Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Shkeljet e Shumta në Konkursin për Profesor Asistent në FShMN

Laureati i çmimit të Akademisë së Shkencave të Kosovës për vepër shkencore, Lulzim Zeneli, nuk është pranuar si mësimdhënës në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore të Universiteti të Prishtinës. Ai ka përvojë pune si mësimdhënës dhe të paktën 5 punime shkencore si autor i parë në revista me impakt faktor. Këto dy kritere kanë qenë kryesore për pranimin në UP si profesor asistent.

Komisioni Recensues kishte vlerësuar që Zeneli i plotëson kushtet, por në fund e kishte propozuar për profesor asistent një kandidat tjetër, i cili nuk ka asnjë punim shkencor me impakt faktor si autor i parë.

Senati dy herë e kishte kthyer mbrapsht vendimin e Komisionit Recensues, pasi personi i propozuar nuk i plotësonte kushtet. Por, Senati kishte vendosur të mos lejojë zgjedhjen e Zenelit, mirëpo të rishpallte konkursin.

Zeneli ka bërë ankesa nëpër instancat e UP-së, por në fund është detyruar të bëjë një kallëzim penal për anëtarët e komisionit vlerësues dhe një padi për UP-në.

Raporti kontrovers i Komisionit Recensues

Lulzim Zeneli, në vitin akademik 2009-2010, ka qenë i angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Pesë vjet më pas ai përfundon shkollimin duke u bërë doktor shkence në Kimi dhe aplikon për t’u rikthyer në Universitetin e Prishtinës si mësimdhënës.

Në konkursin e publikuar më 14 janar 2015, Zeneli aplikon për profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematikore- Natyrore (FShMN) në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Zeneli kishte aplikuar në konkursin e UP-së në janar të vitit 2015 për mësimdhënës për lëndët Biokimi, Stereokimi  dhe Metabolizmi i Biomolekulave. Së bashku me Zenelin, në listën e ngushtë të këtij konkursi kishin hyrë edhe Rexhep Rexhepaj dhe Hamit Ismaili.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka siguruar raportin e Komisionit Recensues, i cili është përgatitur nga tre profesorë të FShMN-së, Nevzat Aliaga, kryetar dhe dy anëtarët Ramiz Hoti e Ismet Hashani.

Komisionit Recensues ka vlerësuar se Lulzim Zeneli i plotëson kushtet formale për pozitën profesor asistent. Atij i është njohur përvoja e punës si mësimdhënës nëpër institucionet private të arsimit të lartë.

“Kandidati Dr. Sc. Lulzim Zeneli posedon një numër solid të publikimeve ndërkombëtare në fushën e mjedisit e shëndetit, toksikologjisë, biokimisë e bioteknologjisë”, thuhet në raportin e Komisionit Recensues.

Ndërsa për kandidatin e dytë, Rexhep Rexhepaj, anëtarët e Komisionit Recensues kishin vlerësuar se i njëjti nuk i plotëson kushtet për këtë konkurs. Rexhepaj ishte vlerësuar se nuk ka përvojë pune në mësimdhënie.

Për kandidatin e tretë, Hamit Ismaili, anëtarët e Komisionit Recensues kishin dhënë mendim pozitiv.

“Kandidati Ass. Dr. Sci. Hamit Ismaili posedon një numër të konsiderueshëm të publikimeve ndërkombëtare e rajonale në fushën e biokimisë, kimisë supramolekulare e sintezave organike, si dhe përvojë pune në mësimdhënie në universitet dhe si i tillë i plotëson kushtet formale për t’u zgjedhur në pozitën përkatëse”, thuhet në vlerësimin e Komisionit Recensues për kandidatin Hamit Ismaili.

Në raportin e  Komisionit Recensues të siguruara nga “Gazeta JnK”, shihet që tre anëtarët Nevzat Aliaga, Ramiz Hoti dhe Ismet Hashani i kanë dhënë përkrahje kandidatit Hamit Ismaili, i cili nuk ka asnjë publikim shkencor me impakt faktor si autor i parë. Në raportin e Komisionit Recensues thuhet që kandidati Ismaili ka prezantuar tri punime shkencore si koautor (bashkëpunëtor) të publikuara në revista shkencore me impakt faktor, ndërsa si autor kryesor figuron me dy punime pa impakt faktor.

