Syla: Krasniqi Nuk e Ka Statusin e të Dyshuarit

Avokati Mexhid Syla, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se të premten e ka shoqëruar kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqin te prokurori i EULEX-it.

Portali “Lajmi.net” raportoi se kryeparlamentari kosovar u intervistua nga misioni evropian, në Fushë-Kosovë për një rast të krimeve të luftës, të viteve 1998-1999.

Syla tha se Krasniqi ende nuk e ka statusin e te dyshuarit.

“Krasniqi, vetëm është thirrur për të dhënë disa sqarime për një rast që është në procedurë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës për krime lufte”, shtoi Syla.

Për rastin që përmendi Syla, misioni evropian për sundim të ligjit, tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, mes tyre edhe kundër Sylejman Selimit, ambasadorit të Kosovës në Tiranë. Me Selimin, po ngarkohen për krime lufte, edhe Shefki Hyseni, Nexhat Qubreli dhe Ismet Haxha.

Selimi, Qubreli e Haxha akuzohen për keqtrajtim të Dëshmitareve A dhe B, ndërsa Shefki Hyseni ngarkohet për dhunim të Dëshmitares A.

Në aktakuzë, njëri nga keqtrajtuesit e dëshmitareve prezantohet me emrin “Jakup Krasniqi”.

Aty nuk sqarohet se kush qëndron prapa emrit Jakup Krasniqi dhe emri është i vendosur nën thonjëza.

Kryeparlamentari Krasniqi, më 14 nëntor, i tha Gazetës “Zëri” se ka qenë vetëm zëdhënës i UÇK-së, ndërsa nuk është e vërtetë dhe nuk qëndron përfshirja e tij në tortura të tilla çnjerëzore.

Megjithatë, Krasniqi shtoi se është në gjendje të përballet me pretendime të tilla.

Avokati i Krasniqit, Mexhid Syla i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Eulexi nuk posedon prova që Jakup Krasniqit t’i japë statusin e të dyshuarit, ose të akuzuarit  për krime lufte.

Gjykimi i katër të pandehurve për sjellje çnjerëzore ndaj dy dëshmitareve, nisi më 27 nëntor.