Një impiant riciklimi në qytezën Buzau në jug të Rumanisë. Foto: George Popescu.

Ta Pastrosh Rumaninë

Kur hyn në Ministrinë e Mjedisit të Rumanisë, një vizitor duhet të kthejë kokën për të parë ndërtesën më të njohur dhe më të madhe të vendit, parlamentin. Përmasat e saj të stërmëdha janë pothuajse aq të ekzagjeruara se nuk rroken dot. Gjatë pjesës më të madhe të ditës, ndërtesa hedh një hije shumë të gjatë.

Në ministri, pasi ngjit shkallët prej mermeri dhe kalon shandanët, gjendet zyra e Raup Pop në katin e parë. Në korridor gjenden tri kosha plehrash në miniaturë – me ngjyrë të verdhë, të gjelbër dhe blu.

Pop hyri në këtë zyrë në qershor si sekretar shteti përgjegjës për mbetjet dhe pjesë e një grupi ekspertësh të punësuar nga një qeveri teknokrate e krijuar gjashtë muaj më herët pasi një zjarr në një klub nate vrau 64 vetë dhe shkaktoi shpërthimin e zemërimit kundër korrupsionit.

Qeverisë iu dha një mandat njëvjeçar deri sa të zhvilloheshin zgjedhjet e planifikuara në dhjetor, zgjedhje që kanë ngjallur shpresat e njerëzve se gjërat mund të ndryshojnë për mirë pas 25 vjetësh premtimesh të pambajtura që nga rënia e diktatorit Nikolae Çaushesku, njeriut që porositi ndërtesën e parlamentit.

Ekspertiza e Pop është riciklimi – një fushë as popullore dhe as tërheqëse – por shumë treguese për progresin e ngadaltë të Rumanisë që nga rënia e komunizmit.

Vendi është shumë keq në fushën e riciklimit dhe mjedisi është ai që po paguan. Nëse nuk ndryshon asgjë, njerëzit do të përballen dhe me faturën financiare gjithashtu.

Afërsisht 5 për qind e mbetjeve urbane në Rumani u riciklua në vitin 2013, sipas të dhënave më të fundit nga zyra statistikore e Bashkimit Europian, Eurostat, në krahasim me 28 për qind, që është norma mesatare e riciklimit në Bashkimin Europian. Pjesa më e madhe e mbetjeve përfundon në landfille, duke dëmtuar natyrën e vendit.

Në vitin 2020, nëse Rumania nuk do të arrijë një normë riciklimi prej 50 për qind, vendi do të përballet me sanksione, gjoba deri në 200 mijë euro në ditë. Disa zyrtarë po paralajmërojnë për rrezikun e shkurtimit të fondeve të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, fonde që kanë rëndësi të madhe për një nga vendet më të varfra të bashkimit.

Me kokë të rruar dhe mustaqe, 43 vjeçari Pop është ekonomist dhe ekspert mbi mbetjet. Shefja e tij, ministrja 47 vjeçare Cristiana Pasca-Palmer, është një eksperte në mbrojtjen e mjedisit, e cila, njësoj si Pop, ka lënë vendin e saj të zakonshëm të punës në Bruksel si zyrtare e BE-së për t’u bashkuar me kauzën pas zjarrit në klubin e natës. Ajo ka sjellë me vete një këshilltare 34 vjeçare të quajtur Elena Rastei, një aktiviste mjedisore nga rajoni i Transilvanisë në qendër të Rumanisë.

Ndërsa ora ecën drejt zgjedhjeve të dhjetorit, të tre ata përballen me një garë me kohën për të vënë në funksionim riciklimin, me frikën se kur politikanët të kthehen në detyrë, motivimi për ndryshim mund të vdesë sërish.

Në zyrën e Pop, e shkuara gjendet në veshjet e mureve me dru, në tryezën e rëndë dhe në llambadarë. E tashmja e shfaq veten më thjeshtë, në një laptop të kuq dhe një flamur të BE-së. Parlamenti, një rikujtesë e pakëndshme e megalomanisë së Çausheskut, dominon pamjen nga dritarja.

“Si çdo ndryshim tjetër, do të ketë një pikë kthese,” tha Pop. “Riciklimi do të rritet gradualisht deri sa të mbërrijë një masë kritike dhe pastaj do të kthehet në një mënyrë standarde sjelljeje.”

