Mitralozi i prodhuar në Serbi, Kojota, i ngjitur prapa kamionçinës Toyota në periferi të Alepos

Shtegu i Kojotës – Udhëtimi i Mitralozit nga Serbia në Siri

Mbathur në atlete, xhinse të dala ngjyre dhe një triko të dekoruar me fjalën “Life” (jeta), 23 vjeçari Salam (nuk është emri i tij real), postoi në Facebook një fotografi në shkurt të vitit 2016 me pajisjen e tij të fundit- një armë të rëndë automatike, të sapodalë nga linja e prodhimit, dhe të dërguar për batalionin e tij të Ushtrisë së Lirë Siriane.

Fotografitë e postuara në Facebook në profilin e luftëtarit nuk u vërejtën menjëherë nga fluksi i selfie-ve me armë që buruan nga fraksionet luftarake të Sirisë.

Ku është prodhuar kjo armë dhe si erdhi ajo deri te oborri i pluhurosur në veri të Sirisë ka shumë pak rëndësi për burrin që është pjesëtar i Divizionit 13 që lufton kundër forcave të Presidentit Bashar al- Assad në Alepo. Për Salam-in, kjo ishte thjesht arma më e re dhe më e mirë që ka mbajtur në dorë që nga fillimi i konfliktit.

Por forma e saj dalluese dhe gjendja origjinale shumë shpejt zgjoi vëmendjen e ekspertëve online të armëve të cilët thanë se kjo armë ishte M02 Kojota, e prodhuar rishtazi në fabrikën e armëve Zastava në Kragujevc të Serbisë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) kanë zbuluar se si arma e fuqishme ka udhëtuar rreth 6 mijë kilometra nga linja e prodhimit e fabrikës shtetërore serbe Zastava deri te Salam-i, si pjesë e një dërgese prej 205 armëve në vitin 2016 për Ushtrinë e Lirë Siriane – me Serbinë, Bullgarinë, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara që kanë luajtur rol në këtë punë.

Kjo është hera e parë që armët janë gjurmuar drejtpërdrejt nga një prodhues në Europën Qendrore e Lindore te rebelët sirianë dhe paraqet dëshminë më të qartë deri më tani të një transporti të armëve të zbuluar më herët nga BIRN dhe OCCRP.

Ky kanal armësh ka derdhur deri 1.2 miliard euro nga Ballkani, Republika e Çekisë dhe Sllovakia drejt Lindjes së Mesme, me para të Arabisë Saudite dhe, sipas ambasadorit amerikan në Siri, me logjistikë të CIA-s.

Zbulimi gjithashtu ilustron diversionin ilegal sistematik të armëve nga regjimi saudit dhe se si qeveritë në Ballkan duken të vullnetshme për ta mbyllur njërin sy në këtë tregti me shumë leverdi.

Hulumtimi gjithashtu thekson rolin kryesor të luajtur nga dilerët e armëve. Firma e cila ka bërë këtë marrëveshje është në pronë të biznesmenit të fuqishëm bullgar Petar Mandjoukov; diler armësh, manjat mediash dhe ish- agjent i Shërbimit të Sigurimit në kohën e komunizmit.

Salam-i dhe “Dushka”

Më 16 shkurt, një luftëtar I Divizionit 13 të Ushtrisë së Lirë Siriane, postoi këtë fotografi të mitralozit të sapoardhur nga Serbia Kojota në profilin e tij e tij në Facebook.

Salam mund të ketë qenë luftëtari i parë në Ushtrinë e Lirë Siriane, FSA, që ka publikuar fotografi të armëve të reja të sapoardhura Kojota, të prodhuara në Serbi- por në asnjë mënyrë nuk ishte i vetmi.

Pak javë pas postimit të tij, automatikët u shfaqën me të madhe në Twitter, YouTube dhe platforma tjera nga mbarë fushëbeteja në veri të Sirisë, nganjëherë ende në paketime dhe me instruksionet në celofan, që lë të kuptohet për dërgesa më të mëdha të armëve të reja.

Reporterët gjurmuan Salam-in në faqen e tij në Facebook, dhe e pyetën për më shumë informacione rreth origjinës së armatimit të rëndë dhe rrugës së tyre deri në Aleppo.

