Shteti e Bartë Koston e 8 Mijë Dënimeve Antikushtetuese të Gjykatave

8 mijë qytetarë të Kosovës padrejtësisht kanë vuajtur dënimin me burg që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 9 prill të vitit 2008. Ky zbulim është bërë nga hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë”. Shkelja e Kushtetutës nga gjykatësit përbën skandalin më të madh në drejtësinë kosovare.

Padrejtësia me mbi 8 mijë qytetarë është pranuar edhe nga drejtuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë. Për viktimat ende nuk dihet se cili do jetë dëmshpërblimi.

Në ditën e parë të punës pas transmetimit të emisionit Drejtësia në Kosova ka reaguar Gjykata e Apelit. I ka anuluar qindra dënime me burg për kundërvajtje.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”,  tregoi se neni 29 i Kushtetutës përkufizon se dënime me burgim mund të shqiptohen vetëm për vepra penale, por jo për vepra të tjera si kundërvajtjet. Mirëpo në tetë vjet të shtetësisë del se ky nen i kushtetutës nuk është zbatuar në së paku 8 mijë raste nga gjykatat e rregullta.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, neni 29 i Kushtetutës së Kosovës nuk ka vlejtur për ggjykatësit.

Ata e kanë zbatuar ligjin e vitit 1978 të ish-Jugosllavisë, i cili lejonte burgimin për kundërvajtje. Por, ata nuk e kanë zbatuar Kushtetutën e miratuar në vitin 2008, e cila e ka ndalura burgimin e qytetarëve për kundërvajtje.

Gazmend Zeqiri është njëri nga 8 mijë qytetarët e vendit i cili ka shkuar në burg edhe pse kushtetuta e Kosovës nuk e lejon burgimin për shkelje në trafik.

“Në dy raste jam dënuar më burgim, e kam vuajtur dënimin në burgun e Lipjanit. Dhe nëse tash vërtetohet se unë jam dënuar me burgim padrejtësisht, atëherë unë do të kërkoj dëmshpërblim. Sepse neve po na dënojnë dhe unë e kam paguar me burg, atëherë nëse ata kanë gabuar duhet me na kompensu”, ka thënë Zeqiri, i cili në dy raste për kundërvajtjet që i ka shkaktuar ishte dënuar me burgim nga gjykata e shkallës së parë.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, ka zbuluar se nga viti 2008 e deri më sot për kundërvajtje burg kanë vuajtur mbi 8 mijë qytetarë, të cilët kanë qëndruar nga 3 deri në 60 ditë burgim aq sa parashihej maksimumi i dënimeve për kundërvajtje në Ligjin për Kundërvajtje të miratuar në 1978.

Por, për më shumë se tetë vjet që kur është në fuqi Kushtetuta askush nga përgjegjësit nuk e kanë vërejtur  se dënimi me burgim i mbi 8 mijë qytetarëve është anti-kushtetues.

Përgjegjësit janë kujtuar se kanë shqiptuar dënime  me burgim në kundërshtim me të drejtat kushtetuese, vetëm kur ekipi i “Drejtësia në Kosovë”, u ka kërkuar sqarime.

“Përgjegjësi kemi të gjithë, këtë s`mund ta evitojmë, ta heqim përgjegjësinë nga të gjithë ne duke u nisur nga gjyqtarët dhe tek organet tjera të gjithë ne kemi pjesë të përgjegjësisë për këto shkelje që kanë ndodhur”, ka deklaruar kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani.

Ai ka thënë se askush nga gjyqtarët nuk e ka vërejtur se ligji për kundërvajtje nuk është në harmoni me normat kushtetuese.

