Shkolla Gjysmë e Re dhe Gjysmë e Vjetër (TV)

Nxënësit e shkollës “Ramiz Sadiku” në Pejë mësojnë në dy ambiente krejtësisht të ndryshme, ndonëse në të njëjtën shkollë. Cikli i klasave të larta, ose shkolla e mesme e ulët, mëson në ambiente të shkatërruara dhe të vjetruara në përmasa shqetësuese, përderisa cikli i ulët, ose shkolla fillore mëson në aneksin e ri, me ambiente komode.

Gjysma e vjetër e objektit mban brenda vetes edhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë që nga paslufta, një shkollë kjo që kurrë nuk ka pasur objekt të vetin.

Autoritetet komunale dhe udhëheqja e shkollës, thonë se mbetja e kësaj pjese në këtë gjendje ka ndodhur për shkak të vonesës së një donacioni.

Arif Ademaj, drejtor i shkollës, tregon se në objektin e vjetër mësim mbajnë 7 paralele të shkollës “Ramiz Sadiku” dhe 21 paralele të shkollës së mesme të mjekësisë.

Sipas tij së bashku me disa kthina që nuk duhej numëruar as si klasa, janë 12 salla mësimi në gjendje shumë të rëndë.

Drejtori i shkollës ngatërron donatorin

Drejtori thotë se pas një investimi, i cili ishte bërë në mënyrë sipërfaqësore pas luftës, duke lënë peng gjendjen e kësaj shkolle, një donacion i USAID-it prej rreth 280 mijë eurosh, mendohet se do ta rregullojë këtë objekt. Ademaj shpreson që ky donacion do të fillojë të implementohet sa më shpejt që është e mundur.

Por kur është fjala te dhuruesi i donacionit, del se drejtori e ka gabim, sepse donacioni sipas Arbër Morinës zëdhënës në Ministrinë e Arsimit është dhënë nga zyra e BE-së.

“Projekti në fjalë është i zyrës së BE-së dhe është dhënë për gjithsej 63 shkolla nga mbarë Kosova dhe dy spitale, Klinikën kirurgjike, dhe atë interne në QKUK-së në Prishtinë, me vlerë totale të projektit të dizajnimit dhe ndërtimit prej 15 milionë e 203 mijë eurosh dhe është për efiçiencë të energjisë”.

Morina thotë se para fillimit të punëve të ndërtimit, të gjithë drejtorët e shkollave janë informuar për këto aktivitete si dhe për gjetjen e shkollave zëvendësuese për procesin mësimor, gjatë periudhës sa zgjasin punimet.

“Të gjithë janë pajtuar të gjejnë opsionin më të mirë, në rast se punimet do të vazhdojnë gjatë dhe pas shtatorit”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, Arbër Morina.

Se shkolla “Ramiz Sadiku” e Pejës është përzgjedhur për rregullim nga Komisioni Evropian, në mënyrë që më pastaj në ato ambiente të kursehet energjia, e konfirmon për Gazetën Jeta në Kosovë edhe Lumnie Demi, zëdhënëse e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal MAPL.

Sipas Demit, aplikimi i masave të efiçiencës së energjisë në këtë shkollë pritet të nisë në vitin 2014. Deri atëherë shkolla duhet të jetë e rregulluar për zbatimin  masave të tilla.

I pyetur më vonë rreth donacionit, Arif Ademaj thotë se nuk është i sigurt se kush e ka dhënë donacionin, sepse nuk ka marrë asgjë me shkrim.

 Ndërsa Fatmire Tërdevci, zyrtare për media në Zyrën e Komisionit Evropian në Prishtinë, ka thënë se në mesin e këtyre shkollave të projektit për energji efiçiente, janë edhe shkollat fillore “Ramiz Sadiku” dhe ajo “8 Marsi” në Pejë, të cilat sipas saj, si datë të fillimit të punimeve kanë 28 prillin e vitit 2014, përkatësisht 12 majin.

Sipas Tërdevcit me punimet e parapara në këtë projekt, do të bëhet ndërrimi i dyerve, dritareve, nyjeve sanitare, dyshemeve, pullazeve, lyerjes dhe izolimit të mureve, e të tjera.

Edhe Ismail Shala drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës gjatë mandatit të Ali Berishës, mendon se donacioni është i USAID-it.
 
“Ne në vitin e kaluar kemi fituar një donacion nga USAID-i me vlerë prej rreth 200 mijë euro që është për shkollën “Ramiz Sadiku”, mirëpo me që këto para janë të ardhura si donacion, ato janë shtyrë për projekte për këtë vit dhe fillojnë prej dhjetorit të këtij viti”, thotë ai.

I pyetur më vonë nëse ky donacion është i BE-së, Shala tha se “unë e di që është nga USAID-i”.

USAID-i ka thënë se nuk ka projekt për shkollën “Ramiz Sadiku” të Pejës.

Salla e Edukatës Fizike në Bodrum

Ndërkohë mësimdhënësit e kësaj shkolle thonë se ajo nuk plotëson as kushtet elementare për proces mësimor.

Bardh Hoxha, mësimdhënës i lëndës së Artit Figurativ në këtë shkollë ka thënë se ky objekt nuk i përmbushë as për së afërmi kushtet për mësim, duke pasur një inventar të dëmtuar dhe enterier të shkatërruar.

“Nxemjet janë me stufa, dyshemetë e vjetra para 40 vjetësh, dyert janë të shkatërruara, tabelat e çara dhe kjo gjendje reflekton në disponimin e nxënësve dhe në mësimnxënie, që ndikon në mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thotë ai.

Edhe profesori i edukatës fizike në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, Albert Husaj gjendjen e ka vlerësuar të mjerueshme.

“Ma herët kjo ka qenë si podrum dhe me angazhimin e stafit të shkollës ne e kemi bërë një intervenim sa për të pasur hapësirë për orët e edukatës fizike, ndërkaq gjendja në këtë sallë është shumë e rëndë, duke filluar nga shkallët, korridori i sallës dhe salla në përgjithësi”, thotë ai.

Fatlum Kelmendi nga Peja i cili ka tri vajza në shkollën “Ramiz Sadiku”, thotë se gjendja e objektit të shkollës është e mjerueshme.

Ai ka treguar që të kishte kërkuar nga ana e mësimdhënësit të edukatës fizike që fëmijët e tij të mos mbajnë orën e edukatës fizike në podrumin e improvizuar si sallë të edukatës fizike.

Ngjitur me aneksin e vjetër të shkollës fillore “Ramiz Sadiku”, Komuna e Pejës tre vjet më përpara ka ndërtuar një aneks të ri të shkollës, për të zbutur gjendjen e rëndë të vijimit të mësimit  nga ana e dy shkollave, asaj fillore dhe asaj të mesme të mjekësisë, pasi që kjo e fundit që nga paslufta në mungesë të një objekti të saj, mban mësimin në këtë objekt.

Veneta Gjuka-Gafurri mësimdhënëse e klasës së dytë, e cila punon në kushte shumë të mira në aneksin e ri të shkollës, ka thënë se gjendja e shkollës në të cilën ajo punon është shumë e mirë.

“Në klasën tonë kushtet janë të mira, do të thotë nuk kemi ankesa siç po e shihni edhe vetë, objekti është i ri dhe të gjitha tjerat, si bankat, dritaret, dollapët e të tjera”, tha ajo.