FOTO BIRN: ILUSTRIM

Shqipëria Përballet me Rrezikun e “Xhihadistëve në Hije”

“Ajo xhami është kaq pranë Tiranës, por ne shkuam atje vetëm 11 vjet pas ndërtimit të saj. Kjo tregon se një pjesë e përgjegjësisë (për radikalizimin) qëndron edhe tek Komuniteti,” thotë Ylli Gurra, myftiu i Tiranës dhe zyrtar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Gurra i tregoi Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, për vizitën e tij në nëntor 2015 në xhaminë e Mëzezit, një fshat në periferi të kryeqytetit.

Emri i kësaj xhamie ka vite që është lidhur me radikalizimin dhe rekrutimin e luftëtarëve shqiptarë në Siri, e megjithatë ai ishte zyrtari i parë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, KMSH, që vuri këmbë brenda saj.

Imami i saj, Bujar Hysa aktualisht po gjykohet bashkë me tetë persona të tjerë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Të gjithë akuzohen për propagandë të dhunshme xhihadiste dhe rekrutim të rreth 70 luftëtarëve xhihadistë shqiptarë-akuza të cilat i mohojnë.

Xhamia e Mëzezit është një prej shtatë xhamive që operonin jashtë autoritetit të KMSH-së. Ndryshe nga pjesa më e madhe e 727 xhamive të Shqipërisë, këto xhami e kanë refuzuar udhëheqjen nga imamë të caktuar nga KMSH.

Qeveria vlerëson se nga viti 2012, më shumë se 100 shqiptarë, kryesisht djem të rinj, i janë bashkuar grupeve të xhihadistëve që luftojnë në Siri. Pothuajse të gjithë iu bashkuan Al Nusrës-krahu ushtarak i Al Kaedas ose ISIS-it. Sipas burimeve të Shërbimit Informativ Shtetëror, pjesa më e madhe ishin radikalizuar dhe rekrutuar në xhami jashtë kontrollit të KMSH-së.

Futja e këtyre xhamive nën kontrollin e Komunitetit Mysliman Shqiptar është kthyer në një prioritet kryesor për Shqipërinë.

KMSH-ja, e cila financohet pjesërisht nga shteti përfaqëson popullsinë myslimane Syni të Shqipërisë dhe i përket shkollës Hanafi të Islamit, që është tradicionale në Ballkan. Ajo konsiderohet si tepër tolerante dhe mbështet bashkë-ekzistencën me vlerat laike.

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra (majtas) dhe ambasadori amerikan, Donald Lu (djathtas), në xhaminë e re në fshatin Dragostunjë, në lindje të Shqipërisë | Foto: Myftinia e Tiranës, Facebook.
Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra (majtas) dhe ambasadori amerikan, Donald Lu (djathtas), në xhaminë e re në fshatin Dragostunjë, në lindje të Shqipërisë | Foto: Myftinia e Tiranës, Facebook.

E megjithatë, KMSH-ja ka hasur vështirësi të shumta për të vendosur kontroll mbi të gjitha xhamitë, pjesërisht si rezultat i ndryshimeve radikale në liritë fetare dhe ekspozimin ndaj interpretimeve të tjera dhe më strikte të islamit, që pasuan rënien e komunizmit në vitin 1990.

Me shqiptarët tashmë të lirë të praktikonin hapur fenë, në vend erdhën shumë grupe të huaja islamike me qëllime të ndryshme. Disa erdhën për të ndihmuar të varfrit, disa për të ndërtuar xhami dhe të tjerë për të përkrahur interpretimet e vijës së ashpër konservatore të Islamit.

Xhamitë që mbeten jashtë kontrollit KMSH-së raportohet se i përkasin traditës shumë konservatore Selefi dhe rreth shtatë prej tyre, duke përfshirë edhe xhaminë e Mëzezit, janë lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me promovimin e xhihadit të dhunshëm dhe rekrutimin e luftëtarëve për ISIS-in dhe Al Nusrën.

Rreziku i luftëtarëve të kthyer

Përveç ndalimit të radikalizimit të lidhur me disa xhami, Shqipëria duhet gjithashtu të përballet me kërcënimet që lidhen si me “eksportimin” e xhihadistëve, ashtu edhe me luftëtarët e kthyer në vend. Në fillim të vitit 2014, të paktën 40 luftëtarë shqiptarë ishin kthyer nga Siria.

Sipas një dosje të shërbimeve sekrete të parë nga BIRN, besohet se 15 luftëtarë të kthyer në vend përbëjnë një kërcënim akut për sigurinë.

