Erion Veliaj gjatë përurimit të një kopështi fëmijësh në Tiranë | Foto: Facebook

Sikletet e të Qenit Kryetar i Tiranës

Pak pas fitores së zgjedhjeve të qershorit 2015, Erion Veliaj vuri re se nxënësit e Tiranës kishin një problem: ata bashkërisht humbnin 33,000 orë mësimi çdo javë duke munguar në orën e parë për shkak të ngecjes në trafikun urban. Fajtori i zakonshëm? Makinat e shpërndarjes së ushqimit që bllokonin rrugët.

“Ishte kaos,” tha Veliaj në një intervistë gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë javën e kaluar. “Ata vijnë me një kamion, duan të shpërndajnë ushqim dhe bllokojnë trafikun”.

Veliaj lëshoi urdhër që të ndalohet shpërndarja e ushqimit nga ora 7:00 deri në 9:00 pavarësisht protestës nga ana e biznesmenëve.

“Thashë, ‘prit pak, kjo është një çështje e vlerave.’ A janë 100,000 fëmijë që humbasin orën e parë të mësimit më të rëndësishëm sesa një mijë kamionë me çamçakëzë? Është hollësi e vogël në mes një milion gjërave tjera, por është një gjë e vogël që tregon se kemi pak hapësirë, dhe më së miri është ta përdorim atë me radhë”.

Në kohën kur viti i ardhshëm shkollor kishte mbërritur, protestat kundër urdhrit ishin shuar, por kritikuesit u ishin vërsulur disa nismave tjera të Veliaj për dëbimin e familjeve rome për ndërtimin e kapaciteteve rekreacionale pranë liqenit.

Veliaj mbante postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kur hyri në garë vetëm 45 ditë para zgjedhjeve vendore të vitit 2015 pas një periudhe të gjatë paqartësie paraelektorale në radhët e Partisë Socialiste.

Dikur aktivist i shoqërisë civile si lider i Lëvizjes Mjaft, ai më vonë themeloi partinë politike Lëvizja G99, e cila në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 nuk arriti të fusë asnjë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas disfatës së partisë së tij, po atë vit, Veliaj iu bashkua PS-së së Edi Ramës.

Sot ai dhe ekipi i tij kanë zhvilluar një aplikacion për të ndihmuar grumbullimin e informatave për edukimin mbi problemet e komunitetit dhe zgjidhjen e tyre duke i shënjestruar lagjet veçmas.

Kur mori detyrën, Veliaj vendosi sensorë trafiku, kamera rrugore dhe pjesën e aplikacionit që mbështetej nga qytetarët e brandoi si “Tirana Ime”. Gjatë vizitës së tij zyrtare, ai ia ofroi këtë platformë falas kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë se një nga sfidat e përbashkëta të të dy kryeqyteteve është numri i madh i automjeteve.

Deri në vitin 1990, posedimi privat i automobilëve ishte i ndaluar në Shqipëri. Në Tiranën e sotshme, një qytet me afro një milion banorë, janë 130,000 vetura që bëjnë diku 800,000 udhëtime në ditë, thotë Veliaj. Sidoqoftë, sipas të dhënave të mbledhura nga ekipi i tij, gjysma e këtyre udhëtimeve janë më të shkurta se një kilometër.

Erion Veliaj dhe stafi i tij i ngushtë mbikëqyrin planet për zhvillime infrastrukturore në Tiranë | Foto: Facebook
Erion Veliaj dhe stafi i tij mbikëqyrin planet për zhvillime infrastrukturore në Tiranë | Foto:  Facebook

“Është e qartë që kjo nuk ka të bëjë me parkingje apo distanca, ka të bëjë me mendësinë,” thotë Veliaj. Tirana po shndërrohet në një qendër të artit, arkitekturës dhe kuzhinës. Edi Rama, i cili ishte kryetar i Tiranës para se të bëhej kryeministër, është i njohur për zbukurimin e ndërtesave të zymta të kohës së komunizmit me ngjyra dhe lara të shumëllojshme. Veliaj, po ashtu pjesë e Partisë Socialiste, po ndjek shembullin e tij, por, duke ndryshuar ndërtesat ekzistuese si dhe duke zhvilluar kanetiere të reja ndërtimi.

“Rem Koolhaas do të vijë këtë muaj për të shqyrtuar ndërtimin e një godine,” thotë Veliaj. “Stefano Boeri, arkitekti i famshëm italian nga Bosco Verticale po bën një plan të përgjithshëm për Tiranën. Dhe pak më parë kemi pasur hapjen e një ndërtese të madhe nga Winy Maas në qendër të Tiranës. Mendoj se shumë nga ta janë ngazëlluar ta kenë Shqipërinë në CV-në e tyre, dhe për ne është e rëndësishme ta vëmë qytetin tonë në hartë duke i sjellë këta njerëz që ta lënë shenjën e tyre në qytet.

Por, ndryshimet nuk janë vetëm pamore, thotë Veliaj. Banorët e Tiranës gjithashtu duhet t’i ndryshojnë veset e tyre.

