Shkenca Politike - Rreth 150 Studentë Pa Konkurs

Në departamentin e shkencave politike të Fakultetit Filozofik, në vitin akademik 2012-2013, u pranuan 144 studentë më shumë se sa parashiheshin me konkurset e shpallura nga Universiteti i Prishtinës.

Katër prej tyre figurojnë të regjistruar gati fare në fund të vitit akademik, që nga mbarimi i marsit.

Mësimdhënësit i thanë gazetës se fenomeni është i përhapur për studimet bachelor dhe se për këtë arsye disa prej tyre kishin refuzuar të merrnin pjesë në komisionet e pranimit të studentëve të rinj. 

Me statutin e universitetit, parashihet që studentët pranohen me provim përkatës ndërsa numrin e vendeve e përcakton senati i tij pas sugjerimeve të këshillit të fakultetit. 

Në listën me emrat e studentëve të regjistruar në departamentin e shkencave politike, për vitin akademik 2012/2013, figurojnë gjithsej 305 studentë.

Në konkursin e shpallur nga Universiteti i Prishtinës, më 17 korrik 2012, për vitin e parë të studimeve, ky departament do duhej të pranonte gjithsej 120 studentë. Prej tyre, 80 studentë të rregullt dhe 40 me korrespondencë. 

“Por, për këtë përgjegjëse është Administrata Qendrore e Universitetit të Prishtinës. Bekim Baliqi

Në konkursin plotësues të shpallur për afatin e dytë, më 17 shtator 2012,  ky departament do të pranonte gjithsej 41 studentë me korrespondencë.

Sipas këtyre dy konkurseve, numri i studentëve që do të pranoheshin në departamentin duhej të ishte – gjithsej 161. Përzgjedhja do të duhej të bëhej në bazë të pikëve të arritura në provimin pranues, i cili do të organizohej nga profesorët e këtij departamenti.

Regjistrimi 150 studentëve shtesë, ndërkohë, është i jashtëligjshëm sepse nuk pati konkurse përkatëse të shpallura nga universiteti ose ministria e arsimit. 

Përveç katër studentëve nga muaji mars, tridhjetë e shtatë studentë figurojnë se ishin regjistruar ndërmjet datave 9-14 janar 2013, pasi kishte përfunduar semestri i parë i studimeve.

Profesori Bekim Baliqi, i cili deri në tetor të vitit 2012 ishte shef i departamentit, tha se “për çdo vit, numri i studentëve që regjistrohen në këtë departament, tejkalohet me atë që shpallet me konkurse”.

“Por, për këtë përgjegjëse është Administrata Qendrore e Universitetit të Prishtinës”, tha Baliqi. 

“Detyra e ime si shef ka qenë vetëm për të menaxhuar departamentin, kurse regjistrimin e studentëve e ka bërë Administrata Qendrore”, shtoi ai.

Sipas profesorit Baliqi, gjatë kohës sa ai ka qenë shef i këtij departamenti, procesi për regjistrimin e studentëve ka shkuar në atë mënyrë që së pari është krijuar një komision me profesorë të brendshëm të departamentit, me të si anëtar, që i ka propozuar Këshillit të Fakultetit Filozofik një numër të caktuar të pranimit të studentëve të rinj. 

Propozimi me numrin për regjistrimin e studentëve, tha Baliqi, është bërë duke u bazuar në stafin akademik dhe hapësirat që i ka pasur departamenti. 

Fakulteti i ka propozuar pastaj rektoratit e ky i fundit, në koordinim me ministrinë e arsimit, ka shpallur konkursin e përgjithshëm për pranimin e studentëve.

Edhe profesori Arben Hajrullahu pohon se “për çdo vit numri i studentëve të regjistruar në departamentin e shkencave politike, tejkalon  numrin që shpallet me konkurs”. 

“Kjo është arsyeja që, diku që nga viti 2008, kam refuzuar të jem pjesë e komisioneve për pranimin e studentëve në programin bachelor”, tha Hajrullahu.

“Sa herë që kam qenë pjesë e komisioneve për pranimin e studentëve, kam kërkuar dhe tani kërkoj që të respektohet rregulla bazë e konkurrencës fer dhe të barabartë”, shtoi ai. “Përndryshe organizimi i të ashtuquajturave provime pranuese nuk ka asnjë logjikë. Numri përfundimtar i studentëve të regjistruar duhet të jetë ai që shpallet me konkurs, e jo ai numër të bëhet top i politikës ditore, siç ndodh zakonisht”. 

“Kjo është arsyeja që, diku që nga viti 2008, kam refuzuar të jem pjesë e komisioneve për pranimin e studentëve në programin bachelor. Arben Hajrullahu

Dekani i fakultetit filozofik Bujar Dugolli pranon se është tejkaluar numri i studentëve të regjistruar nga ajo që është paraparë me konkurset fillestare.

“Detyrën si dekan e kam marrë më 1 tetor të vitit 2012 dhe kam menaxhuar vetëm procesin e provimeve pranuese për afatin e dytë”, tha Dugolli. “Me sa kam informacion unë, rritja e numrit është bërë – një përqindje nga ministria e arsimit dhe një përqindje nga rektorati”. 

“Ne jemi të obliguar t’i përfillim vendimet e tyre dhe të mundohemi të japim maksimumin e ofrimit të shërbimeve të mira për këta studentë, pavarësisht që rritja e cila vjen jashtë planifikimit të fakultetit nuk na pëlqen”, shtoi ai. 

Personeli i Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës ka refuzuar që të japë informacion se si ka ardhur deri te tejkalimi i numrit të studentëve të regjistruar. 

Sipas znj. Nazime Hasani, ushtruese e detyrës se Drejtorit të Shërbimit për Studentë në Administratën Qendrore, “për çfarëdo informacioni rreth regjistrimit të studentëve, apo për të ofruar qasje ne listat me emrat e studentëve të regjistruar, duhet t’i bëhet kërkesë me shkrim sekretarit të përgjithshëm të universitetit”.

Sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës Esat Kelmendi nuk ofroi qasje në listat me shpalljen e konkurseve për vitet akademike 2010/2011, 2011/2012, 2012/2013.

“UP është në fazën e përgatitjes së statistikave të përgjithshme për nr. e studentëve për vitin 2012/2013, dhe sapo të jenë të gatshme ju dhe publiku i gjerë do t’i keni në disponim”, tha sekretari në përgjigjen e tij me shkrim. 

Kërkesës me shkrim rreth procesit të regjistrimit të studentëve nuk i është përgjigjur as rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi.

Ndërsa Bekim Samadraxha, shef i departamentit të arsimit të lartë në ministri, pohoi “se çfarëdo vendimi që merr ministri për rritjen e numrit të studentëve, bëhet publik”.

“Çfarëdo vendimi që merr ministri për rritjen e numrit të studentëve, bëhet publik. Bekim Samadraxha

Sipas Samadraxhës, “ministri mund të kërkojë që të rritet numri për regjistrimin e studentëve në drejtime të caktuara, por ky numër shpallet me konkurs.”

“Zakonisht ministri kërkon që të rritet numri në ato drejtime që ka mungesë të kuadrove dhe që është kërkesë e tregut të punës”, shtoi Samadraxha.

Ministria nuk ka ofruar ndonjë kopje për gazetën dhe nuk figuron se ka shpallur konkurs për 144 studentët shtesë të shkencave politike.