Stentat-Rrëfimet e Pacientëve

“Me të hyrë në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor, betohem solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Për mësuesit e mi do të kem gjithmonë miradi e respekt të merituar.  Detyrën time do ta ushtroj me ndërgjegje e dinjitet. Brengosja ime më e madhe do të jetë shëndeti i pacientit tim…”.  

Ky është Betimi i Hipokratit që një profesionist i fushës së mjekësisë do të duhej ta zbatonte në çdo hap të punës së tij. 

E këtë betim dyshohet se nuk e përfillën mjekët e arrestuar me 9 tetor nën dyshimin se kanë kryer  veprat penale pjesëmarrje, ose organizim i grupit kriminal të organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit dhe veprën penale Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.

Ata të cilët ngarkohen me këto vepra janë Lulzim Brovina, Borçe Petrovski, Ali Hocaogllu, Astrit Bakiqi, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Murat Abazi dhe Reshat Emra.

Mjekët e dyshuar punonin në QKUK dhe në spitale private të zemrës.

Prokuroria ka ngritur dyshime edhe ndaj njerëzve që mbajtën poste të larta në shëndetësinë kosovare. 

Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani

Nën hetime janë edhe Ferid Agani, ish-ministër i Shëndetësisë, Gani Asllani, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë dhe Nijazi Gashi, ish-drejtor i QKUK-së.

Arrestimi i mjekëve dhe ngritja e dyshimeve ndaj njerëzve që udhëhoqën sistemin shëndetësor, ka nxjerrë në skenë tregimet e shumë pacientëve për përjetimet e tyre të tmerrshme përgjatë kohës që ata po kontrolloheshin nëpër spitale. 

Dyshimet ndaj mjekut Mahmut Çakmak 

Kadime Gashi, 55 vjeçare nga Gjilani, nënë e 10 fëmijëve, në vitin 2009 shkoi te mjeku pasi që ndjeu dhimbje gjoksi dhe mpirje të dorës së majtë. 

Këto shqetësime e bënë atë që t’i drejtohej  Maqedonisë për kontrollim në zemër.  Ajo atje i vendosi katër bajpase në zemër apo siç quhen rrugë anësore në arterie të zemrës.

Shqetësime të ngjashme iu shfaqën sërish pas rreth katër vjetësh. Kësaj here ajo iu drejtua spitalit të zemrës “Medicine”, në dalje të Prishtinës. 

Spitali “Medicine”

Asaj atje, kardiologu Mahmut Çakmak i thotë se është shumë keq  dhe mund të paralizohej brenda 24 orëve nëse nuk intervenon në zemër. Megjithatë, Kadimja nuk bëri intervenim. Ajo sot është gjallë dhe e paparalizuar.

Kadimja thotë se dr. Çakmakun e kishte parë nëpër reklama, prandaj iu drejtua atij.

 “Tha je shumë sëmurë. Tha a ki pare m’u ba operacion sonte? Sonte, i thashë, s’e di! Sa kushton i thashë? Tha 2200 euro një damar ki m’i çel”, rrëfen Kadimja. 

“Thoshte as 24 orë t’i nuk mundesh të jetosh, të shkon gjakderdhja në tru, të shkon në zemër. Ti s’ki jetë”, tregon Kadimja bisedën që kishte me doktorin Çakmak.

Në këtë spital ajo e bëri koronarografinë që i kushtoi hiç më pak se 700 euro.

Ajo nuk besoi se e ka gjendjen aq keq sa ia përshkroi doktori, prandaj iu drejtuar dy spitaleve tjera private- “Aloka” dhe “Spitalit Amerikan” si dhe spitalit në Shqipëri “German Hospital” për kontrollime.

Spitali “ Medicine” ia dha me vetë Kadimes CD-në me incizimin e zemrës, e cila nuk u hap në asnjë spital tjetër,  si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

“CD-në e tij askush s’ka mundur ta lexojë”, thotë ajo.

Për t’ia hequr “gajlen” vetes, pas një jave ajo shkoi në spitalin gjerman në Tiranë “German Hospital”. Më 15 nëntor 2013 Kadimen e kontrollon kardiologu Salah El Dsoki, egjiptiani i cili kishte ardhur nga Hamburgu i Gjermanisë në Shqipëri dhe ka realizuar mbi 6 mijë ndërhyrje kardiake.

 “Diçka ishte gabim, ose cilësia për të ekzaminuar nuk ishte në rregull, ose ka pasur një qëllim për të bërë një trajtim, i cili nuk ka qenë i nevojshëm dhe kushton shumë para”, thotë kardiologu Salah El Dsoki për Jeta në Kosovë.

