Shoqëria Civile Inkurajon Partitë t’i Trajtojnë Rastet e Ngacmimeve Seksuale

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që merren me të drejtat e gruas në Kosovë kanë inkurajuar organizatat e partitë politike në vend që t’i adresojnë rastet kur brenda tyre paraqiten raste të ngacmimeve seksuale.

Reagimet e tyre erdhën një ditë pasi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një intervistë për “Jeta në Kosovë” foli për praninë e ngacmimeve në baza gjinore në këtë parti.

“Kemi rastin kur vjen një vajzë në Vetëvendosje, vjen një herë, vjen dy herë, aty ka ca burra e djem që ju lshojnë fjalë dhe nuk vijnë më dhe kjo duhet të ndalohet në Lëvizjen Vetëvendosje. Prandaj na duhet kodi i sjelljes dhe na duhet një mentore për bindjen time, sidomos për vajzat që vijnë në tremujorin e parë kur duhet të familjarizohen me organizatën, t’i njohin kolegët dhe detyrat e punës. Sepse LVV është sikur shoqëria jonë e në shoqërinë tonë ka shumë seksizëm i cili shndërrohet edhe në cenim të integritet moral, në abuzim ndaj grave dhe vajzave dhe kjo është aq shumë e përhapur edhe nuk vërehet, është natyralizuar, është normalizuar”, tha Kurti në një deklaratë e cila zgjoi reagime të shumta ndër politikën dhe shoqërinë kosovare.

Ky është rasti i parë që një drejtues partie apo organizate pranon ekzistencën e fenomenit të ngacmimit seksual brenda një institucioni në Kosovë.

Në një deklaratë për BIRN, drejtuesja e Sekretariatit të Gruas në Vetëvendosje, Nazlie Bala tha se ngacmimet shpesh nuk ishin të drejtpërdrejta dhe ndonjëherë ndiqeshin nga refuzimet e grave. “Ne kemi mësuar për këto ngacmime nga ankesat e vajzave të përfshira drejtpërdrejt”, tha ajo.

E pyetur nëse ndonjë nga këto raste është penalizuar, Bala deklaroi se një person u shkarkua nga partia në vitin 2013 pas një ankese.

Ajo tha se ngacmimi seksual mbetet një çështje sfiduese dhe do të duhet kohë dhe energji për të krijuar një hapësirë ​​në të cilën rastet e tilla do të adresohen dhe denoncohen.

“Ne filluam të flasim publikisht për këtë në Vetëvendosje, pasi ne duam të thyejmë këtë tabu ndaj të cilës shoqëria mbyll sytë.

“Ne duhet të krijojmë një mjedis që nuk gjykon denoncuesin, por të denoncuarin”, tha Bala, duke bërë thirrje për mbështetje nga pjesët e tjera të shoqërisë dhe sidomos në mediat.

http://kallxo.com/grate-e-vetevendosjes-shenjestrojne-ngacmimin-seksual/

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Luljeta Demolli, tha për gazetën Jeta në Kosovë se adresimi i këtij problemi nga Kurti është rast që “mund ta ngritë vetëdijen në të gjithë nivelet në Kosovë”.

Sipas Demollit, adresimi i rasteve të ngacmimeve seksuale ka vite që është “kauzë parësore e organizatave të shoqërisë civile” të cilat punojnë për barazi gjinore dhe të drejtat e njeriut.

“Ka pasur shumë projekte, protesta dhe organizime që kanë synuar ta përfshijnë këtë angazhim në funksionimin institucional shtetëror. Nuk kemi parë që Lëvizja Vetëvendosje të jetë spikatur në përkrahje dhe ndihmë ndaj shoqërisë civile për formimin dhe instalimin e kornizës ligjore me qëllim të parandalimit dhe luftimit të rasteve të ngacmimeve seksuale, ndonëse brenda saj paska pasur trajtim të rasteve të tilla”, tha ajo.

Duke u ndërlidhur me situatën e brendshme nëpër të cilën po kalon Lëvizja Vetëvendosje, Demolli thotë se “ekziston frika se një çështje kaq e ndjeshme do të mund të keqpërdoret si mjet për denigrimin e kundërshtarëve politikë” brenda partisë.

