Ilustrim

Studime Copy Paste

Gjatë karrierës time të shkurtër si një ligjëruese e shkrimit akademik, gjëja e vetme në të cilin isha munduar të këmbëngulja ishte standardi elementar i shkrimit akademik dhe referencimit.

Në ditën e parë të ligjëratave, e shkrova në tabelë përkufizimin e plagjiaturës dhe pandershmërisë akademike. Të paimpresionuar, studentët e mi, një përzierje e studentëve të ardhur nga shkollat private dhe publike që po merrnin kurse shtesë për t’u përgatitur për aplikime për Master, më thanë se veç ishin të familjarizuar me këtë koncept.

Pavarësisht nga kjo, në esetë e tyre të para dyfaqëshe studentët kishin përdorë fjali të kopjuara nga uebfaqe të çfarëdollojshme, kishin cituar artikuj pa autor, ose kishin dështuar të citonin siç duhet, ose thjesht as që ishin munduar.

Meqë nuk pranoja të vlerësoja ese të tilla, pjesa më e madhe e klasës kishin rënë në vijë deri në detyrën e dytë apo të tretë, duke dorëzuar shpesh punë të bajatshme, por së paku të ndershme.

Një nga studentët më të zgjuar, megjithatë, vazhdonte të dërgonte detyra përplot plagjiat njëra pas tjetrës, edhe pasi që e kisha konfrontuar dhe i kisha thënë se përdorja program për gjetjen e plagjiaturës. Atij s’i bëhej vonë, pjesërisht për shkak se lënda ime nuk ndikonte në ‘notat e tij të vërteta’, dhe pjesërisht sepse, siç më tha, ai madje pa i mbyllur sytë e tij asnjëherë, kështu bëhej.

Kështu bëhet.

Plagjiatura nuk është as një fenomen i ri as nuk është i kufizuar në Kosovë. Universitetet në mbarë botën po luftojnë plagjiaturën dhe kopjimin e studentëve, të përkeqësuar nga “mullinjtë e  eseve”, ku studentët mund të paguajnë për detyra të plota, duke përfshirë temat dhe disertacionet. Në vende si Britania e Madhe, kjo krizë madje është quajtur një epidemi. Edhe në Kosovë një hulumtim rishtaz nga Preportr zbuloi se temat e gatshme dhe me porosi mund të blihen prej 200 deri në 250 euro.

Por ndryshe prej shumicës së vendeve europiane, universitetet e Kosovës po përballen gjithashtu me një problem tjetër urgjent –  pandershmërinë akademike të vet stafit. Përderisa ministrja gjermane e arsimit Annette Schavan kishte dhënë dorëheqje pasi u zbulua se e kishte plagjiat punimin e saj të doktoraturës dhe kryeministri rumun Victor Ponta kishte heqë dorë nga titulli i doktorit për shkak akuzave të ngjashme, akademikët kosovarë vazhdojnë të lërojnë. Përkundër se janë zënë punime në revista mashtruese, plagjiat në punime të doktoratës dhe avancime jomeritore, stafi i Universitetit të Prishtinës nuk është përballur, pothuajse me asnjë pasojë.

Grafika: Jeta Dobranja/Trembelat

Të avancohesh

“Kur dikush më thotë, ‘e kam filluar doktoraturën’, unë menjëherë mendoj se kanë dështuar në jetë”, tha me shaka Rinor Qehaja. I zhgënjyer plotësisht me nivelin e akademisë në Kosovë (madje ai e quan akademinë “krim”), drejtori ekzekutiv i ‘EdGuard’ është autori kryesor i një studimi që do të botohet së shpejti në lidhje me përhapjen e plagjiaturës në punimet e stafit të Universitetit të Prishtinës dhe studentëve të nivelit master.

Qehaja, kandidat për doktoraturë në Universitetin e Kembrixhit, ishte tronditur kur kishte zbuluar se në rreth 40 për qind të punës akademike të 70 profesorëve të përzgjedhur rastësisht ka raste të qarta të pandershmërisë akademike.

Qehaja tha se plagjiatura në universitet shpesh është flagrante.

“Ne kemi vërejtur se plagjiatura është shpesh shumë e qartë, dhe se ka mungesë të vetëdijes, njerëzit nuk e dinë se po bëjnë plagjiat, veçanërisht studentët dhe kjo është arsyeja pse ata nuk e shohin atë si tragjike”, thotë ai.