Ky spital nuk arriti ta hapte CD-në me incizimin e zemrës që ua solli Kadimja nga spitali “Medicine”.

“Ata na sollën një CD nga spitali në Prishtinë ku ishte fotografimi. Por ne nuk mundëm ta hapnim këtë CD”, thotë Salah El Dsoki.

Kardiologu Mahmut Çakmak nga spitali “Medicine”, i cili e kishte kontrolluar Kadimen, mohon t’i ketë thënë asaj se do të paralizohej brenda 24 orëve nëse nuk intervenon në zemër.

“Unë nuk i kam thënë se mund të paralizohet. Fakti që rreziku për të cilin e kam informuar pacientin nuk ka ndodhur, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë në të ardhmen”, thotë kardiologu Mahmut Çakmak.

Sa i përket moshapjes së CD-së, ai konsideron se CD-së mund t’i ketë ndodhur diçka, sepse nuk ka mundësi të mos hapej.

“CD-ja mund të jetë e prishur, e gërvishtur, apo mund t’i ketë ndodhur ndonjë defekt tjetër”, thotë doktor Çakmak.

E kur është fjala për kontestimin profesional të punës nga kolegu i spitalit gjerman në Tiranë, atij nuk i vjen mirë.

“Nuk është e drejtë që mjekët të kontestojnë njeri-tjetrin duke u bazuar në indikacionet”, thotë dr. Çakmak. 

“Indikacionet mund të ndryshojnë sipas pacientit, mjekut, përvojës profesionale të mjekut dhe gjendjes klinike të pacientit”, shton ai.

Madje ai shfaqet edhe më kritik, duke thënë se për ta vlerësuar dikush atë, duhet të jetë i përafërt me të profesionalisht.

“Një person që do të më vlerësojë, duhet të jetë të paktën me përvojë të përafërt me mua në aspektin profesional”, thotë dr. Çakmak.

Mjekët e  QKUK-së dërguan pacientët nëpër spitale private

Problem i ngjashëm i ka ndodhur edhe një pacienteje që ishte drejtuar fillimisht në spitalin publik në Prishtinë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. 

Valbona Shala, rreth 60 vjeçare nga Hajvalia e Prishtinës në mëngjesin e hershëm të 11 majit 2011, kishte pasur shtrëngim të madh në gjoks. 

Ajo e shqetësuar me shëndetin e saj, shkon në QKUK për ta kuptuar se çka po ndodhte me të.

Për të gjitha përjetimet e Valbonës na foli bashkëshorti i saj, Ramiz Shala, për shkak se ishte ai i cili e kishte denoncuar rastin në Ministri të Shëndetësisë dhe te Inspektorati Shëndetësor.

Ramizi thotë se pati përjetim të keq me mjekët me mënyrën se si e trajtuan në këtë institucion publik shëndetësor bashkëshorten e tij.

Ai ka treguar se kardiologët Daut Gorani, shef i Repartit të Kardiologjisë dhe Lulzim Kamberi, kardiolog në po këtë repart, ia propozuan Spitalin “Medicine” si mënyrën më të mirë për shërimin e gruas së tij.

“Dauti më tha që këtu në QKUK s’ka shans të bëhet diçka. Dauti nuk më dha ndonjë alternativë tjetër, përveç spitalit Medicine”, thotë Ramiz Shala për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gorani ishte kandidat i LDK-së për deputet gjatë zgjedhjeve parlamentare më 8 qershor 2014, ndërsa që nga viti 2007 punon si kardiolog invaziv në QKUK dhe njëkohësisht ishte pjesë e stafit në Spitalin “Medicine”, në kohën kur Valbona kishte shkuar në QKUK për trajtim.

Në dëshminë e tij para gjyqtarit të procedurës paraprake, dokument që posedon Jeta në Kosovë, dr. Gorani pranon se spitali “Medicine” i kishte paguar për edukim udhëtim, participim në kongres, hotel dhe udhëtim në ShBA gjatë viti 2011.

Pikërisht ky vit është kur Gorani, sipas prokurorisë, ka dërguar pacientë nga QKUK-ja në Spitalin “Medicine”, ku ai merrte para dhe benefite.

Në mungesë të Dautit, avokati i tij, Mustafë Radoniqi nuk e mohon që klienti i tij të ketë dërguar pacientë për shërim në Spitalin e Zemrës “Medicine”.

