Kristina Zariq

Shqiptarët në Suboticë: Pasi që Jetojmë Bashkë (2)

Përjetimi i Kristina Zariq si përfaqësuese e gjeneratës së dytë të komunitetit etnik shqiptar në Suboticë është dukshëm më i ndryshëm se sa ai i Nikollë Përlaskajt.

Edhe pse është e lindur në këtë qytet në vitin 1986, thotë se “aty këtu ndihet si e huaj”. Identitetin e vet e ka krijuar gjatë viteve turbulente të 90-ve, “kur njerëzit si të tillë veçse kanë qenë të prishur”, gjë që ka lënë shenjë dhe gjurmë të pashlyera në personalitetin e saj dhe në ato tipare të cilat sot e definojnë të tillë siç është.

Bëhet fjalë, siç e shpjegon, për një përzierje elementesh të kulturës të cilat i ka marrë me vetë faktin e lindjes në Suboticë nga njëra anë, dhe të tipareve të rrënjosura nga ana e prindërve të saj sipas edukimit, përzier me traditat, thotë, tipike për kulturën e popullit të cilit i përket, nga ana tjetër.

Së pari për njerëzit: “Asnjëherë askush nuk më ka fyer drejtpërdrejt”, thotë Kristina, “por tërthorazi po. Thjeshtë, i sheh në sy çfarë mendojnë. Ka pasur shumë paragjykime dhe stereotipe negative pasi që shqiptarët prapë se prapë i shohin më ndryshe se sa të tjerët. Më kujtohet që nëna e një shoqeje time ka thënë që ajo nuk duhet të shoqërohet me mua. Ky është vetëm një shembull. Mirëpo, duke qenë që për nga natyra nuk jam person i konflikteve, gjërat e tilla nuk më kanë prekë.”

Fakti që është lindur dhe rritur në një mjedis të theksuar multietnik, i ka ndihmuar ta ndërtojë botën e saj, në të cilën ka pasur vend për ata njerëz për të cilët përkatësia e caktuar kombëtare nuk ka rëndësi. Në bazë të kësaj ka krijuar miqësitë e vetë të cilat zgjasin, me këto pikëpamje ka lidhur edhe martesë të përzier më një serb, duke ndërtuar një bashkësi e cila funksionon mirë edhe sot, pas tetë vitesh të plota.

Si një formë dominuese kulturore të marrë nga rrethi familjar, thekson raportin specifik në mes të gruas dhe burrit, i cili mund të shpjegohet me një fjalë, dhe ajo është përulje.

“Në kulturën shqiptare, gruaja duhet t’i përulet burrit dhe familjes. Edhe pse sot shumë gjëra janë duke ndryshuar në këtë kontekst, dhe me këtë edhe ky model kulturor është duke humbur ndikimin, shqiptarët që jetojnë larg vendlindjes disi më shumë u përmbahen traditave të tyre se sa ata në Kosovë apo Shqipëri. Supozoj për shkak që janë pakicë dhe janë më të mbyllur në krahasim me të tjerët. Ky model kulturor edhe unë e kam sjellë në martesën time”, thotë Kristina.

Gjuhën amtare e përdor në mënyrë aktive vetëm në rrethin familjar, ku ka mësuar të flasë dhe shkruaj. I mungon, ndërkaq, mundësia dhe vendi ku do të mund ta perfeksionojë gjuhën letrare shqipe, pasi në Suboticë, për dallim nga komunitetet më të mëdha dhe më të vogla etnike të tjera, shqiptarët bëjnë pjesë në të rrallët të cilët në asnjë mënyrë nuk janë të organizuar përmes institucioneve.

Këtë e konfirmon edhe Nikollë Përlaskaj, i cili ka theksuar që më herët ka pasur disa iniciativa të cilat, ndërkaq, qoftë për shkak të numrit të vogël apo për shkak të mungesës së interesit, asnjëherë nuk janë jetësuar. Atë çfarë ka dëgjuar, thotë, është që vetëm para pak kohe është krijuar një shoqatë me seli në Novi Sad.

Duke e përcjellë këtë informacion vijmë tek Demë Berisha, kryetarin e Amzës së Shqiptarëve të Serbisë, një organizate joqeveritare e cila ka filluar me punë në fund të vitit 2014, duke i vënë vetes detyrë që të mbledhë anëtarët në tërë territorin e shtetit.

„Për momentin shumë mirë funksionon dega jonë në Pançevë për Banatin jugor. Ekziston një iniciativë shumë serioze që të hapet zyra edhe në Suboticë, për këtë dy herë kemi bërë kërkesë zyrtare, për të na dhënë të paktën një hapësirë ku do të mund të takoheshin njerëzit dhe të zgjidhnin problemet e tyre. Edhe pse kemi biseduar me prefektin e kaluar Jene Magllaj për këtë, edhe pse ka pasur fjalë që ai do ta mundësojë këtë, nuk ka ardhur deri te hapja e zyrës, por kjo nuk do të thotë që nuk do t’ia arrijmë shumë shpejt”, thotë Berisha.