“Ata (të 15-të) qëndrojnë në hije, por ruajnë një nivel të lartë radikalizimi,” tha një burim i sigurt, duke folur në kushtet e anonimatit.

Një tjetër burim konfirmoi se të paktën 40 nga të kthyerit, disa prej të cilëve nuk konsiderohen të rrezikshëm, mbahen nën vëzhgim.

Pavarësisht kërcënimit, qeveria e gjeti veten pa një legjislacion për të ndjekur penalisht luftëtarët e ardhshëm xhihadistë, ata që janë kthyer apo ata që akuzohen për radikalizim, financim dhe mbështetje të ekstremizmit të dhunshëm islamik.

Almir Daci, një ish-imam nga Pogradeci, besohet se aktualisht lufton me ISIS-in në Siri | Foto: YouTube, qershor 2015
Almir Daci, ish-imam nga Pogradeci, besohet se aktualisht lufton me ISIS-in në Siri | Foto: YouTube, qershor 2015

Në shkurt 2014, parlamenti miratoi paketën ligjore që e bënte, në pjesën më të madhe të rasteve, pjesëmarrjen në konflikte të armatosura dhe bashkimin në grupe ushtarake në vende të huaja një vepër penale të ndëshkueshme deri në 8 vjet burg.

Shqiptarët tani rrezikojnë deri në 15 vjet burg për nxitje, rekrutim, financim dhe mbështetje të të tjerëve në konflikte të huaja.

Ligjet e reja i hapën rrugë kontrolleve dhe arrestimeve të marsit 2014. Dhjetë shqiptarë, mes të cilëve edhe tre imamë, janë aktualisht në gjyq dhe përballen me akuzat për inkurajim dhe rekrutim luftëtarësh. Nëntë prej tyre gjykohen së bashku, ndërsa një proces i ndarë është hapur së fundmi në gjykatë.

Almir Daci, një ish-imam nga Pogradeci i njohur gjithashtu si Ebu Belkisa, po gjykohet në mungesë. Ai besohet se aktualisht lufton me ISIS-in në Siri.

Shërbimet sekrete të Shqipërisë besojnë se numri i shqiptarëve që përpiqen t’u bashkohen grupeve që luftojnë në Siri ka shkuar drejt zeros, që prej hyrjes në fuqi të ligjeve të reja.

“Shërbimi Informativ Shtetëror Shqiptar beson se vetëm një person është larguar nga Shqipëria drejt Sirisë pas kësaj. Pas vënies në zbatim të legjislacionit të ri ka pasur zero të kthyer nga Siria,” tha një burim për BIRN.

Megjithatë, vendi ka përforcuar sigurinë kufitare dhe po ndan informacione me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe shërbimet sekrete partnere. Burime të ndryshme thonë se Shqipëria ka fituar më shumë eksperiencë në trajtimin e kësaj çështjeje që prej vitit 2013.

Agjencitë e sigurisë “kanë mungesë burimesh”

Dr. Mimoza Xharo, një akademike me më shumë se 20 vite eksperiencë pune në komunitetin e inteligjencës shqiptare, pohon se shërbimi sekret shqiptar ishte në dijeni të kërcënimit xhihadist në një fazë të hershme dhe mund të përgjigjej relativisht shpejt, pjesërisht për shkak të bashkëpunimit me agjencitë amerikane dhe atyre europiane.

Megjithatë, ajo beson se Shqipëria duhet të shtojë burimet për të trajtuar kërcënimet terroriste në të ardhmen, sidomos përsa i takon niveleve të stafit dhe financimit për të përmirësuar teknologjinë.”

“Tani për tani, dobësia (në burime) është mbuluar nga partnerët e shërbimeve inteligjente të huaja,” tha ajo.

Pavarësisht rënies së shifrave të luftëtarëve dhe ndjekjes penale të personave që dyshohet se i kanë radikalizuar dhe rekrutuar ata, disa ekspertë janë të shqetësuar se përgjigja e shtetit ndaj radikalizimit deri tani është kufizuar vetëm tek agjencitë e sundimit të ligjit.

Qeveria lajmëroi në janar se ka në plan të hapë një qendër kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, e cila do të përqendrohet te edukimi dhe promovimi i tolerancës fetare.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, tha se qendra “do të hapet së shpejti falë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë”, por ende nuk është caktuar asnjë datë.

Fabian Zhilla , një ekspert i krimit kibernetik dhe profesor në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë, beson se duhet bërë shumë më tepër për të kuptuar “faktorët që i shtynë të rinjtë shqiptarë të shkojnë në Siri” për të pasur një trajtim efikas të radikalizimit.

