Shumë e Rrezikshme për Të Mos e Trajtuar

Ylli i Hollywoodit Angelina Jolie, me rolin kryesor edhe në filmin “Shumë e bukur për të vdekur”, më 14 maj shkruante se i kishte hequr dy gjinjtë e saj nëpërmjet një operacioni për të parandaluar rrezikun e lartë të zhvillimit të kancerit. 

Jolie pohonte në kolumnën e saj “Zgjedhja ime mjekësore”, që u botua në New York Times, se mjekët kishin konstatuar se rreziku për t’u prekur nga kanceri në rastin e saj ishte në masën prej 87 për qind, për shkak të trashëgimisë. 

Nëna i kishte vdekur Jolie-t nga kanceri i gjirit. Tash, vetëm dy javë pas artikullit, u raportua se asaj i vdiq edhe tezja. Nga e njëjta sëmundje – që, sipas mjekëve, vërehet në shumicën e rasteve në fazë të avancuar.

“Po e shkruaj këtë artikull tash, pasi shpresoj se gratë tjera mund të përfitojnë nga përvoja ime. Kanceri ende është një fjalë që i tmerron zemrat e njerëzve, duke prodhuar ndjenjë të thellë të pafuqisë”, shkruan Jolie.

Angelina Jolie

Aktorja, e angazhuar edhe si ambasadore e Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare, për vite është e njohur edhe për bukurinë e saj. Prandaj artikulli i saj ishte i prekshëm. 

Në Europë, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është shkaktari i dytë i vdekjes, me 28 për qind të rasteve që i takojnë kancerit në gji. Të dhënat duken të përafërta edhe në Kosovë për nga evidentimi i rasteve me kancer, por nuk ka shifra të sakta as për paraqitje të tij dhe as për vdekje si pasojë. 

Gratë e ndjenë se ç’thoshte Jolie e cila, shkencërisht, ia ka rritur gjasat vetës për të jetuar duke e shmangur kancerin.

Në Kosovë, më 2007, Rafete Haziri, një grua 52 vjeçare nga Prishtina, reagoi më vonë sesa Jolie për nga stadi i kancerit.  

Haziri kishte vërejtur disa gjëndra në gjirin e saj. 

Ajo qe drejtuar te mjeku pasi në shtator atë vit kishte pasur tri ditë dhimbje të vazhdueshme. 

“Momenti më i vështirë ka qenë kur më ranë flokët. E pashë se mbeta pa asnjë qime sikurse është shuplaka e dorës. Rafete Haziri

Që nga koha e gjëndrave kishin kaluar dy muaj dhe ajo e kishte kuptuar se ishte e sëmurë më kancer. Ishte vlerësuar si rast urgjent në nevojë të operimit të menjëhershëm. 

“Ishte lajmi më i rëndë. Isha vetëm në klinikë kur më treguan. Krejt rrugën, derisa kam ardhë në shtëpi, kam qarë…”, rrëfen ajo.  

“Momenti më i vështirë ka qenë kur më ranë flokët. E pashë se mbeta pa asnjë qime sikurse është shuplaka e dorës…”. 

Rafete Haziri

Megjithatë, Haziri, e cila jeton bashkë me burrin e saj, kishte vendosur të luftonte. Në këtë zotim, problemin më të madh e kishte sigurimin e mjeteve financiare.

“Gjithçka më është dashur ta paguaj atëherë. Krejt – edhe kontrollet, edhe operacionin, edhe terapitë kanë qenë me para. Por, më ndihmuan vëllezërit”. 

Kur e kishte kuptuar, kanceri ishte në stadin e dytë.

“Operacioni pati sukses se janë bërë 7 vjet e nuk më është kthyer kanceri”, thotë ajo. “Ende vazhdoj të jetoj, pa frikë”. 

Edhe tani Haziri vazhdon me kontrolle të rregullta çdo gjashtë muaj. 

Ekzistojnë histori si kjo të shumë grave që diagnostifikohen për çdo vit në Qendrën Klinike Universitare në Kosovë.

Autoritetet shëndetësore në vend nuk kanë të dhëna të sakta por pohojnë se qindra gra vit për vit diagnostifikohen me sëmundjen e kancerit në gji.

Në tërë botën miliona gra janë të prekura nga ky lloj kanceri. Shkolla Europiane e Onkologjisë ka paralajmëruar mbajtjen e një konference mbarë-botërore për kancerin e gjirit në fazë të avancuar e që do të mbahet prej 7 deri më 9 nëntor në Lisbonë të Portugalisë. 

Lobueset kundër kancerit 

Nafije Latifi, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare Kundër Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, e ngriti këtë organizatë pasi vetë u përball me sëmundjen. 

Pas shumë kontrolleve mjekësore, në Shkup ishte diagnostifikuar me kancer në gji, më 2004. 

Qe operuar atë vit. “Atëherë kushtet edhe mundësitë kanë qenë edhe më të kufizuara”.

Por e kishte gjetur forcën të luftojë, thotë ajo, pasi afër vetes kishte familjen, vëllezërit, motrën dhe shoqërinë. “Janë momente shumë të rënda kur përballesh me një sëmundje për të cilën nuk ke as informacion sa duhet…”, thotë Latifi. 