Profesorët, nga ana tjetër, nganjëherë në mënyrë të vetëdijshme përkthejnë tekste në gjuhën shqipe duke pretenduar se janë punë e tyre origjinale, apo madje edhe vjedhin nga studentët e tyre.

Kodi i Etikës i Universitetit nuk përdor fjalën ‘plagjiaturë’, por thotë qartë se shkelja e “ndershmërisë intelektuale” është sjellje e papranueshme. Statuti i Universitetit të Prishtinës lejon që Senati t’ia heqë titujt akademikë stafit për shkak të falsifikimit, mashtrimit, plagjiatit ose shkeljes të së drejtës së autorit. Sidoqoftë, deri më sot, nuk ka të dhëna që tregojnë se ndonjë masë e tillë disiplinore është marrë ndonjëherë gjatë 45 viteve të ekzistencës së Universitetit.

Rektori aktual, Marjan Dema, në një përgjigje me shkrim, tha se nuk ka trashëguar asnjë informacion rreth rasteve të plagjiaturës, por përmendi se i kujtohen disa raste nga viti 2007 (nuk dha informacion se kush ishin këta njerëz apo çfarë kishte ndodhë me ta). Sidoqoftë, sipas Demës, asnjë profesor i vetëm nuk është larguar nga puna për pandershmëri akademike.

Që nga fillimi i viteve 2000, universiteti ka qenë nën zjarr për shkak të politizimit, korrupsionit dhe nevojës për reforma, por diga u ça vetëm në vitin 2014, kur u zbulua se rektori Ibrahim Gashi kishte publikuar një punim shkencor në një revistë të dyshimtë në Indi dhe studentët protestuan për ditë të tëra derisa ai dha dorëheqje.

Për një periudhë të shkurtër, dukej se reformat shumë të nevojshme ishin të mundshme. Pasardhësi i Gashit, Ramadan Zejnullahu u përpoq të ndalte avancimet jomeritokratike dhe të luftonte korrupsionin, por pa mbështetje nga Senati i Universitetit dhe Këshilli Drejtues, ai u largua nga posti i tij në fund të mandatit të parë, duke arritur pak ndryshime të qëndrueshme.

Dema, i cili po ashtu dyshohet të ketë publikuar një punim në një revistë të dyshimtë, gjithashtu ka hasur në probleme me avancime problematike që nga marrja e postit.

Vitin e kaluar, një korrespondent i BIRN kishte raportuar akuza serioze dhe dëshmi se kreu i departamentit të historisë, Selim Bezeraj, e kishte kopjuar një pjesë të punimit të tij të doktoraturës nga një tezë e masterit të shkruar nga një student austriak. Një javë më vonë, Bezeraj u avancua në Profesor Asistent.

Qehaja e sheh plagjiaturën si një mjet për avancimin akademik si pjesë e një problemi më të gjerë, sistematik: shumica e hulumtimeve të bëra në universitet bëhen për t’i shërbyer interesave personale.

“Nuk ka asnjë arsye për të ekzistuar këto punime, nuk janë një kontribut shkencor. Arsyeja e vetme pse këto [punimet shkencore] janë shkruar është interesi profesional, në mënyrë që këta individë të mund të përparonin në universitet”, shpjegoi Qehaja.

Sipas Statutit të Universitetit, hulumtimi  – qoftë punim doktorate apo botime në revista akademike – është parakusht për avancim. Për ta marrë titullin profesor asistent, një akademik duhet të ketë së paku një punim të botuar në një revistë ndërkombëtare, për t’u bërë profesor i asociuar, ata duhet të kenë të paktën tre punime, dhe për t’u bërë profesor i rregullt, ata duhet të kenë të paktën pesë punime.

Nëse numri i publikimeve të detyrueshme duket minimal, për një universitet që shpenzon 0.1 për qind të buxhetit të tij në hulumtim, kjo rregull mund të jetë nxitje për njerëzit që të shkruajnë punime për hir të botimit, sesa të hulumtimit.

