Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Taktizimet Politike të Partive Para Betejës për Formimin e Qeverisë

Kështu ka deklaruar analisti politik, Belul Beqaj, për KALLXO.com duke shtuar se nuk e përjashton mundësinë që vendi të shkon sërish në zgjedhje të reja.

Ndërkaq, Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për KALLXO.com, se  përsëritja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvend nuk janë shumë të përshtatshme, pasi veç data e zgjedhjeve lokale është caktuar ku mund të pritet të ketë edhe raund të dytë.

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk ia mundësuan asnjë subjekti politik që ta bëjë qeverinë pa llogaritur në votat e deputetëve të subjekteve rivale, prandaj opsione të ndryshme janë duke u përmendur në opinion ndërkohë që po pritet certifikimi i rezultateve për të filluar negociatat se kush do të mund të arrijeë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta bërë qeverinë.

Por një ngërç i ri eventual që mund ta çonte vendin në zgjedhje të reja parlamentare, sipas Albert Krasniqit, do të krijonte pasoja.

Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshëm për Kuvend do ta bënin këtë proces mjaft të lodhshëm dhe të kushtueshëm financiarisht për subjektet politike.

Beqaj, ka shtuar se nëse shkohet në zgjedhje mundësia për ndryshime mbetet shumë e vogël, ndërsa gjasat për destabilizim mund të rriten.

“Nëse shkohet në zgjedhje, mundësia për ndryshime mbetet shumë e vogël, por gjasat për destabilizim të vendit rriten, kur të kihet parasysh se ndërkohë do të publikohen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale”, tha Beqaj.

Ide më e mirë, sipas tij, do të ishte krijimi i një qeverie teknike deri sa të gjendet zgjidhje për temat e mëdha siç është Demarkacioni, asociacioni, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Sikur të bëhet një marrëveshje e subjekteve politike për Qeveri kalimtare, për 6-12 muaj, e cila do të ngarkohej me reformat të sistemit zgjedhor, partitë do të reformoheshin ndërkohë. Ndërsa, qeveria ndërkohë do të gjente, me pëlqimin e subjekteve politike, zgjidhje për demarkacion, asociacion, transformimin e FSK-së, atëherë mund të ndodhë ndërrimi i qeverisjes”, shtoi Beqaj.

Sipas tij, shkuarja në  zgjedhje nuk garanton ndërrimin e qeverisjes, prandaj për këtë arsye ai e quan këtë opsion si “humbje kohe” dhe mundësi për destabilizkm të vendit.

Edhe Krasniqi, ka pohuar se opsioni më i mirë për shmangien nga bllokadat dhe krijimi i stabilitetit të institucioneve është që të formohet një Qeveri që ka shumicë të konsoliduar në Kuvend dhe arritja e koalicioneve qeverisëse të bëhet në bazë të parimeve dhe politikave programore.

Sipas tij, nëse shkohet në zgjedhje, përveç kostos financiare, humbja më e madhe në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshëm është shmangia nga problemet e qytetarëve me të cilat do të duhej të merreshin institucionet e vendit.

“Hartimi i ligjeve të reja dhe plotësimi i atyre ekzistuese, si dhe do të pësonin shumë projekte të reja infrastrukturore dhe zhvillimore”, tha ai.

Lidhur me vonesat e subjekteve politike për të krijuar koalicione dhe për të ndërtuar qeverinë e re, Beqaj ka thënë se nëse formimin e koalicioneve e vlerësojnë në saje të deklarimeve parazgjedhore dhe zgjedhore, duhet të presim dhe në fund të mos përjetojmë arritjen e marrëveshjeve për koalicione.

“Raportet ngërthejnë mosbesim të ndërsjellë të dëshmuar, ka dallime të mëdha rreth çështjeve që ishin shkasë për të shkuar në zgjedhje dhe ka dallime ideologjike dhe interesa kundërthënëse që nuk mund të harmonizohen shpejtë, ndoshta nuk mund të harmonizohen fare”, tha ai.

Beqaj, tregoi se ku nuk ka bashkësi interesash, nuk mund të ketë unitet qëllimesh për formimin e Qeverisë.

Ndërsa, Krasniqi shpjegoi se  pas certifikimit të rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, subjektet politike do të kenë më shumë presion për t’u takuar dhe provuar të arrijnë marrëveshjet për bashkëqeverisje.

“Ky presion sidomos do të jetë më i madh ndaj koalicionit PAN, si subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje dhe ka të drejtën në herën e parë për të provuar krijimin e Qeverisë së re”, shtoi ai.

Krasniqi tha se në këtë fazë, para certifikimit të rezultateve, subjektet politike më shumë janë duke taktizuar me qëllim që të maksimizojnë peshën e tyre në negociatat për krijimin e Qeverisë.