Aq më tepër që Amza në Suboticë veçse ka më tepër se 300 anëtarë aktivë, që e bënë qytetin e dytë pas Novi Sadit për nga numri i pjesëtarëve të bashkësisë etnike shqiptare.

„Gjendja reale në teren, siç e shihni, shumë dallon nga rezultati i regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, sipas së cilit në Suboticë vetëm 383 persona janë deklaruar që kanë kombësi shqiptare. Aq ka vetëm në Rrugën Beogradi! Sipas evidencës sonë, pasi në shkojmë derë më derë, gjendja është ndryshe – ka më tepër, shumë më tepër. Në tërë territorin e Vojvodinës janë edhe gjashtë mijë. Shpjegimi për një dallim të tillë është i thjeshtë: njerëzit pas të gjitha ngjarjeve në këto hapësira, nuk kanë pasur guxim që në regjistrimin e popullsisë të deklarohen si shqiptarë, deri në këtë moment”, thotë Berisha.

Pasi qe jetojme bashke

Rëndësia e Amzës është aq më e madhe pasi për momentin nuk ka asnjë shoqatë tjetër në tërë territorin e Serbisë e cila merret në mënyrë aktive me këto çështje të rëndësishme për ekzistencën e një komuniteti etnik pakicë dhe në radhë të parë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, si institucion zyrtar, praktikisht funksionon vetëm në Luginën e Preshevës, duke mos prekur zonat tjera.

“Përmes të gjitha aktiviteteve të cilat i bëjmë në terren, tentojmë që të jemi pjesëmarrës aktivë në të gjitha ngjarjet shoqërore. Për këtë kohë të shkurtër të ekzistencës, kemi organizuar një sërë manifestimesh të drejtuara në ofrimin e ndihmës humanitare për njerëzit me nevoja të posaçme sociale, pajisjeve për shkollë dhe ndihmë për fëmijët e braktisur…thjesht tentojmë të arsyetojmë moton tonë i cili është ‘Pasi që jetojmë së bashku’, dhe për të njëjtat arsye as shoqata jonë nuk është monoetnike, por ka anëtarë edhe të përkatësive tjera”, thotë Demë Berisha.

Për këtë arsye, edhe revista të cilën e publikojnë është në dy gjuhë – në gjuhën serbe dhe shqipe, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se për çfarë shkruajnë. Shtypi për momentin financohet përmes kontributeve vullnetare, duke marrë parasysh që shoqata ka përkrahje shumë të vogël të shtetit për të funksionuar, edhe pse ka shumë probleme për të cilat duhen zgjidhje konstruktive.

“Për momentin problemi më i madh është mosrespektimi i të drejtës Kushtetuese të lëvizjes dhe qëndrimit të shqiptarëve në Serbi. Kur them të shqiptarëve, në radhë të parë mendoj për njerëzit të cilët ende janë zyrtarisht pjesë e Republikës së Serbisë dhe të cilët kanë lindur në Kosovë. Ata kanë probleme të vendosen në Serbi nëse dëshirojnë pasi që, edhe më tutje, kanë probleme me regjistrimin e vendqëndrimit, marrjen e dokumenteve personale, dhe me këtë shkelen të drejtat elementare njerëzore”, shpjegon Berisha.

Problemi i radhës është përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, që në mënyrën më alarmuese reflektohet në numrin e përkthyesve zyrtarë gjyqësorë, për çfarë insistojnë organet zyrtare të shtetit. Kështu, në tërë territorin e Vojvodinës zyrtarisht ekzistojnë vetëm dy përkthyes gjyqësor – një në Apatin dhe tjetri në Novi Sad.

“Hapi i parë për zgjidhjen e këtij problemi në afat të gjatë do të ishte mësimi i gjuhës shqipe në shkolla. Ne kemi kërkuar nga Sekretariati kompetent krahinor për legjislacion, administratë dhe pakica kombëtare dhe e kemi marrë aktin formal i cili thotë që një mundësi e tillë fitohet nëse identifikohet numri i mjaftueshëm i fëmijëve të cilët do të mësonin gjuhën shqipe në mënyrë fakultative – kushti është të ketë më tepër se 20 nxënës në një shkollë. Për fillim kjo është shumë me rëndësi, kurse jemi në rrugë të mirë që edhe në radion dhe televizionin publik të Vojvodinës të kemi hapësirë për informim në gjuhën shqipe”, thekson Demë Berisha, kryetar i Amzës së Shqiptarëve të Serbisë.

Nëse mund të vlerësohet në bazë të fjalëve të tij, pjesëtarët e komunitetit kombëtar shqiptar kanë bërë hapa të mëdhenj për të dalë nga terri dhe përmes rrugës institucionale e kanë nisur luftën për të arritur të drejtat e tyre, duke hapur në mënyrë të organizuar dyert të cilët deri më tani kanë qenë – të mbyllura.

Foto: Antonio Gabor dhe Arkivi i Autonomisë

 

Ky artikull është shkruar si pjesë e projektit “Njerëz të vërtetë – zgjidhje të vërteta” dhe është financuar me mjete të BE-së si pjesë e Programit Mediatik 2014. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi ekskluzive e BIRN Kosova dhe Rrjetit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Europian.