Foto: Flickr

Shpejt dhe Gabim

Mirësevini në epokën e lajmeve të rrejshme, ku shpejtësia e publikimit të lajmit është shumë më e rëndësishme sesa vërtetësia e tij.

Lajmi në kohën tonë është më shumë i motivuar nga shpejtësia, sesa nga përmbajtja dhe saktësia. Sot, lajmi nuk ka qëllim që të informojë, por të shërbejë si karrem për klikime dhe përfitime. Të mbingarkuar me informata, edhe gazetarët por edhe lexuesit po e humbasin aftësinë për të dalluar informacionin e rrejshëm nga ai i vërtetë.

NDËRLIDHUR

Të martën e fundit të muajit mars 2017, aty kah mesdita, një nga mediet elektronike raportoi se “deputetët po i rrisin rrogat dhe mëditjet” dhe për këtë cituan Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2018-2020, e cila u aprovua po atë ditë në Komisionin për Buxhet dhe Financa. Nuk mund të di me saktësi se cili ishte mediumi që i pari publikoi këtë lajm, por shumë shpejt pjesa më e madhe e medieve elektronike përhapën të njëjtin lajm.

Të bazuar në lajmet e medieve elektronike, qytetarët filluan të shprehin mllefin në rrjetet sociale. E ky reagim shumë shpejt solli edhe reagimin e politikanëve. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli deklaroi se “është kundër rritjes së rrogave për deputetët”, duke vazhduar se, “kur popullit t’ia rrisim rrogat dhe standardin e jetës, atëherë politikanët le të mendojnë për rrogat e veta”. Deputeti Gëzim Kelmendi deklaroi se “vendimi për rritjen e pagave dhe mëditjeve për deputetët që sapo mori Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa është vendim i turpshëm, skandaloz dhe kundër mirëqenies sociale të të gjithë qytetarëve të Kosovës”. Duke u frikuar se po mbetet mbrapa në dënimin e “vendimit”, reagoi edhe kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli duke thënë se “deputetët e Kuvendit që po e mbajnë peng punësimin e të rinjve dhe zhvillimin e Kosovës, po kërkojnë që vetes së tyre t’ia rrisin pagat…a thu kur do të marr fund ky turp…”.

E tërë kjo histeri e medieve, komentuesve në rrjete sociale, deputetëve e kryetarëve të partive erdhi nga një lajm i rremë, të cilin askush nuk mori mundin ta vërtetojë. Rritja e kategorisë së pagave për 2018 për Kuvendin e Kosovës me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2018-2020 ishte rezultat i planifikimit zgjedhor dhe pagave për deputetët që nuk do rizgjidhen dhe si rezultat i punësimeve të reja në administratën e Kuvendit, e jo rritje të pagave të deputetëve.

E njëjta situatë komike u përsërit edhe javën e kaluar. Pas debatit të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, mediat cituan përfaqësuesen e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova të “këtë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që të rishikojë opinionin e saj për marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe”. I menjëhershëm ishte reagimi i partive opozitare, të cilat kritikuan Apostolovan për ndërhyrje në vendimet e gjyqësorit. Me qëllim të qartësimit të opinionit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë publikoi të plotë fjalimin e znj. Apostolova. Edhe pas publikimit të reagimit të Zyrës së BE-së, deputetët e opozitës nuk tërhoqën akuzat. Madje, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) reagoi kundër Apostolovas, një orë pas sqarimit që dërgoi Zyra e BE-së.

Këto raste të publikimit të lajmeve të pakonfirmuara nuk janë raste të reja, e as nuk do të jenë të fundit. E Kosova nuk është i vetmi vend i cili po aplikon këtë gazetari të pabazuar në fakte. Më 8 janar 2011, derisa po zhvillohej një tubim publik në Tucson të Arizonas (SHBA), një sulmues shtiu me armë në turmë, duke vrarë gjashtë persona dhe plagosur shumë të tjerë, ndër ta edhe kongresisten demokrate Gabrielle Giffords. Përderisa Giffords përpëlitej për jetë, rrjetet më të mëdha mediatike sikurse CNN, NBC e FOXNEWS, e kishin shpallur atë të vdekur. Por, Giffords i kishte mbijetuar sulmit me armë. Vite më vonë, seriali televiziv “Newsroom”, duke u bazuar në këtë ngjarje, pasqyron më së miri absurdin e medieve amerikane pas shpejtësisë së lajmit, pa e vërtetuar atë. Në këtë serial fiktiv, autorët e emisionit informativ “Newsroom” hezitojnë të përcjellin shembullin e medieve tjera dhe të shpallin të vdekur kongresisten Giffords, me arsyetimin se “një person nuk shpallet i vdekur nga media, por nga mjeku.”

Përveçse lajmet e pavërtetuara mirë sjellin këso situatash komike, ato kanë ndikim edhe më të madh, sidomos në këso rastesh kur në pyetje janë çështje me rëndësi publike, si shembulli i pagave të deputetëve, apo Asociacionit të Komunave Serbe. Me përhapjen e medieve elektronike, është paraqitur edhe problemi i kopjimit të përmbajtjes së lajmeve, pa e cituar burimin origjinal. E kur mediat kopjojnë edhe lajmet e rrejshme, atëherë bëhet shumë e vështirë të identifikohet burimi i lajmit. Por, ashtu sikurse mediat vrapojnë të kopjojnë lajmet, me qëllim të mbushjes së përmbajtjes në platformat e tyre dhe përmes tyre të gjenerojnë profit nga reklamat, edhe politikanët reagojnë me aq shpejtësi, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes. Kur ndodh kjo, atëherë nga një lajm i rrejshëm, kalohet në një qëndrim politik. Fatkeqësisht, në shumë raste, në këtë grackë bien edhe organizata të mëdha, si partitë politike apo organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Pas zgjedhjeve të fundit në SHBA, ku lajmet e rrejshme u bënë temë debati në mes të kandidatëve për president dhe shumë besojnë se ato edhe e ndikuan rezultatin zgjedhor, vende të ndryshme kanë marrë masa për parandalimin e tyre. Gjermania, e ndodhur para një procesi të rëndësishëm zgjedhor, po e shqyrton adoptimin e një ligji i cili do të gjobisë rrjetet sociale nëse nuk ofrojnë mundësinë e raportimit dhe largimit të lajmeve të rrejshme. Kjo duket se ka shtyrë rrjetin Facebook që në Gjermani të aplikojë masa të reja për të parandaluar dhe raportuar lajmet e rrejshme.

Kosova nuk është Gjermani dhe gjuha shqipe nuk ka shtrirjen e gjuhës gjermane, që Facebook të marrë masa për të bllokuar përhapjen e lajmeve të rrejshme. Një përgjegjësi e tillë duhet të bie mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili përmes ndryshimeve ligjore duhet të shtrijë mbikëqyrjen edhe ndaj medieve të shkruara elektronike. Po ashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përveç mbrojtjes së gazetarëve, duhet të mbrojë edhe gazetarinë.

27 Prill 2017 - 13:38

Agron Demi 27/04/2017 - 13:38
NDËRVEPRIMI65

Shpejt dhe Gabim

by Agron Demi
NA NDIQNI