ShKA ‘Agimi’ me Dy Udhëheqje e Shumë Probleme

Kjo shoqëri kulturore nga muaji shkurt i këtij viti drejtohet nga dy grupe të ndryshme artistësh.

Një Kuvend i kësaj shoqëri me synim bashkimin e të dy grupeve është thirrur për datën 20 maj.

Kuvendi është thirrur nga grupi i udhëhequr nga Kastriot Marku, i cili e konteston kryesinë e vjetër të “Agimit”.

Në këtë kuvend pritet të diskutohen dhe votohen dokumentet e brendshme si dhe do të zgjidhen organet e brendshme të ShKA “Agimi”.

Por, kryesia e vjetër në krye me drejtorin ekzekutiv Xhemal Kabashi ka paralajmëruar sot përurimin e objektit të rinovuar të sallës së korit dhe orkestrës së ShKA “Agimi”.

Kabashi tha se pikërisht kjo sallë ishte shkaktari kryesor që ndau “Agimin” në dy grupe.

http://kallxo.com/shka-agimi-dy-udheheqje/

Fillimisht kryesia e udhëhequr nga Kabashi kishte vendosur që sallën ta lëshonte me qira. Pas kundërshtimit të shumicës së anëtarëve të ShKA “Agimi”, Kabashi tha se e kanë tërhequr vendimin.

“Nesër thjesht po mendojmë që ma shumë është një hapje simbolike që me i ftu edhe mediat, edhe njerëzit edhe dashamirët e shoqërisë që do të thotë se na ju kemi përmbajtë premtimit tonë edhe dëshirës tyne”, tha Xhemal Kabashi, drejtor ekzekutiv i ShKA “Agimi”.

“Kompania në fjalë meqenëse edhe iu lakua emri i tyre, ata kanë gjetur mirëkuptim dhe janë larguar, nuk kanë lypë asnjë kthim të kompensimit për ato mjete, kështu që ato i kemi të faluna”.

KALLXO.com ka kontaktuar me pronarin e restorantit “Te Syla”, Bujar Dabko, i cili konfirmoi se investimet e bëra në shumën e përafërsisht 7 mijë euro i ka dhënë falas për ShKA “Agimi”.

Në renovimin e kësaj salle donacione ka dhënë edhe firma “Limit”. I kontaktuar nga KALLXO.com, pronari i kësaj firme, Liman Asllani, tha se duke parë mosmarrëveshjet mes dy grupeve të “Agimit” që lindën pikërisht për shkak të kësaj salle, ka shprehur vullnetin që të ndihmojë me këto mjete në mënyrë që ShKA “Agimi” mos të vazhdojë të udhëhiqet i ndarë.

Nga ana tjetër, kryesuesi i anëtarëve në emër të Grupit të Përkohshëm Menaxhues të ShKA “Agimi”, Kastriot Marku, tha se nuk do të marrë pjesë në përurimin e sallës. Salla sipas tij do të duhej të përurohet në ditën e mbajtjes së kuvendit, me 20 maj.

“Fatkeqësisht jemi ndarë në dy grupe dhe me keqardhje dua të them pa ofenduar kërkënd se ata të gjithë janë vëllezërit dhe shokët tanë, mirëpo ne jemi një grup shumë i madh i artistëve prizrenas të cilët për shkak të menaxhimit, ndoshta të qëllimshëm apo jo të qëllimshëm ne nuk e dimë jemi distancuar nga ta”, tha Marku.

http://kallxo.com/kuvendi-shka-agimi-20-maj/

Ndërsa, Xhemal Kabashi thotë se është kryetari legjitim i Shoqërisë Kulturore Artistike, pasi është rizgjedhur në kuvendin e 8 shkurtit të këtij viti. Tha se nuk do të marrë pjesë në Kuvendin e ftuar nga grupi i Kastriot Markut për të shtunën, të cilin e quajti Kuvend paralel.

“Kohëve të fundit, muajve të fundit shoqëria ‘Agimi’ ma shumë po i përngjan shoqërive politike, ma shumë po i përngjan disa institucioneve qeveritare se sa një shoqërie që punon vullnetarisht dhe me vetëdëshirë. Tash tre kuvende, katër kuvende, shtatë kuvende me u mbajtë brenda dy muajve ajo është absurditet total”, tha Kabashi.

