Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Spahiu Ngre Padi për Pengim Posedimi

Nexhmedin Spahiu, në emër të OJQ “Mitrovica”, më 15 maj 2012 ka ngritur një padi ndaj Komunës së Mitrovicës në Gjykatën Komunale, për pengim posedimi të lokalit afarist. Sipas tij, seanca është dashur të mbahej këtë të martë por gjyqtari nuk ka ardhur fare në punë. Avokati i Komunës thotë se nuk kanë marrë kurrfarë ftese për seancë.

(E plotësuar)

NDËRLIDHUR

Drejtori i OJQ “Mitrovica” dhe RTV Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu, ka ofruar shpjegime shtesë lidhur me marrjen nga Komuna e Mitrovicës, të një pjese të zyrave që ai i shfrytëzonte prej pasluftës.

Ai beson në të drejtën e tij që të vazhdojë të shfrytëzojë zyrat në qendër të Mitrovicës, në bazë të një marrëveshjeje të bërë me UNMIK-un në vitin 1999. Thotë se Komuna e Mitrovicës nuk ka pasur të drejtë të ndërhyjë, derisa për këto zyra ka një kontest në gjykatë.

Ai ka treguar se më 15 maj 2012 ka ngritur një padi ndaj Komunës së Mitrovicës në Gjykatën Komunale të Mitrovicës, e cila funksionon në Vushtrri, për pengim posedimi të lokalit afarist. (Lexo Padinë) Seanca, sipas Spahiut, është dashur të mbahej këtë javë, më 17 korrik. Por, nuk është mbajtur.

“Ne kemi paraqitur padi për Komunën që po na pengon në punë, pa e dëshmuar pronësinë e saj para gjykatës. Por, gjykata nuk e ka trajtuar lëndën, pasi gjykatësi, sigurisht i kërcënuar, ka gjetur arsyetim mos me ardhë në punë ditën e gjykimit. Sa kam marrë vesh, gjykatësi ende nuk po vjen në punë”, ka thënë Spahiu, nëpërmes një komunikimi me postë elektronike.

Por, avokati i Komunës së Mitrovicës, Faik Gërguri, i tha gazetës se nuk kanë pasur asnjë shkresë, apo thirrje nga gjykata, për të marrë pjesë në ndonjë seancë dëgjimore më 17 korrik.

“Nuk ka asnjë provë, asnjë shkresë, që gjykata na e ka dërguar zyrtarisht ndonjë ftesë për seancë”, tha Gërguri. Ai tha se as nuk janë në dijeni që për zyrat të cilat janë liruar të martën të ketë ndonjë kontest gjyqësor.

Një kompani e kontraktuar nga Komuna dhe inspektorët komunalë, të martën kanë ekzekutuar një urdhëresë të Komunës së Mitrovicës për lirim të lokaleve që shfrytëzoheshin në emër të OJQ “Mitrovica”. Spahiu ka thënë se këtu përgatitej edhe një pjesë e prodhimit për TV Mitrovica.

Në reagimet e menjëhershme, shoqatat e gazetarëve të Kosovës, sikurse dhe disa parti politike, kishin dënuar “mbylljen e TV Mitrovicës” dhe intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës.

Por, Komuna e Mitrovicës ka thënë se nuk bëhet fjalë për mbylljen e televizionit. “Ky televizion vazhdon punën normalisht në redaksinë e vet, përderisa të martën pronarit të këtij mediumi i janë marrë disa zyre të uzurpuara në qendër të qytetit”, thuhej në komunikatën e Komunës.

Pas reagimeve të ashpra që flisnin edhe për “rrënim dhe demolim të zyrave”, policia në Mitrovicë ka sqaruar se vetëm ka asistuar inspektorët për ekzekutimin e urdhëresës për lirim të lokaleve dhe se ky nuk ishte operacion policor.

Komuna i ka ofruar Gazetës JnK dokumente, përfshirë certifikatën e pronësisë, që dëshmojnë se zyrat që ka shfrytëzuar pronari i “TV Mitrovicës” figurojnë si pronë komunale.