Fund të keqes

Raul Pop, sekretari i shtetit përgjegjës për mbetjet në Ministrinë e Mjedisit të Rumanisë. Foto: George Popescu.
Raul Pop, sekretari i shtetit përgjegjës për mbetjet në Ministrinë e Mjedisit të Rumanisë. Foto: George Popescu.

Zjarri në klubin Colectiv në Bukuresht më 30 tetor 2015, mund të hyjë në histori si një pikë kthese në Rumaninë post-komuniste.

Zija i la shpejt vendin zemërimit mbi shqetësimet se sigurua qe cënuar nga korrupsioni.

Pronarët e klubit, George Alin Anastasescu, Paul Catalin Gancea dhe Costin Mincu, u akuzuan për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia dhe u çuan në gjyq. Dy punonjës të Departamentit të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Antonina Radu dhe Petrica George Matei, u akuzuan për abuzim me detyrën të dyshuar se nuk kishin kryer inspektimet e detyrueshme në këtë klub.

Për mijëra rumunë që dolën në rrugë në protestë, tragjedia qe simbol i korrupsionit që vijon të gërryejë shtetin dhe shoqërinë rumune.

Kryeministri Victor Ponta dha dorëheqjen dhe Presidenti Klaus Iohannis iu drejtua një ish-komisioneri të BE-së dhe agronomit Dacian Ciolos për ta ngarkuar me detyrën e kryeministrit deri në zhvillimin e zgjedhjeve një vit më vonë.

Ciolos, i cili nuk është anëtar i asnjë partie politike aktualisht, e mbushi qeverinë e tij me teknokratë, ekspertë, zyrtarë të BE-së dhe udhëheqës të shoqërisë civile. Qeveria e tij publikoi një deklaratë misioni, ku thuhet se tragjedia në klubin e natës dhe shkaqet e saj kanë krijuar pritshmëri në shoqërinë rumune “të cilat nuk mund të injorohen”.

Pasca-Palmer, një ish zyrtare mjedisi dhe negociatore në BE, qe mes atyre që e pranuan sfidën. Ajo pranoi qeverisjen e ministrisë së mjedisit dhe historinë e keqe të riciklimit, e cila përplaset me vizionin e Bashkimit për një kontinent të gjelbër.

Fotoja kryesore në profilin e saj në Facebook i përket protestave që pasuan zjarrin në Colectiv me fjalët “Dita kur ne do të heqim dorë, do të jetë dita në të cilën ne do të vdesim”, shprehje kjo e huazuar nga një bandë muzikore që luante në klub në natën që ai mori flakë. Këngëtari kryesor i grupit qe i vetmi anëtar i bandës muzikore që mbijetoi.

Rumania ka mbetur vazhdimisht pas në fushën e riciklimit të mbetjeve familjare që kur u bashkua në BE në vitin 2007, duke qenë vetëm pak më mirë se sa fqinjët e saj joanëtare të BE-së si Serbia, Maqedonia dhe Bosnja, të gjitha ish-republika jugosllave ku pothuajse asnjë mbetje nuk riciklohet.

Edhe Bullgaria, e cila u bashkua me BE-në në të njëjtën kohë me Rumaninë, tashmë riciklon 25 për qind të mbetjeve dhe gropos pjesën tjetër. Sllovenia, një vend ish-jugosllav, udhëheq këtë fushë me normë riciklimi prej 49 për qind.

 “Si me çdo ndryshim tjetër, do të ketë një pikë kthese”

– Raul Pop, sekretar shteti me detyrë menaxhimin e mbetjeve në Ministrinë e Mjedisit të Rumanisë.

Por edhe shifrat zyrtare të Rumanisë janë vënë në diskutim.

Në fund të vitit 2015, pas trazirave të shkaktuara nga zjarri në klubin Colectiv, inspektorët e mjedisit dhe prokurorët nisën një hetim mbi dyshimet se disa kompani të përfshira në industrinë e riciklimit kanë inflacionuar rezultatet në mënyrë të falsifikuar.

Skandali sillet përreth të ashtuquajturave Organizata të Përgjegjësisë së Prodhuesve, PRO, të krijuara nga prodhuesit e mëdhenj të mallrave për t’u siguruar që mbetjet e krijuara nga paketimet e produkteve të tyre të shkojnë te kompanitë e riciklimit.

