Shoqëria Civile i Kërkon KPM-së Kthimin e Kohavisionit

Dyzetepesë organizata jo qeveritare reaguan të premten kundër vendimit të rrjetit kabllor Ipko për të zhvendosur Kohavisionin nga kanali 3 në 83 përmes një letër-proteste dhe një konference të mbajtur për media.

“Ne jemi të bindur se këto veprime janë formë e censurimit të medias në Kosovë dhe janë shprehje e hakmarrjes ndaj raportimit të lirë dhe të pavarur të Kohavisionit dhe Kohës Ditore”, thuhet në letrën e nënshkruar nga shoqëria civile.

Organizatat kritikuan edhe Komisionin e Pavarur të Mediave për mospërkushtim ndaj vendimit me të cilin komisioni konstatoi se me zhvendosjen e KTV-së Ipko ka bërë shkelje të kushteve të licencës.

“Veprimet e operatorit kabllor Ipko dhe mungesa e përkushtimit të Komisionit të Pavarur për Media që të rivendosë gjendjen sipas vendimit të dhënë përbëjnë pengesë të vazhdueshme që mediat dhe qytetarët e Kosovës të gëzojnë lirinë e shprehjes”, thuhet në letër.

Për kompaninë Ipko ata që janë ankuar duhet të shikojnë edhe njëherë rregulloren e KPM-së.

“Krejt ankesat që janë bërë dhe të gjithë ata që ankohen duhet të shikojnë rregulloren se sa ka Ipko obligim ligjor për të ndërruar diçka në listën e saj të kanaleve. Krejt ankesat janë jolegjitime për shkak se nuk bazohen rregullore”, tha Alban Kastrati, zëdhënës i Ipko-së.

Organizatat vlerësojnë se veprimi i operatorit “mund të shërbejë si precedent i rrezikshëm dhe censurë për të gjitha mediat tjera në Kosovë”.

Konferenca është mbajtur të premten dhe letra është prezantuar nga përfaqësues të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol dhe GAP.

Në letrën e protestës ata po ashtu kërkuan nga të gjithë operatorët kabllorë që operojnë në Kosovë të mos abuzojnë me licencën e tyre duke ndryshuar rregullat e operimit të tyre në dëm të mediave dhe konsumatorëve.

Në letër i bëhet thirrje edhe Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve gjegjëse që të marrin të gjitha veprimet e nevojshme që së pari të ndalin shkeljen e tilla dhe të rregullojnë sferën e operatorëve kabllore.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha për gazetën se mbështetja e një iniciative të tillë është mbështetje ndaj medias së lirë dhe lirisë së informimit ndaj qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se mbështet këtë iniciativë për të ndaluar një precedent që cenon lirinë e medias dhe që i prekë të gjitha mediat në Kosovës.

Disa nga organizatat që kanë nënshkruar letrën protestuese janë Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, Lëvizja Fol, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, GAP dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Kundër këtij vendimi ka reaguar edhe SEEMO e cila “është befasuar kur ka kuptuar që Ipko ka lëvizur renditjen e KTV-së pa asnjë paralajmërim”.

Zhvendosja e KTV-së është bërë natën e 10 prillit gjersa transmetohej emisioni informativ Interaktiv.

Dy ditë më vonë, më 12 prill Komisoinii Pavarur për Media veprimin e IPKO-s e cilësoi si shkelje pas nuk ishin respektuar kushtet dhe termet e përgjithshme të licencës së KPM-së, duke kërkuar kështu kthimin e televizionit nacional KTV në pozitën e mëparshme.

Deri më tani Ipko nuk ka zbatuar vendimin e KPM-së.