“Janë momente shumë të rënda kur përballesh me një sëmundje për të cilën nuk ke as informacion sa duhet. Nafije Latifi.

Prandaj qendrën Jeta/Vita ajo e ngriti si një vend për përkrahjen e gruas së prekur nga kanceri. 

“E pashë sa vështirë e kanë gratë që janë me kancer të gjirit. Kam menduar se çfarë bëjnë ato që nuk i kanë mundësitë, përkrahjen dhe informatat që i kam pasur unë”, thotë Latifi. 

Qendra… më 8 mars të vitit 2006 organizoi aktivitetin “Nuk duam lule-Duam kujdes më të madh shëndetësor ndaj grave”. 

Latifi pohon se Qendra…më vonë organizoi protesta tek Ministria e Shëndetësisë, punoi për vetëdijesimin e grave për vetëkontroll me qëllim të zbulimit të hershëm të kancerit si dhe mbajti ligjërata nëpër komuna me mjekë e ekspertë. 

Një tjetër aktivitet në luftën kundër kancerit në gji është iniciativa e grupit të grave deputete për blerjen e një mamografie mobile që shërben për diagnostifikim të hershëm të kancerit. 

 Teuta Sahatqija, kryetare e grupit, thotë se deri tani janë mbledhur mbi 200 mijë euro në xhirollogarinë e këtij aktiviteti humanitar. Sipas saj, premtimet janë që shuma të arrijë shifrën prej 250 mijë eurosh. 

“Mendoj se në vjeshtë veç do të përfundojë procesi dhe të vazhdojë me ato procedurat kohore për tender, por nuk do të na pret dimri dhe aparatura do të jetë këtu”, thotë Sahatqija. 

Aparatura është paraparë se do të kushtojë prej 250 deri në 300 mijë euro.

Ajo thotë se kësaj iniciative iu përgjigjën shumë ambasada, institucione, deputetët individualisht, bizneset etj.

Teuta Sahatqija

Sipas saj, donatori kryesor – ambasada norvegjeze ka kontribuar me 76 mijë euro, ambasada holandeze me 25 mijë, ajo franceze me 5 mijë. Pastaj ministritë – ministria e integrimeve 10 mijë, e pushtetit lokal 4 mijë etj.

Udhëheqësja e grave deputete pohon se edhe vetë ishte e diagnostifikuar me kancer në gji në vitin 2008.

Thotë se ishte shëruar pasi e kishte vërejtur në fazë të hershme zhvillimin e kancerit në gji. 

“Shpëtova duke mos hyrë në ato procedurat e shtrenjta, në procedurat e vështira me dhimbje dhe emocione të rënda…”, tregon Sahatqija. 

“Shpëtova duke mos hyrë në ato procedurat e shtrenjta, në procedurat e vështira me dhimbje dhe emocione të rënda. Teuta Sahatqija.

Ajo thotë se rasti i saj personal ka ndikuar që ajo t’u ndihmojë edhe grave tjera.

“Motrat e mia dhe gratë tjera ndikuan në mua që ta bëjë një kontroll edhe përkundër faktit që nuk kisha shenja ose simptoma të kancerit”, thotë ajo

“Duke iu falënderuar atyre shpëtova. E shoh si obligim timin që unë të vazhdoj t’u ndihmoj të tjerave që të kalojnë lehtë ashtu siç kalova unë”, shton Sahatqija.

Deputetja pohon se me Ministrinë e Shëndetësisë kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi sipas së cilës ministria obligohet që të përkujdeset për këtë aparaturë. 

Mamografia Mobile

Ministria obligohet që të kujdeset për parkimin, benzinën e shoferin si dhe specializimin e 3 personave që do të jenë në gjendje të punojnë me këtë aparaturë. 

 

 

Kontrbitutet për mamografinë mobile mund të bëhen në: ProCredit Bank Kosovë
Account: 1110 102014 0601 59

 

Zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë Faik Hoti thotë se përveç aparaturës së re të mamografisë që do të sigurohet, ekzistojnë edhe mamografi tjera nëpër klinika publike në Kosovë të cilat mund të shfrytëzohen pë kontrollim nga gratë. 

Ministria thotë se çdo vit nga buxheti i saj ndan mjete për blerjen e barnave për sëmundjen e kancerit të të gjitha llojeve. 

Ministria nuk specifikon saktë sesa euro ndan për kancerin në gji. 

“Ndahen prej 4.5-5 milionë euro për blerjen e citostatikëve që përdoren për kimioterapi te personat e prekur nga sëmundjet kancerogjene dhe që trajtohen në Onkologji”, thotë Hoti. 

“Ndahen prej 4.5-5 milionë euro për blerjen e citostatikëve për kimioterapi te personat e prekur nga sëmundjet kancerogjene. Faik Hoti

Sipas tij, pjesë e listës esenciale që blihet nga ministria për t’iu dhënë pacientëve janë mbi 50 produkte që përdoren në kimioterapi. 