Në certifikatën e pronësisë, njësia e pronës së paluajtshme me numër P-71208072-01465-0, në rrugën “Marshal Tita”, 71, figuron se është 385 metra katrorë. Por Spahiu, thotë se ai ka shfrytëzuar vetëm 100 metra.

“Lokalet tona janë 100 m2. Kjo mund të shihet nga tatimi në pronë në emër të OJQ ‘Mitrovica’. Lokalet e tjera i shfrytëzojnë LDD, PD, Kryqi i Kuq dhe KMDLNJ që nuk i paguajnë askujt qira, sikurse që nuk kemi paguar as ne, sepse këto prona kanë qenë të regjistruara si ‘Narodnih Dobara’ (prona te OJQ-ve), derisa Komuna pa vendim gjykate ua ka ndërruar titullarin”, thotë Spahiu.

Ahmet Jashari, zëdhënës i Komunës, ka konfirmuar se LDD-së, Kryqit të Kuq, KMDLNJ-së dhe një banori nga veriu ia janë dhënë në shfrytëzim nga Komuna, disa lokale, të cilat gjenden në katin e dytë. (Shiko  Marrëveshjen mbi kushtet për shfrytëzimin e përkohshëm…ndërmjet Komunës dhe LDD-së).

“Ata kanë bërë kërkesë dhe Komuna, sipas mundësive, iu ka bërë zgjidhje. Ndërsa Nexhmedin Spahiu, përveç që e ka uzurpuar lokalet, nuk ka bërë asnjëherë kërkesë në Komunë për shfrytëzim të lokaleve, madje e ka shndërruar në lokal profitabil”, ka shpjeguar ai, i pyetur pse OJQ “Mitrovica” është dëbuar, kurse këtë organziata të tjera jo.

Jashari ka thënë se objekti tani do të vihet në dispozicion të shoqatës së personave me aftësi të kufizuara “Handikos”, për të cilën deri më tani Komuna paguante 450 euro në muaj qira.

Kurse, Spahiu ka mohuar kategorikisht se u ka marrë para palëve të tjera, për organizimin e kurseve të matematikë e të tjera, sikur e ka akuzuar Komuna e Mitrovicës.

Ai thotë se e drejta për shfrytëzimin e këtyre zyrave i ishte dhënë në vitin 1999 me një vendim të administratorit të atëhershëm rajonal të UNMIK-ut. Thotë se në vendim nuk saktësohet për çfarë kohe merren në shfrytëzim këto zyra.

Spahiu pretendon se “është një ligj që nëse një prone të paluajtshme e shfrytëzon për 10 vjet pa pretendime të ndonjë pale për pronësi ti bëhesh pronar i saj. Faturat e rrymës, bërllokut, tatimit në pronë, për 13 vjet me radhe, të gjitha këto janë në emër të OJQ ‘Mitrovica’”, shprehet ai.

Kur i është kërkuar që të paraqesë dokumente që dëshmojnë pronësinë, sikurse dhe marrëveshjen për shfrytëzim të këtyre zyrave me UNMIK-un, Spahiu ka thënë se të gjitha dokumentet, bashkë me inventarin dhe pajisjet, ia ka konfiskuar Komuna.

Edhe UNMIK-u ka konfirmuar se ka ekzistuar një marrëveshje për shfrytëzimin e një pjese të zyrave, por pa prejudikuar pronësinë.

“TV Mitrovica ishte lejuar nga UNMIK-u të shfrytëzojë disa nga lokalet në këtë ndërtesë për zyrën e tij, gjithmonë subjekt sa i përket të drejtës së pronarit të pronës”, i tha Gazetës JnK, Olivier Salgado, shef i Zyrës për Informim të UNMIK-ut në Prishtinë.

Reagime të Ngutshme Ndaj “Mbylljes” së TV Mitrovicës

Shoqatat e gazetarëve dhe disa parti politike duket se janë ngutur ta cilësojnë si sulm kundër lirisë së shtypit dhe ndërhyrje të dhunshme të Policisë së Kosovës, një aksion të Komunës së Mitrovicës për lirimin e disa zyrave që shfrytëzoheshin që prej pasluftës nga TV Mitrovica.

