Shqipëria Ndihmon EULEX-in Në Hetimet Për Ryshfet

Sipas kërkesës për ndihmë ligjore të dorëzuar nga prokuroria në Gjykatën e Tiranës, autoritetet e Kosovës besojnë se mes viteve 2009 dhe 2011, Francesco Florit pranoi premtime për ryshfete me vlerë të përgjithshme prej 750 mijë eurosh dhe mori një ryshfet prej 360 mijë eurosh “për të mohuar të gjitha provat në një gjyq për vrasje”.

Gjyqi përfshinte tri të dyshuar, Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nusret Cena, të akuzuar për një çështje të njohur si “shpërthimi në Bulevardin Bill Clinton” dhe për një çështje tjetër të njohur si “Vrasja e Trefishtë Baftiu”.

Të akuzuarit janë që të gjithë ish anëtarë të një njësie të forcave speciale të policisë së Kosovës.

Në vitin 2009, Hasani dhe Qerimi u shpallën fajtor në gjyqin për shpërthimin ndësa Cena u shpall i pafajshëm. Florit qe kryetari i trupës gjykuese me tre anëtarë.

Të tre burrat qenë gjykuar më herët për një vrasje të trifishtë të ndodhur në vitin 2007 pranë Kaçanikut. Në atë rast, Cena qe gjithashtu i dyshuari i vetëm që doli i pafajshëm, megjithëse Florit nuk qe në trupën gjykuese.

Florit ka mohuar të jenë i përfshirë në ryshfet. “Unë nuk mora kurrë dhe as nuk m’u ofrua kurrë, asnjë ryshfet nga askush,” tha ai për BIRN.

Autoritetet e Kosovës besojnë se ryshfeti u dorëzua në vitin 2009 nga Flurim Hasani – vëllai i Besnik Hasanit – avokati i tij, Mahmut Halimi dhe gjykatësit Florit.

“Flurim Hasani ka deklaruar se ai ka udhëtuar për në Durrës [Shqipëri] bashkë me avokatin e tij për të takuar gjykatësin dhe dorëzuar ryshfetin,” shkruhet në kërkesën e Prokurorisë së Tiranës.

Flurim Hasani tha se avokati i tij takoi Florit në një skelë në Durrës dhe pastaj dolën në det me një varkë.

“Gjatë atij takimi, avokati [Mahmut Halimi] dhe gjykatësi ranë dakord për një ryshfet me vlerë 250 mijë euro për t’u paguar për secilin prej të akuzuarve,” shkruhet në kërkesë.

Pas takimit për të cilin akuzohet mes Florit dhe Halimit në Durrës, Florim Hasani i tha familjeve të dy të akuzuarve të tjerë të mblidhnin paratë për ryshfetin.

Gjithsesi, pavarësisht marrëveshjes, Flurim Hasani nuk e mblodhi kurrë shumën prej 750 mijë eurosh të cilën gjykatësi akuzohet se kërkoi për pafajësinë e të dyshuarve.

Një shumë më e vogël prej 360 mijë eurosh besohet se është paguar te gjykatësi nga Afet Cena, vëllai i Nusret Cenës, një nga tre të akuzuarit.

“Për rrjedhojë, ky i fundit [Cena] qe i vemi nga të akuzuarit që u lirua nga paraburgimi dhe më pas nga të gjitha akuzat, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë u dënuan,” shkruhet në dokumentin e prokurorisë të dorëzuar në gjykatë.

Sipas dokumentit, autoritetet e Kosovës kërkuan te homologët e tyre shqiptarë të verifikojnë të gjitha datat e hyrjes në Shqipëri në 2009 të Flurim Hasanit, avokatit Halimi dhe gjykatësit Florit.

Zyra e prokurorisë së Kosovës dhe EULEX kanë kërkuar gjithashtu pikat e hyrjes së të dyshuarve në Shqipëri, makinat që kanë përdorur dhe emrat e çdo pasagjeri tjetër në makinat me të cilat ata udhëtuan.

Florit ka mohuar të ketë vizituar Shqipërinë më 2009, dhe thotë se kjo ngjarje është përpjekje për të siguruar rigjykim – gjë që ka kërkuar edhe familja e viktimave të vrasjes së trifishtë të Kaçanikut.

Gjykatësi ra dakord të diskutojë pretendimet hapur gjatë një debati në televizionin Kohavizion të Kosovës, ku ai tha se EULEX po harxhonte kohën kot.

“Misioni duhet ta trajtojë atë [akuzën për ryshfet] për atë që është – një gjë e pakuptimtë që nuk meriton vëmendje ose si një shpenzim tjetër i kotë kohe që duhet të arkivohet,” tha ai.

Gjykatësi u ankua se edhe nëse hetimi e pastron emrin e tij, akuzat kanë shkatërruar efektivisht karrierën e tij. “Kush do të promovojë apo punësojë një gjykatës që ka qenë i dyshuar për ‘shitje të vendimeve?” pyeti ai.