“Këtu përfshihet edhe Herceptina, që është një bar shumë i shtrenjtë të cilin ministria e siguron për pacientet që trajtohen nga kanceri i gjirit dhe për aq sa ka në dispozicion, ajo u jepet pacientëve”, thotë Hoti. 

Nafije Latifi thotë se e shqetëson fakti që sëmundja e kancerit trajtohet edhe si biznes pasi që terapia për këtë sëmundje është shumë e kushtueshme.

“Gjithkund në vendet e botës të sëmurit me kancer shërohen falas. Terapitë merren falas. Në Kosovë nuk mjaftojnë barnat që janë në QKUK prandaj njerëzit duhet të shkojnë në institucione private që t`i marrin ato” tha Latifi.

 “Të pakta janë familjet tona që munden me i pas 12 mijë deri në 20 mijë euro për një të sëmurë”, tha ajo.

Mejreme Krasniqi-Maloku, onkologe në QKUK, thotë se shpenzohen 9 milionë euro në vit për kemo -terapi të sëmundjeve të kancerit. 

Sipas saj, ministria ndan 5 milionë euro ndërsa pjesa tjetër prej 4 milionë eurosh i mbetet barrë pacientëve. “Por, ky problem është edhe në vendet e rajonit”, thotë ajo. 

“Ky problem është edhe në vendet e rajonit” Mejreme Krasniqi

Institucionet nuk kanë të dhëna të sakta për kancerin në gji 

Qendra Klinike Universitare në Kosovë nuk ka statistika të sakta të të prekurve me sëmundjen e kancerit në gji. 

Mejreme Krasniqi-Maloku, onkologe në qendër, thotë se përkundër ekzistimit të kancero-regjistrit në spitalin publik databaza është ende në zhvillim. 

Sipas onkologes, prej rasteve që janë trajtuar në Institutin Onkologjik në QKUK për dy vitet e fundit, prej 3 mijë pacientëve me kancer, 1 mijë e 100 kanë qenë me kancer të gjirit .

“Pra janë rreth 30 për qind me kancerin e gjirit, por është një shifër edhe për rastet e reja edhe ato të diagnostikuar më herët. Dyshohet se brenda vitit 200-300 paciente të reja vijnë në onkologji”, thotë ajo.

Mejreme Krasniqi-Maloku

Onkologja Krasniqi-Maloku thotë se shkaktarët e drejtpërdrejtë të kësaj sëmundjeje nuk dihen mirëpo faktorët e rrezikut mund të jenë mosha, gjinia, ambienti, stresi, duhani dhe 15-20 për qind trashëgimia.

“Forma e parë e mbrojtjes është vetekzaminimi, ku secila femër gjatë pastrimit i kontrollon gjinjtë dhe ndryshimin më të vogël mund ta vërej vetë”, thotë ajo. 

Femrat pas moshës 25 vjeçare duhet të bëjnë ultrazë ndërsa ato pas moshës 40 vjeçare duhet patjetër të bëjnë mamografi së paku njëherë në dy vjet. 

Sëmundja e kancerit zhvillohet në 5 stade. 

Stadi zero është kancer joinvaziv që shërohet tërësisht ndërsa stadi 1 dhe 2 janë kancere të hershme. 

Stadi i tretë llogaritet si i avancuar ndërsa stadi i katërt llogaritet si kancer i vonuar. 

Instituti Onkologjik diagnostifikon rastet me kancer të pacientëve të cilët drejtohen për operim në Kirurgjinë Torakale. 

Fitim Selimi, shef i repartit të Kirurgjisë Torakale, thotë se nuk mund të flasë për numër të saktë të të prekurëve me kancer në gji në nivel të Kosovës. Por, sipas tij, vetëm në këtë klinikë gjatë 2011-es janë trajtuar 105 raste të reja me kancer gjiri ndërsa gjatë 2012-es janë zbuluar 117 raste tjera. 

“Nëse llogariten edhe shifrat tjera të ordinancave private ky numër mundet me arrit deri në 150 tjera për një vit”, thotë Selimi. 

Ministria e Shëndetësisë po ashtu nuk raporton për statistika të sakta të sëmundjeve me kancer të gjirit. 

Zëdhënësi i MSH-së Faik Hoti pohon se një raport i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, një institucion vartës i ministrisë, tregon se në Kosovë janë raportuar 2 mijë e 311 raste me kancer të të gjitha llojeve. Në këtë raportim sipas Hotit përfshihen edhe disa institucione private shëndetësore. 

“Llogaritet që diku rreth 20-25 për qind të rasteve te kancerit te regjistruara më 2012 kanë qenë të lidhura me kancerin e gjirit, sipas IKSHP-së”, thotë Hoti. 

Ministria e Shëndetësisë pohon se nuk ka të dhëna të sakta as sa i përket rasteve të vdekjes nga kanceri i gjirit.

Hoti thotë se sigurimi i statistikave të sakta dhe plotësisht të besueshme duhet të presë edhe pak kohë.

“Derisa sistemi i informimit shëndetësor (SISH) të funksionalizohet në tërësi dhe sistemi i raportimit të jetë ngritur në shkallë më të mirë se që është tani”.