Shkelje Ligjore nga Komuna e Dragashit në Tenderin për Ujësjellës

Tenderi për shtrimin e ujësjellësit në Komunën e Dragashit sërish do të kthehet në rivlerësim. I njëjti disa herë është anuluar për shkak të shkeljeve të përsëritura ligjore që janë bërë nga Komuna e Dragashit.

Komuna e Dragashit e ka anuluar ‘njoftimin për dhënie të kontratës” në tenderin për “Ujësjellësi kryesor – vazhdimi i punimeve (projekt trevjeçar)”.

Anulimi i dhënies së kontratës është bërë pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili kishte konstatuar se Komuna e Dragashit ka bërë shkelje ligjore.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, paneli shqyrtues i OShP-së ka konstatuar se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe njëkohësish nuk është respektuar neni 60, kriteri kryesor për dhënie të kontratës e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se operatori i rekomanduar për kontratë nuk i ka plotësuar kërkesën në lidhje me kapacitetin teknik dhe profesional ku është kërkuar ‘kontrata të realizuara jo më pak se 3,032,736.00 euro të lëmit të kërkuar në periudhën trevjeçare 2014, 2015, 2016’.

Paneli ka konstatuar se operatori ekonomik (OE) i rekomanduar për kontratë ‘Fanaj Inxhinjering’, ka ofruar kontrata që nuk hyjnë në periudhën trevjeçare (2014, 2015, 2016) dhe kontratat që nuk janë të lëmit të kërkuar.

Gjykata e Tenderëve ia ka aprovuar pjesërisht ankesën kompanisë “Puna”, ndërsa tenderi është kthyer në rivlerësim.

Paneli ka obliguar Komunën e Dragashit që gjatë rivlerësimit dhe në të ardhmen t’i përmbahet në detaje kërkesave të dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë.

Për këtë tender kanë ofertuar shtatë operatorë ekonomikë, ndërsa Komuna e Dragashit e kishte rekomanduar për kontratë operatorin “N.P.T Fanaj Inxhinjering dhe LALA shpk’, Prizren, të cilët kishin ofertuar 1 milion e 151 mijë euro.

Kundër ‘njoftimit për dhënie të kontratës’ ishin ankuar “Puna sh.p.k” dhe “N.N Infra Plus’.

Fillimisht këta operatorë kishin bërë kërkesën për rishqyrtim tek Komuna e Dragashit, por ajo kishte marrë vendim që e njëjta t’i refuzohet si e pabazuar. Si palë të pakënaqura, operatorët më 14 dhjetor 2017 kanë deponuar ankesë në OShP, kundër ‘njoftimit për dhënie të kontratës’, duke pretenduar se Komuna e Dragashit ka vepruar në kundërshtim me nenin 1, 6, 7, 56, 59, 60 të Ligjit për Prokurimin Publik.

Në ankesë thuhet se konsorciumit ‘Fanaj Inxhinjering dhe Lala’ i mungojnë: Qarkullimi financiar nga banka, deklaratat të dorëzuara në ATK për tri vitet e fundit: 2014, 2015, 2016.

Në dosje të tenderit ka qenë kërkesa që operatorët ekonomikë duhet të ofrojnë dëshmi të qarkullimi vjetor gjatë tri viteve të fundit. Se duhet të ketë dëshmi me qarkullim financiar nga banka për tri vitet e fundit apo deklarata tatimore vjetore të dorëzuara në ATK për tri vitet e fundit.

Kompania “Puna” në ankesën e saj pretendon se kompania e rekomanduar për kontratë “Fanaj Inxhinjering’ ka ofruar deklarata vjetore të ATK-së që gjatë tri viteve të fundit është 961 mijë e 422 33 euro.

Ndërsa ‘LALA’ i ka dorëzuar vetëm pasqyrat financiare, ndërsa i mungon qarkullimi financiar nga banka për tri vitet e fundit. Në ankesë thuhet se grupi i operatorëve të rekomanduar për kontratë nuk e arrin vlerën 3 milionë e 32 mijë e 736 euro siç është kërkuar në dosjen e tenderit.

Sipas ekspertit profesional, ky pretendim ankimor është i pabazuar pasi grupi i OE të rekomanduar për kontratë kanë qarkullimin e kërkuar dhe me pasqyrat financiare janë të bashkangjitura qarkullimet bankare sipas kërkesës.

Ndërkaq edhe për pretendimin ankimor se grupi i operatorëve të rekomanduar për kontratë nuk ka listën e kontratave të realizuar në vlerë prej 3 milion e 32 mijë e 736 euro, sipas ekspertit, nuk qëndron, pasi OE i rekomanduar për kontratë ka prezantuar dy lista të kontratave që e arrijnë shumën e kërkuar sipas kërkesës së Komunës së Dragashit.

Sipas ekspertit, sa i përket pretendimit se duhet të pranohen vetëm kontratat për ujësjellës, askund në dosjen e tenderit nuk ceket se kontratat duhet të jenë vetëm për ujësjellës.

Eksperti kishte konstatuar se asnjëra nga nenet e përmendura nga OE ankues nuk janë shkelur nga Komuna e Dragashit dhe ankesa e kompanisë ‘Puna’ është e pabazuar dhe eksperti ka rekomanduar që të vazhdohet më tutje me këtë aktivitet prokurimi.

Por, konstatimet e ekspertit janë kundërshtuar nga përfaqësuesi i operatorit ekonomik ankues, i cili ka thënë se anëtarët e konsorciumit të shpallur fitues kanë dorëzuar kontrata që janë realizuar gjatë vitit 2010 apo 2012, e Komuna e Dragashit ka kërkuar prej vitit 2014 deri në vitin 2016. Gjithashtu, sipas tij, kontratat e dorëzuara nuk kanë qenë nga lëmi i njëjtë, pra shtrimi i rrjetit të ujësjellësit.

Operatori ekonomik ankues, më 5 janar të këtij viti kishte njoftuar me shkrim panelin shqyrtues se nuk pajtohet me raportin e ekspertit shqyrtues kurse, autoriteti kontraktues më 4 janar kishte njoftuar që pajtohen me raportin e ekspertit shqyrtues.

seancën e mbajtur më 17 janar, përfaqësuesi i OE ankues, Ardian Halili, ka kërkuar nga paneli që të analizojë pretendimet e tyre që sipas tij janë plotësisht të bazuara në fakte dhe ka kërkuar që eksperti t’i prezantojë dëshmitë në të cilat bazohet në këtë ekspertizë joprofesionale dhe subjektive.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Komunës së Dragashit, Nuro Ismaili deklaroi se pajtohet me ekspertin shqyrtues të OShP-së.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka shkruar lidhur me këtë tender edhe në të kaluarën.

Sipas gazetës, Komuna e Dragashit kishte pasur shkelje të njëpasnjëshme në tenderin për ujësjellësin.

Shkeljet Recidiviste në Tenderin për Ujin

 

11 Shkurt 2018 - 19:06

Amire Qamili 11/02/2018 - 19:06
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend