Shitja e Sharr Cem’it nën Hetime

Shitja e Sharr Cem’it për 30 milionë euro, në vitin 2000, që atëherë ishte konsideruar si sukses i madh për Kosovën dhe si investimi më i gjerë direkt i huaj në vend, po hetohet nga prokuroria. 

Janë paraqitur dëshmi se një prej aseteve më me vlerë të Kosovës ishte shitur shumë lirë dhe nëpërmes një procesi jotransparent.

Auditorët kanë zbuluar se çmimi i shitjes, i negociuar në mënyrë direkte me blerësin, ka qenë thellë nën vlerën e tregut të fabrikës së çimentos dhe se përzgjedhja e firmës që ka negociuar marrëveshjen gjithashtu kishte shkelur rregullat e prokurimit. 

Vlera e kompanive shpesh matet me profitin brenda pesë vjetëve, që në këtë rast, do të ishte së paku 100 milionë euro.

Gazeta Jeta në Kosovë gjithashtu ka zbuluar se 80 punëtorë, të cilët kishin qenë duke marrë sigurim social, ishin pushuar nga “Titan”’i me të marrë kompaninë.

Por, kur gazeta kërkoi qasje në dokumentet e tërësishme të auditimit të fondit të privatizimit, konkretisht në fabrikës Sharr Cem, Auditori i Përgjithshëm, Lage Olofsson, e refuzoi atë. 

“Dokumentacioni i tërësishëm me të cilin mbështeten të gjeturat e prezantuara në raportin e auditimit të Fondit të Privatizimit për procesin e privatizimit të fabrikës ‘Sharr Cem’ janë në shfrytëzim nga Prokuroria e Shtetit në çështje hetimore lidhur me këtë rast”, tha Olofsson.

“Qasja e mundshme në këto dokumente pa përfunduar procesi hetimor mund të ndikojë zhvillimin e hetimeve”, shtoi ai.  

Dokumentacioni i tërësishëm për procesin e privatizimit të fabrikës ‘Sharr Cem’ është në shfrytëzim nga Prokuroria e Shtetit në çështje hetimore lidhur me këtë rast – Lage Olofsson.

 

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, konfirmoi të mërkuren se lënda gjendet në këtë institucion. “Nuk mund të them asgjë tjetër deri javën e ardhshme, pasi prokurori gjendet në pushim dhe unë nuk mund të hapë dosjen pa praninë e tij”.

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, konfirmoi të mërkuren se ai është kontaktuar prej hetuesve të organeve të rendit, të cilët kanë qenë të interesuar për versionin e tij të privatizimit të Sharr Cem’it. 

Kurse, drejtori i Përgjithshëm i ndërmarrjes, Emmanuel Mitsou, tha se nuk e di që privatizimi i Sharr Cem’it është nën hetime. “Më duket paksa e çudtishme, sepse prokurori do të duhej ta shpallte këtë”, i  tha Mitsou, Gazetës Jeta në Kosovë. “Prandaj nuk e di as kur ka filluar hetimi dhe për çfarë. Do t’u kërkoj avokatëve që të interesohen”.

‘Investimi më i madh i huaj’

Fabrika Sharr Cem, nga viti 2000, ka qenë e komercializuar nga një kompani zvicerane, me një kontratë për 10 vjet, por vetëm 6 muaj para skadimit të asaj kontrate fabrikës iu ndërrua pronari. Kompania greke “Titan” e bleu atë për 30.1 milionë euro, ndonëse vetëm fitimi vjetor i kësaj fabrike kalonte 20 milionë euro, sipas drejtuesve të komunës së vogël të Hanit të Elezit.

Kompania ka qenë për vite ndotës serioz i ambientit në Hanin e Elezit, i cili mbetet ndër tri rajonet më të ndotura përgjithësisht në vend. Por e tërë kjo durohej nga banorët vendës, kryesisht për shkak se kompania gjeneronte të ardhura për ta, pasi punësonte rreth 700 punëtorë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), më 14 dhjetor të 2010, e shiti Sharr Cem’in te kompania greke, pa tender.

Megjithatë, kryetari i Bordit të AKP’së, Dino Asanaj, e kishte vlerësuar shitjen e Sharr Cemit si ‘privatizimin më të madh në Kosovë’ dhe si ‘më të suksesshmin’.

