Tank i shkatërruar i ushtrisë serbe, model rus T-55, në Prizren| Foto: Mika Rantanen në Wikimedia

‘Sindroma e Ballkanit’ Vazhdon t’i Vrasë Ushtarët Italianë

Më shumë se 300 ushtarë italianë kanë vdekur gjatë 15 vjetëve të fundit nga ekspozimi pa masa mbrojtëse ndaj uraniumit të varfëruar gjatë misioneve në Kosovë, Bosnjë, Afganistan dhe Irak, ndërsa më shumë se 3,700 të tjerë janë të sëmurë për të njëjtën arsye.

“Deri më sot, 331 ushtarë italianë kanë vdekur dhe 3,764 të tjerë vuajnë nga kanceri si pasojë e ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar”, tha Daniele Leggiero, ish-pilot italian, aktualisht president i shoqatës Osservatorio Militare [Observatorit Ushtarak], i cili përfaqëson viktimat dhe të afërmit e tyre.

Leggiero tha se ishte e pamundur të dihej sesa prej këtyre ushtarëve kishin vdekur nga pasojat e fushatave të bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe Bosnjë sepse ata kishin shërbyer edhe në vende të tjera.

“Pas Ballkanit, shumë prej tyre u vendosën në Afganistan dhe Irak, ku gjithashtu ishte përdorur uraniumi i varfëruar”, shpjegoi Leggiero.

“Por kjo çështje u përfshi në vëmendjen e publikut vetëm pasi rastet e para të ushtarëve që vdiqën nga kanceri apo leukemia u regjistruan si veteranë të luftës në Bosnjë dhe Kosovë”, kujtoi ai.

Një grup ushtarësh italianë "Lagunari" në Kosovë gjatë luftës | Ryan C. Creel në Wikicommons
Një grup ushtarësh italianë “Lagunari” në Kosovë gjatë luftës | Ryan C. Creel në Wikicommons

‘Sindroma e Ballkanit’

Rastet e para të ushtarëve që vdiqën nga çka media italiane e quan “Sindroma e Ballkanit” ndodhën mes viteve 1999 dhe 2000.

Gjashtë ushtarë italianë që kishin marrë pjesë në misione në Bosnjë pas përfundimit të luftës atje, nga 1996 në 1998, u raportuan se vdiqën nga kanceri si rrjedhojë e ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar.

Viktima e parë, Tetari Salvatore Vaça, ishte vetëm 23 vjeç dhe kishte shërbyer në Bosnjë në vitet 1998 dhe 1999. Ai vdiq nga leukemi disa muaj pasi u kthye në shtëpi, shkroi gazeta me seli në Romë, “La Repubblica”.

Uraniumi i varfëruar, D-38, është një nënprodukt i siguruar nga procesi i pasurimit të uraniumit natyror për t’u përdorur si karburant në reaktorët bërthamorë.

31,000 predha me uranium të varfëruar janë hedhur në Kosovë

Dendësia e tij e jashtëzakonshme e bën një material të përkryer për prodhimin e “pancirit të tankeve dhe plumbave që përshkojnë mjetet e blinduara armike”, shkruan Departamenti Amerikan i Çështjeve të Veteranëve në faqen e tij në internet.

Por përdorimi i D-38 në përgatitjen e armëve përfaqëson një rrezik serioz për qeniet njerëzore.

“Mund t’i ekzpozojë njerëzit ndaj rrezatimeve si nga jashtë ashtu dhe nga brenda nëse hyn në trup nga gëlltitja apo frymëmarrja… duke rritur rrezikun për kancer”, tha misioni i Programit Mjedisor të OKB-së që operoi në Bosnjë dhe Kosova pas përfundimit të luftës.

Ushtria e SHBA-ve filloi ta përdorë D-38 në shkallë të gjerë gjatë luftës së parë të Gjirit. Gjithashtu, NATO ka pranuar se predha që përmbanin uranium të varfëruar janë përdorur në Kosovë dhe në Bosnjë. Rreth 31,000 predha të tilla janë hedhur në Kosovë dhe 11,000 në Bosnjë.

