Një logo e sugjeruar për organizatën fantazmë | Foto: Përpunim i simboleve të ndryshme me licensë të hapur përdorimi

Hulumtimi i BIRN Ndihmon në Rrëzimin e Gjykimit për Terrorizëm

Rasti i një organizate terroriste të quajtur “Harausham” nga prokuroria, për të cilën një hulumtim i BIRN zbuloi që mund të mos ekzitojë, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit të mërkurën, pas konstatimit të shkeljeve të shumta dhe serioze në gjykimin e shkallës së parë.

Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli u dënuan në janar të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 3 vjet e 6 muaj burg secili, pasi akuzoheshin se kishin qenë pjesë e një grupi terrorist në Siri, të quajtur “Harausham”.

Por, gjykimi në apel arriti në përfundimin se “aktgjykimi shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale… ngase nuk janë respektuar dispozitat procedurale për pranimin e fajësisë, ndërsa në pjesën arsyetuese, nuk ka të dhëna për faktet vendimtare”.

Sipas këtij arsyetimi të apelit, kjo do të thotë se përveç problemeve në pranimin e fajësisë nga të pandehurit, praktikisht mungojnë provat kryesore, duke mbështetur në këtë mënyrë pjesën kryesore të nkesave të avokatëve të të pandehurve.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, “aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar pasi që i njëjti është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 par. 1 nënpar. 12 të KPPK-së”.

“Mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa ato që janë dhënë përkitazi me pranimin e fajësisë, janë në kundërshtim të plotë me shkresat në lëndë, shkelje këto që janë rezultat i mosrespektimit të dispozitave procedurale për pranimin e fajësisë, e që kjo gjykatë është e detyruar edhe zyrtarisht t’i shqyrtojë konform dispozitave të nenit 394 të KPPK-së”, thuhet në aktvendimin e apelit.

Livoreka dhe Behluli u arrestuan në shtator 2014, nën dyshimin se në periudhën nëntor 2013 – korrik 2014 i ishin bashkuar një grupi militant që kontrollohej nga organizata terroriste Al Nusra në Siri.

Kundërshtohet pranimi i fajësisë

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës, të pandehurit kishin pranuar fajësinë në shqyrtimin e parë dhe ishin dënuar.

Por gjatë shqyrtimit në Gjykatën e apelit më 10 qershor, të dy të akuzuarit tërhoqën pranimin e fajësisë.

“Tani kanë ndryshuar rrethanat në mënyre qenësore dhe ne në këtë seancë para këtij trupi gjykues revokojmë pranimin e fajësisë,” tha avokati Muhamet Humolli, mbrojtës i të akuzuarit Arben Livoreka.

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-harausham-terheqin-pranimin-e-fajesise/

Ndërkohë vetë Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pranimi i fajësisë nga të dënuarit është kryer përmes disa shkeljesh ligjore.

Në aktvendimin e apelit thuhet se rezulton që gjykata e shkallës së parë, nuk ka respektuar dispozitat procedurale për pranimin e fajësisë, ngase menjëherë pas deklarimit të akuzuarve se pranojnë fajësinë për veprat penale që me aktakuzë u vihen në barrë, pa kaluar fare në fjalën përfundimtare ka shqiptuar dënimet.

“Gjykata, pa fjalë përfundimtare, pas pranimit të fajësisë vazhdoi me shqiptimin e dënimit duke marrë parasysh se të akuzuarit veprën penale e kanë kryer me dashje direkte, kanë qenë të vetëdijshëm për veprat e veta dhe kanë dashur kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendim.

“Mirëpo nga shikimi i shkresave të lëndës dhe provave të bashkangjitura aktakuzës, nuk rezulton se pranimi i fajësisë në fjalë gjen mbështetje në provat dhe shkresat tjera të lëndës”, vlerëson apeli.

Sipas apelit, në vetë deklaratat e të akuzuarve në polici dhe në Prokurori, në mënyrë kategorike mohohet se ata kanë marrë pjesë në çfarëdo aktivitetesh të organizatave terroriste në Siri, por duke mos mohuar se atje kanë shkuar për ta ndihmuar luftën për çlirimin e Sirisë e duke u radhitur në organizata joterroriste.