Avokati e arsyeton dr. Dautin duke thënë se ai këtë e ka bërë për shkak se në QKUK nuk ka pasur kushte për trajtimin e pacientëve me probleme në zemër.

 “Ka dërguar pacientë atje, por ka dërguar në kohën ku QKUK-ja nuk ka pasur pajisje për trajtimin e duhur të atyre pacientëve”, thotë avokati Mustafë Radoniqi.

Daut Goranit i ishte shqiptuar vërejtje 

Por informatat që ka siguruar Jeta në Kosovë nga QKUK-ja tregojnë se koronarografia në kohën kur Valbona ishte e shtrirë në QKUK kishte punuar.

 “Në kohën kur ju po pyesni, koronarografia paska pas punuar”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Gani Bajraktarit.

Por Ramizi, bashkëshorti i Valbones, gjashtë ditë pasi e përjetoi QKUK-në, e denoncoi rastin në Ministrinë e Shëndetësisë, gjegjësisht në Inspektoratin Shëndetësor.

“Iu kam drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me një ankesë për tretmanin dhe për sjelljen e mjekëve, të cilët edhe QKUK-në edhe mjekësinë familjare e përdorin vetëm për lobim të pacientëve për t’i dërguar nëpër spitale private”, tha Ramizi.

Inspektorati Shëndetësor, në raportin e 30 majit 2011, i rekomandon QKUK-së, si institucion mbikëqyrës, marrjen e masave ndaj mjekëve Daut Gorani dhe Lulzim Kamberi.

“Inspektorati Shëndetësor kërkon nga mbikëqyrësi i institucionit të merren masa ndaj Dr. Daut Gorani dhe Dr. Lulzim Kamberit për rekrutim të pacientit në institucionin shëndetësor privat”, thuhet në raportin e Inspektoratit Shëndetësor që ka siguruar Jeta në Kosovë.

Më pas QKUK-ja dr. Goranit ia shqipton “vërejtjen e fundit gojore”. 

Duke marrë parasysh se Ramizi u ankua edhe ndaj kardiologut, Lulzim Kamberi, ai i mohon të gjitha akuzat ndaj tij.

“Deklaroj se asnjëherë asnjë të sëmuri nuk i kam imponuar vendin dhe llojin e mjekimit”, thotë Lulzim Kamberi në përgjigjen e tij përmes e-mailit.

Edhe Lulzim Kamberi thotë se kishte qenë pjesë e spitalit të zemrës “Medicine” në kohën kur kishte ndodhur rasti i Valbonës.

“Në Spitalin Internacional kam punuar konform ligjit i cili ka lejuar punë shtesë në sektorin privat. Kontratat me spital kanë qenë krejtësisht ligjore dhe të rregullta”, thotë kardiologu Kamberi.

Megjithatë, ndaj dr. Kamberit nuk ishte shqiptuar kurrfarë mase nga Inspektorati Shëndetësor.

Pas gjithë kësaj që i ndodhi në QKUK, Ramizit dhe gruas Valbonës, ai e dërgon atë në Shkup për shërim. Asaj ia vendosin dy stenta atje. 

 “Sot i ka dy stenta pa kurrfarë problemi”, thotë Ramizi. “Në krahasim me këtu, atje kam paguar 50 për qind më pak”, shton ai. “Besimi në QKUK është zero”, shprehet më tej Ramizi. 

Dyshimet ndaj Borçe Petrovskit

Në mesin e mjekëve të arrestuar më 9 tetor ishte edhe Borçe Petrovski, mjeku nga Maqedonia. 

Ai punonte në Spitalin privat të zemrës  sh.p.k Intermed “Eda” ku dhe ishte bashkëpronar. 

Nga Prokuroria Speciale, Petrovski dyshohet për “dallavere me stenta” duke mashtruar kështu pacientë të tij.

Petrovskin për mashtrime e akuzon edhe  Bedrije Ramadani nga Shtimja, nënë e pesë fëmijëve. 

Historia e saj mjekësore fillon në shkurt të vitit 2014, pas ankesave për hipertension. 

Ajo shkon fillimisht ta matë tensionin dhe përfundon me një stentë nga mjeku Borçe Petrovski. 

“ Shkova për kontroll dhe jo të hy në operacion. Kur më futi aty  ma bëri ekg-në motra, ndërsa më kontrolloi Borçe Petrovski edhe më tha të hy drejt e në sallë. Po ashtu Petrovski më tha se ‘e ke zënë trenin e fundit’”, tha Bedrija, e cila tregoi se aty i kishin thënë se ia kanë vendosur një stentë.

