Njëra nga protestat e fundit të opozitës para se të përçahej. Foto: Atdhe Mulla

Shoqëria e Familjarizmit Amoral

Demokracia kosovare është në krizë edhe për shkak të mosinteresimit të qytetarëve në punët publike. Kjo shoqëri e ka reduktuar aktivizmin politik vetëm në të drejtën e votës çdo katër vjet, për t’u tërhequr dhe pritur pastaj që qeveria lokale dhe qendrore do të zgjidhë të gjitha problemet. Kësaj tërheqjeje të qytetarëve i kanë kontribuuar edhe partitë politike, duke ua kërkuar vetëm votën, ngase për të gjitha tjerat do kujdeset pushteti. Dhe kjo logjikë e reduktimit të demokracisë dhe qytetarisë vetëm në votim çdo katër vjet ka sjellë një ndër qeverisjet më të korruptuara në Evropë dhe gjendje të rëndë sociale për qytetarët e vendit.

Protestat e gjysmë milioni rumunëve kundër një vendimi të qeverisë për të amnistuar rastet e korrupsionit, dëshmuan edhe një herë se presioni qytetar është një ndër mjetet më efikase për të siguruar qeverisjen e mirë në një sistem demokratik. Njëkohësisht, këto protesta në një vend afër Kosovës, tërhoqën paralele edhe me shoqërinë kosovare, e cila ka rënë në apati që nga mbarimi i luftës më 1999.

Përderisa gjatë viteve të ’90 kosovarët në forma të ndryshme u organizuan për t’i rezistuar shtypjes politike dhe ekonomike nga regjimi i Millosheviqit, të njëjtin aktivizëm politik nuk e dëshmuan edhe për të kundërshtuar padrejtësitë e pushtetit pas vitit 1999. Përkundër asaj se këto dy pushtete janë larg të pakrahasueshme, prapëseprapë qeveritë e pas vitit 1999 u kanë mohuar qytetarëve lirinë e plotë, liri të cilën e ofron zhvillimi ekonomik, arsimi cilësor dhe shërbimet e mira shëndetësore.

Por si mund të shpjegohet ky mosaktivizim qytetar, edhe në rastet kur mirëqenia e tyre preket nga qeverisja e keqe? Shpjegimin më të mirë për këtë e jep Edward C. Banfield në librin e tij “Moral Bases of Backward Society” (“Baza Morale e Shoqërisë së Prapambetur”), i shkruar afro 70 vjet më parë.

Në vitin 1954, profesor Banfield, studiues i shkencave politike, i cili më vonë u angazhua si profesor në Universitetin e Harvardit dhe shërbeu si këshilltar politik i tre presidentëve amerikanë- Nixon, Ford dhe Reagan, kaloi rreth nëntë muaj më familjen e tij në një fshat në jug të Italisë. Në atë fshat, Banfield kishte vërejtur një sjellje të kundërt me atë të amerikanëve. Përkundër asaj se Italia e pas Luftës së Dytë Botërore ishte një vend demokratik, ashtu sikurse edhe ShBA, për dallim prej amerikanëve, italianët nuk interesoheshin fare për jetën publike. Sipas Banfield, interesimi i vetëm i italianëve ishte mirëqenia e familjes së tyre të ngushtë.

Banfield shkroi se italianët veprojnë sikur të gjithë e ndjekin këtë rregull: maksimizo fitimin material, shiko vetëm interesin personal dhe të familjes së ngushtë; supozo se të gjithë të tjerët e bëjnë të njëjtën gjë. Këtë lloj sjellje ai e emërtoi si “familjarizëm amoral”.

Në shoqërinë e familjarizmit amoral askush nuk punon për interesa të grupit apo komunitetit, përveç në rastet kur kjo nënkupton përfitim personal apo të familjes së tij. Me fjalë të tjera, përftimi i shpejtë material është motivi kryesor për t’u marrë me punët publike. Çështjet publike u lihen në dorë vetëm zyrtarëve publikë, ngase vetëm ata janë të paguar që të merren me to. Angazhimi në punët publike për një qytetar/e të rëndomtë konsiderohet si veprim i paarsyeshëm.

Askush nuk mbikëqyr punën e zyrtarëve publikë. Këtë detyrë duhet ta kryejnë zyrtarë të tjerë publikë të cilët paguhen për të punë. Në shoqërinë e familjarizmit amoral nuk ka mënyrë më të shpejtë për të humbur shoqërinë sesa të zgjidhesh në një post publik. Të gjithë presin favore nga zyrtari publik dhe favoret asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për t’i kënaqur të gjithë. Organizimi dhe asociimi në organizatë bëhet vetëm në rastet kur një aktivitet i tillë paguhet, përndryshe askush nuk angazhohet mbi baza vullnetare.