“Blerësi i ri, po ashtu ka marrë përsipër zotimin që të paguajë kompensimin në vlerën aktuale për punëtorët në skemën sociale. Punësimi afatgjatë dhe prosperiteti janë tashmë të përforcuara për rajonin e Hanit të Elezit dhe ‘Titani’ na siguron që të zgjerojë biznesin në vitet e ardhshme, si dhe do të angazhohet në mbrojtjen e standardeve dhe kritereve kombëtare dhe ndërkombëtare të ambientit”, ishte shprehur Asanaj, në dhjetor 2010.

 

Shitja e Sharr Cemit është privatizimi më i madh në Kosovë dhe më i suksesshmin – Dino Asanaj

Në të njëjtën ditë, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, e kishte quajtur këtë privatizim si hap domethënës në zbatimin e reformave strukturale dhe si tregues të qartë se tërheqja e Kosovës për investitorë të huaj po rritet

“E përshëndes shitjen e Sharr Cem’it nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Jam i lumtur të shoh se AKP-ja realizon transaksionin e saj më të gjerë deri më tani. Ky gjithashtu paraqet investimin më të madh direkt të huaj ndonjëherë në sektorin industrial të Kosovës”, kishte thënë Feith, në një deklaratë më 14 dhjetor.

Favorizimi

Për shitjen e Sharr Cem’it në vlerën prej 30.1 milionë eurosh, AKP’ja është kritikuar nga një raport i Auditorit të Përgjithshëm.

Auditori, në raportin për pasqyrat vjetore financiare të fondit të privatizimit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2010, që është përmbyllur në qershor 2011, thotë se në kontratën “Kontraktimi i Shërbimeve Këshillëdhënëse për Transaksione Lidhur me Privatizimin e Sharr Cemit”, vërehet që AKP’ja prej fillimit kishte favorizuar kompaninë fituese.

“Fillimisht inicimi i procedurave për realizimin e kësaj kontrate ishte bërë përmes njësisë së prokurimit. Më pas ky tender anulohet dhe Bordi merr vendim të vazhdojë me ritenderim përmes metodës së procedurave të prokurimit të brendshëm”, thuhet në raportin e auditorëve. 

AKP’ja nuk kishte aplikuar procedura të hapura, por kishte dërguar ftesa në pesë kompani për dorëzimin e ofertave. E në bazë të tyre kishte përzgjedhur kompaninë fituese “Raiffeisen Investment” me një çmim prej 580.000 eurosh. “Bazuar në këtë, ne vlerësojmë se procedurat për përzgjedhjen e këshilltarit nuk ishin transparente. Për më tepër kjo kompani kishte për të bërë përcaktimin e vlerës se shitjes për Ndërmarrjen Sharr Cem”, thotë Auditori.

Të hyrat e përgjithshme nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore gjatë vitit 2010 ishin 72.588.812 euro, nga të cilat rreth 42 për qind ishin nga privatizimi i ndërmarrjes Sharr Cem.

AKP’ja e ka të themeluar Departamentin e Shitjes, i cili është kompetent për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore. Auditori konstaton se për privatizimin e Ndërmarrjes Sharr Cem, AKP nuk kishte respektuar procedurat, duke negociuar vetëm me blerësin, i cili e kishte në shfrytëzim ndërmarrjen deri në momentin e privatizimit. “Negocimin e çmimit e kishte bërë kompania e kontraktuar për shërbime këshillëdhënëse ‘Raiffeisen Investment’. Pas negocimit është arritur marrëveshja për çmimin 30.100,000 euro, me të cilin çmim shitet ndërmarrja”.

 “Duke u bazuar në këtë, mund të themi se AKP’ja nuk kishte siguruar çmim të tregut të hapur gjatë shitjes se kësaj ndërmarrjeje. Parregullsitë e vërejtura prej kontraktimit të këshilltarit, e deri te shitja e Sharr Cemit, na shpijnë në mendimin se është favorizuar blerësi i kësaj ndërmarrjeje”, thotë auditori, duke treguar se agjencia e ka shkelur ligjin dhe procedurat.

Por, drejtori i Përgjithshëm, Emmanuel Mitsou, ka një version tjetër. Ai thotë se kur “Titan” e kishte marrë nën shfrytëzim Sharr Cem’in, gjashtë muaj përpara se kompania zvicerane “Holcin” të përmbyllte kontratën dhjetëvjeçare, ajo kishte bërë lëvizje të rëndësishme strategjike. 

“’Titan’ është një aktor me pozicion të fuqishëm në rajon dhe ne nuk kemi hyrë në një marrëveshje për vetëm gjashtë muaj. Ne e kemi pasur idenë e qartë se do të garojmë për privatizimin e Sharr Cemit”, tha Mitsou. “Në bazë të ligjit për investime të huaja, kompania që ka ndërmarrjen nën shfrytëzim ka të drejtë të negociatave direkte me PAK’un. Kështu, ligjërisht, gjithçka ka qenë korrekte”.  

