Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

Shtohen Kushtet e Bankës Botërore për ‘Kosovën e Re’

Përkrahja e Bankës Botërore për Termocentralin “Kosova e Re” është kushtëzuar me përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme teknike, ekonomike, mjedisore, sociale, ligjore dhe financiare të Grupit të Bankës Botërore.

Banka Botërore nuk e ka ndryshuar qëndrimin karshi projektit të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e një termocentrali në afërsi të Obiliqit.

NDËRLIDHUR

Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Europë dhe Azi Qendrore në një letër të dërguar te ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci i ka numëruar kushtet që Qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë para se bordi i këtij institucioni financiar të marrë vendim nëse do ta përkrahë këtë projekt për prodhimin e energjisë nga djegia e qymyrit. Letra ishte dërguar te qeveria si përgjigje ndaj kërkesës së Stavilecit për përkrahjen e Bankës Botërore për projektin e ndërtimit të një termocentrali prej 450 megavatësh.

Përkrahja eventuale e bankës do të ishte një garanci për huadhënësit komercialë për projektin e propozuar energjetik të Kosovës si dhe përkrahjen nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencia Multilaterale për Garancione të Investimeve (MIGA). Këto garancione do të jenë të nevojshme për financimin e ndërtimit të termocentralit, i cili pritet të kushtojë rreth 1 miliardë euro.

Kompania “Contour Global” pritet të financojë 30 për qind të kësaj kostoje, ndërsa pjesa tjetër prej 70 për qind do të financohet nga kreditë.

Lista e kushteve që ka vendosur Banka Botërore është e gjatë dhe nuk ka ndryshuar që nga viti 2012. Në vitin 2012, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europë dhe Azi ia kishte dërguar një letër Qeverisë së Kosovës duke konfirmuar se “Banka Botërore do të ishte e gatshme në parim të shqyrtojë dhënien e një garancioni për huadhënësit komercialë për projektin e propozuar energjetik të Kosovës”.

I njëjti qëndrim është ripërsëritur edhe njëherë në letrën e muajit tetor të vitit 2016.

“Dua t’u siguroj se kjo përkrahje në parim mbetet, sikurse edhe kërkesat dhe politikat tona që do të aplikohen, përderisa lëvizim përpara në përgatitjen e garancionit nga IDA dhe detajimin e përkrahjes nga IFC dhe MIGA”, thuhet në këtë shkresë.

Por, në këtë letër janë listuar punët dhe kushtet që duhet t’i plotësojë Qeveria e Kosovës për të marrë përkrahjen e Bankës Botërore.

“Kjo përkrahje në parim ishte e kushtëzuar me vlerësimin e kënaqshëm të projektit nga Grupi i Bankës Botërore, pajtimin me të gjitha kërkesat e aplikueshme, duke përfshirë këtu ato që kanë të bëjnë me çështjet sociale dhe mjedisore, si dhe aprovimin nga drejtorët ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore”, thuhet në letrën e Mullerit, zëvendëspresidentit të Bankës Botërore për Europë dhe Azi Qendrore.

E njëjta është rikonfirmuar edhe nga menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli.

“Banka Botërore do të marrë vendim se a do të përkrahë  projektin e ri energjetik të Kosovës vetëm atëherë kur të gjitha analizat relevante mjedisore, sociale dhe teknike të jenë zhvilluar, kur konsultimet me publikun të jenë mbajtur dhe kur Bordi i Bankës dhe aksionarët e saj ta kenë shqyrtuar projektin”, tha Mantovanelli.

Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë ka thënë se letra e dërguar në tetor është rikonfirmim i pozicionit të ditur tashmë të Bankës Botërore.

“Kjo përkrahje në parim është e kushtëzuar me përmbushjen e të gjitha kërkesave të aplikueshme, përfshirë këtu ato të lidhura me çështjet sociale dhe mjedisore, si dhe aprovimin e Bordit të Drejtorëve të Bankës Botërore”, tha ai.

Banka Botërore ia ka kujtuar qeverisë së duhet të rifreskohet studimi i opsioneve dhe të ketë një riangazhim të panelit të ekspertëve të jashtëm.

“Një hap i parë i rëndësishëm në përmbushjen e kritereve strikte të Grupit të Bankës Botërore për përkrahjen e gjenerimit të ri të energjisë nga djegia e thëngjillit, siç definohet në Kornizën Strategjike për Zhvillim dhe Ndryshime Klimatike (SFDCC), do të jetë rifreskimi i studimit të opsioneve dhe ri-angazhimi i Panelit të Ekspertëve të Jashtëm për të vlerësuar pajtueshmërinë e projektit me SFDCC”, thuhet në shkresën e Mullerit.

Ai ka thënë se aktualisht janë në proces të një kujdesi të duhur (due-diligence) për projektin e termocentralit.

Në shkresën e Bankës Botërore thuhet se do të rishikohet vlerësimi mjedisor dhe social i projektit. Por, në fakt një studim i tillë asnjëherë nuk është publikuar nga institucionet e Kosovës.