Pas gjashtë muajsh Bedrija kishte shkuar sërish në Spitalin “Eda” për të bërë një kontroll që duhej të bëhej pas intervenimit në zemër. 

Por çuditërisht atë ditë mjeku Petrovski i kishte thënë se ajo duhet të vendosë edhe një bateri në zemër, ngaqë mund të vdesë në gjumë. 

“ Më tha se zemra është bllok, bllok, t’i mundesh me vdekë në gjumë”, tregoi Bedria për atë që i kishte thënë Petrovski.

Bateria në zemër është një makinë që vendoset në gjoks për të ndihmuar kontrollin e ritmit anormal të zemrës. 

Bedria nuk pranon ta vendosë këtë dhe shkon në Gjermani te djali për të kërkuar mendim nga mjekët gjermanë.

“Më kqyri mjeku atje me analiza me ekg, edhe më tha t’i nuk ke pas nevojë për stentë, as për bateri, më tha se nuk ta kanë vendos stentën hiq, por vetëm kamera ka hy nëpër trup”, tha ajo.

“Unë i thosha kam, kam stentë, ndërsa gjermanka më thoshte nain nain në gjuhën e saj”, shtoi Bedrija.

Ajo kurrë nuk e kishte paramenduar se do ta përjetonte atë që ajo e quan masakrim të dytë, pas masakrës që i kishte ndodhur familjes së saj në luftën e Kosovës.

Përfaqësuesit e Spitalit “Medicine” nuk kanë dashur të flasin para kamerës për rastin e pacientes Bedrije Ramadani, por përmes emailit na kanë shkruar se kjo paciente ka të vendosur një stentë.

“ Evidenca ekziston si për pacienten Bedrije Ramadani, po ashtu edhe për të gjithë pacientët e tjerë . Është vendosur një stentë që quhet ‘Yucon Des’ me dimensione 2.0×8 mm me numër 734102. Bedrije Ramadani ka paguar 4 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e Spitalit “Medicine”.

Në vazhdim të kësaj përgjigjeje thuhet se “asnjë dokumentacion  me shkrim nuk e kemi që nuk i është vendosur stentë pacientes Bedrije Ramadani”.

Rrëfimi për Klinikën “Heart” 

Para se të bëhet arrestimi i tetë mjekëve dhe një tekniku mjekësor këtë vit, në Kosovë arrestimi i parë lidhur me rastin e stentave kishte nisur fillimisht në Komunën e Gjakovës ku me 6 tetor 2011 arrestohet Hajrullah Binaku, menaxher në Klinikën “Heart” në Gjakovë.

Njëri prej pacientëve të mjekut Binaku, është Martin Musolli, 72 vjeçari nga fshati Gurrakoc Komuna e Istogut.

Martini në vitin 2011 pati dhimbje gjoksi dhe therrje në duar dhe i shqetësuar me gjendjen e tij shëndetësore vendosi t’i drejtohej spitalit të përgjithshëm në Istog. 

Mjekët në Istog nuk patën çka t’i bëjnë dhe ai vetë zgjedhi të shkojë në Spitalin privat të zemrës “Heart” në Gjakovë ku thotë se  në dorë e mori Hajrullah Binaku, menaxher i këtij spitali.

Me 13 gusht 2011, atë menjëherë e fusin në operacion në Spitalin “Heart” për t’i vendosur stenta. 

 “ Më kanë vendosur në atë krevatin dhe më kanë dërguar drejt e në sallë. Aty më kanë lanë 10 minuta. U goditshin për stenta me fëmijët e mi”, thotë Martini.

Pasi u goditën për çmimin prej 4 mijë e 200 eurove, Martini bëri intervenim në zemër për të vendosur dy stenta.

Edhe pse kishte intervenuar në zemër, Martini pati sërish probleme me dhimbje në gjoks. 

Duke e parë që gjendja e tij shëndetësore nuk po përmirësohet në Spitalin “Heart” në Gjakovë, Martini i drejtohet spitalit të zemrës Intermed “Eda” dhe aty u kontrollua nga doktori nga Maqedonia Borçe Petrovski.

“Kur jam shku në Prishtinë, ai Petrovski ma vendosi atë në dorë (koronarografinë) 60 euro për të ma kontrolluar zemrën dhe më tha se nuk të kanë bërë asgjë, një stentë ta kanë vendosur dhe nuk je mirë”, tregoi Martini.