Gjergji Vurmo, një studiues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim me bazë në Tiranë, IDM, bie dakord me këtë argument. Ai është autori kryesor i studimit “Radikalizimi Fetar dhe Ekstremizmi i Dhunshëm”, i zhvilluar midis shtatorit 2014 dhe qershorit 2015.

Raporti u fokusua në komunitete prej nga vinin një numër i konsiderueshëm luftëtarësh xhihadistë dhe zbuloi se vendit i mungon një përgjigje e koordinuar nga shumë agjenci për këtë çështje. Ai është sidomos tepër kritik në lidhje me perceptimin se “radikalizimi ishte një çështje (vetëm) e policisë apo prokurorisë”.

“Është tepër e rëndësishme që parandalimi të përfshijë një numër të madh aktorësh siç janë shkollat, pushteti lokal, rinia, institucionet sociale, agjencitë e punësimit dhe media,” tha ai për BIRN.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, IDN-ja ka organizuar një sërë seminaresh, përfshirë sesione për trajnim mësuesish në zona që lidhen me radikalizimin dhe rekrutimin e luftëtarëve të ISIS dhe Al Nusrës.

“Rehabilitoni luftëtarët, përmirësoni sigurinë”

Zhilla është gjithashtu kritik mbi mënyrën sesi Shqipëria i trajton ata që rikthehen nga Siria. “Ne nuk kemi një strategji për integrimin e të kthyerve,” vërejti ai.

Ai tha se është e vështirë të vlerësosh në mënyrë objektive impaktin e masave që janë marrë deri më tani nga qeveria shqiptare për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, përfshirë edhe mënyrën e trajtimit të të kthyerve.

“Ne ende nuk kemi një analizë të detajuar nga shteti shqiptar mbi faktorët që i shtynë disa njerëz të shkonin dhe të luftonin në Siri. Pa analiza të tilla, rehabilitimi i të kthyerve do të jetë i vështirë,” tha Zhilla.

Xharo është gjithashtu e shqetësuar, sidomos për faktin se shumë luftëtarë të kthyer, mes të cilëve edhe të zhgënjyer nga ajo që panë në Siri dhe Irak, nuk kanë qasje në programe rehabilitimi.

“Nuk di që ndonjëri nga të kthyerit t’i jetë trajtuar nga psikologë apo sociologë. Madje, as familjet e tyre,” tha ajo.

Një agjent sigurie, i cili foli për BIRN në kushte anonimati, mendon se siguria kombëtare do të përfitonte nga rehabilitimi i duhur i të kthyerve.

“Do të ishte mirë nëse shteti do të mund t’u ofronte atyre punë apo t’i ndihmonte me psikologë, sepse ata kanë qenë në një zonë lufte. Janë zhgënjyer nga ajo që gjetën në Siri dhe ky do të ishte një fillim i mirë për të ashtuquajturën “de-radikalizim” të tyre dhe për të minimizuar rrezikun që ata përbëjnë për vendin,” tha ai.

Si Zhilla ashtu edhe Xharo mbeten të shqetësuar, pasi të rinjtë shqiptarë janë të kërcënuar edhe nga radikalizimi në internet. Të dy besojnë se fenomeni i radikalizimit ekstremist islamik mund të jetë shumë më i madh se sa mendohej fillimisht.

Zhilla aktualisht po kryen një studim mbi radikalizimin on-line dhe thotë se një numër i konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë, sidomos ata me shumë pak njohuri fetare, po i qasen propagandës së ISIS-it nëpërmjet rrjeteve sociale të njohura, siç është Facebook-u.

“ISIS ka bërë përpjekje të përhershme për të përhapur një lloj propagande në internet dhe audienca e tyre përbëhet kryesisht nga individë që mbështesin akte të dhunshme,” tha ai.

Xharo e përshkruan këtë grup të rinjsh shqiptarë me njohuri minimale fetare, si “luftëtarë potencialë në hije” dhe thekson se ka pasur një “bum” të propagandës së dhunshme ekstremiste në llogaritë e rrjeteve sociale, menjëherë pas sulmeve terroriste në nëntor në Paris.

“Shqipëria është e kërcënuar jo vetëm si pjesë e koalicionit kundër ISIS-it; ajo është e kërcënuar gjithashtu edhe mbështetësit online të ekstremizmit të dhunshëm, të cilët nesër mund të veprojnë si ujqër të vetmuar,” paralajmëron ajo.