23 vjeçari sirian dëshiroi t’i tregojë botës për vështirësitë e bashkëkombasve të tij dhe publikoi një numër të fotografive dhe videove me Kojotën të ngjitur për kamionçinën Toyota.

Ai tha për BIRN dhe OCCRP se një ushtar i thjeshtë nuk është në dijeni se si Ushtria e Lirë Siriane i siguroi këto armë, por tha se ishte në dijeni që “disa” prej tyre janë dërguar pasi ai kishte ndjekur një kamp trajnimi në Arabinë Saudite.

Në fillim të vitit 2016, ai dhe rreth 150 luftëtarë të veçuar për trajnim u nisën nga Siria drejt kryeqytetit turk, Ankara. Pas një jave të kontrolleve mjekësore, një aeroplan ushtarak i dërgoi ata në Arabinë Saudite.

Pjesëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane në kufirin Siri- Turqi duke udhëtuar në një kamp tjetër trajnimi.

Rebelët ishin dërguar nga aeroporti në një kamp sekret ushtarak. Meqë u ishin larguar telefonat mobilë, ata ishin izoluar nga bota e jashtme në një vend të papërcaktuar në shkretëtirën saudite.

“E kam parë (Kojotën) me sytë e mi në Arabi Saudite, dhe atje amerikanët e testonin atë”, tha ai.

“Kishte shumë oficerë të ndryshëm (në trajnim)- nga Britania e Madhe, SHBA, Libani, Arabia Saudite. Kishte edhe zyrtarë të inteligjencës amerikane gjithashtu- ata janë shumë me përvojë dhe shumica nga ta kishin luftuar në Irak”.

Në vendlindjen e tij në Siri, Salam shumë shpejt do të pozonte me armën e tij të re në Alepo dhe atë fotografi do ta postonte në profilin e vet në Facebook para se të vendosej në luftimet kundër Assad-it dhe Shtetit Islamik. “E modifikuam Kojotën dhe e vendosëm në kamionçinë”, tha ai.

“Arma ime erdhi nga Turqia pasi përfundoi trajnimi”, shtoi ai. Salam tha se të gjitha armët për batalionin e tij kaluan nëpërmjet “MOC” në Turqi, duke iu referuar qendrave të Komandës Operacionale Ushtarake, të vendosura në Gji, Turqi dhe Jordani, dhe të operuara nga agjensitë e inteligjencës nga Turqia, Arabia dhe Perëndimi. Ato përdoren si baza logjistike dhe trajnimi.

“Nuk e di saktë sa armë [Kojota] kanë qenë aty, por ka pasur disa dhe grupi im e mori një”, shtoi ai.

Rruga që ka përshkuar Kojota e tij përputhet me të gjeturat e një hulumtimi të mëhershëm në të cilin u zbulua roli qendror i Sauditëve në furnizimin e rebelëve sirianë me armë të bllokut lindor.

Nga qershori i vitit 2015 deri në gusht 2016, të paktën 50 fluturime cargo dërguan armë dhe municione nga Europa Qendrore dhe Lindore në bazat ushtarake saudite. Reporterët theksuan fluturimet që bartnin pajisje ushtarake ndërmjet mbretërisë së Gjirit dhe Turqisë, prej nga armët barten drejt veriut të Sirisë.

I pyetur pse e kishte postuar fotografinë e armës online, ai tha për BIRN dhe OCCRP: “Ishte hera e parë që morëm një armë të tillë pas gjashtë viteve luftime. Ishte e lehtë dhe efikase dhe është arma më e re që e kemi pasur ndonjëherë”.

Bashkëluftëtarët e tij ia kishin vënë emrin “Dushka”, në bazë të një arme të njëjtë të stilit sovjetike të njohur si DShK.

“Ishte në kuti, e ndarë në pjesë dhe ne e hapëm dhe e montuam- ishte e re, madje kishte edhe një katalog”, tha ai.

Salam i dha BIRN-it numrin unik serik të armës, 3007.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë tha për BIRN dhe OCCRP në një përgjigje me shkrim se Zastava ia ka shitur “një numër” të armëve Kojota për eksport në Arabinë Saudite në vitet 2015 dhe 2016 firmës bullgare BIEM, një diler armësh me seli në Sofje.

Por ai tha se fotografitë e publikuara në rrjetet sociale nuk përbëjnë dëshmi se arma në Siri është e tipit Kojota.