Pas këtij kontrolli, Martini kishte hy në duart e Petrovskit dhe e kupton se e ka vetëm një stentë dhe jo dy për sa kishte paguar në spitalin e Gjakovës.

“Kanë qenë dy motra shqiptare duke punuar …edhe Petrovski. Edhe e shikoja herë e vendoste një tel, herë një tjetër. Iu bë krejt mantilli gjak dhe e ka liruar damarin edhe ia ka nisë me kcy valle në sallë me dy motrat tha u kry puna”, shtoi Martini.

Martini tashmë i ka tri stenta në zemër, njërën të vendosur në Gjakovë dhe dy të tjera në Prishtinë.

Edhe përkundër se ka tri stenta në zemër, Martin Musolli nuk ndjehet akoma mirë me shëndet. 

Hajrullah Binaku po përballet në gjykatë me shumë pacientë të spitalit që ai menaxhonte. Aktualisht Binaku ka dy procedura penale dhe po akuzohet për veprat penale shpërdorim i pozitës zyrtare apo të autorizimit, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

E për krejt këto akuza nuk deshi të përgjigjej me arsyetimin se gjendet jashtë shtetit.

“Jeta në Kosova” ka kontaktuar me Teki Bokshin, avokatin e Hajrullah Binakut. Ai na tha se Binaku nuk ka punuar si mjek në Klinikën “Heart” dhe nuk ka vendosur stenta në zemra të pacientëve.

“ Ato stenta i ka vendosur dikush tjetër, sepse Hajrullahu nuk është specialist i stentave, për këtë kanë pasur mjek të specializuar, një mjek nga Maqedonia që ka pasur kualifikim përkatës”, tha Bokshi.

Pre e klinikës së Hajrullah Binakut kishte rënë edhe Sokol Osaj nga Peja. Gjatë vitit 2010, Sokolit i ishte shfaqur një dhimbje lukthi. Ky shkak e dërgoi atë në spitalin e Deçanit ku kishte marrë trajtim për dhimbje lukthi.

Duke e parë se dhimbja nuk po i ndalet, Sokoli shkon në spitalin publik në Gjakovë dhe aty doktori Zeqë Kuçi i thotë të shkojë në Spitalin privat “Heart” ku ai punonte me honorar.

Sokoli shkoi në “Heart” me dhimbje lukthi dhe doli me stentë në zemër , pasi që mjekët në këtë spital i thanë se njëra arterie e zemrës është bllokuar 90  për qind.

Por nuk ishte diagnoza që e çuditi Sokolin. Ai u habit kur e pa mjekun që intervenoi në zemrën e tij.

“Atë natë e kam pritë mjekun se më thanë se vjen prej Shqipërisë. Thoshin është mjeku Edvin Prifti. U bë ora 7-8 në mbrëmje dhe erdhi ai me një ‘Mercedes 190’, tip i vjetër dhe kur e kam pa te dera me ato këpuca të zhytura, me pantolla të fshira dhe të zhytura, flokët i ka pasë deri te supet dhe vinte era mozomakeq, unë menjëherë u zgjova nga shtrati dhe thashë se nuk hy në duart e tij”, pohoi Sokoli.

Por i mashtruar nga stafi i spitalit “Heart”, Sokoli pranon intervenimin për vendosjen e dy stentave në zemër.

Pamja e doktorit me emrin Edvin Prifti që kishte intervenuar në zemrën e tij në spitalin e Gjakovës kishte shtyrë Sokolin të udhëtojë në Shqipëri për ta kërkuar sërish këtë doktor.

E çudia më e madhe për Sokolin ishte se personi me emrin Edvnin Prifti që i doli përpara si mjek nuk ishte ai që kishte intervenuar në zemrën e tij në Spitalin “Heart” në Gjakovë.

Doktor Edvin Prifti është kontaktuar nga Jeta në Kosovë, por nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Ai vetëm ka shprehur habinë e tij se si mundet dikush t’ia keqpërdor emrin e tij.

Kur Sokol Osaj humbi besimin tek mjekët e spitalit “Heart”,  u drejtua tek spitali i zemrës “Intemed Eda” ku ra në duart e doktorit Borçe Petrovski, i cili kishte vendosur sërish stentë në zemrën e Sokolit.

“Jeta në Kosovë” ka kontaktuar me dr. Zeqë Kuçin, por ai nuk pranoi të flasë rreth këtij rasti, me arsyetim se është duke u bërë gati për të udhëtuar jashtë Kosovës.