Nga dokumentet që ka ofruar Komuna e Mitrovicës bëhet fjalë për zyrat e OJQ-së “Mitrovica” së Nexhmedin Spahiut, gjithsej 385 metra katrorë, të cilat, sipas komunës, janë shfrytëzuar pa të drejtë prej tij që prej pasluftës, madje janë lëshuar me qira edhe për subjekte të tjera. Ndërkohë, zyrat e TV Mitrovicës ndodhen në një objekt tjetër. Zyrtarët e Komunës së Mitrovicës thonë se edhe ai është mbindërtim ilegal.

“Dëshirojmë të njoftojmë qytetarët e Mitrovicës, mediat dhe opinionin kosovar në përgjithësi se Komuna e Mitrovicës nuk e ka mbyllur TV Mitrovicën. Ky televizion vazhdon punën normalisht në redaksinë e vet, përderisa të martën pronarit të këtij mediumi i janë marrë disa zyre të uzurpuara në qendër të qytetit”, tha Komuna e Mitrovicës, nëpërmes një komunikate shtypi, shpërndarë mediave të mërkurën.

Në regjistrin zyrtar, prona dhe objekti që e ka shfrytëzuar pronari i “TV Mitrovicës” figuron si pronë komunale (Shiko Certifikatën e Pronësisë). Prandaj edhe është marrë vendimi që ajo të lirohet dhe të vihet në dispozicion të shoqatës së personave me aftësi të kufizuara “Handikos”, thuhet më tutje në komunikatën, një ditë pasi një kompani e kontraktuar nga Komuna dhe inspektorët komunalë kanë ekzekutuar një urdhëresë të Komunës së Mitrovicës për lirim të lokaleve në shfrytëzim nga TV Mitrovica.

Ahmet Jashari, shef i Zyrës për Informim, i tha Gazetës Jeta në Kosovës se Komuna paguan 450 euro në muaj qira për shoqatën “Handikos” në mungesë të hapësirave, përderisa pronari i OJQ “Mitrovica” dhe drejtor i RTV Mitrovica e ka mbajtur të uzurpuar këtë lokal, madje edhe duke përfituar prej tij.

“Ai e ka lëshuar këtë lokal, i cili sipas fletës poseduese ka gjithsej 385 metra, me qira palëve të tjera, për kurse matematike etj”, tha Jashari.

Sipas tij, Spahiut i është kërkuar t’i lirojë zyrat, mirëpo ai nuk e ka marrë asnjë veprim. “Pasi ai nuk është përgjigjur, Komuna ka angazhuar një kompani për lirimin e atyre zyrave në prani të policisë”.

Kurse, redaksia e “TV Mitrovicës” është në një vend tjetër. “Ajo funksionon në një hapësirë, po ashtu të uzurpuar, mbi ndërtesën të njohur si ish-‘Zvezda’, ku ka bërë një mbindërtim”.

Në vitin 2003, Komuna e Mitrovicës kishte marrë një vendim për largimin e atij mbindërtimi, mirëpo kjo nuk është realizuar deri më tani (Lexo Vendimin). Më pas banorët e asaj ndërtese kanë dorëzuar tri peticione ku kërkohej largimi i atij mbindërtimi që ua kishte uzurpuar hapësirën, që ishte e dedikuar për nevojat e tyre. Prapë nuk ishte marrë ndonjë veprim dhe redaksia e “TV Mitrovicës” vazhdon të funksionojë në të njëjtin vend, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.

Nexhmedin Spahiu, i cili ndodhej në Qipro, i kontaktuar me telefon nga Gazeta Jeta në Kosovë, nuk ka dashur të komentojë “argumentet” e Komunës së Mitrovicës. Ai tha se nuk e ka lexuar komunikatën për shtyp.

Por, ai ka këmbëngulur se i janë marrë dhunshëm një pjesë e zyrave. “Aty e kemi ba prodhimin”, tha Spahiu, i pyetur nëse bëhet fjalë për redaksinë e TV Mitrovicës, apo zyra ndihmëse.

Komuna e Mitrovicës thekson se dëshmitë, letrat poseduese, peticionet e qytetarëve dhe të gjitha faktet flasin për një uzurpim klasik nga TV Mitrovica.