Administrata e Fondit për Mjedisin në Rumani, një institucion i mbrojtjes së mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, gjobiti gjashtë nga dhjetë organizatat e këtij lloji me gjoba me vlerë të përgjithshme prej dhjetëra milionë euro, megjithëse kompanitë i kanë sfiduar gjobat dhe hetimi është në vijim.

Geanin Serban, drejtor ekzekutiv i njërës prej organizatave të tilla, të quajtur Eco Romania, i tha BIRN se këto lloj organizatash janë efektivisht ndërmjetëse mes prodhuesve të mallrave, grumbulluesve të mbetjeve dhe ricikluesve – dhe nuk mund të mbahen përgjegjëse për performancën e kompanive të riciklimit. Ai u ankua se ligji është zbatuar gabim.

Nuk ka fishek të artë

Pop, i cili më herët ka punuar te çështjet mjedisore në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, për Ernst & Young dhe për organizata jo-qeveritare si Ecoteca, tha se nuk kishte një fishek të artë, nuk kishte “ndonjë masë që do të sjellë mrekulli” në mënyrë që të detyrohet Rumania që të riciklojë.

Menaxhimi i mbetjeve, tha ai, “funksionon përmes masave të shumta të vogla dhe që plotësojnë njëra-tjetrën, masa që kanë shpejtësi të ndryshme zbatimi”.

Këto masa përfshijnë: një taksë mbi landfillet për ta bërë më të shtrenjtë groposjen e mbetjeve, një sistem të Pagesës për Hedhje të Mbetjeve (PAYT sipas akronimeve në anglisht), e cila ngarkon me më shumë taksa ato familje që nuk i ndajnë mbetjet e tyre për riciklim dhe një skemë depozitimi, e cila efektivisht i rimburson konsumatorët në rast se ata dërgojnë për riciklim paketime të tilla si kanaçet.

“Nëse bën një studim krahasues, Rumania ka koston më të lirë të groposjes së mbetjeve në Europë. Nëse ke çmim të ulët groposjeje dhe kemi edhe performancën më të dobët, kjo mund të jetë një shenjë,” tha Pop.

Rezistenca, tha ai, vjen nga kryebashkiakët e qindra bashkive, të cilat kanë për detyrë të mbledhin mbetjet dhe kanë pushtet disproporcional në sistemin politik të Rumanisë, për shkak të rolit të tyre vendimtar në grumbullimin e votave për partitë e mëdha politike.

Për bashkitë, thonë kritikët, ideja e grumbullimit të xhamit, letrës, metalit, aluminit dhe mbetjeve të tjera në mënyrë të ndarë, tingëllon si një çështje e bezdisshme dhe e kushtueshme.

Në Bukuresht, dy nga gjashtë sektorët e kryeqytetit i kanë anuluar taksat mbi mbetjet më 2008 dhe 2012.

Mbetje në digën Vidraru në Rumani. Foto: George Popescu.
Mbetje në digën Vidraru në Rumani. Foto: George Popescu.

“Këtu, riciklimi nuk funksionon për një arsye madhore,” tha Pop. “Bashkitë nuk angazhohen. Është kaq e thjeshtë. Dhe nëse bashkia nuk dëshiron të bëjë mbledhje të diferencuar, ti mund t’i bësh presion çdokujt tjetër [por] ata nuk kanë akses te mbetjet.”

“Në çdo vend në perëndim të Rumanisë ka mbledhje të diferencuar dhe ka gjoba për moskryerjen e ndarjes në burim, ka operatorë që vijnë dhe marrin mbetjet veçmas nga shtëpia juaj,” shpjegoi ai. “Në opinionin tim kjo është fusha ku ne jemi më shumë prapa, në skemën e ndarjes në burim.”

Duke folur para qindra kryebashkiakëve të mbledhur në ndërtesën e parlamentit në korrik, ministrja Palmer, paraqiti shifrat. Rumania, si pjesa tjetër e BE-së, duhet të shënjestrojë riciklimin në masën 50 për qind të mbetjeve familjare deri në vitin 2020.

“Në nëntë vitet e para [pas anëtarësimit] ne menaxhuam të arrijmë në 3 për qind. Pra 3 për qind nga 50 për qind ndërkohë që kemi shpenzuar 71 për qind të kohës në dispozicion,” tha ajo.