“Ne po ashtu do të duhet të rishikojmë një vlerësim të rifreskuar të Impaktit Mjedisor dhe Social (ESIA) për konfigurimin e ri të propozuar të projektit, ta publikojmë draftin e tij dhe të zhvillojmë konsulta publike para vlerësimit nga ana e bankës.  Sigurimi i shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës është prioritet ynë i përbashkët”, thuhet në shkresën e Bankës Botërore.

Përveç kësaj, Banka Botërore ia ka kujtuar Qeverisë së Kosovës që edhe zhvillimi i minierës së re të qymyrit prej nga do të furnizohet me qymyr termocentrali i ri duhet t’i përmbushë të gjitha politikat mjedisore dhe sociale të bankës. Këto politika njihen si standard botëror për mbrojtjen e njerëzve të ndikuar nga projektet.

Pas heqjes së minierës së qymyrit nga pakoja e projektit, barra për zhvillimin e minierës dhe zhvendosjen eventuale të qytetarëve që preken nga zgjerimi i mihjes i bie Qeverisë së Kosovës.

“Duam të përsërisim se Grupi i Bankës Botërore i jep prioritetin më të lartë përkujdesit që zhvendosja e asocuar me KRPP-në të menaxhohet sipas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në shkresën e zëvendëspresidentit të Bankës Botërore për Europë dhe Azi.

Banka Botërore ka edhe një tjetër kusht të veçantë për përkrahjen e projekteve që për bazë kanë djegien e qymyrit.

“Banka do të përkrahë gjenerim të ri të energjisë nga thëngjilli vetëm në rrethana jashtëzakonisht të rralla ku thëngjilli është opsioni i vetëm i përballueshëm për të përmbushur nevojat energjetike të vendit”, thuhet në shkresën e Bankës Botërore.

Mulleri thotë se Strategjia e Energjisë është kritike për të ndihmuar Kosovën të rritet ekonomikisht, të zvogëlojë varfërinë, si dhe të krijojë vende pune e shërbime më të mira për qytetarët.

“Strategjia e Energjisë ka nevojë të përfshijë një miks të energjisë së ripërtërishme, efiçiencës së energjisë, integrimit rajonal dhe gjenerimit termik më të pastër që do të zvogëlojë ndotjen nga centralet e vjetruara ekzistuese që po dëmtojnë shëndetin e njerëzve”, thuhet në shkresën e Mullerit. Kjo letër e zëvendëspresidentit të Bankës Botërore ishte interpretuar nga ministri Stavileci si mbështetjen e Bankës Botërore në ndërtim të këtyre kapaciteteve energjetike.

“Pas shumë kohe mund të themi se kemi arritur që ta kemi një letër mbështetëse për Strategjinë e Energjisë, për Projektin ‘Kosova e Re’ dhe projekte të tjera me të cilat sigurohet një furnizim i rregullt me energji, po edhe me disa kushte. Janë ato që i thashë me herët që ne duhet që në kuadër të politikave sociale dhe ambientale ta kemi një qasje tjetër”, ka thënë Stavileci në konferencën e mbajtur më 14 shkurt.

Ministri Stavileci ka thënë se projekti i termocentralit ”Kosova e Re” ndodhet në fazat e avancuara të negociatave duke paralajmëruar se nënshkrimi i marrëveshjeve komerciale mund të ndodhë deri në fund të muajit mars.

Stavileci bëri të ditur se pas përmbylljes së gjithsej 9 marrëveshjeve komerciale të cilat do të nënshkruhen, nis faza më atraktive e projektit të cilën do ta bëjë investitori amerikan në bashkëpunim me MZHE-në, BB-në dhe partnerët e tjerë në mënyrë që të kemi garë sa më të madhe në mesin e ndërtuesve të termocentralit.

Tha se gjatë këtyre negociatave me kompaninë amerikane “Contour Global” ndër qëllimet kryesore që janë parashtruar ishin siguria e furnizimit dhe çmimi i pranueshëm dhe mbrojtja e mjedisit.

“Ndoshta një nga të arriturat më të mëdha është që kemi arritur që nga një strukturë që ka qenë ndërto, opero dhe posedo, ta kthejmë në modelin ndërto, opero dhe transfero. Pra, pas 20 vjetësh ky termocentral do të jetë në pronësinë tonë”, tha ai.

Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) javën e kaluar ka prezantuar një kronologji të shkeljeve që janë bërë në Projektin e “Kosovës së Re” që nga inicimi në vitin 2006. Disa nga shkeljet që i konsideron KOSID-i janë edhe pjesë e kushteve të Bankës Botërore të listuara në letrën dërguar ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Përveç shkeljeve ligjore, KOSID-i ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të hetojë këtë projekt që është nisur para 12 vjetëve.

Dosja me Shkelje e TC ‘Kosova e Re’ Dërgohet në Prokurori

 

21 Shkurt 2017 - 18:23

Visar Prebreza, Kaltrina Rexhepi 21/02/2017 - 18:23
NDËRVEPRIMI0