“Sharr Cem ka pasur nevojë për një kompani të fuqishme sepse ajo kërkonte investime dhe nuk kishte tokë për të marrë burime”, shtoi Mitsou. “Prandaj, blerja e tokës, lënda e parë dhe investimet – që të gjitha kanë qenë pjesë e negociatave me PAK’un për çmim. Dokumentacioni përkatës ka qenë në disponim të Auditorit të Përgjithshëm”. 

Ai ka sfiduar edhe pohimin e Komunës së Hani i Elezit se Sharr Cem’i kishte rreth 20 milionë euro të hyra në vit. “Për pesë-gjashtë vjet me radhë më herët ndërmarrja ishte në humbje, sepse gjendej në proces të rivitalizimit”, ka thënë Mitsou. “Në dy vitet e fundit ajo ka pasur profit, por më pak se 20 milionë euro në vit”. 

“Më duhet të shtoj se po ashtu deri më 2010 kompania ka operuar e vetme në treg, pra pa konkurrencë, gjë që nuk ndodh tash”.

 
sharrcem.com  

 

Rezistenca e komunës 

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Komuna e ka kundërshtuar nga fillimi shitjen e Sharr Cem’it. Sipas tij, shitja ishte shoqëruar me shkelje dhe çmimi i ofruar nga kompania greke “Titan” nuk ishte real.

Suma thotë se Sharr Cem kishte vlerë më të lartë se sa është shitur. “Komuna ka ngritur padi ndaj AKP’së në Gjykatën Supreme, por  po bëhen gati  një vit dhe ne, nuk kemi marrë asnjë mendim, përveç asaj se padia është pranuar”, tregon ai.

Ai shton se Hani i Elezit nuk është kundër blerësit, por kundër formës dhe mënyrës së shitjes së ndërmarrjes. “Ne kemi kundërshtuar dhe kundërshtojmë formën e privatizimit, pasi Sharr Cem është shitur pa tender. Çmimi i cili është shitur është tepër i ulët dhe nuk përkon me vlerën e ndërmarrjes”, tha Suma.

Sipas tij, vlerësimet paraprake kanë treguar se vlera e Sharr Cem’it është diku mes 80 deri në 110 milionë euro.

‘Zgjidhje e Kujdesshme’

Sharr Cem ishte privatizuar në fund të vitit 2010 nga AKP’ja. Para privatizimit blerësi, në cilësinë e qiramarrësit, ka investuar 22.5 milionë euro në këtë fabrikë. Ndërsa ka marrë obligim që në të ardhmen të investojë edhe 35 milionë euro, duke rritur totalin e investimeve të huaja direkte në fabrikën e Sharr Cem’it në 87.6 milionë euro.

Zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi, i tha Gazetës JnK se ndërmarrja Sharr Cem ka pasur nevojë për një zgjidhje të kujdesshme për interes social, ekonomik dhe komercial. Ai shtoi se agjencia ka udhëhequr procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrje në mënyrë të hapur e transparente, duke njoftuar institucionet vendore e ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë për fillimin e procesit të privatizimit dhe për mënyrën e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

“AKP çështjen e privatizimit të Sharr Cem’it e ka shqyrtuar me kujdes të veçantë, ka marrë parasysh sfidat aktuale ekonomike të operimeve, me theks të veçantë mungesën e lëndës së parë – mergela në tokën që posedon kjo ndërmarrje”.

Kaloshi ka treguar se për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, AKP-ja ka formuar një komision për zbatimin e procesit të privatizimit të kësaj fabrike, me përfaqësues nga Zyra Civile Ndërkombëtare, nga ekspertë të fushës së industrisë nga Komisionit Europian, nga sindikatat e punëtorëve, përfaqësues nga ndërmarrja Sharr Cem si dhe zyrtarë të lartë të AKP’së.

“Duke i marrë parasysh realitetet ekonomike, kushtin kontraktual të trashëguar nga viti 2000, faktin se asnjë ligj nuk ka fuqi retroaktive, AKP’ja ka ardhur në përfundim se shitja përmes kësaj metode me qiramarrësin, sipas kontratës, krijonte më shumë mundësi për të arritur një çmim që reflekton çmimin e drejtë të tregut dhe gjithashtu mundësonte negociata edhe në fusha tjera, si numri e ruajtja e vendeve të punës, investimet dhe mbrojtja e ambientit”, tha zëdhënësi Kaloshi.

