Tadi. Foto: Atdhe Mulla

Tadi, Shtegtarja Drejt të Ardhmes

Një intervistë me artisten e re vizuele, Tadin, mbi frymëzimet e saj, rehatinë me artin e pikturës dhe të ardhmen.

Nëse keni kaluar nëpër Kosovë gjatë viteve të fundit, ka shumë gjasa t’i keni parë vizatimet e Tadit në posterë festivalesh, libra promocionalë apo revista të pavarura.

NDËRLIDHUR

Ndoshta nuk e keni ditur emrin e saj të penës, apo as emrin e saj të vërtetë, por me siguri e keni vënë re stilin e saj të veçantë: vizatime me ngjyrë të zezë katrani të vajzave dhe djemve të hijshëm duke ndenjur me një macë apo dy.

“Ato vizatime e kanë vendin e tyre, por po e ndiej që po rritem, dhe tani për tani pikturimi më duket si mediumi më i përshtatshëm,” më tha ajo gjatë instalimit të ekspozitës së saj të parë solo në galerinë më të re artistike në Prishtinë, “Motrat”. Ekspozita e saj është gjithashtu ekspozita e parë e organizuar nga “Motrat”, një projekt i nisur nga agjencia e dizajnit Trembelat dhe OJQ-ja artistike FRABAAC.

Kjo ekspozitë e titulluar “In a dream I saw lights coming out of your body” (Në një ëndërr pashë drita duke rrezatuar nga trupi yt), do të jetë e hapur deri në fund të marsit dhe ngërthen gjashtë piktura të subjekteve të saj të parapëlqyera: shokët dhe bashkëbanuesit e saj në shtrat.

“E gjitha ka të bëjë me ndjenjën që ma japin njerëzit me të cilët jetoj – kur ata pushojnë dhe flenë. Përnjëmend nuk është asgjë seksuale, është vetëm një ndjenjë e mirë”, shpjegon ajo e buzëqeshur. Shokët e shoqet e saj janë mësuar të vizatohen, pikturohen apo fotografohen nga Tadi, e cila i regjistron eksperimentet dhe projektet e saj të ndryshme në Tumblr.

“Kur pikturoj, njerëzit që jetojnë me mua ndikojnë shumë. Ambienti, ngjyrat,” thotë Tadi, puna e së cilës përfshin një vizatim të motrës së saj, Lindës, shokut të saj të dhomës, Gagit, dhe shoqes së saj Debit. Posteri i ekspozitës paraqet shokun e saj, Gagin, në shtrat, me trupin e fshehur përfundi mbulesës, dhe vetëm me sy jashtë.

“U përshtat mirë, por arsyeja që i shihen vetëm sytë është sepse nuk di si t’ia pikturoj mjekrën!” thotë Tadi me një të qeshur modeste.

Ishte sfidë për Tadin t’i pikturonte gjashtë piktura origjinale brenda një muaji për ketë ekspozitë, sidomos duke pasur parasysh se nuk ka pikturuar për dy vjet, thotë ajo. Drejtuesit e galerisë, Yll Rugova dhe Fanny-Alma Seree, e lanë atë në krye të punëve, dhe ajo “thuajse bëri të gjithë punen kuratoriale”.

Pikturë e patitulluar, Tadi 2017

“Kur isha në shkollë, pikturimi më dukej më shumë si detyrë shtëpie. Kur fillova t’i bëja gjërat që më pëlqenin, e pashë se kisha nevojë të izolohesha dhe se nuk isha gati,” thotë ajo.

Tadi u zhvendos në Prishtinë gjashtë vjet më parë për të studiuar pikturën, diçka që gjithmonë ka dashur ta bënte. Përvoja e shpërnguljes nga Mitrovica në kryeqytet ishte turbullirë mjaft e madhe në jetën e saj, dhe e gjeti veten të humbur në shkollë, ku shumica e profesorëve në Akademi kishin stilet e tyre dhe preferonin realizmin.

Kjo e bëri të ndrojtur.

“Atëherë ndihesha shumë e gjykuar, shqetësohesha se njerëzit mund të shihnin atë çfarë unë nuk doja me pa,” thotë Tadi, dhe më tej shpjegon se filloi të vizatonte skica si themel për pikturat e saj, por nisi ta pëlqente vetë artin e skicimit.

“Pikturimi tash është më fluid, po ecë më natyrshëm. Nuk kam nevojë të sforcoj asgjë. Ndoshta është se po rritem,” thotë ajo. Ky ndryshim i mediumit gjithashtu e ka bërë të mendojë për vijën ndarëse mes ‘pikturës’ dhe ‘ilustrimit’.

