Shkrimtari S’ka Obligime Patriotike

Nëse udhëpërshkruesja dhe shkrimtarja e njohur britanike Edith Durham ishte pritur me një brohoritje në verën e vitit 1921 kur kishte mbërritur në Shqipëri, në vitin 2006 një koleg të sajin të një kohe tjetër- Tom Phillips-in e kishin pritur me armë. 

Gjithçka kishte ndodhur kur shkrimtari, dramaturgu e udhëpërshkruesi britanik Phillips së bashku me familjen e tij do të niste shtegtimin për në Shqipërinë, imazhi i së cilës gatuhej me fjalët “gangsterë”, “besë” e “bukë e kryp e zemër”. 

Familja Phillips sapo kishte mbërritur në kryeqytetin shqiptar dhe këmbimi i funtave me lekë ishte gjëja  parë që duhej bërë. Tom-i do të hynte në një bankë 50 metra larg sheshit “Nëna Terezë” në Tiranë për ta kryer një proces. 

“Fëmijët dhe gruaja mbetën jashtë duke më pritur”, kujton Tom-i, ngjarjen që do ta trondiste. 

Dhjetë minuta më vonë kur ai po dilte jashtë objektit të bankës fëmijët dhe gruan do t’i shihte të rrethuar me automatikë. Një skenë e tillë përshtatej plotësisht me rrëfimet e miqve të familjes që e kishin portretizuar Shqipërinë si një vend ku bandat kontrollojnë çdo cep. 

Por gjithçka ishte një keqkuptim. 

“Banda” ka qenë sigurimi i transportimit të parave dhe ata thjesht kishin rrethuar familjen për shkaqe sigurie. 

Për një shkrimtar, një histori e tillë do të ishte shtysë e rëndësishme që të shkruante një triler për të treguar vandalizmin e vendit që shikonte me sy nga Evropa. Por për Tom-in që kishte shkuar në Shqipëri thjesht për qejf, kjo ishte një histori me të cilën në darkën afër bregdetit do të qeshnin së bashku. 

Tek 6 vjet më vonë një solo-dramë mbi këtë udhëtim do të niste të inskenohej në “Bristol Old Vic Theatre” të Londrës. 

“Nuk e kam idenë se nga më erdhi në kokë shkrimi i kësaj drame, por definitivisht nuk e kam shkruar për të ndrequr apo prishur imazhin e Shqipërisë. Ka qenë thjesht një monodramë”, thotë Tom Phillips, i cili gjatë javës që shkoi qëndroi në Kosovë në kuadër programit për shkëmbime kulturore Kosovë-Britani të organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve të Kosovës. 

Ani pse Phillips nuk e pranon se drama e tij ka ndikuar në reputacionin e shtetit që tek të martën e 24 qershorit mori statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, drama e tij kishte hasur në vëmendjen e mediave pikërisht për shkak të temës së tij dhe titullit të dramës “Isha në Shqipëri”. 

“Drama është një temë që flet për ato gjëra (sikurse stigmatizimi) me të cilat përballet Shqipëria e që në fakt nuk janë nën kontroll të shqiptarëve. Njësoj janë edhe miliona gjëra të cilat njerëzve ua veshim si veti, e që në fakt nuk janë nën kontrollin e tyre”, thotë Phillips. 

“I went to Albania” është njëra nga disa librat e gazetarit e kritikut të “The Guardian”, e shkrimtarit të veprave si “Reversing into the Cold War”, “Travels in the Family “ dhe “Encoutenring Problems”. 

Por historia e Phillips-it me shqiptarët tash do të lidhet edhe profesionalisht. Ai do të koordinojë nga Britania programin i cili do të bëjë të mundur shtimin e pranisë së letërsisë shqiptare tek audienca anglishtfolëse. 

Nga Kosova Phillips do të pranojë materiale të letërsisë kosovare dhe nga ajo do të krijojë një antologji të shkrimtarëve nga Kosova në Angli. 

Phillips thotë të jetë i informuar se letërsia në Kosovë, sidomos ajo e gjeneratave të reja është më shumë e shkëputur nga nacionalizmi dhe detyrimi që shkrimtarët e gjeneratave më të hershme i kanë dhënë vetës për të prezantuar popullin e tyre nëpërmjet letërsisë. 

“Kjo kam përshtypjen nuk është pjesë e letërsisë së re. Tek e fundi njerëzit në Britani, por edhe kudo tjetër, nuk janë të interesuar që të lexojnë letërsi e cila merret me historinë e një populli,  ose një shkrimtar që obligon veten të jetë patriotik në atë që shkruan”, thotë Phillips. 

Kësisoj ai parasheh që të përzgjedhë letërsinë e re kosovare e cila nuk i vë vetes këso detyra nacionaliste dhe patriotike. 

“I kam takuar disa dhe më kanë pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Tregimet e tyre janë të lidhura ngushtë me fate njerëzish, jo të një populli”, thotë Phillips.