende e drejton vendin në këtë gjendje të jashtëzakonshme.

Gjatë kësaj kohe, qindra mijëra njerëz janë arrestuar, janë hetuar, pezulluar ose hequr nga puna. Institucione të shumta, përfshirë shkolla, kolegje, media dhe organizata joqeveritare janë mbyllur me dyshimin se kanë mbështetur apo kanë qenë pjesë e komplotit.

Erdogan ndërkohë e ka kthyer sistemin tradicional parlamentar të Turqisë në një sistem ekzekutiv presidencial.

Në një referendum të mbajtur më 16 prill, turqit votuan me shumicë të ngushtë për t’i dhënë atij pushtet të reja si president. Megjithatë, referendumi pati parregullsi të dukshme.

08 Maj 2017 - 22:06

Dushica Tomoviq, Përparim Isufi, Sinisha Jakov Marushiq, Igor Spaiq, Vanja Gjuriq, Maja Zhivanoviq, Maria Chereseva, BIRN | Podgoricë, Prishtinë, Shkup, Sarajevë, Beograd, Sofje 08/05/2017 - 22:06
NDËRVEPRIMI0