“Pse është një ilustrim nga Polly Nor… pse nuk është një nga vizatimet e saj vetëm një vizatim, apo një pikturë – por një ilustrim?” ajo pyet, e frustruar me etiketimin e thjeshtëzuar të artit.

“Njerëzit më pyesin a jam ilustratore, por në të vërtetë unë vizatoj. Nuk kam dëshirë t’i vë etiketë vetes. Ndihem rehat të punoj në mediume të ndryshme. Më së miri është t’i pyesësh njerëzit ‘çfarë bën?’”

Puna e Tadit është shfaqur në revistën Lirindja, materiale promovuese të festivalit feminist Femart, albume, dhe në një libër që promovon kandidimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. “Jam shumë fatlume që mund të mbijetoj me këtë lloj pune,” thotë ajo.

Por, meqenëse ka një ekspozitë tjetër në qershor, ajo e ka zhvendosur përqendrimin te pikturimi, dashurinë e saj nga mosha pesë vjeçare.

“Unë dhe motra ime Linda gjithmonë kemi pikturuar, dhe na shtyente babai ynë, na bëri që të ndihemi mirë për të,” thotë Tadi, duke kujtuar se si babai i saj ia tregoi artistët e Kosovës dhe i dha punës së saj vëmendje.

“Babai im ka pasur një shprehi, punonte prej mëngjesit deri në pesë; kur vinte në shtëpi gjithmonë na sillte [mua dhe motrës sime] piktura të artistëve të ndryshëm. Çdo dite pasi që kthehej na pyeste ‘çfarë bëtë sot?’ dhe e dija se çfarëdo që kisha bërë gjatë ditës do të merrte vëmendje, dhe dikush do ta vlerësonte apo ta këqyrte. Ajo më bëri që të përpiqesha edhe më fort,” thotë Tadi.

Tadi. Foto: Atdhe Mulla

Një suvenir tjetër i fëmijërisë shquhet qartë në ekspozitën e vogël: një pikturëz që artistja e ka riprodhuar në dy vepra të saj të shfaqura.

“Është një pikturë që ma ka dhënë babai kur isha në shkollë fillore, e kishte blerë në një dyqan me mall të dorës së dytë në Francë. Ishte në studion time në shtëpi dhe gjithmonë më ka përcjellë në jetë”, thotë ajo, duke shtuar se arti kishtar ka qenë një ndër frymëzimet e saj më të gjata. “Gjithmonë kam menduar se ishte një engjull, por së voni kur shkova në Mitrovicë, ku jetojnë prindërit e mi, pashë që nuk ishte një engjull, por vetëm një fëmijë”.

Kjo dykuptimësi iu duk “e lezetshme” dhe mënyrë e mirë për ta ndërthurur gamën e gjerë të referencave të saj: prej simboleve krishtere, artit japonez dhe deri te filmi vizatimor Adventure Time.

Pasi kaloi një muaj në një rezidencë të West Balkan Calling në Vjenë shtatorin e shkuar, ajo po ashtu ka vendosur se do të jetojë jashtë Kosovës.

“Po mos të ishte regjimi i vizave, vetëm do ta zgjidhja vendin”, fshau ajo, duke shtuar se mund të vazhdojë të studiojë në Gjermani. “Nuk kam jetuar askund tjetër për më shumë se një muaj, dhe kur isha në Vjenë vura re se sa të izoluar jemi. Klaustrofobia po më mbyt, është shumë e dëmshme”.

“Ne njerëzit e Kosovës, të mjerët ne, jemi mësuar ta bëjmë më të mirën me atë që kemi. Nëse mund të studioj dhe jetoj diku – do ta bëj”, thotë ajo, duke nxituar të shtojë se nuk kërkon thjesht të ikë.

“Është tejet e rëndësishme me i zgjanu horizontet. Nuk ka t’bëjë me atë se a do të shkoj nga Kosova në Berlin – dua të shtegtoj. Pse mos të shkoj nga Berlini në Peru? Kam nevojë të përjetoj më shumë nga kjo botë”.

Artikulli fillimisht është publikuar në gjuhën angleze në Prishtina Insight.

20 Mars 2017 - 09:58

Lura Limani 20/03/2017 - 09:58
NDËRVEPRIMI0

Tadi, Shtegtarja Drejt të Ardhmes

by Lura Limani
NA NDIQNI