“Kështu, nëse në nëntë vitet e para riciklimi u rrit me mesatarisht 0.3 për qind në vit, në kohën e mbetur deri në vitin 2020 ne duhet të zbatojmë zgjidhje që duhet ta rrisin riciklimin me gati 13 për qind mesatarisht çdo vit.”

“Kjo është një performancë 39 herë më e mirë nga performanca e deritanishme. Ne nga ministria e mjedisit nuk mund ta bëjmë këtë gjë të vetëm dhe ndoshta edhe ju nuk mund ta bëni”.

Një përjashtim nga rregulli

Një bashki në Transilvani e ka përqafuar mundësinë e riciklimit. Tangu Lapus, një qytezë e vogël me 12 mijë banorë, mori 1 milionë euro nga fondet e BE-së në vitin 2008 dhe bleu kazanë dhe automjete për mbledhjen e diferencuar të mbetjeve familjare.

“Ne ishim më kryengritës [se sa bashkitë e tjera],” tha zëvendëskryetari i Bashkisë Vasile Kraus. “Ne jemi shumë krenarë për këtë.”

 “Kostoja e inaktivitetit, e të mos bërit asgjë, është shumë më e lartë”

– Elena Rastei, aktiviste mjedisore dhe këshilltare te Ministria e Mjedisit të Rumanisë.

Kraus i tha BIRN se bashkia riciklon mesatarisht 45 për qind të mbetjeve. Për ato familje që nuk i ndajnë mbetjet në burim,” ne faturojmë gjoba, në mënyrë që t’i japim një leksion”, tha ai.

“Kjo punë vijon prej shtatë vjetësh dhe sërish ka një shkallë mungese disipline,” tha ai, veçanërisht në blloqet e apartamenteve që kanë shumë familje. “Në familjet që kanë shtëpi më vete, norma e riciklimit është mbi 90 për qind.”

Rastei, këshilltarja e ministres, tha se të mos bërit asgjë është dritëshkurtësi.

“Vullnet politik do të thotë të kesh një kryebashkiak i cili është i vendosur për të krijuar një sistem për ndarjen në burim dhe grumbullimin e diferencuar. Nuk ka nevojë që kryebashkiaku të jetë i lidhur politikisht me një parti. Në asnjë mënyrë. Do të thotë se ai është njeriu që ka fuqinë të marrë një vendim dhe të veprojë siç duhet.

Kostoja e inaktivitetit, e të mos bërit asgjë, është shumë më e lartë. Një kryebashkiak i gatshëm për të vepruar do të ketë mbështetjen e bashkësisë, qytetarëve dhe gjeneratave të ardhshme.”

Duke iu përgjigjur kritikave, Madalin Ady Teodosescu, president i Shoqatës së Qyteteve të Rumanisë, tha se problemi qëndron te edukimi i rumunëve për nevojën për të ricikluar. “Politika nuk ka fare të bëjë me këtë,” tha ai.

Teodosescu i tha BIRN se problemi mund të zgjidhet kur secila nga 41 qarqet e Rumanisë të ketë të ashtuquajturin Sistem të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, një sistem për të koordinuar hedhjen e mbetjeve, përfshirë kazanët e diferencuar.

Sisteme të tilla po krijohen në 32 qarqe me paratë e BE-së, por një raport i publikuar në nëntor në faqen e internetit në gjuhën rumune PressOne.Ro, tha se burokracia e ngadaltë dhe joefikase e Rumanisë do të thotë se autoritetet ende nuk i kanë zgjedhor kompanitë operuese për secilin qark.

“Kur kjo [menaxhimi i integruar i mbetjeve] të përfundojë, mbledhja e diferencuar do të bëhet,” tha Teodosescu.

Objektiva

Në vitin 2011, Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, publikoi një seri rekomandimesh për Rumaninë, përfshirë vendosjen e një takse për groposjet, një skemë PAYT, rregullim më të mirë dhe inspektime për kompanitë e menaxhimit të mbetjeve dhe fushata reklamash për të nxitur riciklimin. Asgjë nuk u bë.

Por skandali i riciklimit që shpërtheu në fund të vitit 2015, gjithsesi, mund të ketë shkaktuar një ndryshim.