“Gjykata e shkallës së parë nuk ka pasur bazë ligjore për aprovimin e pranimit të fajësisë, kur vetë të akuzuarit i kanë mohuar faktet dhe rrethanat përkitazi me pjesëmarrjen në grupe terroriste”, thekson apeli.

‘U dënuan pa prova’

Gjykata e Apelit, gjithashtu, është shprehur se aktgjykimi i shkallës së parë është në kundërshtim me provat dhe shkresat në lëndë.

Katër muaj pasi Livoreka dhe Behluli ishin dënuar, një hulumtim i BIRN, zbuloi që “Harausham”, grupi për të cilin dy të dyshuarit supozohet se ishin anëtarë, mund të mos ekzistojë fare.

Organizata Terroriste Fantazmë Trazon Gjyqësorin Kosovar

Nga kërkimet e thelluara në listat zyrtare të organizatave terroriste, por edhe të grupeve luftuese jo-terroriste në Siri dhe Irak, ky grup nuk figuron.

Gjithashtu, prokuroria dështoi t’u përgjigjet pyetjeve të BIRN nëse kishin ndonjë provë për ekzistencën e kësaj organizate, duke thënë se prova ishin vetë deklaratat e të akuzuarve, por të paktën një prej tyre, Nexhat Behluli, tha se deklaratat e tij ishin ndryshuar dhe se nuk kishte dijeni për “Harausham”-in.

Kryeprokurori Special Reshat Millaku, i cili kishte përgatitur aktakuzën e këtij rasti, nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për intervistë.

Kësaj radhe, Gjykata e Apelit ka thënë se “në rastin konkret sipas shkresave në lëndë ka rrethana që nuk janë vërtetuar përkitazi me elementet e veprës penale për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë”.

Vendimi i apelit thotë se ndërsa prokuroria ka akuzuar Arben Livorekën se i është bashkëngjitu “Harausham”, grup i cili ka vepruar në kuadër të organizatës terroriste “Al Nusra”, dhe në dispozitivin tjetër për të akuzuarin Nexhat Behluli, thotë se i është bashkuar organizatës “Al Nusra”, “janë përshkruar fakte dhe rrethana që nuk gjejnë mbështetje në prova apo shkresa tjera të lëndës”.

“Janë përshkruar fakte dhe rrethana që nuk gjejnë mbështetje në prova apo shkresa tjera të lëndës, ngase faktet në fjalë përveç konstatimit ‘se të akuzuarit i janë bashkangjitur organizatave terroriste’, me asnjë provë apo shkresë tjetër në lëndë nuk vërtetohet se të akuzuarit kanë qenë pjesëtarë të organizatave terroriste, sikur që konstatohet në dispozitiv të aktgjykimit”, thuhet në aktvendimin e apelit.

Në aktvendim thuhet se në bazë të shkresave në lëndë “nuk mund të vërtetohet se përmes provave qoftë edhe materiale, tani për tani të jetë vërtetuar se të akuzuarit kanë qenë pjesëtarë të organizatave terroriste”.

Gjykata e Apelit ka përsëritur disa herë në aktvendimin e saj mungesën e provave që do të kishin vërtetuar se të akuzuarit vërtet kanë marrë pjesë në organizata terroriste, ndaj dhe e ka anuluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

“Duke pasur parasysh se gjykata e shkallës së parë, nuk ka respektuar dispozitat procedurale për pranimin e fajësisë, ndërsa në arsyetim të aktgjykimit nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare, atëherë rezulton se aktgjykimi i ankimuar, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thotë apeli në vendimin e tij.

Hedije Ademi, avokate e Nexhat Behlulit tha në fillim të muajit se në këtë shqyrtim, do të përdorte hulumtimin e BIRN, që flet për mos-ekzistencën e këti grupi.

Fillimisht, avokatët e kishin dërguar çështjen në apel duke kërkuar ulje të dënimit, por pas publikimit të hulumtimit, ata vendosën të kërkojnë pafajësinë për të pandehurit apo që çështja të dërgohej për rigjykim.