E publikimi i punimeve në revistat me impakt faktor është kriter me Statutin e Universitetit të Prishtinës. Në nenin 177 thuhet se për titullin profesor asistent “kandidati duhet të ketë numër të zgjedhur të monografive dhe publikimeve të shqyrtuara në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike me së paku një punim kryesor të publikuar dhe shqyrtuar në revista ndërkombëtare si autor i parë ose korrespondent”.

Eliminimi i shkencëtarit

“Gazeta JnK” ka kontaktuar me Ismailin për të pyetur edhe njëherë nëse ka punime shkencore të publikuara ku ai është si autor i parë.

“Jam i zënë në ligjërata, jam me studentë, dëgjohemi më vonë”, tha Ismaili.

E kur më vonë u kontaktua përmes mesazhit telefonik, Ismaili nuk u përgjigj fare për “Gazetën JnK”.

“Gazeta JnK” ka kontaktuar me prorektorin Naser Sahiti, i cili ka pranuar se kandidati Ismaili është propozuar nga Komisioni Recensues përkundër që nuk kishte asnjë punim shkencor me impakt faktor si autor i parë.

“Komisioni vlerësues edhe pse ka konstatuar që Lulzim Zeneli i plotëson kushtet formale, recensionin pozitiv ia ka dhënë kandidatit të brendshëm, në këtë rast Hamit Ismajlit, e të cilin Senati nuk ka mundur ta aprovojë meqë z. Ismajli nuk ka pasur punimet e nevojshme”, tha Sahiti.

Prorektori për Mësimdhënie Sahiti ka thënë se ka lëshime në vlerësimet e anëtarëve të Komisioneve Recensuese të UP-së.

“Në të kaluarën, e pjesërisht edhe tani, vazhdojnë të shkruhen raporte të komisioneve vlerësuese të diskutueshme në kuptimin e vlerësimit të kandidatëve dhe dhënies së propozimit për Senat. Jemi të vetëdijshëm për këtë mangësi në zinxhirin vlerësues dhe në konkurset e radhës jemi të sigurt që rastet e tilla do të jenë shumë të rralla”, tha për “Gazetën JnK” prorektori Sahiti.

Lulzim Zeneli //Foto: Facebook

Për dallim nga Hamit Ismaili, kandidati Lulzim Zeneli sipas raportit të Komisionit Recensues ka pesë punime shkencore me impakt faktor të publikuara si autor i parë.

“Numri i publikimeve në revistat me “impakt faktor” si autor kryesor është 3 (+2)”, thuhet në raportin e Komisionit Recensues në faqen 2 për kandidatin Zeneli.

Por Zeneli për “Gazetën JnK”, tha se këtu kanë bërë gabim Komisioni Recensues sepse ai posedon tetë punime shkencore me impakt faktor si autor i parë dhe dhjetë të tjera si koautor (bashkëpunëtor).

“Kam publikuar 18 punime shkencore, prej tyre si autor i parë i kam të publikuar tetë punime origjinale në revistat ndërkombëtare në Evropë dhe ShBA me impakt faktor të lartë. H-indexin (indeksin Hirsch-it) e kam 5”, tha Zeneli.

Kandidati me numrin më të madh të punimeve shkencore është Rexhep Rexhepaj, i cili është përjashtuar nga Komisioni Recensues për t’u zgjedhur profesor asistent për shkak të mungesës së përvojës së punës në mësimdhënie.

Në raportin e Komisionit Recensues thuhet se Rexhepaj është autor i parë i 8 punimeve me impakt faktor.

Rexhapaj është edhe post-doktorant në Institutin e Biokimisë dhe Biologjisë Molekulare në Universitetin e Bonit  “Rheinixche Friedrich – Wilhelms”, në Gjermani.

“Gazeta JnK” ka provuar të kontaktojë me kandidatin Rexhepaj, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur meqë ai  jeton jashtë Kosovës.

E Zenelaj insiston se ai ishte kandidati i vetëm që i plotësonte të gjitha kriteret e konkursit.

“Ne këtë konkurs kanë aplikuar edhe dy kandidatë të tjerë nga të cilët vetëm unë i kam plotësuar kriteret akademike dhe statutare për zgjedhje, duke pasur një numër të konsiderueshëm të punimeve ndërkombëtare me impakt faktor dhe përvojën akademike në mësimdhënie”, deklaroi Zeneli.

Sipas kandidatit Lulzim Zeneli, gjithçka ndryshoi kur anëtarët e Komisionit Recensues dhanë mendimin e tyre për tre kandidatët.