“Nëse profesorët do të kishin një qëllim më të lartë për të kontribuar në diçka më të madhe, ose nëse studentët donin të mblidhnin njohuri përnjëmend, atëherë ndoshta kjo qasje do të ndryshonte. Edhe profesori edhe studenti e kanë të njëjtin qëllim”, tha Qehaja.

“Në fund të fundit puna vjen te interesi i tyre të ngushtë profesional për tu avancuar, asgjë më shumë”.

Grafika: Jeta Dobranja/Trembelat

Problem i vazhdueshëm 

Problemi i plagjiaturës është i rrënjosur në Universitetin e Prishtinës që nga themelimi i tij, shpjegoi Shkëlzen Maliqi, filozof dhe njohës i çështjeve sociale, deri sa po bisedonim në kopshtin e shtëpisë së tij në Prishtinë. Pas protestave masive të vitit 1968, të cilat kërkonin të drejtat e gjuhës për shqiptarët që jetonin në krahinën e atëhershme të Serbisë, fakultetet e para u hapën në Prishtinë. Por, për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, fakultetet funksionin si degë të Universitetit të Beogradit deri në vitin 1969, kur edhe zyrtarisht u themelua Universiteti i Prishtinës.

“Arsyeja pse sot jemi në këtë situatë është ajo që do ta quaja shkurtesë në zhvillim”, shpjegoi Maliqi. “Universiteti u krijua me motive të mira politike, shqiptarët duhet të kishin universitetin e tyre, por ata i ranë shkurt. Kosova nuk kishte kuadro të kualifikuara…. U nxituan ta themelonin universitetin sa më shpejt që të ishte e mundur.”

Liderët politikë, sigurisht të frikësuar se disponimi politik do të ndryshonte, e kapën mundësinë për të themeluar universitetin në atë çast, shpjegoi Maliqi. Universiteti kishte programe në gjuhën shqipe dhe serbe dhe që të dyja ishin shumë “të dobëta”, sipas Maliqit.

Mësimi përmendësh së bashku me urgjencën për të përgatitur stafin akademik vendor sa më shpejt që ishte e mundur la një njollë të pashlyeshme në universitet. Sidoqoftë, Jugosllavia kishte universitete me reputacion në kryeqytete tjera, ku eventualisht studiuan shumica e stafit të ardhshëm të Universitetit të Prishtinës.

Sipas Dukagjin Pupovcit, ekspert i arsimit dhe ish-profesor në Universitetin e Prishtinës, edhe në atë kohë kishte kontroll të cilësisë: të gjitha komisionet e doktoratës përfshinin një profesor nga ndonjë universitet i jashtëm. “Jo të gjithë mund të merrnin një titull veç ashtu”, tha ai.

Madje edhe Maliqi e pranon se universitetet e Jugosllavisë kishin standarde integriteti akademik, por shton se nëse ato zbatoheshin apo jo ishte çështje tjetër.

Sipas Maliqit, plagjiatura, që penalizohej edhe atëherë, ishte megjithatë shumë e pranishme. Ai ishte dëshmitar i kësaj në Departamentin e Albanologjisë në Beograd, ku kishte punuar për katër vjet. “Njerëzit i merrnin tre libra, i citonin disa pjesë dhe e bënin një punim, shumë thjesht.”

Në mesin e viteve të 80-ta, pas disa vite studimi në Beograd, Maliqi u kthye në Prishtinë dhe deshi të formonte një revistë filozofike me kolegët e tij. Dekani i atëhershëm i Fakultetit të Filozofisë e pengoi projektin e filozofëve të rinj. Si reaksion, Maliqi dhe shokët e tij i futën librat e tij nën llupë duke zbuluar kështu një thesar me “pallavra” të huazuara. Ata i publikuan gjetjet e tyre, duke u bërë kështu të parët që ekspozuan një “skandal të plagjiatit” në vitin 1985.

Por plagjiatura në vetvete nuk ishte as gjysma e rrëfimit për Maliqin dhe kolegët e tij. Çfarë ata zbuluan ishte një metodologji e tërë, që sot do të na dukej simpatike. “Ai i merrte tre ose katër libra dogmatikë, u caktonte kapituj të ndryshëm studentëve, duke u thënë që të shkruajnë seminare duke marrë një fjali këtu, një fjali atje”.