“Njëzet e pesë vjet më parë ishim duke vuajtur nga uria dhe kujtoj radhët e pritjes për bukë në Tiranë, isha 10 apo 11 vjeç dhe rrija ulur me orë të tëra duke pritur kamionin e bukës. Tash, problemi ynë numër një është mbipesha. Dhe gjithë kjo brenda një gjenerate!”

“Në fillim merrja shumë kritika: Ti je kryetari i bashkisë, ti je këtu për të vendosur asfalt dhe për t’i rregulluar parqet e dritat rrugore, jo t’i mësosh njerëzit si t’i rrisin fëmijët e tyre,” thotë ai. “Por, duhet t’i bësh të dyja, edhe infrastrukturën edhe kulturën.

Veliaj thotë se këto ditë në Prishtinë, njerëzit flasin vazhdimisht për demarkacionin kundërthënës me Malin e Zi, dhe i kushtojnë pak vëmendje mënyrave se si jeta e përditshme në qytet është e demarkuar.

“Është tema e preferuar e gjithsecilit, kush është me turbo patriot… E di se njerëzit shqetësohen për shkak të saj, është në rregull. Por kemi nevojë për demarkacion në qytetet tona sepse po e zaptojmë hapësirën publike në përmasa të pabesueshme: po zaptojmë rrugët ku çdonjëri duhet të jetë i barabartë dhe njerëzit të ecin lirshëm, po zaptojmë trotuarin me makinat tona të shtrenjta, po zaptojmë parqet për të pasur më shumë kafene dhe më shumë dembelë që rrinë tërë ditën duke pirë duhan në vende ku fëmijët do të duheshin të luajnë. Kemi nevojë për atë lloj demarkacioni, dhe askush nuk e përflet atë por flasin për një kullotë të blertë, sigurisht të bukur, ku nuk ka qenë asnjëherë askush por duket mirë në fotografi.”

Veliaj thotë se ka dëshirë të organizojë një mbledhje të kryetarëve të bashkive me popullsi të madhe të shqiptarëve në pesë shtetet e Ballkanit në 26-27 nëntor, vetëm pak para ditës së pavarësisë të Shqipërisë.

Erion Veliaj dhe Shpend Ahmeti në Muzeun Etnografik në Prishtinë | Foto: Bashkia e Tiranës
Erion Veliaj dhe Shpend Ahmeti në Muzeun Etnografik në Prishtinë | Foto: Bashkia e Tiranës

“Dua t’i bashkoj kryetarët e bashkive kryesore të zonës shqipfolëse të përreth, kryetarët e bashkive të Prishtinës, Ulqinit, Tetovës, Preshevës dhe më në fund njëherë të mos flasim për Shqipërinë e madhe por më shumë kam dëshirë të mendoj për Shqipërinë e mirë. Vetëm në këto jeton një e treta e popullsisë shqiptare të rajonit. Po qe se këto qytete punuan mirë së bashku, ke bërë më shumë për një të tretën e bashkëkombësve sesa i gjithë populizmi bashkë.

Kjo mendësi e shtyu ta kontaktojë London Serpentine Gallery me artistin bashkëkohor Anri Sala dhe kërkuan ta bënin qytetin shtëpinë e dytë të instalacioneve të tyre, duke filluar me “The Cloud”, një pavijon në figurë resë me shtylla ta bardha nga artisti japonez Sou Fujimoto.

Kjo bën pjesë në atë që e quan qasja ‘akupunkturore’ e rregullimit të qytetit, duke u fokusuar fuqimisht në përmirësimin e pjesëve kyçe të qytetit.

“Akupunktura nuk i bën masazh secilës pjesë të trupit”, thotë ai. “Por ajo prek një nerv të vogël që mund të ndikojë në funksionimin e gjithanshëm të trupit. Mendoj se qyteti është si trupi i njeriut: Ti përdor akupunkturë në një nerv dhe bën që të gjithë njerëzit të punojnë rreth atij shpimi.

Ai thotë se qasja e tij nuk është domosdoshmërisht e modeluar sipas qyteteve të Evropës Perëndimore, por është e fokusuar në ushqimin frymës së veçantë të qytetit dhe në inovacionet që vijnë nga zonat urbane të dendura të qyteteve në Amerikën Jugore.

“Unë nuk e kam Louvre-in, por unë mund ta kem Renë e Fujimotos dhe bunkerin e Enver Hoxhës,” thotë ai. “Kam vënë re se inovacioni më i mirë nuk vjen nga Evropa, sipas meje. Ai vjen nga vendet si Bogota dhe Medelin, shumë qytete të Amerikës Latine. Ata kanë një mendësi shumë të ngjashme me tonën—njerëz afër bregdetit që duan të pinë kapuçino tërë ditën, dashamirë të argëtimit, merakli të natyrës. Mendoj se shumë inovacione në ditët e sotme vijnë nga ky lloj konteksti i cili nuk gjendet në Evropën veriore. Le të përballemi me faktin se shqiptarët kurrë nuk do të bëhen kalvinistë.

