Albin Kurti gjatë një proteste të Vetëvendosjes. Foto: Atdhe Mulla

Shtatë Orë Diskutime mes ‘Optimistëve’ dhe ‘Pesimistëve' të VV-së

Takimi i Vetëvendosjes që zgjati 7 orë, kreut të kryeqytetit, Shpend Ametit iu duk “relativisht e shkurtër”, por kandidatit të vetëm për kryetar të partisë, Albin Kurtit iu duk “mbledhje e gjatë”.

Megjithatë, diskutimet që nisën me qëllimin për unfikim, nuk prodhuan rezultat të tillë, e nga kjo mbledhje disa dolën më optimistë me besimin se ”ka shpresë”, por kryetari i dorëhequr, Visar Ymeri, tha se nga ajo që u diskutua nuk pa vullnet për ndonjë marrëveshje.

Për Albin Kurtin ky ishte rasti i parë prej se doli nga paraburgimi që të përballet me çetën e të ‘rebeluarve’ të partisë të cilët, siç e pranoi edhe Visar Ymeri, për herë të parë ia thanë në sy se nuk e duan në krye të partisë për tri vitet e ardhshme.

I pari i Kryeqytetit, i cili në mbledhjen e përbashkët mes kryesisë dhe grupit parlamentar të VV-së, erdhi në të njëjtën veturë me Albi n Kurtin, kur mbledhja përfundoi para mediave doli i shoqëruar me shefin e Grupit Parlamentar të partisë, Glauk Konjufcën. Ndërsa Kurti, i cili doli i fundit nga takimi, para mediave e tha vetëm një fjali “ishte mbledhje e gjatë e diskutimet po vazhdojnë”.

Ndryshe nga Kurti, të dorëhequrit dhe  ende të “pa deklaruarit” thanë pak më shumë për media, edhe pse i lutën gazetarët të jenë më të durueshëm.

“Mos na detyroni të flasim për detaje, nëse ka mundësi të jeni të durueshëm veç edhe pak. Paraqitjet mediatike po na e vështirësojnë rrugën e bashkimit”, iu drejtua gazetarëve Ahmeti kur ata po i bënin pyetje për takimin.

Megjithatë ai shtoi se problemi brenda Vetëvendosjes është i dukshëm dhe se ka mospajtime të theksuara të cilat siç u shpreh “për herë të parë janë shtruar hapur dhe diskutimi ka qenë i sinqertë”.

“Nuk kemi arritur të gjejmë marrëveshje e të dakordohemi.  Nuk dua t’i rris apo zvogëloj shpresat e askujt. Natyrisht nuk jemi të lumtur, të ndarë jemi më të dobët”, ka thënë Ahmeti.

E kur u pyet për pozicionimin e tij, ai tha se nëse nuk gjendet zgjidhja, kjo do të merret vesh, por ironizoi duke thënë se “pozicioni im është kryetar komune e prioritet e kam Prishtinën”.

Por, për problemet në parti, ndryshe foli i dorëhequri nga kreu i saj, Visar Ymeri. Ai tha se pa vullnet për përafrim qëndrimesh.

“Nuk është se ka ndonjë përparim në këtë drejtim. Nuk shoh ndonjë mundësi as të përafrimit te qëndrimeve dhe te ndonjë marrëveshje. Nuk pashë vullnet” ka thënë Ymeri.

Ai ka shtuar se VV është në fazë të rëndësishme ku “secili duhet të heqë dorë nga vetja për të mirën e përbashkët”, por kur u pyet se a i referohet më këtë deklaratë kandidaturës së Kurtit për kryetartë partisë, ai tha se kjo vlen për të gjithë.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se si grup parlamentar kanë qëndrime të unifikuara.

“Si grup do të qëndrojmë së bashku e do të kemi qëndrime të unifikuara sa i përket temave nacionale, ku është Gjykata Speciale e po thonë që edhe Demarkacioni”, tha Konjufca.

Madje Konjufca i tha se arsyet e mungesës së sotme të Aida Dërgutit e Faton Topallit janë të njohura për Vetëvendosjen, por nuk ua tha mediave.

Para se mbledhja të përfundonte, Konjufca tregoi se secili ka folur nga 10 minuta, dhe se me atë çfarë po ndoodhte brenda, ishte “më optimist se para 10 ditëve”.

Ndërsa deputeti Liburn Aliu, foli shkurt e tha se nuk brenda nuk u fol për kandidaturën e Albin Kurtit.

“Nuk është çel çështja e kandidaturës. Kam qenë më pesimist, jam më optimist”, tha Aliu.

Në këtë mbledhje morën pjesë shumica e anëtarëve të kryesisë dhe deputetëve të Vetëvendosjes, por në sy ranë mungesa e Aida Dërgutit e Faton Topallit.

Në fund u tha se takimet e ngjashme mes dy taborëve do të vazhdojnë ditët e ardhshme.