Që kur u zbulua se shifrat e riciklimit po “falsifikoheshin”, tha Pop, Organizatat e Përgjegjësisë së Prodhuesve dhe ricikluesit e gjetën veten papritur shumë më të kontrolluar nga autoritetet dhe nga shumëkombëshet e mëdha që prodhojnë paketimet – njerëzit që në fund paguajnë për dështimin për të ricikluar përmes taksave më të larta.

Kërkesa më e madhe për riciklim nënkupton më shumë para për bashkitë që mbledhin plehrat nga konsumatorët.

“Deri në fund të vitit 2015, kur skandali i mbetjeve të paketimit shpërtheu, ata [kryebashkiakët] nuk mblidhnin para nga askush për mbetjet e riciklueshme, gjë që do të thotë se nuk ka motivim financiar për të mbledhur mbetjet në mënyrë të diferencuar, pra që të investosh para për kazanë apo për makina që i mbledhin në mënyrë të ndarë plastikën dhe mbetjet e biodegradueshme,” tha Pop.

Një grua rumune në Bukuresht paketon shishe plastike të nxjerra nga kazani në një thes për riciklim. Foto: George Popescu.
Një grua rumune në Bukuresht paketon shishe plastike të nxjerra nga kazani në një thes për riciklim. Foto: George Popescu.

Pop qe optimist në tetor.

Një taksë për groposjet në landfill, e miratuar në vitin 2013, duhet të hyjë në fuqi më 1 janar 2017 pasi është shtyrë dy herë me radhë.

Ministria ka punuar përgjatë verës në hartimin e një ligji gjithëpërfshirës mbi menaxhimin e mbetjeve, ligj që Pop shpreson se do të hyjë në procedurën parlamentare në fillim të vitit të ri.

Cristian Ghinea, i cili shërbeu si Ministër për Fondet Europiane të Rumanisë mes prillit dhe tetorit 2016, u citua nga PressOne.ro duke thënë: “Të jemi të qartë; nëse [Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve] nuk është gati brenda 31 dhjetorit, ne rrezikojmë pezullimin e fondeve të mjedisit” nga BE.

Rregullat janë shtrënguar për bashkitë që të reduktojnë gradualisht sasinë e mbetjeve që groposin në landfill ose përndryshe përballen me gjoba.

Për disa, gjithsesi, ritmi i ndryshimit është ende tepër i ngadaltë. Constantin Damov, bashkëthemelues nga kompania ricikluese Green Group, tha se taksa e landfillit duhej të qe zbatuar menjëherë.

“Kam dyshime se [njerëzit në] Ministrinë e Mjedisit nuk i kuptojnë mbetjet por kuptojnë një lloj opozite të llojit OJQ kundër mbetjeve,” tha ai. Ata e kanë fokusuar diskutimin në terma “emocionalë” dhe jo teknikë, u ankua Damov.

Pop tha se qe e vështirë të kuptohet se sa shumë kohë është humbur duke lundruar në labirinthin e burokracisë së Rumanisë.

“Mund të realizosh një studim doktorature mbi të – se sa shumë njerëz duhet të firmosin, të kundërfirmosin, të japin miratimin,” tha ai. “Nga të gjitha këto gjëra… zgjidhja teknike merr vetëm pesë për qind të punës. Pjesa tjetër është burokraci.”

Në tetor, qeveria mori një hap tjetër përpara kur miratoi një dekret emergjencash duke i dhënë të drejtë bashkive të drejtën për të ngarkuar taksa të variueshme për mbetjet mbi konsumatorët, ku ata që nuk i ndajnë në burim për riciklim do të duhet të paguajnë më shumë – sipas parimit PAYT.

BIRN pyeti Sektorin Tre të Bashkisë së Bukureshtit, ku taksa mbi mbetjet është zero, nëse ajo do ta zbatojë skemën PAYT. Ajo u përgjigj se qe ende herët për të folur për këtë çështje.

“Në Sektorin Tre ne kemi një sektor që funksionon dhe me të cilin të gjithë janë të kënaqur,” u përgjigj zyra e shtypit të bashkisë. “Ne do të analizojmë me kujdes të madh këtë mundësi [të vendosjes së taksës sipas sasisë] dhe vetëm pas kësaj do të marrim një vendim.”

