Skenderaj | Foto: Atdhe Mulla

Skenderaj me Dalje në Det

Në autobusin Prishtinë-Skenderaj, diku në vitet nëntëdhjetë, një polic serb hyn dhe fillon të kërkojë dokumentet e udhëtarëve. Pyetja që shtronte në dukje ishte e thjeshtë, por varej nga përgjigja nëse personat do të merrnin shuplaka e boksa apo jo. “Gde ides?” (ku po shkon?) – pyeste polici dhe sapo i thoshin “Skenderaj” ai shpërndante një paketë shuplaka e boksa.

Kjo sepse Millosheviqi u mundua ta sllavizonte emrin e qytetit më të rëndësishëm të rezistencës ndaj tij në Kosovë, nga Skenderaj në Serbicë. Në fakt, kjo përpjekje ka dështuar dhe nuk është pranuar as nga UNMIK-u për dallim nga shumë emra tjerë siç vjen për shembull qyteti fqinj i Drenasit që zyrtarisht quhet Gllogoc.

E megjithatë me represion e dhunë, polici në autobus për pak minuta arriti t’i bënte gatise të gjithë të përgjigjeshin “Serbicë”. Radha po i vinte një plaku me plis. Ky mendonte me vete si të vepronte. Plisi mbi kokë nënkuptonte dhe përgjegjësi kombëtare.

Të përgjigjeshe gabimisht duke e quajtur Skenderajn Serbicë nuk ishte në burrërinë e dikujt që mbante plis. Por dhe të haje shpulla pa e bërë punën të të vrisnin nuk e duronte plisi. Por polici afrohej dhe pasi pa dokumentet bëri pyetjen e njëjtë dhe priste që plaku të përgjigjej.

Përgjigja që mori e çuditi edhe vet policin. Plaku kishte bërë kompromise nga të dyja anët nga pak dhe kishte ardhur me formulën e pajtimit: “Skenderbicë” – u përgjigj plaku.

Nuk merret vesh nëse ka marrë ndonjë shuplakë apo jo, por që përgjigjen e kishte dhënë të bukur. Se njeriu s’mund të bëjë pazare me moralin e as me integritetin e tij fizik, dhe në fakt, edhe kur përmbi kokë të ndodhet një polic hakërryes ka zgjidhje. Gjithnjë ekziston një mundësi e tretë në çështjet që ngrihen në çfarëdo marrëdhënie njerëzore.

Monumenti i Adem Jasharit në Skenderaj | Foto: Atdhe Mulla
Monumenti i Adem Jasharit në Skenderaj | Foto: Atdhe Mulla

Kjo lloj sjelljeje tregon mendësinë e një pjese të madhe të popullit të Kosovës. Në njërën anë kishte vullnet për pavarësi, por në anën tjetër një mosgatishmëri për sakrificë jetësh. Me përjashtime kuptohet, siç vjen rasti i vrasjeve të policëve në Skenderaj që prej viti 1989 nga grupet e armatosura të Drenicës. Ndër ta edhe aksioni i Sami Lushtakut, sot kryetar në mungesë i Skenderajt. Në mungesë sepse është dënuar për krime lufte, për një person që e ka vrarë por që nuk dihet kush është, apo diçka e ngjashme.

E megjithatë, njerëzit e përkrahin kur vjen fjala te kjo akuzë. Ajo për të cilën qytetarët e Kosovës nuk pajtohen me Lushtakun është pasuria e tij e cila lulëzoi me të madhe pas luftës e për të cilën ka lloj-lloj akuzash.

Debati në asamblenë e Komunës së Skenderajt do të zhvillohej me nënkryetarin Fadil Nura. Ky në fakt ishte edhe personi që kishte zhvilluar fushatën elektorale në Skenderaj pasi edhe atëkohë kryetari Lushtaku kishte qenë në burg.

Para se të fillonte debati, kameramanët dhe skuadra që realizon emisionet Jeta në Komunë po pinte kafe. Jeta Xharra që shumë shpejt do ta kryesonte mbledhjen e asamblesë kërkonte llogarinë për ta kryer pagesën. Një kamarier endej sa brenda jashtë, por faturë për të sjellë nuk sillte. Ai thoshte se kafetë ishin paguar nga komuna ndërkohë Xharra insistonte t’ia sillnin faturën.

Në këtë “përleshje” hyri dikush, një burrë i gjatë e i thinjur gjithë agresivitet filloi: “Unë jam prej administratës, na i kena të drejtat tona…” – këtu prisja që gjithçka të merrte fund dhe që të na përzinin nga salla, por burri vazhdoi “nuk do t’i paguni kafet”. U largua pa bërë asnjë fjalë më shumë. “Heu t’u rritë nera” – ia ktheu dikush nga tanët dhe me kaq pushoi edhe insistimi i kryesueses Xharra për të paguar. Edhe kështu di të jetë Skenderaj.

Asamblistët ishin mbledhur dhe salla ishte gati. Nënkryetari Fadil Nura që dukej sikur i dhimbsej kryetari filloi duke thënë se mungesa e tij ishte handikap i madh. Po nga sa do të kuptohej më vonë në debat, lidhur me tenderët që kishin fituar familjarët e nënkryetarit, nuk mund ta them me siguri nëse vërtet i besonte ato që fliste.

