Shoqëria që Sfidon Ligjet dhe të Drejtat e Barabarta

Në shoqërinë tonë, e nuk e kam fjalën për vetëm një zone të caktuar, të drejtat e grave në pronë janë temë tabu. Kjo temë rrallë herë diskutohet në ambientet familjare. Natyrisht, nuk mund të themi të njëjtën gjë për televizione, debatet në qarqet e ndryshme, por në thelb situata qëndron krejt e ngurtë aty ku do të duhej të bisedohej rreth kësaj.

Tek ne, e drejta në trashëgimi historikisht i ka takuar vetëm burrave, duke i përjashtuar kështu gratë nga e drejta e tyre në trashëgimi. Kjo, sipas së drejtës zakonore shqiptare, saktësisht sipas nyjës së njëzetë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, ku thuhet se “Grueja Shqyptare fare trashëgimi nuk ka te baba as te burri, kanuja e xen gruen si tepricë”. Pra, sipas të drejtës zakonore, gruaja nuk ka kurrfarë të drejte trashëgimi, një e drejtë e tillë nuk i është njohur askund.

E drejta në trashëgimi është e drejtë e të gjithë personave që pasardhësit e tyre u’a lënë të mirat, të drejtat dhe obligimet (borxhet) që kanë pasardhësve të tyre.

Ani pse pozita e gruas në shoqërinë kosovare ka ndryshuar për të mirë dekadave të fundit, e drejta në pronë ka mbetur pothuajse në të njëjtën fazë, si edhe më përpara. Janë raste të rralla ato që gratë marrin pjesën e tyre në trashëgimi, pikërisht për shkak se mentaliteti vazhdon të jetë i pa ndryshueshëm.

Ligji për trashëgimi në thelb proklamon barazinë në trashëgimi,  por ajo se çfarë ndodhë në realitet është se në shumicën e rasteve gratë heqin dorë nga e drejta e tyre në trashëgimi duke i humbur të gjitha të drejtat e tyre në atë pasuri që kanë hequr dorë. Me një vendim të tillë ato, sipas ligjit për trashëgimi, do të konsiderohen sikur kurrë të mos kishin qenë trashëgimtare.

Në rastet kur një grua merr pasurinë që i takon sipas ligjit, do të konsiderohet se “ja ka marrë vëllezërve pasurinë” e jo se e ka marrë pasurinë e vet që i takon me ligj si trashëgimtare ligjore e barabartë me të gjithë trashëgimtarët e tjerë. Në rastet kur gruaja dëshiron të pranojë pasurinë që i takon, në shumicën e rasteve bëhet pre e gjykimeve të rënda nga familja, deri në prishjen e menjëhershme të raporteve familjare. Andaj, në shumicën e rasteve, ato duke mos dashur që këto raporte të prishen, vendosin të heqin dorë nga e drejta e tyre në trashëgimi, mbase edhe duke e vendosur vetën në një gjendje edhe më të mjerueshme ekonomike.

Fakti që gratë e kanë mundësinë të heqin dorë nga e drejta e tyre në trashëgimi, (e që parashihet në nenin 130 të Ligjit mbi trashëgiminë), kjo mundësi i vënë ato para një akti tashmë të kryer, duke e shprehur vetëm vullnetin që u kërkohet, dhe duke vazhduar me po të njëjtin avaz atë që e drejta zakonore e thotë.

Në anën tjetër, ato që vendosin të marrin pasurinë e trashëguar qoftë nga familja e gjinisë, qoftë nga bashkëshorti ballafaqohen me probleme të mëdha, si nga stigmatizimet, paragjykimet e deri tek zvarritja e lëndës gjyqësore me vite të tëra në gjykata.

Të gjitha këto problematika – shto edhe mentalitetin patriarkal të shoqërisë sonë- janë shkaktarë që gratë vendosin të heqin dorë nga një e drejtë e caktuar pronësore.

Rastet si ai i Shyhrete Berishës, kur nuk ka mundur të trashëgoj pasurinë e burrit pasi që pasuria e tyre e përbashkët nuk ka qenë në emër të tij, e shumë raste të tjera shpërfaqin mangësitë në ligje, të cilat duhet eliminuar.

Përveç çështjeve tashmë të njohura të trashëgimisë, problematikë tjetër e që edhe në këtë rast viktima janë gratë, është regjistrimi i pronës në emër të dy bashkëshortëve. Në shumicën e rasteve janë gratë ato që heqin dorë nga regjistrimi i pronës në emër të tyre. Edhe kjo mund të ndodhë për shkak të trysnisë paraprake të burrit për të mos e regjistruar pronën në emër të të dyve, mos njohjes së mjaftueshme të legjislacionit apo mentalitetit patriarkal. Pra, mos regjistrimi i pronës në emër të të dy bashkëshortëve, ani pse me Ligjin për Familjen, do të konsiderohet sikur të ishte e regjistruar në emër të të dyve, është në dëm të gruas.

Masat afirmative si Udhëzimi Administrativ për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme e të Përbashkët në Emër të dy bashkëshortëve është bërë me qëllim të stimulimit të bashkëshortëve që të regjistrojnë pronën në emër të të dyve. Ky Udhëzim ka ndikuar që të ketë disa përmirësime  në Komunën e Ferizajt dhe Komunën e Fushë Kosovës. Megjithatë, ky numër në nivel të Kosovës është shumë i vogël, dhe vazhdon të jetë si problematikë që ka nevojë për kujdes të veçantë të shtetit. Së pari, duhet të vazhdohet me masa afirmative edhe më tutje, por që lirimi nga pagesa të jetë shumë më i lartë se sa që është, pra duhet të përfshihen nga lirimi edhe taksa tjera, pasi vetëm në këtë mënyrë masat afirmative do të arrinin qëllimin e synuar.

Po të kishte një siguri më të madhe juridike, ligje më të forta, mbase edhe statistikat do të ishin tjera. Nga analizat e bëra, në Kosovë duhen bërë ndryshime të mëdha në legjislacion. Ndryshimi duhet të nis nga ligji për trashëgimi, të pasohet me ligji e noterisë, ligji i procedurës jo kontestimore, të cilët veçse janë në procedurë për ndryshim. Duhet të ketë edhe ndryshim të ligjit të familjes, për të cilin ende nuk ka asgjë të re.

Aktualisht në Kosovë vetëm 7.5% e grave kanë trashëguar pasuri, dhe vetëm 20% e pronave në Kosovë  janë të regjistruara në emër të grave. Vërejmë që kemi një rritje të lehtë nga vitet paraprake, dhe kjo është nga puna e organizatave të ndryshme jo qeveritare të cilat kanë punuar shumë në informimin e qytetarëve për këto të drejta ligjore.

Këto ndryshime duhet të përfshijnë sigurinë më të madhe të trashëgimtarëve ligjor, në mënyrë që ata të mos fshihen. Duhet të ketë çasja në bazën e të dhënave të noterëve dhe gjyqtarëve në regjistrat civil, të mundësohet fillimin e procedures ex officio (sipas detyrës zyrtare), si dhe formën e ndryshimit të deklaratës së heqjes dorë.

Po ashtu, do të duhej të punohej në hartimin e plan programeve të reja shkollore në mënyrë që të parashihen pjesë për barazinë gjinore në të drejtat pronësore, e fëmijët që nga moshat shumë të vogla të jenë të vetëdijesuar për këto të drejta.

Donjeta Elshani