Erion Veliaj marton një çift në Tiranë | Foto: Facebook
Erion Veliaj marton një çift në Tiranë | Foto: Facebook

Jo të gjitha përpjekjet e Veliajt për zbukurim janë pritur me lëvdata të përhapura. Vjeshtën e kaluar, administrata e tij u kritikua pas dëbimit të 48 familjeve rome, të cilat jetonin në parkun afër Liqenit të Tiranës, pranë një prej lagjeve më të shtrenjta të kryeqytetit. Sipas planit, familjeve që ishin të regjistruara si banorë të Tiranës u ishte ofruar strehim i përkohshëm, kurse atyre që ishin të regjistruara në bashki të tjera u takonte vetëm transporti falas deri jashtë kufijve të qytetit.

Ky plan dëbimi është kritikuar nga Këshilli Evropian dhe mbikëqyrësit e tjerë të të drejtave të njeriut.

Në shkurt, kabineti i Veliajt filloi ndërtimin e një këndi lojërash për fëmijë në parkun afër liqenit në Tiranë, një nga vendet e fundit të gjelbra që ka mbetur në qytet. Anëtarë të organizatave ambientaliste dhe partive opozitare qëndruan në park për 78 ditë duke protestuar kundër ndërtimit, dhe shpesh u ndeshën me policët. Ata gjithashtu akuzuan bashkinë se pas këtij ndërtimi të parë ishin parashikuar të tjera, përfshi objekte komerciale si lokale.

Bashkia mohoi se do të ndërtoheshin lokale në atë zonë duke përgënjeshtruar akuzat e aktivistëve. Por një hulumtim i BIRN zbuloi se kontrata ishte dhënë pa tender konkurrues dhe përfshinte ndërtimin e qendrave rekreacionale, një shteg për kuaj, fusha futbolli e basketbolli dhe një klub nate.

Së fundi, administrata e Veliaj është kritikuar me rastin e vdekjes së 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj i cili ishte punëtor nate i paregjistruar i një firme private në landfillin [në Kosovë e quajnë “deponi”] e stërmbushur të qytetit, me të cilën bashkia e Veliaj kishte kontratë. Madje, duke folur kundër ndalimit të riciklimit dhe mbledhjes informale të plehrave, aktivitet i përhapur në Tiranë, në mars Veliaj vizitoi landfillin e Sharrës dhe njoftoi mbledhësit joformalë të mbeturinave, shumica prej të cilëve janë romë, se ata do të mund të punësohen në landfill, gjë që do të ishte në përputhje me të gjitha ligjet dhe normat.

Erion Veliaj gjatë një vizite në impiantin e kompanisë “3R” në landfillin e Sharrës | Foto: Bashkia Tiranë
Erion Veliaj gjatë një vizite në impiantin e kompanisë “3R” në landfillin e Sharrës | Foto: Bashkia Tiranë

Gjithashtu, Partia Demokratike protestoi pas vdekjes së të riut dhe kërkoi që Veliaj të japë dorëheqje. Veliaj deklaroi se vdekja tragjike po shfrytëzohet për përfitime politike, duke insistuar se bashkia nuk e menaxhon drejtpërdrejt landfillin dhe se çështja do të hetohet deri në fund. Administratori i landfillit është momentalisht në arrati.

“Ata [menaxhuesit e landfill] haptazi kanë shkelur kodin e punës”, shpjegon Veliaj. “Le të vazhdoi hetimi deri në fund. Ka njëqind hapësira ku punohet tani në Tiranë. Në secilën nga këto ura apo sheshe, humnera që po i rregullojmë në zona fshatare, mund të ndodhë një aksident. Nëse nis lojën e luajtjes së një hiene politike duke thënë se secila punëtori është drejtpërdrejt e lidhur me kryetarin e bashkisë, i cili siguron punën, ajo gjë thjesht nuk funksionon,” tha Veliaj gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë.

Por ndaj Veliaj nuk reagoi vetëm PD. Aktivistë të shoqërisë civile gjithashtu protestuan kundër tij, dhe tentuan në një rast të shtyjnë një kazan mbeturinash drejt hyrjes së Bashkisë së Tiranës duke u konfrontuar fizikisht me policinë.

Ngjashëm me Ramën, trashëgimia e të cilit mbetet ngjyrimi shumëngjyrësh i fasadave të plasaritura të qytetit, Veliaj është i vendosur në vizionin e tij për një qytet më të rregullt.

“E di se duhet të ketë njerëz që me të vërtetë duan të jetojnë nën shtatoren e Skënderbeut [në qendër të Tiranës], por ajo që thjesht nuk mund të ndodh,” thotë ai. “Por e di se ka një mënyrë që të bëhen të dyja këto; nuk më duhet të vendos mes strehimit të njerëzve dhe të pasurit e një qyteti të lirë apo hapësirë.

Kryetari pranon se zgjedhjet që i bën gjatë rimarrjes së hapësirës publike në Tiranë do të kritikohen, por thotë se ato nuk e pengojnë sepse e di se gjithashtu do të përfitojë mbështetës.

“Po ia shkatërrove dikujt garazhin [e ndërtuar ilegalisht] ku ai mbante Mercedesin e tij të shtrenjtë, do të të urrejë, por në qoftë se e liron sheshin e lojërave, 100 të tjerë do të të duan.”