Studentët i fotokopjonin faqet e librave, i prenin fjalitë siç i kishte udhëzuar profesori dhe pastaj i ngjitnin fjalitë prej librave të ndryshëm në një faqe të pastër, e cila pastaj fotokopjohej. Në fund studentët e shkruanin me makinë shtypi edhe njëherë përmbajtjen e fotokopjes e pastaj, këto “seminare” shndërroheshin në kapituj të librave të profesorit.

“Ai bënte aso lidhje sa që asnjë fjali të mos kishte lidhje logjike me tjetrën!”, tha Maliqi, ende i habitur nga krejt ajo pafytyrësi. Megjithëse dokumenti për plagjiaturën e tij u botua në revistën dy javore ‘Fjala’, dekani nuk u shkarkua. Në vend të kësaj, profesorët tjerë u përpoqën që përmes ryshfetit t’i joshnin Maliqin dhe shokët e tij për të dhënë mësim. “Nuk kam pasur ato ambicie. Ndoshta do të kishte qenë më mirë nëse do ta pranoja, tani të paktën do të kisha një pension”, shtoi me shaka ai.

Në fund të viteve të 80-ta, kur edhe situata politike u përkeqësua në Jugosllavi, shtypi serb përdori kritikën e Maliqit për akademinë e Kosovës dhe ai u cilësua si “tradhtar”.

“Njerëzit më thonin që fjalët e mia po e rrezikonin universitetin”, tha ai.

Pavarësisht se a kishte pasur kritika e Maliqit ndonjë ndikim, ankthet e akademikëve të Kosovës bazoheshin në një intuitë që doli të ishte e vërtetë: universiteti ishte në rrezik.

Pasi që autonomia e Kosovës si krahinë u revokua, shqiptarët u pushuan nga puna masovikisht, ndërsa edukatorët që refuzuan të ligjërojnë me kurrikulat e reja mbetën po ashtu në rrugë. Universiteti i Prishtinës, dikur vatër e lëvizjeve shoqërore dhe e ndryshimeve politike, humbi stafin e vet shqiptar dhe pjesën më të madhe të studentëve në vitin 1991. Për tetë vitet e ardhshme, profesorët dhe studentët improvizuan klasat për mësim nëpër shtëpi private, bodrume dhe klasa bosh nëpër shkolla fillore në periferi. Në vend të një semestri të përbërë nga 13 ose 14 javë, kurset zgjatnin më së shumti 10 javë, shpjegoi Pupovci.

Shumë prej studentëve që kishin diplomuar në atë kohë tani ligjërojnë në universitet.

“Nuk dua ta fajësoj askënd, por edukimi në Kosovë ka kaluar një traumë të madhe gjatë viteve 90-ta, atëherë kur sistemi ishte gati komplet i mbyllur”, shpjegon Vjollca Krasniqi, profesoreshë në UP, që u diplomua në filozofi dhe sociologji në vitin 1998. “Kjo ka lënë gjurmë të thella dhe do të vazhdojë të ketë në të ardhmen e prodhimit akademik dhe prodhimit të dijës në Kosovë.”

Pupovci, i cili i përfundoi studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinë në vitet e 90-ta, pajtohet që sistemi paralel i improvizuar gjatë regjimit të Millosheviqit është një “plagë e thellë në sistemin e arsimit në gjuhën shqipe.” Studentët dhe profesorët ishin privuar nga “çdo gjë që ishte normale”, tha ai.

Megjithatë, Pupovci thekson se midis viteve 1991 dhe 1999, vetëm 45 vetë kanë marrë titullin doktor.

“Megjithatë ka pasë disa kritere”, tha ai.

Pupovci beson se situata u përkeqësua pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur partitë politike, veçanërisht Partia Demokratike e Kosovës, PDK, garonin për pozita të pushtetit brenda universitetit.

Elitat politike dhe universitare e ushqenin njëra tjetrën: ministrat diplomonin dhe mblidhnin tituj Master e Doktor sa ishin në poste publike, ndërsa akademikët me lidhje politike gjithashtu përparonin brenda universitetit. Personat kryesorë politikë, ministrat dhe deputetët ligjëronin dhe mbanin punë publike, një praktikë që vazhdon edhe sot (një studim i ri nga Preportr zbuloi se nga 374 profesorë nga stafi akademik në Universitet, 50 kanë mbajtur ose vazhdojnë të mbajnë poste politike) .