Arrestimet dhe ndjekjet penale deri më sot

Në mars 2014, policia shqiptare operacionin më të madh kundër terrorizmit, e cila solli arrestimin e nëntë të dyshuarve. Të nëntë kanë dalë në gjyq dhe akuzohen për shpërndarje propagande ekstremiste dhe rekrutim shqiptarësh për të luftuar në Siri.

Bujar Hysa, imami i xhamisë së Mëzezit, Abdurrahim Balla, imam i xhamisë së Unazës së Re, Edmond Balla, Gerti Pashja, Orion Reçi, Zeqir Imeri, Astrit Tola, Fadil Muslimani dhe Verdi Morava po mbahen në burg. Të gjithë i mohojnë akuzat.

Almir Daci, një imam nga xhamia e Leshnicës në Pogradec, në jug-lindje të Shqipërisë besohet se po lufton në Siri me ISIS-in bashkë me shqiptarë të tjerë. Daci do gjykohet në mungesë për përkrahje dhe rekrutim njerëzit me qëllim kryerje aktesh terroriste.

I njohur gjithashtu si Ebu Belkisa, Daci konsiderohet si një nga shqiptarët më aktivë në ISIS. Një video e publikuar në YouTube në qershor 2015 tregon Daçin duke kërcënuar shqiptarët që nuk i bashkohen ISIS-it dhe parashikon sulme terroriste në Shqipëri dhe shtete të tjera të Ballkanit.

 

TË DHËNA KRYESORE PËR XHIHADISTËT NGA SHQIPËRIA

Shifrat e luftëtarëve

Qeveria vlerëson se më shumë se 100 shqiptarë i janë bashkuar grupeve xhihadiste bë Siri dhe Irak, përfshirë 13 gra dhe 31 fëmijë, 26 prej të cilëve janë minorenë.

BIRN ka identifikuar të paktën 107 shqiptarë që kanë qenë në Siri dhe Irak gjatë katër viteve të fundit.

55 shqiptarë janë ende në Siri dhe besohet, sipas burimeve të shërbimeve sekrete të shtetit, se po luftojnë për ISIS apo banojnë në territorin e kontrolluar nga ISIS.

18 besohet se janë vrarë në konflikte dhe 12 janë plagosur.

3 luftuan me krahun turk të Al-Kaedës, në batalionin Murat Gezenler, të tjerët iu bashkuan Al Nusrës ose ISIS-it.

42 u kthyen në vend para se qeveria të miratonte ligjet e reja që e kriminalizojnë luftimin në konflikte të huaja.

Shifrat e shqiptarëve që largohen për të luftuar në Siri dhe Irak kanë rënë ndjeshëm pasi qeveria miratoi ligjet e reja anti-terror në shkurt 2014.

2012: 20 burra shqiptarë u larguan nga vendi për të luftuar në Siri dhe Irak

2013: 83 burra, gra dhe fëmijë shqiptarë u nisën për në Siri dhe Irak

2014: 4 shqiptarë u larguan për në Siri dhe Irak

2015: 1 shqiptar u largua për në Siri

Burimi: Prokuroria e Krimeve të Rënda (Shkurt 2016)

 

Reformat ligjore anti-terror

Në shkurt 2014, parlamenti shqiptar miratoi reforma të reja ligjore për të trajtuar çështjen e luftëtarëve xhihadistë.

Shqiptarët që shpallen fajtorë “për pjesëmarrje në konflikte të armatosura ose (i bashkohen) grupeve të armatosura në vende të huaja, të cilët nuk janë shtetas të shtetit të huaj apo anëtarë të forcave të armatosura të palëve në konflikt” tani përballen me dënime që variojnë nga tre deri në tetë vjet burg.

Dënime me pesë deri në 10 vjet burg mund të jepen për ata që shpallen fajtorë se kanë luftuar jashtë vendit “me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues apo shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj”.

Përveç kësaj, “nxitja, rekrutimi, organizimi, lidershipi, trajnimi, krijimi apo përdorimi i fondeve ose fondeve të tjera ose financimi për njerëzit në çfarëdolloj forme apo mënyre për të kryer” pjesëmarrje në konflikte të armatosura apo grupe ushtarake në vende të huaja tani ndëshkohet me pesë deri në 15 vjet burg.

Shpërndarja e propagandës ekstremiste dhe çfarëdolloj forme thirrje publike për pjesëmarrje në konflikte të armatosura të huaja ndëshkohet me deri tre vjet burg.

Burimi: Nenet 265/a dhe 265/b të Kodit Penal Shqiptar