“Fatkeqësisht askush nga gjyqtarët nuk e ka përdorur kontrollin incidental, d.m.th. gjyqtari ka për detyrë që në momentin kur e ka çështjen para veti dhe ka dilema rreth përputhshmërisë së ligjit me kushtetutën, ta pushojë çështjen, ta adresojë zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese, që të evitohet, ose të hiqet ajo dilemë që ka gjyqtari për rastin konkret. Thash fatkeqësia është që këtu nuk e ka shfrytëzu askush”, ka thënë kryetari Hasani, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Njëri nga institucionet i cili sipas ligjit është dashur ta dërgojë çështjen në gjykatën është Avokati i Popullit. Por, por për fatin e 8 mijë të burgosurve edhe ky institucion ka nisur të mendojë vetëm atëherë kur është interesuar ekipi i emisionit.

Avokati i Popullit Hilmi Jashari e pranon se dënimi me burgim për vepra të kundërvajtjeve paraqet shkelje të të drejtave kushtetuese. E përgjegjësinë e bartë edhe tek Gjykata Supreme e cila, sipas tij, ka mandatin që të nxjerrë opinione përmes të  cilave evitohen shkelje të tilla kushtetuese.

“Gjykata Supreme ka për obligim që të lëshoj opinione zyrtarë për të lëshuar opinione për gjykata të nivelit më të ulët, sa i përket zbatimit të sistemit të drejtësisë në çështjen që reflektojnë një numër të madh të rasteve, ose prekin një çështje sistematike të gjyqësorit në Kosovë”, ka deklaruar Hilmi Jashari, Avokat i Popullit.

Por, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, përgjegjësinë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e bart edhe tek Avokati i Popullit.

“Një nga detyrat primare të Avokatit të Popullit është mbrojtja e të drejtave të njeriut, por tash s`mund t`ia faturojë fajin askujt as avokatit, ngase ne që çdo ditë si gjyqtarë kemi shqiptuar dënime dhe e kemi neglizhuar këtë çështje”, ka deklaruar Fejzullah Hasani.

Ai ka thënë se përgjegjës janë të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë, duke u nisur nga avokatët mbrojtjes të palëve, e deri te gjykata që drejton vetë ai. Hasani ka thënë se po të detektohej më kohë kjo çështje, dëmet do ishin shumë më të vogla. Mirëpo, sipas tij, tani pas tetë vitesh kostoja e gjithë kësaj do të jetë mjaft e lartë.

“Kjo me siguri ka me i pas ato impaktet negative edhe për shtetin edhe për institucionet, për personat që kanë qenë të afektuar po se po… edhe në aspektin financiar ka një kosto çdo shkelje e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar kryetari i Supremes Fejzullah Hasani.

Në anën tjetër, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Mentor Borovci nga Ministria e Drejtësisë thotë se nuk kanë mundur të ndryshojnë më herët Ligjin për Kundërvajtje. Ligji i ri do t’i përshtatet Kushtetutës. Thotë se me ligjin e ri, i cili pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i viti 2017, është hequr dënimi me burgim.

Hulumtuesit e “Drejtësia në Kosovë” kanë zbuluar njërin nga skandalet më të mëdha të sistemit të drejtësisë që nga paslufta. 8 mijë qytetarë janë dërguar në burg edhe pse këtë nuk e lejon Kushtetuta e vendit.

Siç dëshmuan të gjeturat nga hulumtimi, sipas ligjit çdo gjykatës apo çdo kush tjetër që në kundërshtim me rregullat ligjore e dërgon dikë në vuajtje të dënimit duhet të ndiqet penalisht për privim të kundërligjshëm nga liria.

Në ditën e parë të punës, pas raportimit të ‘Drejtësia në Kosovë’, Gjykata e Apelit ka anuluar të gjitha vendimet me burgim për kundërvajtjeje të cilat janë shqiptuar dhe janë në pritje të ekzekutimit në gjykatat e Kosovës.

Njoftimi për t’i anuluar vendimet është marrë nga gjykatësi Dalip Bega përgjegjës për divizionin e kundërvajtjes. Begaj në shkresën e cila u është dorëzuar gjykatave themelore i ka porositur gjykatësit që të mos shqiptojnë dënime me burg për kundërvajtje duke u bërë me dije se e vendimet e tilla janë në kundërshtim me kushtetutën.

http://kallxo.com/apeli-anulon-qindra-vendime-burg-per-kundervajtjet/