Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Syla e Xhelili do të Dëshmojnë në Rastin Bllaca

Azem Syla, ish-komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe Fatmir Xhelili, një nga ish-drejtuesit e ShIK-ut, janë të ftuar për 15 tetor që të dëgjohen si dëshmitarë të mbrojtjes në rastin e njohur si “Bllaca II”.

Mbrojtja i kishte propozuar kolegjit të gjykatësve në rastin e njohur si “Bllaca II”, që si dëshmitarë të ftohen Azem Syla dhe Fatmir Xhelili, pasi deklaratat e tyre janë të rëndësishme për këtë proces gjyqësor. 

NDËRLIDHUR

Kryetari i kolegjit, të enjten në seancën e mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, deklaroi se Azem Syla dhe Fatmir Xhelili janë të ftuar për 15 tetor që të dëgjohen si dëshmitarë të mbrojtjes. 

Në shqyrtimin kryesor kundër pesë të akuzuarve Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka, të mbajtur më 10 shtator, avokati Ilaz Kadolli ka pohuar se dëshmitarët, të cilët ai i ka propozuar, kanë të bëjnë me alibitë ndaj Sadik Abazit.

Sipas tij, emri i Azem Sylës është përmendur më së shumti gjatë këtij procesi gjyqësor. Ai pohoi se Nazim Bllaca ka thënë se arma me të cilën është vrarë Ibush Kllokoqi ka qenë e Azem Sylës, andaj për këtë është e rëndësishme edhe dëshmia e tij. Ndërsa, sa i përket Fatmir Xhelilit, sipas avokatit, ai ka qenë ish-zyrtar i SHIK-ut dhe në disa raste është përmendur nga dëshmitari bashkëpunues me nofkën “Doktori”. 

Sipas avokatit Kadolli, ish-zyrtari i SHIK-ut, Fatmir Xhelili, përveç që mund të ndihmojë rreth asaj se kanë qenë apo jo të akuzuarit pjesë e SHIK-ut, ai po ashtu e ka pasur pacient Nazim Bllacën për një kohë prej dy muajsh dhe mund të japë detaje rreth kësaj.

Ndërkohë, gjatë seancës të së enjtee, kolegji i gjykatësve dëgjoi pesë dëshmitarë të mbrojtjes së Sadik Abazit. Gjatë kësaj seance u dëgjuan Agron Seferi, Mustafë Haxhiu, Flamur Zuka, Hivzi Gashi dhe Bajrush Mujota. Ky i fundit do të vazhdojë dëshminë e tij, edhe më 15 tetor. 

Fillimisht dëshmitari i parë Agron Seferi, ishte dëshmitar i alibisë për Sadik Abazin, e i njëjti tregoi se si ai, vëllai i tij dhe babai i tij, kishin qenë me makinë në rrugën e fshatit Davidovc dhe kishin shkelur djalin e Sadik Abazit, Valon Abazin. 

Dëshmitari tregoi se ai me datën 6 gusht në mëngjes kishte qenë në shtëpinë e Sadik Abazit, ku ky i fundit i kishte ftuar për një aheng që do të mbahej në mbrëmje të asaj dite, për shkak se djali i shkelur nga ata, ishte liruar nga spitali dhe ishte në gjendje të mirë. Ai po ashtu tha se i kujtohej të ketë qenë data 6 gusht, ditë e premte, pasi që ishte ditë tregu.

Dëshmitari Seferi tregoi se nuk kishte shkuar atë natë në aheng, për shkak se kishte pas punë në Shkup. 

Mustafë Haxhiu, po ashtu ishte dëshmitari i alibisë për Sadik Abazin. Abazi e ka grua motrën e të pandehurit Abazi. Dëshmitari tregoi se e mbante mirë në mend se ka qenë java e parë e gushtit kur kishte shkuar në aheng tek i pandehuri dhe se gjatë gjithë kohës e kishte parë të pandehurin atë natë në aheng. 

Sipas dëshmitarit, i pandehuri Abazi, ahengun e tij e kishte mbajtur saktësisht më datën 6 gusht të 1999-së. Tha se data i kujtohej mirë për shkak se një vit më parë atij, po në këtë datë i kishte vdekur e ëma. 

Flamur Zuka, në natën e ahengut kishte qenë kuzhinieri i të pandehurit Abazi. Ai ishte ftuar një ditë më parë nga i pandehuri që të punonte të nesërmen që të përgatiste ushqim për më shumë se 50 persona. 

Dëshmitari tregoi se kishte përgatitur tre qengja për atë natë dhe se ishte hera e parë që po e përgatiste. Ai po ashtu tregoi se data kishte qenë fillimi i gushtit dhe ditë premte, pasi që kishin shkuar së bashku me të pandehurin për blerjen e sendeve në treg. 

Dëshmitari tregoi se Sadik Abazin e kishte parë gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje në aheng, duke i përshëndetur të pranishmit. Ai po ashtu tha se për punën e tij ishte paguar 100 DM. 

Edhe dëshmitari Hivzi Gashi, burri i motrës tjetër të Sadik Abazit, paraqit alibi për të pandehurin. Ai tha se kishte qenë personalisht në aheng dhe se atë së bashku me vëllezërit e tij e kishte ftuar vetë Sadik Abazi. 

Edhe këtij dëshmitari i kujtohej se ahengu ishte mbajtur në fillim të gushtit, pasi që në atë kohë kishte blerë një tokë së bashku me vëllezërit. Dëshmitari po ashtu dëshmoi se ai kishte parë gjatë gjithë kohës Sadik Abazin.

Dëshmitari i fundit për këtë seancë ishte Bajrush Mujota. Dëshmitari tregoi për shantazhet që Sadik Abazit ia kishin bërë Metush Isufaj dhe Sylejman Tërshani që të dy nga Shtimja. 

Sipas dëshmitarit, Isufaj dhe Tërshani e kishin thirrë atë dhe i kishin kërkuar që të shkonte të takonte Abazin e t’i kërkonte nga ai 25 mijë euro si borxh. Kur dëshmitari kishte shkuar tek Abazi aty kishte kuptuar se nuk iu kishte kurrfarë borxhi dhe i kishte ftuar përmes telefonit Isufajn dhe Tërshanin. 

Pasi që kishin ardhur në zyrën e Abazit, ata kishin pranuar se Muhamet Bilalli kishte bërë një pazar me ata dhe ua kishte dhënë 5 mijë euro, ndërsa ju kishte thënë se 25 mijë të tjera do t’ua jepte pasi të marrë borxhin nga Sadik Abazi. 

Metush Isufaj dhe Sylejman Tërshana i kishin thënë dëshmitarit dhe Sadik Abazit se këtë shumë ua kishte premtuara Muhamet Bilalli për ta vrarë Nazim Bllacën. Por, dëshmitarët pos që e kishin gjuajtur me automatik në shtëpinë e Bllacës nuk kishin arritur ta vrisnin. 

Dëshmitari mbeti pa e përfunduar dëshminë, kjo pasi që prokurorja kërkoi që ta konfrontojë dëshmitarin me deklaratat e dhëna në prokurori, pasi që sipas saj ato po ndryshonin. 

Kolegji i miratoi kërkesën e prokurores dhe e shtyri seancën për datën 15 tetor.

 

ETIKETA

21 Shtator 2012 - 00:50

Florent Spahija 21/09/2012 - 00:50
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Syla e Xhelili do të Dëshmojnë në Rastin Bllaca

by Gazeta JNK
NA NDIQNI