“Komisioni Recensues përkundër faktit që jep mendim pozitiv kandidimit tim, Komisioni duke keqpërdorë detyrën i jep përparësi një kandidati i cili nuk i plotëson kriteret statutare dhe për më shumë e propozon për zgjedhje”, tha Zeneli.

Shkelja e procedurave nga Senati

Kur vlerësimi i Komisionit Recensues dhe i Këshillit të FShMN-së ishte prezantuar në Senat, këta të fundit kishin vendosur se kandidati i propozuar Hamit Ismaili nuk mund të zgjidhet profesor asistent meqë nuk ka të publikuar punim shkencor me impakt faktor si autor i parë ashtu siç e kërkon Statuti i UP-së.

Pas vlerësimit, Senati e kishte marrë vendim që çështja të rikthehet në Këshillin e FShMN-së dhe në Komision Recensues për shkak se kandidati Ismaili nuk ka asnjë punim shkencor.

“Senati e ka rikthyer njëherë këtë lëndë në Fakultet dhe ka kërkuar që Fakulteti dhe Komisioni Recensues të reflektojnë dhe ta rishkruajnë propozimin, por të njëjtit kanë qëndruar prapa vendimit të vet të mëparshëm”, tha prorektori për Mësimdhënie, Naser Sahiti për “Gazetën JnK”.

Meqë Senati nuk pajtohej as me rivlerësimin e dytë të Komisionit Recensues dhe të Këshillit të FShMN-së më 28.10.2016 në mbledhjen e rregullt mori vendim që  konkursi të rishpallet.

Në po të njëjtën mbledhje, Senati mori vendim edhe për kandidatin tjetër Lulzim Zeneli.

“Komisioni i Studimeve dhe Senati kanë konstatuar se i përmenduri (Lulzim Zeneli) në asnjë instancë të vlerësimit të kandidatëve që kanë aplikuar në pozitën profesor asistent nuk ka pasur vlerësim pozitiv”, thuhet në vendimin e Senatit, i cili ishte lëshuar më 7 nëntor 2016.

Prorektori për Mësimdhënie, Naser Sahiti, i kontaktuar nga “Gazeta JnK” dha një arsye për këtë vendim të Senatit.

“Senati në këtë rast ka ndjekur praktikën sipas së cilës një kandidat për t’u zgjedhur duhet të ketë recension pozitiv, vendim pozitiv të këshillit të Fakultetit dhe në fund edhe të Senatit nëse i plotëson kriteret”, ka deklaruar Sahiti.

E Lulzim Zeneli duke parë vendimin e Senatit për refuzimin e tij për t’u zgjedhur profesor asistent është ankuar në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa.

“Unë në cilësinë e personit të dëmtuar kam shtruar ankesë pranë Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa të UP-së duke e cilësuar vendimin e Senatit për moszgjedhjen time, si person i vetëm i paraqitur në konkurs i cili i plotëson kushtet formale për zgjedhje mësimdhënës për lëndët në fjalë, si shkelje flagrante të statutit të UP-së”, deklaroi Zeneli.

Në ankesën e dorëzuar më 9.11.2016, Zeneli kërkon që lënda t’i paraqitet Senatit për rishqyrtim dhe miratim.

Një muaj më vonë, më 22 dhjetor 2016, Komisioni i Ankesave dhe Parashtresave pas shqyrtimit të kësaj lënde, vlerëson se janë shkelur procedurat e konkursit dhe se Senati duhet ta rishqyrtojë këtë rast.

“Komisioni pasi shqyrtoi ankesën dhe analizoi materialin i rekomandon Senatit që të rishqyrtohet vendimi i marrë lidhur me këtë pozitë, pasi që në procedurën e zgjedhjes së personelit nuk janë respektuar kriteret formale dhe se procedura për zgjedhjen e personelit duhet të përsëritet”, thuhet në vlerësimin e Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa të siguruar nga “Gazeta JnK”.

Edhe përkundër këtij vendimi të Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa, i cili kërkon nga Senati të rishqyrtohet vendimi i marrë i Senatit (i marrë më 28.10.2016), për pozitën profesor asistent në FShMN, Senati sërish vendos që ky konkurs të rishpallet.

E këtë propozim e bën rektori i UP-së, Marjan Dema, në mbledhjen e rregullt të Senatit të mbajtur më 31 janar 2017.