“Askush nuk ua ndalon atyre (partive politike) që të krijojnë politika të veçanta anti-diskriminim, kundër ngacmimit seksual dhe kundër abuzimit seksual”, shtoi ajo.

Ajo tha se është e befasuar, për faktin se për herë të parë po flitet për një fenomen të tillë, ndërkohë që ka kërkuar masa konkrete për adresimin e problemit.

“Kur flasim për ngacmime ose për sulme seksuale është e rëndësishme që menjëherë të ketë politika (veprime) konkrete në adresimin e tyre”, shtoi Drejtoresha e QKSGj-së.

Më tej, Demolli u ka bërë thirrje deputetëve të Vetëvendosjes që të shkojnë përtej përmendjes së ngacmimit seksual.

“Unë lus të gjithë deputetët e Vetëvendosjes që të ndikojnë që të krijojnë politika dhe këto t’i bashkëngjiten avokimit tonë (të OJQ-ve) që të bëhet një ligj por të ketë edhe politika brenda organizatave të shoqërisë civile, brenda organizatave politike por edhe vetë Kuvendi ka nevojë për diçka të tillë”, tha Luljeta Demolli.

Ajo i kritikoi politikanët dhe liderët e partive duke thënë se nuk e kanë mbështetur në masë të duhur përpjekjen për luftimin e ngacmimit seksual.

“Ne kemi punuar shumë që të ekzistojë një politikë kundër ngacmimit seksual për t’i parandaluar këto raste dhe nuk na janë bashkangjitur politikanët, liderët, personat me ndikim në këtë kauzë. Politikat do të duhej të ekzistonin si parandalim si në Vetëvendosje edhe në organizatat e tjera”, tha Demolli.

Në dhjetor të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi se brenda një viti e gjysmë janë regjistruar mbi 50 raste të ngacmimit seksual në vende të punës.

Adelina Berisha, Koordinatore për Avokim në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) citon një hulumtim të kësaj organizate të vitit 2016 i cili erdhi në përfundim se 64.1% e grave kanë qenë të ngacmuara seksualisht.

Ndonëse shkalla e ngacmimit ka qenë e lartë, sipas saj, shkalla e raportimit ka qenë shumë më e ulët.

“Vetëm 4.1% e të gjithë respondentëve i kanë raportuar rastet e ngacmimit seksual te autoritetet ose njihnin dikë që kishte vepruar kështu”, tha Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Berisha, veç tjerash, e tërheq vërejtjen për mungesën e kornizave në bazë të të cilave do të parandalohej ngacmimi seksual.

“Partitë politike, pasi që edhe kanë për synim të udhëheqin me vendin, e kanë për obligim të jenë shembuj të qytetarisë dhe të drejtësisë. Andaj, ato duhet të fillojnë të krijojnë politika, kode, apo çfarëdo lloj dokumenti tjetër që do ta ndëshkonte ngacmimin seksual por që po ashtu u krijon mekanizma që anëtarët e saj (pra të partisë) të kenë mundësi ta adresojnë ngacmimin seksual”, tha Adelina Berisha.

Luftimi i ngacmimit seksual me aplikacion mobil

Një nga platformat e raportimit të ngacmimeve seksuale është edhe aplikacioni “Ec Shlirë”.

Zana Idrizi, nga Girls Coding Kosova, menaxhere e zbatimit të projektit të aplikacionit, ka treguar se në këtë aplikacion janë raportuar 424 raste të ngacmimit që nga 25 shkurti i vitit 2016.

Megjithëse aplikacioni ka marrë raportime të konsiderueshme ende pritet të rritet koordinimi me Policinë e Kosovës.

“Jemi në proces e sipër të lidhjes së një marrëveshjeje me policinë. Projekti është mirëpritur nga Policia e Kosovës dhe marrëveshja pritet finalizohet së shpejti”, tha Idrizi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Lexo më shumë:

A Është ky Momenti i #MeToo për Kosovën?

Teuta Rrusta: Albin Kurti të Mos Sillet si ‘Babë’ Ndaj Vajzave e Grave në VV

Tinka Kurti i Del Krah Albin Kurtit