Maliqi, megjithatë, thekson se kjo ishte e vërtetë për elitën akademike që nga fillimi: anëtarët e partisë komuniste po ashtu ngarendin pas titujve akademikë edhe në kohën e Jugosllavisë.

Në vitin 2003, një grup i vogël studentësh, Shkëlzen Gashi, Glauk Konjufca dhe Gëzim Krasniqi filluan lëvizjen “Universiteti Tjetërqysh!”. Ata lansuan një faqe interneti dhe filluan të publikonin dëshmi të plagjiaturave dhe u përpoqën të hapnin debatin rreth moskompetencës së stafit, korrupsionit dhe abuzimit seksual në universitet.

Lëvizja megjithatë ishte jetëshkurtër dhe përfundon dikur në vitin 2005, kur të tre iu bashkuan Rrjetit të Aksionit për Kosovën, KAN, i cili më vonë do të shndërrohej në Vetëvendosje (vetëm Konjufca është anëtar i partisë sot).

“Për sa kohë që unë e di, asnjë person i vetëm nuk ishte sanksionuar dhe nuk mund të kishte ndodhur gjithsesi kur njerëzit përgjegjës për UP ishin të politizuar dhe gjithashtu akuzoheshin për plagjiaturë”, tha Gëzim Krasniqi, një nga organizatorët dhe hulumtues në Universitetin e Edinburgut, duke iu referuar akuzave të bëra kundër rektorit të atëhershëm Arsim Bajramit, i cili ishte gjithashtu deputet i PDK-së në atë kohë.

“Edhe pse nuk arritëm të bëhemi një lëvizje e vërtetë dhe të krijohet një rrjet, kemi arritë që së paku ta hapim debatin”, tha Krasniqi.

Grafika: Jeta Dobranja/Trembelat

Një kulturë e instaluar?

“Korrupsioni është bërë pjesë e të menduarit tonë, një pjesë e mënyrës sesi veprojmë”, më tha, e shqetësuar, Venera Demukaj në Skype, derisa po diskutonim një punim që ajo dhe kolegia e saj Edona Bërdyna Maloku kishin shkruar për korrupsionin në arsimin e lartë në Kosovë. Në analizën kualitative që dy akademiket kishin prezantuar në vitin 2013, ato kishin zbuluar se studentët kishin inkorporuar praktikat e korrupsionit, nga ushtrimi i influencës deri te mashtrimi, dhe i konsideronin këto si punë shkathtësie.

Demukaj, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin Amerikan në Kosovë, RIT në Kosovë,  e cila kishte punuar më parë si asistente në Universitetin e Prishtinës, pranoi se arsyeja kryesore pse ajo u largua nga ky i fundit ishte sepse çdo herë që fillonte periudha e provimeve ajo fillonte të merrte pafund telefonata nga njerëzit që përpiqeshin të ndikonin në notim.

“E kuptova se ky lloj presioni ishte shumë për t’u përballuar”, tha ajo, duke renditur se si ishte krejtësisht normale që studentët të vinin e të negoconin për nota, ose nëse do të ishte e mundur, të mashtronin. “Nëse korrupsioni është rregull, plagjiatura shkon së bashku me të.”

Në Universitetin e Prishtinës shumica e programeve përfshijnë lëndën obligative të shkrimit akademik ku nxënësit mësojnë për pandershmërinë akademike dhe si duhet të referencohet.

Por, studentët e pranojnë se plagjiatura është e përhapur.

“Unë besoj se të gjithë nxënësit e bëjnë këtë”, tha Emini, një student i Universitetit të Prishtinës i cili nuk dëshironte të zbulonte emrin e tij të plotë. Ai tha se skriptat që mund të blihen në fotokopjet e shumta afër kampusit universitar, gjithashtu duhet të fajësohen. Këto skripta, të cilat nuk janë të referencuara mirë, zakonisht përfundojnë si burime parësore për punimet e studentëve.

“Kam lexuar ese të cilat përfshijnë fragmente të shkruara nga autorët pa përmendur emrin e tyre as edhe një herë. Dhe ndoshta, edhe unë e kam bërë këtë”, shtoi ai në mënyrë konspirative.