“Prof.dr.Marjan Dema- rektor i UP-së, propozoj që kandidatit Lulzim Zenelit t’i refuzohet ankesa. Senati me shumicë të votave miratoj propozimin e rektorit për shpallje të konkursit për të njëjtat lëndë”, thuhet në procesverbalin e mbledhje së Senatit të siguruar nga “Gazeta JnK”.

E këto veprime të Senatit sipas Zenelit janë skandaloze.

“Senati i UP-së duke qenë në dijeni për shkeljet që kanë ndodhur nga Komisioni Recensues dhe Këshilli i FShMN-së, si organi më i lartë dhe përgjegjës për respektimin e statutit kur bëhet fjalë për zgjedhje të personelit akademik, në rastin tim ashtu si në shumë raste tjera shkel Statutin dhe me një manovrim të llojit tashmë të njohur merr vendim për moszgjedhjen e askujt. Skandaloz”, është shprehur Zeneli.

Këmbëngulja për shkelje të Statutit të UP-së

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kontaktuar tre anëtarët e Komisionit Recensues, Nevzat Aliaga, kryetar dhe dy anëtarët Ramiz Hoti e Ismet Hashani. Ata janë autorë të një vlerësimi që kanë dhënë për tre kandidatë, e që sipas Senatit është në kundërshtim me Statutin e UP-së.

Vetëm profesor Ramiz Hoti është përgjigjur në pyetjet e drejtuara për vlerësimin e bërë.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju lutem të kërkon Raportin Recensues të përpiluar dhe të nënshkruar nga anëtarët e komisionit. Qëndroj plotësisht pas asaj që kemi vlerësuar dhe propozuar në raport”, deklaroi Hoti.

Ai tha se nuk ka të drejtë të komentojë vendimin e Senatit për përsëritje të konkursit për FShMN.

“Në bazë të Statutit të Universitetit nuk kam të drejtë të komentoj vendimet e Senatit. Për çdo nevojë për ndonjë sqarim shtesë përtej asaj që është shënuar në raport, jam i gatshëm të raportoj nëse më kërkohet nga organet e menaxhmetit të Universitetit”, deklaroi Hoti.

E kandidati Lulzim Zeneli ka bërë Kallëzim Penal ndaj anëtarëve të Komisionit Recensues, Nevzat Aliaga, Ramiz Hoti dhe Ismet Hashani për shkelje të Statutit të UP-së në rastin e propozimit të Hamit Ismailit për profesor asistent në FShMN.

“Me këtë veprim të pandehurit e lartëcekuar kanë lajthitur Departamentin e Kimisë dhe Këshillin Shkencor – Mësimor të FSHMN-së duke e votuar raportin e Komisionit Recensuese dhe duke i besuar kompetentëve (të pandehurve) ku shihet qartë se përgjegjës kryesor duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim që të përfitoj kandidati tjetër, duke i shkaktuar dëm dhe dikreditim kandidatit Lulzim Zeneli kanë kryer veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KRPK-së”, thuhet në Kallëzimin Penal të ushtruar nga Lulzim Zeneli më 7 mars 2017.

Me këtë Kallëzim Penal, Zeneli i ka propozuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të fillojë zbatimin e hetimit ndaj tre anëtarëve të Komisionit Recensues dhe të ngritë aktakuzë duke u bazuar në prova.

Pozita për profesor asistent në FShMN për lëndët Biokimi, Stereokimi dhe Metabolizmi i biomolekulave, ka dy vite që nuk është plotësuar nga Rektorati.

Edhe pse plotësimi i kësaj pozite ka dështuar, Hamit Ismalili, i cili është rekomanduar nga Komisioni Recensus për asistent profesor, aktualisht i mban ligjëratat në këto dy lëndë si asistent në FShMN.

Këtë e ka pranuar vetë Ismaili për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

“Po jam i angazhuar nga Këshilli i Fakultetit i FSHMN-së, pasi që punojë një kohë të gjatë, pra mbaj ligjërata e këtyre tri lëndëve që dy vite e gjysmë”, deklaroi Ismaili.

Mbajtjen e këtyre tri lëndëve në FShMN nga Ismaili e ka konfirmuar për “Gazetën JnK” edhe prorektori për Mësimdhënie, Naser Sahiti.