Por, shoqatat e gazetarëve të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) dhe Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) kanë reaguar ashpër, ndaj siç e kanë quajtur “ndërhyrjes së dhunshme” në lokalet e TV Mitrovica

Në reagimin pak orë pas aksionit, në të cilin policia thotë se kishte asistuar inspektorët komunalë, AGPK-ja thoshte se me shqetësim ka marrë lajmin se Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhunshëm në TV Mitrovica. “Sipas njoftimit, policia me urdhër të Komunës ka uzurpuar lokalet në të cilat operon ky televizion lokal dhe ka demoluar edhe pajisjet teknike të kësaj medie. Ndërhyrja ka ardhur pas një urdhri të Komunës së Mitrovicës që pretendon pronësi mbi objektin në fjalë”, thuhej në komunikatën e AGPK-së.

“Ndërhyrjet e pushtetit në media, sikur kjo që ka ndodhur në TV Mitrovica cenojnë rëndë Lirinë e Shtypit dhe vlerat demokratike në vend”, vazhdonte komunikata.

Edhe UGK fliste për “rrënim dhe demolim të zyrave” të RTV Mitrovicës nga inspektorët dhe policia. UGK e cilësonte veprimin e Komunës së Mitrovicës si të turpshëm, dhe “një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në lirinë e shprehjes dhe lirinë e informimit për qytetarët e vet, liri të cilat u janë garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Edona Musa, anëtare e Bordit të AGPK-së, e pranon se reagimi që është lëshuar nga AGPK-ja është bërë “pa u analizuar gjithë dokumentacioni që posedon TV Mitrovica apo Komuna e Mitrovicës”.

“Ne si AGPK i marrim të gjitha ankesat të cilat vijnë nga mediat, gazetarët apo redaktorët. E jona është që të dalim me një komunikatë, ku në shumicën e rasteve kërkojmë nga organet e rendit që ta zbardhin rastin, cilido qoftë ai.  Edhe për TV Mitrovicën, Bordi e ka marrë informatën se në zyrat e TV Mitrovicës, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhunshëm”, tha Musa.

Edhe policia në Mitrovicë ka sqaruar se të martën nga ora 16:30, me kërkesë të KK Mitrovicës ka asistuar inspektorët për ekzekutimin e urdhëresës për lirim të lokaleve në shfrytëzim nga TV Mitrovica. “Vendimi dhe ekzekutimi i vendimit të KK Mitrovica, nuk ishte operacion policor. Policia e Kosovës vetëm se ishte prezente për shkaqe sigurie përgjatë zbatimit dhe ekzekutimit të vendimit nga inspektorët komunalë”, ka thënë zëdhënësi Besim Hoti.

Ndaj “mbylljes së TV Mitrovicës” ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka quajtur një akt cenzure nga partia në pushtet. “Duke e pasur parasysh se ky veprim i Komunës së Mitrovicës ndodhi pikërisht në ditën kur minatorët e Trepçës u futën në grevë, duke protestuar kundër përpjekjeve të njëpasnjëshme për ta dëmtuar Trepçën deri në privatizim, bisedimet politike që po përgatiten për veriun, situata nëpër të cilat po kalon Mitrovica dhe veriu në përgjithësi, mbyllja e të vetmit medium lokal në atë anë, përbën një akt censure, që ka për qëllim privimin e qëllimshëm të mundësisë së informimit për banorët e Mitrovicës, nga ana e strukturave të PDK-së që udhëheqin në këtë komunë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim të thellë ka “mësuar” se“janë thyer dyert e hapësirave në të cilat vepronte RTV Mitrovica, se janë demoluar pajisjet dhe se dhunshëm janë nxjerrë jashtë, së bashku me punonjësit e këtij radiotelevizioni”.

LDK-ja e konsideron këtë veprim si të papërgjegjshëm, krejtësisht politik, të drejtuar kundër medieve dhe fjalës së lirë. “Veprimi i tillë, po ashtu, është joligjor, meqë kontesti ndërmjet RTV Mitrovica dhe Komunës së Mitrovicës ende nuk ka marrë një përgjigje nga gjykata”, thuhej në komunikatën e kësaj partie.

ETIKETA

20 Korrik 2012 - 3:05 pm

Faton Osmani 20/07/2012 - 3:05 pm
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0