Edhe një studente tjetër, Liridona Sijarina, 22 vjeçare, pajtohet me këtë.

“Skriptat nuk kanë ndonjë referencë … Disa profesorë gjithashtu i caktojnë të ashtu-quajturat ‘libra’ që botohen nga universitetet private, por që janë në thelb broshura”, tha Sijarina. “Ndonjëherë ata madje i kthejnë slajdet e power point në ‘skripta’.”

Me një raport në mes studentëve dhe profesorëve prej 50 me 1 në mbarë universitetin, dhe me numrin dukshëm më të lartë të studentëve në fakultetin juridik dhe ekonomik të cilat janë fakultetet më të mëdha, punimet e studentëve nuk lexohen me kujdes,nëse lexohen fare.

“Problemi rrjedh prej profesorëve”, tha me padurim Arton Demhasaj, drejtor i ‘Çohu’ dhe redaktor i ‘Preportr’. Sipas një hulumtimi të publikuar së fundi, disa profesorë në fakultetin ekonomik dhe atë filozofik kanë mentoruar respektivisht deri në 136 dhe 143 punime të diplomës bachelor, në një periudhë dyvjeçare. “Kjo ngre pyetjen se çfarë lloj cilësie ju si profesor mund të ofroni, çfarë janë kufizimet tuaja fizike. Kjo është mënyra se si ne përfundojmë me studentët që bëjnë plagjiat, sepse të gjithë studentët e dinë se profesori nuk ka kohë për të lexuar.”

Një kontrast i zymtë me Universitetin e Prishtinës të mbipopulluar dhe me staf të pamjaftueshëm, Universiteti Amerikan në Kosovë, RIT,  ka një grup të vogël studentor prej 450 deri në 650 studentë dhe një raport student-profesor 14 me 1. Megjithatë, edhe atje plagjiatura vazhdon të jetë një problem në mesin e studentëve. Personeli mësimor përdor ‘Turnitin’, një program për zbulimin e plagjiaturës për të gjitha esetë, shpjegoi Daniel Cosentino, Zëvendës President për Çështje Akademike, por ka studentë që ende përpiqen ta mashtrojnë atë.

“Plagjiatura gjendet tek të gjithë, jo vetëm te studentët e dobët”, shpjegoi Cosentino. Ai tha se studentët marrin materiale nga faqet e ndryshme në internet ose edhe kopjojnë hyrje të gjata të Wikipedia-s, shpërndajnë materiale dhe mashtrojnë në teste.

Në Universitetin Amerikan në Kosovë, profesorët nuk i pranojnë punimet nëse kuptohet që studentët kanë bërë plagjiat ose i rrëzojnë në provim. Një shkelje e përsëritur rezulton në suspendim nga shkolla, por jo të gjithë profesorët i raportojnë sjellen e keqe, sepse siç e thotë Cosentino, “ata nuk janë aty për të shërbyer si policë”.

Ai shtoi se duke qenë që edhe me qasje në teknologji të fuqishme dhe me më pak studentë, është ende e vështirë dhe e kushtueshme për të monitoruar plagjiaturën, ai nuk mund të imagjinojë se si Universiteti i Prishtinës, me grupe shumë të mëdha të studentëve, mund të ndryshonte në mënyrë drastike situatën.

Kur Demukaj kishte punuar për Universitetin e Prishtinës në periudhën 2005-2007, kontrollimi i punimeve të studentëve për plagjiat nuk ishte as prioritet.

“Arsyetimi gjithmonë ishte se kishim shumë studentë”, tha ajo. “Nuk mund ta imagjinoj dot se diçka është përmirësuar deri tani, duke parë se numri i studentëve vetëm është rritur”.

Ristartim i sistemit

Një mënyrë për të zgjidhur problemin e plagjiaturën tek studentët, gjë për të cilën pajtohen ekspertët dhe drejtuesit e universitetit, është të futet në përdorim një program për zbulimin e plagjiaturës.

“Disa objektiva në Planin Strategjik të UP-së për vitet 2017-2019 adresojnë këtë çështje … Do të ishte e dobishme të krijohej një program, por me buxhetin aktual të UP-së është e pamundur të bëhet kjo”, shpjegoi rektori Dema përmes email-it. “Unë personalisht kam kërkuar që të gjitha punimet e magjistraturës dhe doktoratës të bëhen publike.”

