Shoqëri e Pandryshuar

Derisa Serbia përgatiti edhe një befasi për Perëndimin, në Kosovë gjithçka dukej e qetë. Se kush do të formonte qeverinë e re në Serbi nuk dukej të jetë aq e rëndësishme për opinionin kosovar. Ndoshta edhe me të drejtë. Pasi, kushdo që të bëhet kryeministër i Serbisë, për Kosovën vështirë se do të sjellë ndryshime për të mirë.

Beogradi është në ethe të pritjes së kabinetit të ri qeverisës. Mediat e Serbisë me ngurrim po raportojnë që SPS, partia e Slobodan Milosheviqit, që falë dyfishit të votave të fituara në krahasim me zgjedhjet e parafundit, është “kingmaker” dhe anoi kah koalicioni me SNS-në e Tomislav Nikoliqit e jo kah DS e BorisTadiqit. Nuk është larg mendsh se për shkak të këtyre lajmeve nga Serbia shumë kryeqytete të botës janë në ethe. Brukseli e Washingtoni kanë besuar gjatë se Boris Tadiqi dhe partia e tij DS janë faktori kryesor i paqes dhe stabilitetit në Serbi dhe rajon. Perëndimi angazhohej në mënyrë aktive që të mbante në pushtet z.Tadiq dhe partinë e tij. Për këtë ishin në gjendje të sakrifikonin edhe vendet tjera në rajon, demokracinë dhe stabilitetin afatgjatë të këtyre vendeve. Edhe pse nuk kishte shenja se Tadiqi dhe DS ishin çelësi për stabilitet dhe prosperitet në Serbi, bashkësia ndërkombëtare, e sidomos Bashkimi Evropian, vazhduan t’i ofrojnë atij dhe Serbisë që e votonte atë sa më shumë shpërblime, sa më shumë karota.

Bashkësia ndërkombëtare nuk dëshironte të shihte se në rrafshin ekonomik, qeveria e udhëhequr nga DS po dështonte. Serbia po thellohej një krizë ekonomike ndërsa korrupsioni, në të cilin ishin përfshirë zyrtarët e DS, po përhapej me të madhe dhe po e godiste votuesin serb. Reforma e gjyqësorit, që e kërkonte BE-ja, ishte e ngadalshme. Në skenën rajonale, ndonëse Serbia e udhëhequr nga DS kishte bërë disa hapa të guximshëm, siç është pranimi i krimeve në Srebrenicë, megjithatë këto nuk mjaftonin për pajtimin e popujve. DS dhe BorisTadiq nuk treguan se kanë fuqinë të shkëputen nga e kaluara dhe të korrigjojnë gabimet e politikave të kohës së Millosheviqit. Kjo shihet më së miri në rastin e Kosovës dhe qëndrimit të Serbisë karshi shtetit të Kosovës.

Politika e udhëhequr nga DS dhe Boris Tadiq karshi Kosovës nuk ndryshonte shumë nga ato të udhëhequra nga partitë tjera. Në qeverinë në largim në Serbi për nacionalizëm më së shumti dallohej Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, që vinte nga radhët e DS-së. Në raport me Kosovën, Jeremiq ishte edhe më nacionalist se Daqiqi i SPS-së që ishte në koalicion. Edhe vet Boris Tadiq dalldisej nga nacionalizmi sa herë vinte në Kosovë dhe nuk mund të përmbahej nga deklaratat që ngjasonin me fjalimet e Millosheviqit.

Tani kur Tadiq dhe DS morën një përgjigje negative nga votuesit në Serbi në zgjedhjet e fundit dhe kur do të mbeten në opozitë, Kosova vërtet nuk ka pse të mërzitet shumë. Për Kosovën, gati të gjithë politikanët në Serbi dhe gati të gjitha partitë politike janë njësoj armiqësore dhe jo-konstruktive. Prandaj, nëse dikush në Perëndim do të zhgënjehet që BorisTadiq nuk është president e as kryeministër, në Kosovë vështirë se dikush do të zhgënjehet e të mërzitet. Përkundrazi. Kosova ka arsye të shpresojë se bashkësia ndërkombëtare do të ndalet e ta mendojë politikën e vetë ndaj Serbisë dhe të kuptojë se ndryshimet e thella në shoqëri nuk kanë ndodhur, se në tetor të vitit 2000 kur u rrëzua Millosheviqi, në Serbi nuk pat revolucion.

Për Kosovën, më e rëndësishme se kush do të qeverisë me Serbinë në katër vitet e ardhshme, është që në Serbi të paraqitet një klasë e re politike që vërtet do të shkëputet nga nacionalizmi dhe nga mitet që kanë shkaktuar aq shumë viktima e vuajtje e shkatërrim në tërë territorin e ish-Jugosllavisë. Politika në Serbi ende mbetet “politikë e identitetit” e jo “politikë e racionalitetit”. Retorika nacionaliste dhe narrativi nacionalist dominojnë ende debatin shoqëror në Serbi. Ata pak politikanë, intelektualë apo përfaqësues të shoqërisë civile që kontestojnë këtë narrativ dhe këto politika nacionaliste shtyhen në margjinat e debatit e nganjëherë edhe të shoqërisë.

Po aq e rëndësishme sa është që në Serbi të dalin në skenë politikanë me ide dhe vizion tjetër për vendin e tyre e për rajonin, për Kosovën është po aq e rëndësishme që Perëndimi të kuptojë se DS e Boris Tadiqit nuk e ka fuqinë intelektuale e politike për të bërë ndryshime që do të sjellin paqe e prosperitet në rajon. Serbia nuk ka ndryshuar shumë nga vitet e nëntëdhjeta dhe me nacionalizmin e saj po e mban peng veten dhe rajonin. Zanafillat e një Serbie të re çfarë ka nevojë rajoni e BE-ja ende nuk po duken.