Madje Kabashi tha se grupit tjetër nuk do t’i lejohet ta shfrytëzojnë sallën për mbajtje të kuvendeve.

“Nuk kemi me e lëshu këtë sallë nëse e kërkojnë, nuk mujna me ja lëshu sallën. Së pari ata duhen me e bo një kërkesë për sallë. Sallat i lëshojmë për punë edhe për aktivitete kulturore, sallat janë të hapura gjithmonë për çdokënd, e jo që në vazhdimësi këtu të mbahen kuvende kjo është absurditet total”, tha Kabashi.

Kryesuesi i grupit tjetër Kastriot Marku thotë se të gjithë pretendentët për të udhëhequr me organizatën duhet t’i nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë së gjerë përmes votës legjitimuese të 20 majit, duke pretenduar se këtë kuvend do ta mbajnë në objektet e ShKA “Agimi”.

“Na do ta mbajmë kuvendin ashtu siç e kemi cekur, në objektin e ShKA “Agimi”. Ne shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim dhe shpresojmë që e udhës është t’i çelen dyert të gjithë anëtarëve të ‘Agimit’ që ta mbajnë një kuvend. Nëse nuk na lejojnë do të shikojmë një opsion tjetër të cilin për momentin nuk mund të ju them”, tha Marku.

Anëtari tjetër i “Agimit”, Festim Bytyqi, thotë se është anëtar i kësaj shoqërie tash e 39 vjet si këngëtar. Ai për një kohë të gjatë e ka menaxhuar bufenë e ShKA “Agimi”.

Bytyqi thotë se në grupin tjetër ka persona që shumë i respekton dhe u bën thirrje për bashkim. E kuvendin që do të mbahet të shtunën, Bytyqi e sheh si ngjarje që do t’i thellojë ndarjet.

Hajrulla Çeku thotë se ka për qëllim ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. 20 majin, Çeku e sheh si një përmbyllje të një kaptine jo edhe aq të këndshme të këtyre muajve të fundit për ShKA “Agimi”. Ai beson se të shtunën do të bashkohen edhe grupi tjetër në kuvend.

Mirëpo nëse ndodhë e kundërta dhe nëse nuk do të lejojnë të shfrytëzohen objektet e ShKA “Agimi”, kuvendin Çeku thotë se mund ta mbajnë edhe në ambient të hapur, siç është Shatërvani i Prizrenit.

“Agimi” ka telashe edhe me financim. Një shumë e ndarë nga Komuna e Prizrenit për këtë shoqëri ende nuk i është alokuar.

“Këto mjete deri në këtë moment komuna nuk i ka nda për shkak se nuk ka pasë mjete. Shuma më duket se është 3 mijë euro. Ndoshta javën tjetër më së largu mjetet duhet me ju dalë, në shoqërinë kulturore ‘AGIMI’, kujt saktësisht nuk e di por ne kemi kërkuar që të na sjellin listën nga departamenti i OJQ-ve në Prishtinë edhe ata që janë të regjistruar atje, ata janë për neve legjitim”, tha Lulzim Ibri, zyrtar në Komunën e Prizrenit.

Zyrtari komunal tha se çdo vit ShKA “Agimi” i janë ndarë përafërsisht nga tre mijë euro, ndërsa tha se nuk e di se çka ka ndodhë më tutje a janë paraqitur apo jo këto mjete në ATK, ngase për këtë kompetent janë institucionet tjera që duhet të kujdesen.

Sa i përket mosdeklarimit financiar të ShKA “Agimit” në ATK, Xhemal Kabashi u pajtua se ka ndodhur një gjë e tillë në të kaluarën, mirëpo tha se kanë ndryshuar gjërat për të mirë dhe se tani kanë filluar të deklarojnë gjendjen financiare në ATK.

Shoqëria Kulturore-Artistike “Agimi” është formuar në vitin 1944 dhe i ka mbijetuar shumë sfidave në të kaluarën. Tani po ballafaqohet me probleme brenda vetes të cilat nuk po duken të jenë lehtë të kalueshme.

Prej “Agimit” kanë dalë emra me nam të fushës së muzikës, aktrimit dhe kulturës në përgjithësi, si Lorenc Antoni, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, Zita Bashota, Liliana Çavolli, Engjëll Berisha, etj.