Foto-ilustrim| Foto: Atdhe Mulla

Shteti që Lejon të Mbytesh

Në Republikën e Kosovës ka fshatra që janë shumë pranë rrugëve magjistrale, ose thënë ndryshe ka rrugë magjistrale të cilat janë shtruar pranë apo përmes fshatrave.  Këto forma të rrugëve magjistrale që hasen zakonisht në shtete që janë të afektuar nga kaosi ose papjekuria institucionale, rrezikojnë bindshëm jetën e qytetarëve. Ndërsa çfarë e bën të nevojshme tëhuajzimin e një tolerance ndaj këtij problemi në këto rrugë është mungesa e nënkalimeve ose mbikalimeve që janë të domosdoshme për sigurinë e qytetarëve.

Gjatë jetës sime, atë të përvojës, kam hasur që shumë njerëz i kuptojnë gjërat më mirë kur i kanë të përjetuara. Por të jetosh pranë një rruge që mund të ta shtyp vetura fëmijën duke shkuar në shkollë, nuk është një fenomen që pret t’i ta kuptosh. Ky fenomen merr jetë pa të pyetur fare.  Me premisën, nëse nuk e kam të përjetuar atëherë nuk e kuptoj, qytetarët që nuk jetojnë pranë rrugëve vrastare shpëtojnë nga përgjegjësia. Por ky nuk është një argument i cili mund ta përligj shtetin,  sepse shteti nuk mund të ketë një gjë të papërjetuar brenda territorit të vet, ndonëse mund të shtiret si i tillë.

Është vështirë të besohet, por kjo gjendje nuk duket që e pengon shtetin. Përkundrazi, shteti duket sikur krekoset me vendbanime që ndahen nga rrugët pa nën dhe mbikalime.  Për ta përshkruar gjendjen aktuale të rrugëve të shtruara pranë vendbanimeve që nuk kanë mbikalime, na nevojitet të themi që po të jetonit ju pranë këtyre rrugëve vrastare, për të kaluar anës tjetër të rrugës, që i ka katër shirita, do të duhej që të matnit me sy shpejtësinë e një veture, para se t`ju ketë shtypur ajo me shpejtësinë e saj marramendëse. E matja e shpejtësisë është e vështirë duke marrë parasysh faktin që shumë nga vozitësit nuk e respektojnë kufizimin e shpejtësisë.

Në rrugën nga Prizreni në Prishtinë, me të përfunduar gjysmë-autostrada që e kapërdiu një pjesë të mirë të buxhetit të shtetit,  kaloni në një rrugë magjistrale që e lidh Malishevën me Fushë-Kosovën. Në atë rrugë, shpejtësia e lejuar sillet në mes të 60 dhe 100 km/h, që të dyja vdekjeprurëse për qytetarët nëse pësojnë goditje prej veturave duke e kaluar rrugën. Problemi bëhet me serioz kur bie errësira, sepse në këtë pjesë të magjistrales veç mbikalimeve e nënkalimeve nuk ka as ndriçim. Aty silueta njerëzish lëvizin detyrimisht në mes të rrugës në pikë të errësirës  dhe në mes të veturave. Aty qytetari nuk ka siguri.

Në botë ka praktika edhe më shqetësuese sa i përket rrezikut që i kanoset jetës së një qytetari. Mund të përmendet India dhe  transporti i saj hekurudhor, i cili është një kërcënim i përshkallëzuar për natyrën njerëzore. Megjithatë, në rrafshin institucional, kjo u takon qytetarëve indianë. Por kur i rrezikohet jeta nga kalimi i një rrugë kujtdoqoftë dhe kudoqoftë në Republikën e Kosovës, duhet vëmendje dhe parandalim institucional nga ne. Qëndrimi  i një qytetari ndaj problemeve të përbashkëta duhet të ndërtohet mbi premisën “jeta e një qytetari duhet të jetë një gjë e shenjtë”.

Për ta kuptuar seriozitetin e një çështjeje të tillë, që nuk është fare më pak e rëndësishme  sesa paaftësia e formimit të institucioneve në këto ditë, ky një turp i hapur ushtruar drejt qytetarëve nga të zgjedhurit e tyre, na duhet të ndërrohemi me ata banorë që janë të detyruar të jetojnë pranë atyre rrugëve magjistrale që nuk kanë mbi apo nënkalime. Nëpërmjet një shkrimi, për t`ua marrë vëmendjen, brenda suazave të qarkut të mundësisë është parashtrimi i një pyetjeje: Çfarë nëse në vendin e atyre qytetarëve që u rrezikohet jeta çdo ditë nga veturat do të ishit ju, fëmijët dhe të afërmit tuaj? Apo meqë nuk e kemi të përjetuar, meqë ne nuk jetojmë ndanë atyre rrugëve vrastare,  mund edhe të mos i kuptojmë ata qytetarë që përballen me këtë kërcënim?

Çfarë dua të theksoj është se, si qytetar të këtij shteti, me arsyetime të ndryshme, ne edhe bën të mos e rregullojmë këtë çështje, por nuk bën të mos brengosemi kur shteti të cilit i takojmë nuk e rregullon një anormalitet të këtillë. Në këtë rast shteti i Republikës së Kosovës nuk po ua siguron të drejtën e jetës secilit qytetar, me çka është edhe i ngarkuar.  Në vend të një shteti të atillë neve na ravijëzohet një i cili i vë në lojë për jetë a vdekje qytetarët, fëmijë e pleq, që jetojnë pranë atyre rrugëve magjistrale pa nën e mbikalime. Këtë nuk bën pa e thënë.

Çfarë ndodh në ato rrugë?