Edhe pse ushtarët italianë në Kosovë u vendosën në sektorin që NATO e kishte bombarduar më fort, sipas raportimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Leggiero tha se ata kishin operuar pa trajnim apo pajisje speciale.

“Ndërsa ushtarët nga vendet e tjera ishin informuar për rreziqet dhe morën masat e duhura mbrojtëse, ushtarët italianë nuk dinin gjë”, tha Leggiero.

Një ushtar italian në kodrat mbi Sarajevë në vitin 1996 | Foto: NATO
Një ushtar italian në kodrat mbi Sarajevë në vitin 1996 | Foto: NATO

Gjithçka ishte ‘OK’

Gjatë viteve, ushtarët italianë që ishin vendosur në Kosovë dhe Bosnjë konfirmuan se nuk kishin mbrojtje apo dijeni mbi rrezikun që u kanosej.

“Shihnim ushtarët amerikanë dhe pyesnim veten se përse ishin veshur si astronautë… ata kishin pajisje për t’i trajtuar ato materiale që ne nuk i kishim”, Gianluca Danise, një ish-pilot italian, i tha gazetës “Arena”, me seli në Veronë para se të vdiste nga kanceri në dhjetor 2015.

“Punonim me duar të zhveshura… pa maska, në territore jashtëzakonisht të ndotura nga uraniumi i varfëruar… kur i pyetëm eprorët tanë [përse ushtarët amerikanë ishin shumë më të mirëpajisur se ne, ata thanë]: mos u shqetësoni, ata janë amerikanë, ata ekzagjerojnë… gjithçka është OK”, Enrico Maria Laçetti, një punonjës nga Kryqi i Kuq që u sëmur me kancer në mushkëri pas 10 vjetësh në misione të ndryshme në ish-Jugosllavi, tha për median italiane në 2014.

Gjatë 15 vjetëve të fundit, autoritetet italiane kanë mohuar në mënyrë të vazhdueshme lidhjen ndërmjet vdekjeve të ushtarëve dhe ekspozimit të tyre ndaj D-38 në ish-Jugosllavi.

Më 6 prill, ministrja italiane e Mbrojtjes, Roberta Pinotti, i tha medias se “sa i takon ministrisë tonë… nuk ka problem me uraniumin e varfëruar”.

“Ne kemi pasur një sërë komisionesh shkencore që kanë mohuar gjithmonë ekzistencën e një lidhjeje ndërmjet rasteve të njerëzve të sëmurë dhe përdorimit të armëve [me uranium të varfëruar]”, shtoi Pinotti.

“Në Itali ne ngremë komisione hetimore kur nuk duam të zbulojmë të vërtetën”

Por aktivistë dhe përfaqësues të viktimave pretendojnë se qeveria italiane ishte e vetëdijshme për rreziqet dhe dështoi t’i mbronte ushtarët e saj.

BIRN kërkoi një koment mbi këto pretendime nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë por nuk mori përgjigje.

“Qeveria italiane ka treguar një qasje amatore”, tha Alessandro Marescotti, president i Peacelink, një nga shoqatat e para italiane që ka denoncuar efektet e uraniumit të varfëruar gjatë luftës në Jugosllavi dhe që ka ngritur zërin për ta detyruar qeverinë italianë që të pranojë përgjegjësinë.

“Autoritetet italiane nuk e kanë pranuar kurrë zyrtarisht ekzistencën e këtij problemi… ata na akuzuan se po shkaktonim panik dhe këmbëngulën ta zhvlerësonin çështjen”, Marescotti i tha BIRN.

Në fakt, qeveria italiane ka krijuar gjashtë komisione për të hetuar problemin. Megjithatë, të gjitha komisionet e hodhën poshtë një lidhje të mundshme ndërmjet ekspozimit ndaj D-38 dhe rasteve me kancer ndër veteranët italianë.