Kur iu dha numri serik i armës automatike, ministria fillimisht tha se nuk mund ta gjurmojë armën. Pas shumë email-eve dhe thirrjeve telefonike pasuese, megjithatë, një zëdhënës tha se një Kojota M02 me atë numër serik i është shitur firmës BIEM në vitin 2015.

Ujdia dhe Manjati

Mitralozi Kojota është gjurmuar nga linja e prodhimit ‘Zastava’ në Siri falë numrit të tij serik, 3007.

Atë vit, BIEM bëri një urdhëresë të madhe me fabrikën shtetërore Zastava Arms e cila prodhon versionin e vet të njohur të të kudondodhurit AK-47 rus si dhe armës së rëndë automatike Kojota.

Përderisa marrëveshja mbetet konfidenciale, llogaritë e Zastava-s të vitit 2015 zbulojnë se BIEM i ka paguar 2.5 milionë euro kompanisë shtetërore të armëve atë vit. Një diler armësh shpjegoi se çmimi tipik për një armë të tillë sillet rreth 12 mijë euro, qëe bën faturën prej 205 armëve Kojota të shkojë në 2.5 milionë euro.

Aksionari kryesor i BIEM është Mandjoukov, një manjat bullgar me interesa financiare në ndërtim, media, prodhim të verës ndërsa më parë ishte në bashkëpronësi të klubit të dytë më të madh të futbollit në vend, CSKA nga Sofja.

74 vjeçari në Bullgari njihet më së miri si diler armësh. Në vitin 1977 ai filloi të punojë për Kintex, një kompani e fuqishme shtetërore e tregtisë e cila, nën regjimin komunist, ishte e përfshirë në trafikim të armëve për shtetet mashtruese dhe terroristët, ka pranuar shteti bullgar.

Në të njëjtën kohë ai ishte agjent i Sigurimit të Shtetit në periudhën e Luftës së Ftohtë, sipas dokumenteve të publikuara nga Komisioni i Dosjeve, një panel që heton ish shërbimin sekret bullgar.

Pak gjë dihet për punën e Mandjoukov në tregtinë me armë. Ai nuk e përmendet BIEM-in në sajtin e tij në të cilin detajohet perandoria e tij biznesore dhe që ka marrë pak vëmendje mediale që nga themelimi në vitin 2001 nën emërtimin e mëparshëm, Norwood Bulgaria.

Dokumentet nga regjistri i bizneseve në Bullgari tregojnë se ai ka në pronësi 75 % të aksioneve në gjithë biznesin e tij privat.

BIEM tha në një deklaratë me shkrim: “Ne në mënyrë strikte ndjekim legjislacionin shtetëror dhe ndërkombëtar”.

“Ju bëni ndërlidhje dhe nxirrni konkluzione bazuar në opinionet dhe dyshimet tuaja dhe prisni shpjegime të cilat nuk janë as në të drejtën, as në obligimin tonë”.

Siria ‘i përpin’ armët e Serbisë

 

Licenca për eksport e BIEM për marrëveshjen për Kojota ishte dhënë nga Ministria e Tregtisë e Serbisë bazuar në një dokument ligjor të quajtur Certifikatë e Shitjes, e cila garanton se armët do të përdoreshin për forcat saudite të sigurisë.

Edhe pse ri-eksportimi i pajisjeve kërkonte miratimin e Serbisë, arma e Salam, dhe me shumë gjasa e tërë dërgesa prej 205 armëve që iu shit Riadit, duket ta ketë devijuar rrugën për Siri nga mbretëria e Gjirit, forcat e armatosura të të cilës nuk përdorin armë të tilla por u besojnë gjerësisht armëve më moderne dhe më të sofistikuara të prodhuara në perëndim.

Kjo mund të mos jetë befasuese për zyrtarët serbë përgjegjës për dhënien e licencave të eksportit. Përkundër insistimit zyrtar, ata nuk kanë informacione që Arabia Saudite po i kalon armët në Siri.

Sipas dokumenteve konfidenciale nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe procesverbaleve nga një sërë takimesh ndër-ministrore në vitin 2013 të cilat BIRN dhe OCCRP i ka publikuar si pjesë e një hulumtimi të mëhershëm, zyrtarët bllokuan një licencë eksporti të armëve në Arabinë Saudite atë vit për shkak të frikës se ato mund t’u dorëzoheshin ilegalisht luftëtarëve sirianë.