Rektori gjithashtu deklaroi se universiteti po punonte për publikimin e të gjitha punimeve bachelor në faqen e internetit të universitetit “për të parandaluar” këtë fenomen.

Ekspertët e pavarur gjithashtu i bëjnë thirrje universitetit të krijoj një databazë me të gjitha punimet e studentëve, sepse derisa programe si ‘Turnitin’ mund të përdoren për të gjitha gjuhët, pa një databazë të kërkimit në gjuhën shqipe, programi nuk do të ishte me çka të krahasonte dhe verifikonte origjinalitetin e punimit.

“Sapo studentët të diplomohen ata do të duhej të publikonin punimet e tyre përmes këtij programi, kështu që sa herë që dikush do ta dorëzonte një punim, plagjiatura mund të zbulohet”, shpjegoi Qehaja. Kjo mund t’i pengojë studentët që të mos e ‘ndajnë’ dhe kopjojnë punën e njëri-tjetrit, por megjithatë nuk adreson problemin e plagjiatorëve që e bëjnë këtë duke përkthyer tekstet nga gjuhët e tjera.

“Janë kryesisht studentë që kopjojnë nga tekstet në gjuhën shqipe”, argumenton Pupovci, duke shtuar se një databazë mund të krijohet por nuk do të ndalonte të tjerët, duke përfshirë stafin akademik, që të bënin plagjiat prej teksteve në gjuhë gjermane ose në atë angleze, siç kanë bërë haptazi në të kaluarën..

Pa marrë parasysh se sa shumë që të gjithë  i mbajnë shpresat te një program për t’i dhënë fund pandershmërisë sistematike, Pupovci është gjithashtu i shqetësuar se cilët individë do të bënin mbikëqyrjen e këtij sistemi.

“Edhe një sistem i tillë do të kërkonte një person që do të mbikëqyrte dërgimin e temave”, tha ai, duke nënkuptuar se edhe në një rast të tillë mund të ketë parregullsi nëse mbikëqyrësit e punimeve nuk do të raportonin plagjiaturën edhe nëse do ta zbulonin.

Orë shtesë të shkrimit akademik mund të ndihmojnë gjithashtu, sugjeroi Krasniqi, studentët e të cilës në departamentin për punë sociale kanë ndjekur orë shtesë të dhëna  nga një vullnetar  i Programit të Lidershipit të Transformimit, TLP. Shumica e studentëve që kishin marrë pjesë në trajnimin disa javor kishin treguar një përmirësim të dukshëm.

“Kjo tregon se shumica e të rinjve dëshirojnë të japin rezultate të mira, por thjesht nuk e dinë se si. Ata nuk e dinë se si sepse nuk e kanë mësuar kurrë, ose më mirë nuk e kanë ushtruar kurrë “, tha Krasniqi.

Në të njëjtën kohë, disiplinimi i rasteve të plagjiaturave është gjithashtu i vështirë sepse Universitetit i mungojnë mekanizmat e nevojshëm për ta bërë këtë, shpjegoi rektori Dema.

“Ne jemi duke punuar në përpilimin e një Kodi Etik për studentët, i cili besoj se do të ulin plagjiaturën në mesin e studentëve”, tha ai.

Por Pupovci thotë se do të ishte e padrejtë të penalizoheshin dhe të disiplinoheshin studentët nëse profesorët janë gjithashtu fajtorë për plagjiaturë. Universiteti ka miratuari një Kod të Etikës për stafin në vitin 2012. Gjithashtu, kishte themeluar më parë një Komision të Etikës në vitin 2013, por pa një rregullore pune deri në maj 2017, ky komisioni ishte teknikisht jofunksional.

“Nuk mund të keni në një anë profesor që ka bërë plagjiaturë e i cili avancon në universitet, përparon në politikë, e në anën tjetër ta dënosh studentin që ka bërë plagjiaturë, duke e suspenduar përkohësisht ose përgjithmonë”, tha Pupovci. “Nëse doni të merrni masa, nëse doni t’i deklaroni luftë plagjiaturës, atëherë duhet ta bëni atë kundër të gjithëve”, përfundoi ai.

Ardit Kika kontribuoi në këtë shkrim me raportim.