Si e shohim marrëveshjen? (TV)

Qytetarët e Prishtinës japin mendime të ndryshme rreth marrëveshjes së arritur të premten mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja, por shumica janë të prirë ta komentojnë me tone pozitive.

Disa qytetarë të Prishtinës e shohin si të domosdoshme e mundësi për liberalizimin e vizave dhe thonë se të dy popujt përfitojnë nga kjo marrëveshje, e disa të tjerë thonë se është mundësi e mirë për paqe, e nuk ka as fitues e as humbës, kurse ka që e shohin edhe si të imponuar.

Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar të enjten e kaluar tha se qytetarët e Kosovës nuk do të lëvizin pa viza as gjatë 2014-tës

Derisa pas arritjes së marrëveshjes Komisioni Europian miratoi rekomandimin për shtetet anëtare për mundësinë e hapjes së negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. 

Por kryesisht  kryeqytetasit janë të kënaqur me marrëveshjen e arritur dhe mendojnë se marrëveshja në mes të këtyre dy shteteve nuk është më e mira e mundshme, por është e pranueshme.

Pesëmbëdhjetëpikëshi  që krijon Asociacionin  e Komunave Serbe, i jep këtij trupi kompetenca të plota në fushat e ekonomisë, planifikimit urban, shëndetësisë dhe edukimit, ndërsa mundëson futjen e strukturave  të sigurisë së serbëve të vendit nën kornizën institucionale të Kosovës.

Marrëveshja komunitetit serb i jep kompetenca për përzgjedhjen e komandantëve policorë dhe gjykatësve në veri, derisa Serbia dhe Kosova zotohen se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën gjatë rrugës së tyre europiane.

Gazeta Jeta në Kosovë ka ndjekur në vazhdimësi të gjitha reagimet e pasmarrëveshjes të shoqëruara edhe me protesta, por që më shumë kanë qenë të përmbajtjura, me pritje dhe fjalë të matura.

Në kryeqytet, ndonëse të rrallë, ka edhe qytetarë që mendojnë se marrëveshja është e  papranueshme.