Nga Serbia, nën ligjin e vet kundër trafikimit të armëve, Traktatit për Tregti të Armëve të mbështetur nga OKB dhe qëndrimin e përbashkët të Bashkimit Europian për tregtinë me armë në të cilin aderon edhe ajo vetë, kërkohet që t’i ndalojë eksportet e armëve të cilat mund të devijojnë, sidomos në zona të luftës dhe te grupet jo-shtetërore të akuzuara për krime lufte.

Por në vitin 2015, Serbia vendosi t’i injorojë brengat e sajtë mëhershme dhe miratoi marrëveshjen për Kojota krahas eksportit të armëve dhe municioneve tjera në vlerë prej 135 milionë euro për Arabinë Saudite.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, një nga ministritë e konsultuara si pjesë e procesit të licencimit, shpjegoi në një përgjigje me shkrim se licencat e eksportit janë miratuar për shkak se ato do të kishin një “ndikim pozitiv” në “industrinë e mbrojtjes të Serbisë”, ndryshe nga marrëveshja e vitit 2013 e cila përfshinte pajisje të importuara.

Një zyrtar i lartë serb, i cili u frikësua se do të largohet nga puna nëse flet me emër, tha për BIRN dhe OCCRP se “çdokush e di” se armët do të devijonin nga Arabia Saudite drejt luftëtarëve sirianë, të cilët “po merrnin gjithçka që u vinte në duar”.

“Armët tona u përshtaten atyre në mënyrë të përkryer sepse janë të vjetra dhe kanë dizajn të thjeshtë sovjetik”, tha ai. “Mund ta merrni një person në rrugë dhe ta mësoni si ta përdorë atë armë brenda orësh”, shtoi ai.

Ministria e Ekonomisë e Bullgarisë, vend anëtar i BE-së, e cila u nënshtrohet të njëjtave kërkesa sikur edhe Serbia, gjithashtu miratoi licencën e tregtisë për BIEM për t’ia shitur Kojotat Arabisë Saudite.

Sauditët, inteligjenca turke dhe CIA, që të gjithë faktorë kyç në trajnimet dhe furnizimin me armë të rebelëve sirianë, me gjasë u desht ta mbanin një sy të mbyllur ndaj Certifikatës së Shitjes pasi që armët, ligjërisht të destinuara për forcat saudite të sigurisë, bënë rrugën nga Gjiri në Turqi, e pastaj në Siri.

As zyrtarët bullgarë as edhe ata serbë nuk u përgjigjën në pyetjet rreth veprimeve që nevojiten për ta parandaluar devijimin e armëve nga Arabia Saudite në Siri.

Ministritë e punëve të jashtme të Arabisë Saudite dhe Turqisë gjithashtu nuk dhanë përgjigje, përderisa CIA tha se nuk do të komentojë.

Lufta pa fitues

Fabrika e armëve në Serbi po punon me kapacitet, pasi që tashmë ka marrë staf të ri dhe me turne për t’iu përshtatur kërkesave në rritje, sidomos nga Arabia Saudite dhe Uashingtoni.

Të hyrat e fabrikës së armëve Zastava u rritën në 36 milionë euro në vitin 2015 nga vetëm 27.5 milionë sa kishte një vit më parë, përderisa Krusik, një prodhues me pronësi shtetërore i predhave dhe municioneve shënoi një rritje të ngjashme në 25 milionë euro.

Ky bum u shkon për shtat edhe bizneseve në Ballkan që merren me marrëveshje për armët, siç është BIEM.

Krusik u tha reporterëve se dy nga dilerët më të njohur të Serbisë, Slobodan Tesiq dhe Petar Crnogorac, vepruan si ndërmjetës në marrëveshjet me Arabinë Saudite në vitin 2016.

Të dhënat e fundit të tregtisë së OKB-së tregojnë se Serbia vazhdon të eksportojë armë në Arabinë Saudite edhe në vitin 2016, duke arritur në rreth 36 milionë euro shitje gjatë nëntë muajve të vitit të kaluar.

Salam tani ka braktisur Aleppon- pa kamionçinën e tij me armë automatike- para se qyteti të vihej nën kontroll të forcave qeveritare, dhe tani i është ribashkuar Ushtrisë së Lirië Siriane.