Pamje nga një gjuajtës i NATO-s gjatë bombardimit të baze të ushrisë serbe në Mitrovicë | Foto: Wikimedia
Pamje nga një gjuajtës i NATO-s gjatë bombardimit të një baze të ushrisë serbe në Mitrovicë | Foto: Wikimedia

Disa italianë thonë se kjo nuk përbën çudi. “Në Itali ne ngremë komisione hetimore kur nuk duam të zbulojmë të vërtetën”, tha Leggiero me ironi.

Nicole Corritore, i cili punon në Osservatorio Balcani e Caucaso [Observatori Ballkanik dhe Kaukazian] dhe e ka ndjekur çështjen e uraniumit të varfëruar qysh në fillim, vlerëson se pranimi i së vërtetës do të kishte pasoja serioze për autoritetet italiane.

“Demonstrimi i lidhjes ndërmjet përdorimit të uraniumit të varfëruar dhe vdekjeve të qindra ushtarëve italianë do të thotë se duhet diskutuar edhe efekti i uraniumit të varfëruar mbi popullatën civile të ish-Jugosllavisë”, Corritore i tha BIRN.

“Do të thotë gjithashtu, se armët që përdorin D-38, të cilat aktualisht janë në përdorim të ushtrisë Italiane… në Sardenjë, kanë shkaktuar dëme ndaj popullsisë lokale”, tha Corritore.

Në vitin 2008, qeveria italiane ngriti një fond prej 30 milionë eurosh si kompensim financiar ndaj ushtarëve që vuajtën nga kanceri si pasojë e municioneve të përgatitura me uranium të varfëruar.

Por, Corritore theksoi se shumica e fondeve nuk ishin përdorur ende.

Një ushtar italian i trupave paqeruajtëse të NATO-s pranë një varreze në Sarajevë | Foto: NATO
Një ushtar italian i trupave paqeruajtëse të NATO-s pranë një varreze në Sarajevë | Foto: NATO

Duke qenë se qeveria italiane ende refuzon të pranojë se ushtarët e saj vdiqën nga uraniumi i varfëruar, e drejta për kompensim kontestohet dhe është në duart e gjykatësve italianë, të cilët vendosin për raste individuale të veteranëve që paditin Ministrinë e Brendshme.

Deri tani, sipas Osservatorio Militare, gjykatësit kanë njohur të drejtën për kompensim për ish-ushtarët në 43 raste.

Megjithatë, në maj 2015, në rastin e një ushtari që kishte vdekur pasi kishte shërbyer në Kosovë, Gjykata e Apelit në Romë shpalli në vendimin e saj se kishte “një lidhje të padiskutueshme ndërmjet ekspozimit të uraniumit të varfëruar dhe kancerit”.

Kryetari i komisionit të ri hetimor tha se qëllimi nuk ishte të provohej një lidhje ndërmjet ekspozimit ndaj D-38 dhe kancerit

Angelo Fiore Tartaglia, një avokat që ka punuar me disa nga viktimat kundër Ministrisë së Mbrojtjes, tha se vendimi mund të përfaqësojë një pikë kthese për mijëra italianë që pretendojnë se janë dëmtuar nga uraniumi i varfëruar.

“Ky vendim… më në fund do t’i japë fund orvatjeve [nga qeveria] për të fshehur të vërtetën”, tha Tartaglia pas vendimit.

Në fund të vitit 2015, parlamenti italian gjithashtu votoi për themelimin e një komisioni të ri hetimor.

Por sërish, kryetari i tij Giorgio Scanu [nga Partia Demokratike në pushtet] i tha gazetës nga Roma “L’Espresso”, se qëllimi nuk ishte të provohej një lidhje ndërmjet ekspozimit ndaj D-38 dhe kancerit, por “për të mbrojtur ushtarët tanë… duke mundësuar që ata të marrin kompensim pa qenë nevoja që të provohet ekzistenca e kësaj lidhjeje”.

“Ne jemi të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje… dhe jemi plotësisht të vetëdijshëm sesa serioze është situata. Do të donim që komisioni ynë të ishte i fundit në një seri që deri më tash ka qenë shumë e gjatë”, tha Scanu.