Forcat e tregut

Nicole Seyring, drejtore në departamentin e menaxhimit të mbetjeve dhe burimeve në organizatën kërkimore gjermane BiPRO GmbH, tha se PAYT ka rezultuar thelbësore nëpër qytetet në të gjithë Europën.

“Efekti i kësaj skeme është i drejtpërdrejtë”, tha ajo për BIRN. “Ndarja në burim rritet me shpejtësi në një qytet.”

Seyring punoi për një studim mbi skemat e grumbullimit të mbetjeve të seleksionuara në kryeqytetet e BE-së, komisionuar nga Komisioni Europian në vitin 2015.

Kryeqyteti i Sllovenisë, Lublana, i shpallur Kryeqyteti i Gjelbër i Europës për vitin 2016, ka bërë një punë veçanërisht të mirë në të ashtuquajturin sistem të grumbullimit derë më derë, në të cilin familjet i lënë plehrat e tyre në kosha të ndarë për riciklim të cilët zbrazen nga punonjësit e grumbullimit të plehrave. Sasia e mbetjeve të riciklueshme të mbledhura për frymë u rrit me gati dhjetë herë mes viteve 2004 dhe 2014.

Talin, kryeqyteti i ish shtetit sovjetik të Estonisë, qe një qytet tjetër me performancë të lartë, falë sasisë së stërmadhe të pikave të mbledhjes që instaloi nëpër qytet. Ajo rimburson gjithashtu konsumatorët me 10 cent për çdo shishe të riciklueshme plastike apo qelqi të depozituar nëpër supermarkete.

Estonia është vendi ku filloi lëvizja e pastrimit Let’s Do It (Eja ta bëjmë), e cila filloi në vitin 2008 kur dhjetëramijëra estonezë morën pjesë në një fushatë njëditore për të mbledhur plehrat. Sipas Let’s Do It, ata mblodhën 10 mijë tonë plehra brenda pesë orësh.

Çelësi qe përdorimi i teknologjisë, përfshirë Google Maps, për të shënjuar zonat më të ndotura, tha Meelika Hirmo, drejtoresha e komunikimit për organizatën.

“Njerëzit as nuk mendonin se [plehrat] qenë një problem i stërmadh,” tha Hirmo për BIRN. “Për shkak se një person normal nuk llogarit – pak plehra këtu dhe pak aty, ata nuk i grumbullojnë në një hartë. Ne krijuam një lloj harte për të ndihmuar në vizualizimin e gjërave, se si qe situata realisht,” tha ajo duke folur në anglisht.

“Ideja është se nuk mjafton thjesht të pastrosh, duhet të pastrosh të gjithë vendin brenda një dite.”

Modeli është kopjuar që nga ajo kohë nëpër të gjithë botën, përfshirë Rumaninë.

Në shtator, dega rumune zhvilloi ditën e pastrimit për të pestin vit rradhazi, duke thënë se më shumë se 130 mijë vullnetarë mbushën më shumë se 168 mijë thasë me shishe të riciklueshme, alumin, plastikë, tekstile e mbetje të tjera.

Pop tha se ai ndjen se gjërat po ndryshojnë “nga pak”.

“Në vitet e ardhshme pritet të ndodhin gjëra të dhunshme në kuptim të ndryshimit në nivel të bashkive,” tha ai. Skandali i riciklimit i ka shkundur gjërat.

“Në fund, ata që hedhin paketime në treg dhe krijojnë problem mjedisor kanë kuptuar se kanë shumë nevojë që bashkitë të funksionojnë siç duhet në këtë fushë,” tha ai.

Në përgjigje, Serban, nga Organizatat e Përgjegjësisë së Prodhuesve tha se riciklimi është në interes të të gjithëve.

“Është e dukshme se prodhuesit dhe autoritetet vendore kanë interes të përbashkët në riciklim të sa më shumë mbetjeve nga paketimet të gjeneruara nga popullsia, sa bashkëpunimi është bërë praktikisht i detyrueshëm,” tha ai.

Pop tha se ministria nuk qe në gjendje të “tërhiqte karrocën e secilit. Këto forca kanë nevojë të funksionojnë lirshëm në treg”.

 

Adrian Lungu është redaktor në revistën tremujore rumune DoR (Decat o Revista). Ky artikull është pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.