“Statuti lejon që në mungesë të profesorëve, asistentët me doktoratë të regjistruar të mbajnë ligjërata nën përkujdesjen e një Profesori të fushës. Kjo është duke ndodhur në këtë rast. Nëse nuk mund të zgjidhet profesori i lëndës së caktuar, ligjëratat duhet të mbahen ose me profesorë të angazhuar nga jashtë ose me asistent të cilët autorizohen për këto orë”, tha Sahiti.

E asistenti Hamit Ismaili nuk deshi të komentojë për procedurën e përzgjedhjes së tij nga Komisioni Recensues në konkursin e vitit 2015 për profesor asistent.

“Unë konkurroj si person normal që duhet të konkurroj si kandidat, kurse për gjërat e tjera mund të merreni vesh me rektoratin. Mua për këto gjëra nuk kisha pas dëshirë me më ngucë sepse nuk merrem me to, unë merrem me punën time. Është Senati e Rektorati që më vendos. Merruni me ata ju lutem nëse ka mundësi”, tha Ismaili.

I pyetur se cilat janë përparësitë e tij krahas dy kandidatëve të tjerë, Lulzim Zeneli dhe Rexhep Rexhepaj, ai tha se të tjerët e kanë vlerësuar.

“Unë nuk mundem ta vlerësoj veten, të tjerët më kanë vlerësuar, ata i kanë të gjitha të dhënat e mia”, tha Ismaili.

Padi kundër Universitetit të Prishtinës

Lulzim Zeneli ka bërë edhe padi në Gjykatën Themelore të Prishtinë, në shkurt të vitit 2017, ndaj Universitetit të Prishtinës.

“Ju njoftoi se kam ushtruar padi gjyqësore ndaj vendimit të senatit UP – së për shkelje statutare dhe Kallëzim Penal ndaj Komisionit Recensues për keqpërdorim të pozitës zyrtare”, tregoi Zeneli.

Në padinë e ushtruar nga Zeneli tregohet për neglizhencën e vazhdueshme të Senatit për të shqyrtuar raportin e Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa.

“Senati në mbledhjen e mbajtur më 22.12.2016 edhe pse e ka pasur obligim ta shqyrton raportin e Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa me çka i ka vërtetuar pretendimet ankimore të paditësit, kundërligjshëm ka vendosur sipas propozimit të prorektorit Naser Sahiti që ky raport fare të mos shqyrtohet por të shtyhet për mbledhjen e ardhshme”, thuhet në padinë e ushtruar nga Zeneli.

E prorektori Naser Sahiti thotë se ankesa e kandidatit Lulzim Zeneli është trajtuar në një nga mbledhjet e Senatit.

“Në bazë të propozimit të Komisionit të ankesave kjo lëndë është trajtuar edhe njëherë në Senat. Senati ka marrë vendim që ta përkrah vendimin e vet të mëparshëm”, ka thënë Sahiti.

Zeneli përmes padisë ka kërkuar që të obligohet Senati ta shqyrtojë këtë raport dhe në mbledhjen e radhës ta përzgjedh atë mësimdhënës pasi që i plotëson kushtet formale për pozitën profesor asistent në FShMN.

Prorektori Naser Sahiti ka thënë se nuk janë në dijeni për padinë e ushtruar nga Lulzim Zeneli.

“Ne nuk kemi këto informata”, është përgjigjja e shkurtë e prorektorit Sahiti.

Zeneli thotë se organet vendimmarrëse të UP-së janë një rrjet i kriminalitetit akademik.

“Kemi të bëjmë me një rrjet të kriminalitetit akademik të llojit të vet. Dhe kjo mbështetet mbi ketë bazë: menaxhmenti dhe Senati i UP-së nuk marrin për bazë dhe as nuk ju bënë përshtypje referencat shkencore dhe as respektimi i statutit me rastin e zgjedhjes së personelit akademik, për ta është me rëndësi vija e interesit çka ata përfaqësojnë”, tha Zeneli.

Sipas tij, është ironike se në UP nuk mund të zgjedhesh mësimdhënës edhe po të jesh Nobelist nëse nuk i takon rrjetit të grupit të interesit që mbizotëron aty.

Ai tha se në Universitetin e Prishtinës ka profesor që emri i tyre nuk figuron në asnjë data-bazë shkencore.

“Fatkeqësisht të tillë kemi shumë. Në UP anatemohen profesorët të cilët janë të dalluar dhe të cilët posedojnë referenca respektabile”, u shpreh Zeneli.

Krejt në fund ai tha se në konkursin që ka aplikuar është bllokuar gjithçka.