Lidhja e shoqatave patriotike të Maqedonisë. Foto: Facebook

Shoqatat ‘Patriotike’ në Maqedoni Nxisin Frikë për Dhunë

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se Maqedonia duhet të hetojë kërcënimet për dhunë nga shoqatat patriotike “që mbështesin luftën e partisë së krahut të djathtë VMRO-DPMNE, kundër një koalicioni të ri qeveritar të udhëhequr nga opozita.

Njëzet e dy shoqata të tilla u mblodhën në qytetin Veles të Maqedonisë javën e kaluar dhe formuan bashkimin e Frontit Kombëtar Maqedonas. Grupi u zotua “të mbrojë” vendin nga qeveria e re e koalicionit dhe nga kërkesat e bëra prej partnerëve të saj, shqiptarët.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar javën e kaluar, shoqatat thanë se do të mbështesin protestat kundër koalicionit të ri të qeverisë duke përdorur “të gjitha mjetet në dispozicion të dhunshme ose jo, për të mbrojtur atdheun”.

Shoqatat patriotike i cilësuan protestat e vazhdueshme kundër qeverisë së propozuar të opozitës si veprim që respektonte vullnetin e njerëzve për të pasur sovranitetin dhe kontrollin e shtetit.

Kërcënimi për të përdorur dhunë ka alarmuar vëzhguesit, të cilët janë të shqetësuar se mos shoqatat përbëjnë kërcënim për sigurinë në vend, duke pasur parasysh situatën politike tashmë të tensionuar në Maqedoni.

“Policia dhe prokuroria duhet t’i shohin menjëherë këto fenomene, sepse kemi thirrje për dhunë. Sipas ligjit, thirrja për shkatërrim të dhunshëm të institucioneve në vetvete është një bazë për dyshim të arsyeshëm për një vepër penale,” tha Ljubomir Gjurceski, një ish-shef policie dhe ekspert i sigurisë.

Blagoja Markovski, ish-zëdhënës i ushtrisë dhe ekspert i sigurisë është gjithashtu i shqetësuar se disa nga anëtarët e ‘Shoqatës Patriotike “- ku shumë grupe e marrin emrin nga revolucionarët e kohës otomane – punojnë për firmat private të sigurisë dhe mund të zotërojnë armë.

“Vetëm dy institucione shtetërore në Maqedoni, policia dhe ushtria, lejohet të përdorin mjete të dhunshme në mbrojtje të vendit… Nesë [shoqatat] bëjnë thirrje për dhunë, po shkelin rregullat e shoqatave të aktiviteteve civile,” tha Markovski pr Telma TV.

Të dy ekspertët besojnë se lindja e papritur e “shoqatave patriotike” në dy muajt e fundit është e lidhur direkt me VMRO DPMNE, e cila është përballur tashmë me perspektivën e humbjes së pushtetit, pas njëmbëdhjetë vjetësh në qeveri. Disa zyrtarë të rangut të lartë të VMRO DPMNE ndodhet përballë ndjekjeve penale dhe gjyqeve të bëra nga Prokuroria Speciale.

VMRO DPMNE po bllokon krijimin e një qeverie të re të koalicionit të drejtuar nga Social Demokratët e opozitës, LSDM. VMRO DPMNE këmbëngul se sovraniteti i vendit është në rrezik për shkak se LSDM ka rënë dakord për disa kërkesa të paraqitura nga partitë etnike shqiptare të koalicionit, përfshirë edhe njohjen më të madhe të shqipes si gjuhë zyrtare.

Opozita, e cila ia doli të mbledhë një shumicë në parlament vetëm duke u mbështetur nga partitë shqiptare, ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka pranuar ndonjë ultimatum të dëmshëm apo antikushtetues.

Shoqatat patriotike po marrin mbulim të gjerë mediatik në mediat pro-qeveritare dhe po portretizohen vetëm në një aspekt pozitiv, jo-kritik.

Anëtarët e këtyre shoqatave janë të njohur për publikun, për shkak të ‘uniformës’ së tyre pseudo militante, që përbëhet nga bluzat e zeza, beretat e zeza ose të kuqe, tatuazhet dhe kryqet ortodokse. Shumica e këtyre shoqatave përdorin emblema që portretizojnë armë dhe kafka dhe nuk e fshehin faktin se mbështesin DPMNE VMRO.

“Ne do të përfaqësojmë dhe mbështesim politikat e DPMNE VMRO për sa kohë që mbrojnë interesat kombëtare. Në qoftë se ata braktisin këto interesa ose pranojnë platformat shqiptare, si LDSM, do t’i dalim kundër edhe atyre,” tha Goran Angelov, lideri i një shoqate patriotike nga qyteti i Velesit në një intervistë për Telma TV të hënën.

Angelov, shokët e të cilit dalin rregullisht në protesta paqësore kundër qeverisë së koalicionit të ri të opozitës, këmbënguli se ata nuk kanë bërë thirrje për dhunë. Ai akuzoi disa media se nxisin panik.

“Unë personalisht nuk kam armë. Ne jemi një lidhje që nuk ka armë. Mund të ketë disa individë që kanë… Do të vazhdojmë të përdorim mjetet paqësore për sa kohë që nuk na provokojnë. Për shembull nëse dikush na sulmon, do të mbroheshim normalisht,” tha Angelov.

Megjithatë, ai shtoi se “nëse e kërkon nevoja”, ata do të “drejtojnë njerëzit” të cilët aktualisht po protestojnë në Shkup kundër qeverisë të re të LSDM për të sulmuar ndërtesën e parlamentit.

Këto kërcënime nuk janë të reja. Ndërsa parlamenti është i bllokuar nga deputetët e VMRO DPMNE të cilët kanë zgjatur diskutimet dhe po shtyjnë zgjedhjen e një kryetari të ri parlamenti dhe të qeverisë së re, organizatorët e protestave kanë lënë të kuptohet se nëse LDSM përpiqet të thyejë bllokadën, ata mund të marrin masa më radikale.