Zyrtarët publikë angazhohen në punë aq sa mjafton për të mbajtur pozitën që kanë, ose (në raste të rralla) për aq sa mjafton me t’u promovuar në detyrë. Ligji nuk luan rol në rregullimin e jetës së pjesëtarëve të shoqërisë. Për këtë arsye, marrëveshjet dhe transaksionet zakonisht bëhen jashtë procedurave ligjore duke u bazuar në traditën zakonore. Zyrtarët publikë korruptohen sa herë që u jepet mundësia. Por, edhe nëse zyrtarët nuk korruptohen, shoqëria do të besojë se ata vetëm se janë të korruptuar në momentin që kanë marrë përsipër një detyrë publike. Kjo shoqëri të konsideron mashtrues nëse deklaron se merresh me punët publike i shtyrë vetëm nga dëshira për të kontribuuar për shoqërinë.

Në shoqërinë e familjarizmit amoral nuk ka asnjë ndërlidhje në mes të parimeve abstrakte politike (ideologjisë) dhe sjelljes praktike në jetën e përditshme. Nuk ka prijës dhe pasues. Askush nuk e merr iniciativën për t’i prirë një grupi për të mirën publike, vetëm nëse për këtë ka ndonjë përfitim personal. Edhe nëse do të kishte një lider të tillë, shoqëria nuk do ta pasojë ngase nuk i beson motiveve të tij.

Familjaristi amoral e shfrytëzon të drejtën e votës për të përfituar për vete dhe për familjen e tij të ngushtë. Vota nuk jepet për premtimet e dhëna nga partia, por për beneficionet personale që vetëm janë marrë nga partia dhe që priten të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ai i mbështet iniciativat për të mirën e përgjithshme të komunitetit vetëm nëse beson se nga ato të mira do të përfitojë edhe ai njësoj si të gjithë të tjerët. Nëse vetëm dyshon se një ndryshim në komunitet do t’i ndihmojë më shumë fqinjit sesa vetë atij, ai do ta luftojë një iniciativë të tillë.

Shoqëria e familjaristëve amoralë beson se çdo pushtet u shërben interesave të tij dhe është i korruptuar. Ende pa u përmbyllur mirë zgjedhjet, do fillojnë akuzat se si pushteti i ri është i korruptuar dhe se si po pasurohen çdo ditë. Rrjedhimisht, vota e familjaristit amoral gjithnjë është votë ndëshkuese. Familjaristi amoral i thotë “po” secilës parti që kërkon votën e tij. Votuesit janë të gatshëm të shesin votën e tyre, por duke qenë se votimi është sekret, partitë nuk kanë besim se vota të cilën e paguajnë do shkojë për ta.

Në shoqërinë e familjarizmit amoral, një individ i rritur nuk vepron kurrë si qenie e pavarur nga familja. Një njeri në moshë të rritur thjesht është një njeri i cili pret të bëhet prind dhe të shtojë familjen. Shoqëria e familjarizmit amoral nuk beson në përparim përmes veprimit kolektiv. Në këso shoqërie përparimi shikohet si akt individual ose si punë fati.

Këto observime për Italinë e Jugut në vitet ’50, përshtaten pikë për pikë me sjelljen e kosovarëve në këto 17 vjet të vetëqeverisjes në shekullin XXI.

Edhe pse partive politike apatia qytetare mund të ju duket si mundësi e mirë për të vepruar pa u mbikëqyrur, në aspekt afatgjatë apatia qytetare që rrjedh nga familjarizmi amoral dëmton edhe vetë partitë politike dhe punën e zyrtarëve publikë, ngase kjo apati do të manifestohet gjithnjë e më shumë edhe si mosbesim ndaj çfarëdo puneje të qeverisë.

Sipas Banfield, shoqëria e familjaristëve amoralë nuk mund të ndryshojë shpejt. Por, një prej masave të domosdoshme për t’u ndërmarrë me qëllim të çrrënjosjes së familjarizmit amoral është edukimi qytetar në shkolla. Po ashtu, institucionet shtetërore mund të bëjnë shumë në ndryshimin e kësaj gjendjeje, duke kërkuar nga qytetarët që në bashkëpunim të dakordohen për projekte të caktuara në komunitet, të cilat pastaj i mbështet komuna apo qeveria. Në këtë mënyrë, qytetarët do të mund të bindeshin se organizimi mund të japë rezultate. Shoqëria e familjaristëve amoralë është shoqëri e izoluar, andaj si zgjidhje propozon krijimin e mundësive për lëvizje më të mëdha të popullsisë.

Duket pak e mundshme se një qeverisje si kjo që e kemi parë në këto 17 vjet do të ndërmarrë iniciativa që për qëllim kanë organizimin e pavarur qytetar. Por në këtë drejtim nevojitet angazhim më i madh i organizatave të shoqërisë civile dhe medieve, të cilët përmes programeve edukuese do të mundohen të ngjallin reagimin qytetar, duke filluar nga problemet e lagjes e deri tek luftimi i korrupsionit.