Në këto shtëpi me pamje nga rruga magjistrale, në shiritin e majtë të rrugëve ka vetura të cilët e dyfishojnë tejkaliminin e shpejtësisë së lejuar. Policia patrullon në disa vende, me aparatet “radar” të mirënjohura për vozitësit, tani besoj edhe për banorët e rrugëve magjistrale. Policia i heton dhe i zbulon veturat të shndërruara në vetura garimi, i ndal dhe i dënon. Por, me t`i marrë dokumentet dhe dënimin nga policia, duket sikur jo një pjesë e vogël e qytetarëve gjejnë një mercenar në gjykatë i cili do t`ua heqë dënimin e merituar.  Pra relacioni procedural i qytetarit me shtetin në këtë pikë është i tillë: shteti dënon, dënimi hiqet, qytetari i shpëtuar lehtë nga ky gabim, vazhdon ta tejkalojë shpejtësinë e lejuar e ta rrezikojë jetën e të tjerëve. Pra, në këtë mënyrë  shteti  paraqitet lejues i vendbanimeve pranë rrugëve magjistrale pa mbikalime, patrullues i veturave të shpejta, por i paaftë për funksionalizimin e mekanizmit ndëshkues, sepse ka korruptimin në përmbajtje. E, të gjitha këto dhe shumë të paparashikueshmet, bëhen të mundura me mosndërtimin e shtyllave të forta të arsimit.   Për t`i anashkaluar këto papjekuri, shteti duhet ta ndërrojë qëndrimin e tij të ngathët. Pra, shteti duhet  të ndërtojë mbi apo nënkalime  përgjatë atyre rrugëve dhe duhet t`i avancojë metodat e patrullimit të rrugëve duke përdorur teknologji më të avancuar. Më e rëndësishmja, shteti gjykatat duhet t`i bëjë organe që respektojnë ligjin dhe të mos lejojë ekzistimin e mercenarëve që heqin dënime.

Teatri i absurdit dhe plaku i dashur

Nëse do të shquheshim për veti të kudogjendura të shoqërisë sonë dhe pothuajse asgjëkundi te shoqëritë tjera, sjellë nga amullia e pasluftës, do të shquheshim për durimin e tejzgjatur që kemi ndaj anormaliteteve që na drejtohen drejt nesh pikërisht nga shteti ynë. Kur na mungonte autostrada njëherë kam takuar anës rrugës një plak besoj në të shtatëdhjetat e tij. Dukej sheshit që punët nuk shtroheshin mirë nga shteti, por  plaku i dashur, ndonëse i duhej të ecte më këmbë disa kilometra udhë, dukej të ishte i lumtur. Prandaj e pyeta për të kuptuar se si ndjehej me këtë performancë të shtetit pas lufte.  Kurrë më mirë nuk i kemi pasë punët, më tha. E pyeta përse. Tash e flasim gjuhën tonë, lëvizim nga duam, kërrkush nuk na pengon, më tha. E ndërpreva këtë bisedë me të. Ndonëse e kuptoja këndvështrimin e tij nuk u pajtova me të atë ditë pranvere. As tani nuk pajtohem, pas shumë vitesh, në këto ditët e verës.  Shteti për mua duhet të jetë një i cili nuk duhet të “vërë gjumë në sy” për të siguruar mirëqenie e për ta parandaluar rrezikun, veçanërisht kur është një i cili e ka fituar vështirë të drejtën e ushtrimit të subjektivitetit të tij, siç është rasti me Republikën e Kosovës.

Kur tani flas me plakun në mënyrë fiktive për këtë gjendje të shtetit, i kujtoj disa gjëra që na shkaktoi ky qëndrim emocional “kurrë më mirë”. Mua më kujtohet e ravijëzuar gjerësisht habia e qytetarit që i ngjante pasluftës me anormalitete. Më kujtohet sesi i ngrihej gjaku një qytetari kur merrte lajmin për shitjen dhe mënyrën e shitjes së një fabrike dhe  përjashtimin e gjithë atyre punëtorëve dhe ngujimin  e tyre në muret e shtëpive.  Shihja prindër të shqetësuar për fëmijët e tyre, teksa e mendonin gjithë këtë ndërrim sistemi me një shpejtësi marramendëse dhe me lëvizje të pakontrolluar dhe jo mirë të menduar institucionalisht.

Më kujtohet habia e qytetarit kur jetonte pa rrymë. Para syve kam habinë kur filloi të shkatërrohej trashëgimia kulturore e këtij vendi. Nuk e kam harruar përpjekjen e dobët të këtij shteti për ta nxjerrë në shesh kujtesën e luftës, paaftësinë  e tij në definimin e padrejtësisë që u ndodhi qytetareve për të cilët është i ngarkuar me përgjegjësi. Nuk e kam harruar as braktisjen e pashpresë e vendit nga disa mijëra të rinj. Për t`u shkëputur nga kujtimet e pasluftës, sot, më e keqja, duke thënë “kurrë më mirë”  turpërohemi duke dështuar në thjesht formimin e institucioneve të reja. Ne, më e keqja, mixhë i nderuar, po pranojmë që të tallen me ne brenda këtij teatri të absurdit ku po aktrojnë para nesh shteti dhe palaçot e tij. Ky nuk ishte shteti të cilin e donim.

Mua, mixha i dashur, do të më interesonin mendimet tua të sotme. Ky farë teatri i absurdit, pra kjo, t`i detyrosh njerëzit, disa prej të cilëve mund të ishim edhe ne që të jetojnë pranë rrugëve magjistrale pa mbikalime, të kalojnë katër shirita në mes të gjithë atyre veturave me shpejtësi marramendëse, a mund të themi se  është “kurrë më mirë”? Një shtet i cili nuk të mbyt por lejon të mbytesh, a është “kurrë më mirë”?