Ai tha se Kojota e tij tani është me Brigadën Moutasem të Ushtrisë së Lirë Siriane, e cila ka luftuar ISIS-in dhe forcat kurde të mbështetura nga SHBA-të në veri të Sirisë si pjesë e operacionit të mbështetur nga Turqia “Mburoja e Eufratit”.

Salam ëndërron ditën kur do të mund ta ulë armën – madje edhe të vjetrën, atë më bazike që thotë se është duke e përdorur sërish prej se u kthye nga Aleppo.

“Deri kur do të vazhdojmë të luftojmë? Fëmijët tanë nuk kanë shkuar në shkollë tash e gjashtë vjet. Deri kur do të vazhdojë kështu? Ky është mesazhi që do të doja ta dërgoj”.

Mandjoukov, Dileri i Armëve

Përkundër reputacionit të Petar Mandjoukov si një diler armësh, pak dihet për veprimtarinë biznesore të tij.

Ai dhe firma e tij BIEM, megjithatë, janë përmendur në kabllogramet diplomatike amerikane të publikuara nga Wikileaks në vitin 2010.

Si pjesë e procesit zyrtar të Uashingtonit për miratimin e eksportit armëve të prodhuara në SHBA në Gjeorgji në vitin 2009, Departamenti i Shtetit bëri kontrolle të punës së BIEM, që po kryente rolin e ndërmjetësit në këtë marrëveshje.

Një kërkesë zyrtare që daton nga korriku i vitit 2009 për ambasadat në Sofje dhe Tbilisi nga Departamenti i Shtetit, e publikuar nga Wikileaks, e përshkruan BIEM-in të jetë e lidhur me “krimin e organizuar dhe trafikimin gri të armëve”. Gjithashtu janë ngritur pikëpyetje rreth asaj pse firma po merrte komision për shitjet, pavarësisht se nuk ishte listuar në licencën e eksportit dhe nuk ishte regjistruar si diler në SHBA “ashtu siç kërkohet nga Rregullorja Ndërkombëtare e Trafikut të Armëve (ITAR)”.

Firma elektronike e Mandjoukov-it, Mashinoexport, gjithashtu është përmendur në hetimin e bërë nga CIA rreth armëve të shkatërrimit në masë në Irak, në Raportin Duefler të vitit 2004. Raporti gjeti se kjo firmë mori pjesë në programin e korruptuar të Irakut “naftë për ushqim”, duke ndihmuar kanalizimin e fondeve në vitet 1990 nga regjimi i liderit të atëhershëm irakian, Saddam Hussein, te Partia Socialiste e Bullgarisë. Pas publikimit të raportit, Mandjoukov insistoi se asnjë nga paratë e tij të fituara nga tregtia me naftë nuk kanë shkuar në parti.

Por manjati është i lidhur ngushtë me socialistët, partinë e dytë më të madhe në parlament e cila mbështeti kandidatin apolitik president, Rumen Radev, në fushatën e suksesshme në nëntor të vitit të kaluar. Ai ishte pronar i gazetës pro-socialiste Duma dhe mori çmimin më të lartë të Bullgarisë, Stara Planina, në vitin 2002 nga presidenti socialist Georgi Parvanov.

Në nëntor të vitit 2016, komiteti i OKB-së për sanksione ndaj Sudanit Jugor zbuloi se si BIEM i kishte shitur 4,000 armë zjarri në qershor të vitit 2014 një kompanie nga Uganda e cila ia kishte dërguar këto armë ushtrisë së vendit. Armët më pas ndërruan destinacionin dhe shkuan në Sudanin Jugor, gjë që paraqiste shkelje të sanksioneve të OKB-së dhe që shkaktuan konflikt të përgjakshëm në shtetin më të ri në botë.

Zyra private e Mandjoukov refuzoi të përgjigjet në pyetjet rreth të kaluarës së tij ndërsa BIEM tha se nuk mund të komentonte rreth dyshimeve të ngritura ndaj marrëveshjeve për armë në Gjeorgji dhe Ugandë.

 

Ky hulumtim është bërë nga BIRN në bashkëpunim me OCCRP si pjesë e Gjurmimit të Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë.

Bashar Ibrahim AlHaida ndihmoi në shërbime të përkthimit.

Lexoni të gjitha dokumentet e përdorura në këtë hulumtim në birnsource.com