Nënkryetari i Komunës së Skenderaj Fadil Nura | Foto: Atdhe Mulla
Nënkryetari i Komunës së Skenderaj Fadil Nura | Foto: Atdhe Mulla

Vjehrri i nënkryetarit paska marrë një tender për të shtruar 800 metra rrugë. Kryesuesja provizore Xharra për çudinë tonë e akuzonte nënkryetarin jo për atë se i kishte dhënë tender vjehrrit, por për arsyen se nuk ia kishte dhënë një kilometër të plotë: “Qysh zotni nënkryetar veç 800 metra rrugë tender ia ke dhanë vjehrrit, as 1 km bile”.

Natyrisht kjo thuhej me ironi, dhe nënkryetari që ishte aq dinak sa për t’i dhënë vjehrrit tenderin, ishte aq dinak sa mundi ta kuptonte ironinë dhe thoshte se kjo nuk përbënte konflikt interesi. Bile te konflikti i interesit ai dukej se kishte një njohuri të thellë. E njihte ligjin mjaft në detaje dhe vështirë mund t’i kapeshe për ta zënë ngushtë.

Ajo që na la gojëhapur të gjithëve ishte shpjegimi në fund që nënkryetari dha për rrugën. Tha se kjo rrugë i siguronte Skenderajt dalje në det! Vërtet nuk kisha dëgjuar këso lloj idesh ndonjëherë dhe mundohesha të merrja me mend se si?

Fjala ishte për lidhjen me autostradën Prishtinë-Prizren diku në Komoran që pastaj vazhdon në Shqipëri. Do me thënë Skenderaj njëmend shumë shpejt do të ketë dalje në det. Por një çështje është me rëndësi: si mund të shkojnë në det qytetarët duke lënë pas në burg kryetarin i cili u mundëson këto projekte?

Siç shihej nga punët në komunë, mungesën e kryetarit nuk e kishin fort problem. Me gjasë mungonte vetëm dora e fortë e tij për t’i çuar disa gjëra deri në fund.

Skenderaj i parë nga shpatullat e heroit Adem Jashari | Foto: Atdhe Mulla
Skenderaj i parë nga shpatullat e heroit Adem Jashari | Foto: Atdhe Mulla

Polaci, është ende pa ujë, ndërkohë që ishte punuar në pjesë të ndryshme nëpër gypa. Kjo mbase ndodhte për shkak të një mallkimi që qarkullon si tregim popullor nëpër Drenicë. Thuhet se Polaci kishte pasur një liqen të thellë në qendër të fshatit. Nga liqeni dilte çdo vit një si zanë bashkë me një ka të bukur.

Ajo kërkonte që t’i ndeshte qetë me fshatarët dhe çdo vit në fshat kau i zanës e vriste ndonjë ka të fshatit. Kështu në një prej viteve, një fshatar që ishte farkëtar bëri një truk. Brirët e kaut të tij i kishte veshur me hekur dhe kur erdhi koha për dyluftim, kau i fshatarit fitoi. Thuhet se zana qau me dënesje dhe tek kthehej brenda pusit ajo e mallkoi Polacin për këtë mashtrim.

Që nga ajo kohë liqeni ishte tharë. Sot duket si një shesh i vogël i barishteve në qendër të fshatit. Dhe ja, Polaci vazhdon të mos ketë ujë. Këtë e bën të mundshëm bashkëpunimi i nënkryetarit me atë zanë mallkuese se përndryshe ujët do t’i vinte Polacit.

Në ndërkohë, asamblistja e zëshme e opozitës Ajnishahe Halimi ngriti disa çështje. Ndër të tjera ajo shfaqi një dokument sipas të cilit nënkryetari ia kishte ndaluar asaj një të drejtë themelore, atë të qasjes në dokumente zyrtare. Prisnim që nënkryetari ta mohonte këtë por në fakt ai “e arsyetoi” atë.

“Ajnishahes ia kam dhënë tre herë dokumentet dhe tre herë e ka përsëritë gabimin e njëjtë”, thoshte nënkryetari. Aludonte kështu në publikimin e dokumenteve në medie gjë të cilën ai e quante “gabim”.

Harronte zotëria se ishte detyrë informimi i publikut dhe pranonte se kishte bërë shkelje të ligjit. E për këtë do të duhej të shkonte para drejtësisë, por ne të gjithë e dimë se si venë punët me drejtësinë në Kosovë e po ashtu se si venë punët nëpër komuna. Kjo lloj shkelje na duhet e vakët në krahasim me gjithë ato shkelje përvëluese gjithandej.

Asamblistë të Komunës së Skenderaj | Foto: Atdhe Mulla
Asamblistë të Komunës së Skenderaj | Foto: Atdhe Mulla

Ngadalë edhe debati shkon në fund. Ndërkohë që nëpër mendjet e secilit sillej deti dhe ombrellat, të nxehtit e verës që do të na i shkrijë eshtrat nga të ftohtit e dimrit.

Skenderaj edhe mund ta mbajë emrin me krenari, pa iu dorëzuar kurrë Serbisë, por krenar s’mund të jetë deri në fund, kur qytetarët s’kanë ujë për të pirë si pasojë e mallkimit antik, ndërkohë që bëjnë plane për të shkuar në det, pa iu frikuar mallkimit të mundshëm të kryetarit.