“Bordi i Drejtorëve të AKP’së, në bazë të praktikës ndërkombëtare ka kontraktuar këshilltarin e transaksionit, i cili ka bërë vlerësimin e ndërmarrjes, gjithnjë duke pasur parasysh mbrojtjen dhe rritjen e vlerës së aseteve”.

Kaloshi u shpreh se subjekt gjatë hulumtimit të parametrave për çmim të shitjes, ka qenë punësimi, zhvillimi i prodhimtarisë, ruajtja dhe mbrojtja e ambientit.

“Kompania me renome botërore ka dhënë opinionin mbi çmimin fer të tregut, në bazë të kalkulimeve të shumëfishta”.

Kaloshi tha se AKP’ja po bën monitorimin e përmbushjes së kushteve kontraktuese, bazuar në kontratën e nënshkruar në mes agjencisë dhe blerësit. Megjithëkëtë, sipas tij, blerësi ka për obligim të raportojë në baza vjetore për përmbushjen e obligimeve kontraktuese dhe në fillim të vitit 2012, blerësi do të raportojë për vlerën e investimeve kapitale.

Punëtorëve u shkëputen kontratat  

Përveç çmimit të ultë, shumë punëtorë e pësuan me humbjen të vendit të punës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një vendim për shkëputje të kontratës së një punëtori që është bërë më 9 dhjetor 2010, ndërsa palës i është dërguar pas disa muajsh. (shih dokumentin)

“Përfundimi i punësimit tuaj ka ardhur si pasojë e shitjes së aseteve. Kjo letër është njoftim zyrtar për ju se punësimi juaj përfundon menjëherë”, shkruhet në letrën që e kishte marrë punëtori Enver Dermjani.

“Kërkesat, duke përfshirë edhe pagat e papaguara që u janë borxh juve, sipas kontratës së punësimit me Punëdhënësin do të mbesin përgjegjësi e Punëdhënësit. Kërkesat e tilla do të shqyrtohen sipas procedurave të likuidimit dhe ju do të kontaktoheni kur të fillojnë këto procedura”, thuhet në letrën e siguruar nga Gazeta JnK, e cila është e nënshkruar nga Muharrem Arifi, drejtor i Departamentit të Likuidimit në AKP si dhe Zeqirja Morina, udhëheqësi i Zyrës Regjionale të kësaj agjencie në Gjilan.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, thotë se vetë disa ditë pasi ka ardhur, pronari i ri ua ka nderprerë kontratat më shumë 80 punëtorëve, të cilët ishin në asistencë sociale, të cilët nuk kanë punuar, por kanë marrë 60 për qind të pagës.

Emmanuel Mitsou thotë se “Titani” nuk e ka përjashtuar askënd nga puna. “Ajo që ka ndodhur është se kompania që e ka pasur ndërmarrjen nën shfrytëzim para nesh, ka pasur marrëveshje me një numër punëtorësh që kishin shkuar në pension të parakohshëm, për arsye të ndryshme, t’u paguajë rreth 60 për qind të të ardhurave të rregullta, deri në përfundim të kontratës së saj”, ka thënë Mitsou. “Ata nuk kanë qenë në listat e PAK’ut për punëtorë dhe ne nuk e kemi larguar askënd që ka qenë në ato lista”.  

Ndërkohë, përfaqësuesi i punëtorëve kosovarë në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Haxhi Arifi, thotë gjatë shitjes së Sharr Cem’it, ai ka kërkuar që çmimi i shitjes të jetë sa më i lartë. Por ai, nuk ka treguar se sa ka qenë kërkesat e tij për shitjen e kësaj ndërmarrje.

Arifi thotë se nuk kanë marrë ndonjë ankesë nga punëtorët për blerësin e Sharr Cem’it. Ai thotë se grekët janë duke i mbajtur premtimet, sipas kontratës të nënshkruar.

Edhe kryetari i Sindikatës së Ndërtimtarëve, Avni Hajdini, thotë se nuk kanë vërejtje për privatizuesin e Sharr Cemit. Ai thotë se përveç  humbjes së jetës nga ana e një punëtori të një kompanie tjetër në Sharr Cem, nuk kanë vërejtur ndonjë defekt tjetër.

Aktualisht në Çimentoren e Sharr Cem’it në Han të Elezit janë të punësuar 490 punëtorë, nga 730 sa i ka pasur kjo ndërmarrje para privatizimit. Një numër prej tyre kanë dalë në pension, të tjerët janë përjashtuar.