'Stock photo' nga Pixabay

Stock Photo Flamuri i Kosovës

Shenjat e një shteti nuk janë ekuivalente me logot e një kompanie*. Ato nuk mund të hiqen e shtohen, të ridizajnohen e të ndryshohen sa here të duan pronarët. Simbolet në një shtet, për dallim nga korporatat e organizatat, rëndom paraqesin thelbin e atij shteti (historinë në një anë dhe vizioni për të ardhmen në anën tjetër). E megjithatë, Kosova duhet t’i ndryshojë simbolet e veta, sa s’është bërë vonë.

Unë jam dizajner grafik. Si i tillë, mund të them që simbolet shtetërore të Kosovë nuk paraqesin kurrfarë thelbi. Pa dashur të pretendoj se e di saktësisht çka është shteti i Kosovës, mund të deklaroj me bindje se shteti dhe simbolet e Kosovës janë dy gjëra të ndryshme. Nëse e bëjmë një analizë semiologjike, shenjuesi (flamuri dhe stema)—në kuptimin Sosyrian të tij—tregon një të shenjuar (Kosovën) si një shtet që është protektorat ndërkombëtar, ku ndikim më të madh ka Bashkimi Evropian.

Pra nisur nga simbolet, Kosova është një vend pa histori dhe me popullatë që nuk ka identitet tjetër pos atij të BE-së. Shtresat e shumta që e përbëjnë identitetin e popullatës në Kosovë filtrohen nga simbolet aktuale. Sipas Sosyrit, shenjuesi në gjuhën verbale vendoset arbitrarisht ndaj të shenjuarit. Por simbolet shtetërore nuk janë të njëjta me simbolet e gjuhës verbale.

Flamuri shqiptar, për shembull, duke iu referuar stemës së Skënderbeut jep shenja të fuqishme të identitetit të vet kombëtar dhe tregon vazhdimësi historike të një vije të caktuar. Në anën tjetër, mënyra si është thjeshtëzuar shqiponja e Skënderbeut, tregon tendenca moderniste të shtetit shqiptar. Pra flamuri kombëtar shqiptar i ka të dyja, historinë dhe të ardhmen. Kjo është e vërtetë për shumicën e flamujve kombëtar e shtetëror**.

Silueta e shqiponjës dykrerëshe në flamurin kombëtar është diçka e pazakontë. Nuk ka ndonjë hulumtim më të detajuar mbi prejardhjen e dizajnit aktual të kësaj siluete, megjithëse një mit urban e tregon një storie interesante që gjatë kohës së mbretit Zog, Ambasada e Shqipërisë në Britani në korrespondencat e saj kishe vendosur një stemë të ridizajuar nga dizajnerë britanikë.

Sipas këtij teksti, si duket kjo stemë është pëlqyer gjithandej, duke u bërë kështu simbol deri më sot. Përndryshe, shqiponja është simbol i vjetër heraldik që vjen nga Hititët, Bizanti, Principata e Arbrit e deri te Skënderbeu. Pra, është simbol jo vetëm i shqiptarëve, megjithëse forma aktuale me siluetë është tipike për shqiptarët.

Por, edhe vetëm ngjyrat mund të japin kuptim në simbole shtetërore.

Te flamujt trengjyrësh të shteteve tjera evropiane, ato tre ngjyra zakonisht simbolizojnë koncepte të ndryshme që bashkohen në një tërësi. Edhe pse, shpesh, tre ngjyrat janë përzgjedhur në mënyrë krejt arbitrare.

Flamuri i sotëm francez për shembull, vjen nga koha e revolucionit francez si lëvizje kundër monarkisë (dhe për konceptet moderne të asaj kohe si barazia e laiciteti). Duke qenë lëvizje e koncepteve moderne, edhe flamuri s’ka si të mos jetë tjetër. Për atë kohë flamuri me vetëm tre ngjyra edhe vizualisht ka qenë akt radikal (megjithëse trengjyrëshin e kanë importuan nga holandezët).

Flamujt trengjyrësh, po ashtu, janë simbole të kompromisit. Ato shpesh simbolizojnë ngjyrat e fiseve dhe mbretërive që janë bashkuar për ta formuar një shtet. Flamujt trengjyrësh (triband ose trekolor) besohet se kanë nisur të popullarizohen me flamurin e Francës pas revolucionit të vitit 1789.

Stema me bazë të kaltër dhe ngjyrë ari ishte simbol i mbretërisë në Francë, kurse pas ardhjes së Burbonëve në pushtet kjo stemë është vendosur në prapavijë të bardhë, duke bashkuar ngjyrën e bardhë me të kaltër. Pas revolucionin këto ngjyra janë bashkuar me flamurin e Parisit (bardh e kuq) duke e formuar trikolorin e sotëm. Pra simbolizojnë kompromisin për bashkim, por gjithashtu në vete kanë vazhdimësinë e trashëgimisë historike të popullit francez.

Por simbolet dhe flamuri nuk janë problemi i vetëm. Për të pasur simbole që paraqesin thelbin e shtetit, duhet së pari të kemi shtet me një thelb. Pra, në njëfarë dore, fakti që kemi simbole të tilla tregon që ne ende nuk e kemi të qartë çka është shteti i Kosovës.

Ne kemi shenjues (simbol, por të keq) pa të shenjuar (shtet). I shenjuari në këtë rast duhet të ndërtohet dhe përcaktohet nga vetë popullata e Kosovës. E këtu mendoj që jemi momentalisht, në shenjim të Kosovës. Kur ta përfundojmë këtë proces, mund të vijmë me simbole adekuate të shtetit.

Sidoqoftë, derisa të ndodhë ky proces ne edhe mund të përdorim simbole të zbrazëta si ato aktualet që i kemi (simbolet aktuale janë ekuivalente me “stock photos” që mund të blihen në internet). Por duhet të kemi kujdes, sa më gjatë që e kemi këtë flamur, aq më shumë bëhemi si flamuri që e kemi. Por Kosova domosdoshmërisht duhet ta ndryshojë flamurin, dhe atë sa më parë.

Por, së pari duhet bërë shteti.

 

* Sepse, sipas pikëpamjeve klasike, stema nuk është logo. Identiteti i një kompanie shumë shpesh krijohet artificialisht në mënyrë që të jetë tërheqës për konsumatorët dhe/ose punëtorët e asaj kompanie. Sa herë një kompani ka probleme me imazh, ajo shkon në proces të ridizajnimit. Shtetet zakonisht nuk e bëjnë këtë gjë (në përjashtim të Zelandës së Re e cila ka vite që tenton ta ndryshojë flamurin).

** Por s’do të thotë që secili shtet duhet të ketë flamur dhe stemë me të njëjtën formulë (histori-ardhmëri). Nëse një shtet e ka të obliguar të ketë stemën dhe flamurin e vetë atëherë mund të provojmë ndonjë formulë tjetër ku simbolet shtetërore e reflektojnë për shembull vetëm vizionin për të ardhmen. (Megjithëse, si një person që nuk i frikësohem eksperimenteve, do të provoja shtet-bërjen edhe pa stemë e flamur.)