Shtetndërtimi = Politika e Jashtme

Marrëveshja e Brukselit ka lëkundur status quo-n në dy drejtime: pritet t’u japë fund strukturave paralele – duke pasuar në të njëjtën kohë me formalizimin e mekanzimit – Bashkësisë së Komunave Serbe.

Ky mekanizëm, me atribute gjysmë-shtetërore, do të shërbejë si vegël e fqinjit verior për realizimin e objektivave gjeo-politike të saj në rajon. 

Bashkësia do të ketë ndikim jashtëzakonisht negativ për sa kohë mbetemi vend i dobët – me një ekonomi oligarkike dhe pa prodhim e cilësi në arsim, me një sistem ligjor tepër të dobët (lexo: të ndikuar politikisht) për t’i bërë ballë krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me një demokraci të brishtë (numër i ulët i protestave, nivel i ulët e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje etj.). 

Objektivi i parë i Serbisë është hapja e rrugës (aty ku reformat ngecin për shkak të vullnetit, ose kapaciteteve të kufizuara institutionale) për integrim në Bashkimin Europian (si në rastin e dialogut për veriun, ku arriti të fitojë të drejtën për të filluar bisedimet për antarësim) dhe futja e Kosovës nën ombrellën gjeo-ekonomike të saj që do t’a varësojë edhe më tutje me eksport enorm dhe do ta bëjë politikën e jashtme të Kosovës praktikisht të hendikepuar dhe amorfe. 

Kjo do të përfundojë patjetër në linjëzimin e politikës së jashtme të Kosovës me politikën e jashtme të Serbisë, ose së paku ta paralizojë këtë të parën në atë shkallë sa që të mos mund të jetë (së paku) antagoniste në raport me interesat e Serbisë (ngjashëm me politikën e jashtme të shteteve të Beneluksit në raport me politikën e jashtme të Francës dhe Gjermanisë). 

Ndërkohë, dihet mirëfilli se që nga viti 2011 me lansimin e strategjisë së re të politikës së jashtme të Obamës, fokusi diplomatik dhe ushtarak amerikan tani e tutje do të përqendrohet tek Azia e largët, përkatësisht Kina. ShBA-të duhet të jenë të afta ta ketë nën kontroll rritjen e shpejtë të saj, dhe kështu të shmangin situatën ku raporti Kinë-ShBA mund të marrë dimension të ri në aspektin e  sigurisë në Lindjen e Largët, në shekullin që kemi hyrë. Si rezultat, ky vakuum gjeo-politik në rajonin e Ballkanit do të mbushet patjetër nga Turqia-aleati më kredibil i ShBA-së në mesdhe. 

(Kjo për shkak të mosbesimit të ShBA-së ndaj Gjermanisë anti-intervencioniste dhe Francës anti-anglosaksone, dhe po ashtu Britanisë së Madhe që historikisht nuk ka pasur interesa shumë të mëdha në rajonin e Ballkanit, me përjashtim të rasteve kur interesat e saj janë cenuar nga Rusia, Perandoria Osmane, ose Perandoria e Habsburgëve). 

Në anën tjetër, vakuumi veç ka filluar të mbushet edhe nga Gjermania (për shkak të pozicionit shumë të fusiqshëm karshi rrjedhave ekonomike të krizës së bllokut). Ky shtet pritet t’i vëjë në siklet vendet që pretendojnë t’i bashkohen bllokut evropian, me qëndrim të palëkundur sa i përket përmbushjes strikte të kritereve të Kopenhagës (u dëshmua me rastin e Kroacisë dhe presionit ndaj strukturave shtetërore të Serbisë përgjatë negociatave me Kosovën). 

Megjithatë, Serbia do të arrijë të përfshihet në bllokun e shteteve si Bullgaria e Rumania. Për Brukselin, më e rëndësishme se çështja e përmbushjes së kritereve do të jetë antarësimi sa më i shpejtë i Serbisë në BE, duke prishur kështu projeksionin e fuqisë diplomatike ruse në rajonin e përmbushur me histori. Në të njëjtën kohë, kjo domosdoshmërisht do t’i lëkundë raportet Serbi-Kosovë përgjatë rrugës së tyre drejt Brukselit. 

Politika e jashtme e Kosovës, kështu, do të jetë e varur nga 3 faktorë: faktori i shtetndërtimit, faktori i fillimit të zbatimit të marrëveshjeve (duke përfshirë edhe marrëveshjet e ardhshme) të Brukselit, dhe faktori – Turqi & Gjermani. 

Koincidencialisht, të tre faktorët ndërlidhen kryekëput me marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë. Procesi i shtetndërtimit është në proporcion të zhdrejtë me efektshmërinë e diplomacisë së shtetit tonë për të arritur objektivat e politikës së jashtme në raport me Serbinë, Brukselin dhe Washingtonin. Sa më i kufizuar të jetë veprimi i institucioneve shtetërore në krijimin e shtetit ligjor, konsolidimin e domkracisë dhe zhvillimin ekonomik, aq më shumë do të jemi peng të interesave gjeopolitike të fqinjit verior dhe po ashtu do të vazhdojmë të përballemi me rritjen e vazhdueshme të pamjes negative karshi miqve perëndimorë dhe anasjelltas, me pak dallime. 

Nëqoftëse i përmbushim këto objektiva, interesat gjeopolitike domosdoshmërisht do të vihen në nivelin e raporteve të reciprocitetit. Ndërkaq, nëse e kemi parasysh faktin e fillimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe procesin e shtetndërtimit – që janë shumë të ndërlidhura në kontekst të marrëdhënieve me fqinjin verior, ne do të kemi jashtëzakonisht shumë probleme në procesin e shtetndërtimit.

Fokusi që do të duhej t’i bëhej zbatimit në praktikë të marrëveshjes (e cila do të hasë në shumë probleme), do të pamundësonte fokusimin e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë në problemet esenciale të shtetit të ri. Ndërkaq, mosfokusimi në çështjet esenciale të këtilla, do të ndikonte drejtpërdrejt në varësimin e mëtutjeshëm ndaj objektivave strategjike të Serbisë dhe cungimin e mëtutjeshëm të projektit të shtetit pesëvjeçar.

Ajo çka duhet të kuptojnë qytetarët e Kosovës është që procesi i shtetndërtimit është esencial. Është alfa dhe omega e çdo gjëje. Serbia, Brukseli dhe Washingtoni duhet ta kuptojnë, po ashtu, që Kosova e dobët do të sjellë probleme për të gjithë. Serbisë do t’ia tërheqë vëmendjen ndaj fokusimit në problemet e brendshme të saj; Brukselit do t’ia destabilizojë projeksionin diplomatik duke krijuar hapësirë për tensione ndëretnike dhe pasiguri dhe Washintonin mund ta detyrojë të rifokusojë energjinë diplomatike dhe ushtarake në rajonin tonë.